Lidhje


Kurti paralajmëron zgjedhje të “njëpasnjëshme” në Kosovë, nëse s’ka marrëveshje për president

 

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar të mërkurën se Kosova do të detyrohet të mbajë zgjedhje të “njëpasnjëshme” parlamentare, nëse partitë parlamentare nuk arrijë pajtueshmëri për zgjedhjen e presidentit të vendit, kur kanë mbetur më pak se një javë nga mbarimi i afatit kushtetues për këtë çështje. Kurti, i cili është njëherësh edhe kryetar i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, tha për gazetarë se zgjedhjet e reja gjithashtu do t’i kushtonin vendit me humbje në vlerë dhjetëra milionë euro.

 

“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Unë nuk e di se si mund t’i kemi 80 deputetë, prandaj është e domosdoshme të merremi vesh”, tha Kurti pas një ngjarjeje për përurimin e Klinikës së Kardiologjisë në Prishtinë. Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

 

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

 

Një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. Deklaratat e Kurtit vijnë dy ditë pasi dështuan bisedimet mes tij dhe liderëve të dy partive kryesore opozitare, Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ka 22 ulëse, dhe Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që mban 15 ulëse.

 

Gjatë bisedimeve të hënën në Prishtinë, Kurti i kishte ofruar LDK-së së Abdixhikut postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri Ministri të tjera të paspecifikuara. Në një ofertë tjetër, Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Që të dyja këto oferta u hodhën poshtë nga Abdixhiku. Ndërkohë, në të njëjtën ditë, pas dështimit të marrëveshjes me Abdixhikun, kreu i PDK-së Bedri Hamza e hodhi poshtë si “joserioze” ofertën e Kurtit që partia e tij ta ketë kryeparlamentarin në një ujdi me LVV-në. Abdixhiku tha se nuk do të takohej më me Kurtin, ndërsa Hamza e quajti të “përfunduar” kontributin e partisë së tij për çështjen e presidentit.

 

Nuk është e qartë se si Kurti mund t’i bindë ata të rikthehen në tryezën e bisedimeve para se të soset afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Në komentet e tij të mërkurën, Kurti nuk shpjegoi nëse do t’i kontaktojë sërish ata. Ndërkohë, pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.

 

Edhe vetë Haxhiu u ka bërë thirrje partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.

 

Partia në pushtet në një seancë më 5 mars kishte paraqitur dy emra për president: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën. Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

 

Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria. Gjykata tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit./REL


Komandanti i KFOR-it pret ambasadorin amerikan në NATO, diskutojnë për sigurinë në Kosovë

 

Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ozkan Ulutas, ka pritur në selinë e KFOR-it në Kampin “Film City” në Prishtinë ambasadorin amerikan në NATO, Matthew G. Whitaker, transmeton Anadolu.

 

Takimi ofroi një mundësi të vlefshme për komandantin Ulutas që të paraqesë situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar përkushtimin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

 

Në këtë kontekst, Ulutas shprehu vlerësimin e tij për kontributin e kahershëm dhe të vlefshëm të SHBA-së në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO.

 

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

 

KFOR është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët punon në koordinim të ngushtë.


Vrasja e Liridona Ademajt, dënohet me burgim të përjetshëm Naim Murseli

 

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po bëhet shpallja e aktgjykimit ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

 

Bashkëshorti i saj, Naim Murseli u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata, i akuzuar për planifikimin e vrasjes së Ademajt.

 

Prokuroria në seancën e kaluar ku u thanë fjalët përfundimtare ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke pretenduar se vrasja është organizuar dhe kryer në mënyrë të planifikuar dhe në prani të fëmijëve.

 

Ndërkaq, në anën tjetër mbrojtja e të akuzuarve ka kundërshtuar akuzat.


Vjosa Osmani publikon letrën e Donald Trump: Lidhjen me Amerikën do ta ruajmë përherë

 

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar një letër të dërguar nga presidenti amerikan Donald Trump. Duke e falenderuar trumpin ajo thekson se lidhja e fortë e Kosovës me Amerikën do të ruhet gjithmonë.

 

“Lidhjen e fortë të Kosovës me Amerikën do ta ruajmë bashkë, sot e përherë! Falenderoj Presidentin Trump për letrën e dërguar në përfundim të mandatit tim, të cilën e pranova mbrëmë, si dhe për vlerësimin që i ka bërë punës sonë! Ashtu siç thekson edhe Presidenti i SHBA-ve në këtë letër, mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim.”, shkruan Osmani.

 


“Partitë e opozitës po shantazhojnë qytetarët”, eksperti tregon se si zgjidhet kriza politike në Kosovë

 

Analisti Egon Loli, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, akuzoi partitë në opozitë për krizën politike që po përjeton Kosova, që rrezikon sërish zgjedhje, pasi po dështon që të zgjedhë presidentin. Loli u shpreh se këto parti po u bëjnë shantazh qytetarëve të Kosovës se do t’i çojnë në zgjedhje sa herë votojnë për Kurtin.

 

“Përgjigja e drejtpërdrejtë lidhet me një detaj teknik, nëse në raundin e tretë të votimit duhet të jetë kuorumi prej 80 deputetësh. Teknikisht nëse nuk është kuorumi prej 80 deputetësh, presidenti kalon edhe me 62 votat e shumicës. Por nëse është i nevojshëm edhe në raundin e tretë, me gjasa Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

 

Po ta zgjeroja panoramën politike, nisur nga ajo që ka ndodhur ditën e sotme, partitë opozitare, pasi ndoqa deklaratën e Lumir Abdixhikut, edhe PDK, Bedri Hamza, i cili ndryshe nga çfarë kishte deklaruar se do të takohej me Kurtin për të folur për presidentin, në fakt nuk u takua, bie në kundërshtim edhe me vetë deklaratën e këshillit drejtues të PDK. Mund të them, këto parti nuk po i bëjnë shantazh LVV, apo qeverisë, mazhorancës, po përpiqet t’i bëjnë shantazh qytetarëve të Kosovës, u thonë sa herë të votoni Albin Kurtin, aq herë ne do t’u çojmë në zgjedhje.

 

Nëse nuk do të kemi emër deri në datën 23 për Presidentin e Republikës, do të shkohet në zgjedhje. Kjo është situatë që duhet të marrë zgjidhje jo prej partive politike, pasi asnjëra prej tyre nuk merr dot shumicë për të garantuar stabilitetin, por duhet që qytetarët në një rast eventual të shkuarjes në zgjedhje, t’i japin një përgjigje të gjithë elementëve dhe partive që perceptojnë si destabilizues të vazhdueshëm dhe minues të rendit institucional dhe kushtetues të Kosovës. Parti që sa herë kanë në dorë pengojnë proceset e formimit të institucioneve. Ndodhi me kryetarin e Kuvendit, po ndodh tani me Presidentin e Republikës. Duhet që njëra nga këto parti, të cilat po bëhen pengesë, jo për qeverinë, por për Kosovën dhe rendin kushtetues, të mos kapë pragun, duhet t’i japin goditje knock out këtyre partive. Për të rishpërndarë votat dhe për të dhënë mesazh politik”- tha Loli./ TPZ

XS
SM
MD
LG