Lidhje


E FUNDIT/ Rama & Vuçiç, nismë të përbashkët për zgjerimin e BE? Paralajmërimi trondit Brukselin!

 

Michael Martens, gazetar i njohur gjerman dhe njohës i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, ka paralajmëruar të premten se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po nisin një iniciativë të përbashkët mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian.

 

 

Martens nuk ka dhënë detaje për këtë çështje, por ka thënë se shumëkush mund të mos pajtohet me këtë nismë, derisa ka paralajmëruar se së shpejti do të publikojë artikullin për këtë temë në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).

 

 

“Së shpejti: Një nismë e përbashkët nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian. Ky veprim ka gjasa të tërheqë mjaft vëmendje, edhe pse shumëkush do të mos pajtohet. Më shumë së shpejti në Frankfurter Allgemeine Zeitung”, shkroi ai në llogarinë e tij në platformën X.


Nis gjyqi i dytë - Thaçi dhe katër të tjerë në Hagë për pengim të drejtësisë

 

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është mbajtur seanca për deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj ish-Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët përballen me akuza për pengim të drejtësisë.

 

Seanca nisi në orën 09:30 dhe pritet të përmbyllet rreth orës 16:00, ndërsa pas deklaratave hyrëse Prokuroria do të vijojë me paraqitjen e provave para trupit gjykues. Seancat e gjykimit janë planifikuar të zhvillohen nga 2 deri më 6 mars.

 

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se kanë vënë në dispozicion informacione konfidenciale që lidhen me dëshmitarë dhe se kanë dhënë udhëzime për ndikim në dëshmitë e tyre, me qëllim të pengimit të rrjedhës normale të procesit gjyqësor.

 

Gjatë seancës, të pestë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm. “Jam plotësisht i pafajshëm”, ka deklaruar Hashim Thaçi para trupit gjykues. Edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi kanë mohuar akuzat që u vihen në barrë.

 

Procesi pritet të vijojë me paraqitjen e provave nga ana e Prokurorisë, ndërsa mbrojtja do të ketë mundësi të kundërshtojë akuzat gjatë fazave të mëtejshme të gjykimit.


Kurti: Kosova e gatshme të kontribuojë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur gatishmërinë e vendit të tij për të kontribuar në iniciativën për krijimin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, duke theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) disponon kapacitete të vlerësuara ndërkombëtarisht në fushën e kërkim-shpëtimit dhe deminimit, raporton Anadolu.

 

Duke folur për zhvillimet lidhur me këtë iniciativë, Kurti bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, kanë kërkuar leje për pjesëmarrje në konferencën në Doha të Katarit, ku është diskutuar për misionin ndërkombëtar në Gaza.

 

Kurti theksoi se institucionet e Kosovës kanë mbështetur parimisht përfshirjen në një mision të tillë, duke përmendur edhe ndarjen e mjeteve financiare.

 

“Siç e dini, ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro për atje dhe FSK-ja. Për shkak të aftësive të shquara ndërkombëtarisht sa i përket kërkim-shpëtimit dhe de-minimit dhe jo vetëm, kemi qenë të gatshëm që të marrin pjesë në këtë forcë stabilizuese ndërkombëtare dhe ta ndihmojmë popullin e Gazës, për shkak se ne kemi qenë përfitues të forcave ndërkombtare në vitin 1999 sidomos, por edhe më pas”, deklaroi Kurti.

 

Ai gjithashtu e lidhi qëndrimin e Kosovës ndaj kësaj iniciative me përvojën e vendit nga periudha e pasluftës, duke kujtuar rolin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

 

“Tash dëshirojmë që edhe ne të kontribuojmë”, theksoi ai.

 

Kryeministri tha se një forcë stabilizuese për Gazën pritet të ketë jo vetëm komponent ushtarak, por edhe dimension politik dhe ndërkombëtar, duke bërë krahasime me modelet e administrimit ndërkombëtar të KFOR-it dhe UNMIK-ut në Kosovë.

 

“Një mision i tillë do të ketë edhe strukturë politike. Kur një shtet dërgon trupa, synon të jetë pjesë edhe e proceseve të vendimmarrjes,” deklaroi Kurti, duke shtuar se aspektet konkrete trajtohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes.

 

Iniciativa për krijimin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën vazhdon të diskutohet në qarqet diplomatike, ndërsa detajet mbi mandatin dhe përbërjen e saj mbeten ende të paqarta./AA


Deutsche Welle: President, Presidente apo zgjedhje të reja në Kosovë

 

Pak ditë e ndajnë Kosovën nga zgjedhja e Presidentes apo Presidentit, ose vendi do të shkojë në zgjedhje parlamentare të jashtëzakonshme. Asnjë emër konsensual deri tash nuk e kanë gjetur partitë politike parlamentare. Konsensus nuk ka as për Presidenten aktuale Vjosa Osmani, e cila ka shprehur vetë kandidaturën.

 

Kjo e fundit tashmë është deklaruar se dëshiron të kandidojë edhe për një mandat pesëvjeçar, por për kandidimin e saj nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve, të cilat Osmani akoma nuk i ka siguruar. Presidentja Osmani nuk ka folur publikisht nëse ka siguruar nënshkrimet e nevojshme për kandidimin e saj. Por zyrtarisht akoma nuk ka zgjidhje. Pas një takimi që zhvilloi me të ngarkuarën e ambasadës amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, Osmani përmendi rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të, sic thotë ajo, "stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve”.

 

LVV akoma nuk ka mbledhur nënshkrime


Shumica në Kuvendin e Kosovës, që përbëhet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe pakicat joserbe, nuk dëshiron të propozojë një emër të tyre për president apo presidente, për faktin se i kanë vetëm 66 vota në Kuvend. E pa votën e partive opozitare nuk arrihet numri prej 80 votash të nevojshme për zgjedhjen e Presidentit, prandaj kërkohet konsensus. Këtë qëndrim e shprehu Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

 

"Ajo mazhorancë që është prej 66 numrash në Kuvend, ne jemi bindur që nuk ka mundësi, përmes një emri që propozohet, një emër i njëanshëm, ta marrim edhe votën e garantuar të opozitës për t'i bërë 80 vota. Ky është konstatimi i mazhorancës. Nuk po them se është absolut, sepse gjëra absolute në politikë nuk ka, por me përafërsi ky është konkludimi i mazhorancës”, thotë Konjufca, duke shtuar se shumica do që ta shmangë idenë që të propozojë një kandidat të vetin.

 

Qëndrimet e opozitës


Dy udhëheqësit e dy partive politike opozitare, PDK dhe LDK, që zhvilluan takime me Kryeministrin Kurti, kërkojnë që emri i kandidatit për këtë post të ketë mbështetje të gjerë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, thotë se "zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur”.

 

"Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese. Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, thotë Hamza.

 

Nga ana tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se procesi i zgjedhjes së Presidentit po zhvillohet brenda një afati të kufizuar kohor dhe në këtë linjë ai kërkon "përgjegjësi të lartë politike, qartësi, maturi dhe vullnet për kompromis”.

 

"Është thelbësore të kuptohet se Presidenca duhet të mbetet institucion që garanton ndarjen e pushteteve dhe shërben si faktor uniteti për vendin, e jo si vazhdim i shumicës qeverisëse. Në këtë frymë, dhe në përputhje me deklaratën politike të miratuar në Kuvendin e LDK-së, vlerësoj se ekzistojnë dy rrugë të qëndrueshme përpara: ose një konsensus i gjerë parlamentar rreth një emri të përbashkët për President, ose një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare”, thotë Abdixhiku.

 

Sipas tij, nëse asnjëra zgjidhje nuk merr rrugë, "vendit i vijnë zgjedhjet, një skenar i panevojshëm në këtë kohë”.

 

Qëndrimet e shoqërisë civile


Analistët thonë se do të ishte pjekuri politike që të ketë një konsensus politik për çështjen e Presidentit, por, si duket, nuk ka gatishmëri.

 

"Nuk ka gatishmëri të qartë nga Kurti që të ketë një konsensus për një President që nuk do të kontrollohet nga Kurti. Do të ishte shumë pozitive që Kurti të bëjë një propozim për President jashtë VV-së dhe Listës Guxo. Megjithatë, mendoj se Kurti po shkon kah imponimi ose i Vjosa Osmanit, ose zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme. Se a do të arrijë të imponojë me detyrim, pritet të shihet”, thotë për DW analisti Blerim Burjani. Sipas tij, nëse Kurti nuk e arrin këtë, do të ishte zhgënjim i madh për të, për faktin që ai paraqet fuqinë politike më të madhe në Kosovë dhe ka përgjegjësinë që të shmangë jostabilitetin institucional.

 

"Edhe bashkësia ndërkombëtare do të befasohej për keq që Kosova të mos e tejkalojë këtë gjendje sa i përket zgjedhjes së Presidentit. Kjo po i bie jo pjekuri demokratike, kthim në stadin fillestar të shtetësisë, ku ka pasur nevojë për ndërhyrje ndërkombëtare për të shmangur problemet dhe konfliktet politike në vend”, thotë Burjani, duke vlerësuar se "duhet të demonstrohet pjekuri, vigjilencë dhe arsye për të mbështetur shtetësinë, demokracinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”.

 

Duke e parë "rrezikun” real që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sërish, shumë organizata të shoqërisë civile u janë drejtuar një letër publike partive politike parlamentare, nga të cilat kërkohet që të gjendet një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit dhe të shmangen zgjedhjet e sërishme.

 

"Konsensusi për zgjedhjen e Presidentit është domosdoshmëri për stabilitetin institucional. Zgjedhjet e përsëritshme të parakohshme nuk duhet të konsiderohen si instrument për të garantuar funksionimin e institucioneve. Përkundrazi, ato e rrisin pasigurinë dhe dëmtojnë vazhdimësinë institucionale. Një President i zgjedhur me konsensus ofron stabilitet, siguron funksionimin normal të pushteteve dhe rrit besimin qytetar në institucionet e shtetit”, thuhet mes tjerash në letrën e publikuar nga shoqëria civile.

 

Sidoqoftë, Parlamenti i Kosovës duhet të zgjedhë Presidenten apo Presidentin e vendit më së largu deri më 04.03, pra jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentes aktuale, Vjosa Osman. Mandati i saj përfundon më 4 prill 2026.

 

Për të garuar për President të vendit, një kandidati i duhet t'i sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve, ndërsa nevojiten dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë.

 

Kuorumi në Kuvend arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para të votimit një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t'i ketë 61 sosh. Dështimi eventual do të çonte Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare.


Pak ditë para përfundimit të mandatit, Osmani takon të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për vizitën e saj të fundit në SHBA, zhvillimet politike në vend dhe çështje të tjera me interes të përbashkët. Sipas njoftimit të Presidencës, në takimin që u zhvillua sot më 26.02.2026 është biseduar për takimet që Osmani ka zhvilluar me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

 

Presidentja Osmani shprehu edhe njëherë mirënjohje për ftesën e Presidentit amerikan, Donald Trump, që Kosova të jetë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes, si dhe për garancat e dhëna për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për angazhim dhe kontribut të vazhdueshëm. 


Ajo veçoi po ashtu çështjet e diskutuara në takimin me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar diskutimet e fokusuara në avancimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, me theks në sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen. Presidentja ritheksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitetin, si dhe theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë.


Me këtë rast, Presidentja Osmani nënvizoi sërish rëndësinë e vijimit të dialogut strategjik bilateral, duke theksuar se partneriteti me SHBA-të është interes jetik dhe ekzistencial për Republikën e Kosovës.


Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve.


Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani vuri në pah edhe përmirësimet e dukshme në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në veri të vendit, të reflektuara në raportet e fundit të Policisë së Kosovës për rendin dhe ligjin gjatë vitit 2025. Sipas këtyre të dhënave, konfirmohet një situatë dukshëm më e qetë dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët në atë pjesë të vendit.

XS
SM
MD
LG