Lidhje


LDK: Qasja e VV-së nuk reflekton përpjekje serioze për konsensus, vendi drejt zgjedhjeve

 

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.

 

Në një postim në Facebook, pasi që VV-ja e propozoi Glauk Konjufcën për president, kjo parti ka vlerësuar se për shkak qasjejes “së papërgjegjshme politike të VV-së, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja”.

 

“Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional. Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

 


Hamza: Pa marrëveshje paraprake politike nuk ka votë nga PDK-ja

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia që ai përfaqëson nuk do të japë votë për president pa një marrëveshje paraprake politike.

 

Hamza për Kosovapress tha se qëndrimi i PDK-së ka qenë konsistent.

 

“Qëndrimi është i njëjti, Partia Demokratike e Kosovës ka konsistencë, s’kemi pas vija të kuqe, kemi pas vullnet të plotë me votuar një kandidat, po nëse do të kishte qenë dikush prej familjes Jashari, flas me respekt, me respekt deri në përulje e vlerësojmë vendimin e familjes. Kemi thanë që duhet të ketë marrëveshje politike, që paraprakisht t’i paraprijë marrëveshja politike që të kemi president të zgjedhur, të propozuarin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha kryetari i PDK-së.

 

Ai u shpreh se nuk është takuar me kryeministrin Albin Kurti në Kuvend lidhur me këtë çështje.


Hamza thotë se nuk ka një qëndrim për Andin Hoti i përmendur në media si kandidat i mundshëm i Vetëvendosjes për president.

 

“S’kemi qëndrim se s’ka kandidaturë zyrtare, mirëpo pa marrëveshje paraprake nuk ka votë prej Partisë Demokratike”, tha Hamza.


Lëvizja Vetëvendosje e propozon Glauk Konjufcën për president të Kosovës

 

 


Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca për pozitën e presidentit.

 

Në një postim në rrjetin social Facebook partia në pushtet ka shkruar se në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme.

 

“Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme. Në këto rrethana, Lëvizja VETËVENDOSJE!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca”, thuhet në postim.

 

Vetëvendosja i ka ftuar subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat dhe ka njoftuar se nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese do t’i ndihmojnë nga grupi i tyre parlamentar. 

 

 
“Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara”, thuhet në postim.

 

Tutje thuhet se gjatë takimeve të zhvilluara me krerët e partive opozitare por se nga to nuk kanë marrë një propozim konkret për një kandidat konsesual për president.

 

“Duke pasur parasysh përcaktimet politike të subjekteve parlamentare, si subjekt fitues, propozuam që vendit t’i ofrojmë një kandidat konsensual për President. Për këtë arsye, ftuam disa herë radhazi në takim subjektet më të mëdha opozitare, me synimin për të gjetur emra dhe propozime rreth të cilëve do të mund të ndërtonim pajtim për këtë pozitë, për zgjedhjen e së cilës kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë. Pavarësisht insistimit tonë, nga këto subjekte nuk morëm asnjë propozim konkret, ndërsa u refuzuan edhe ofertat tona me emra të caktuar”, thuhet në postim.


Mark Rutte: KFOR-i do të mbetet i fuqishëm për të përmbushur misionin në Kosovë

 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se misioni paqeruajtës në Kosovë do të mbetet “i fuqishëm dhe i gatshëm për misionin e tij”.

 

Duke folur për rolin e Maqedonisë së Veriut në kuadër të aleancës, gjatë vizitës së sotshme në Shkup, Rutte tha se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi strategjike për NATO-n.

 

Ai falënderoi Shkupin zyrtar për kontributin në misionin e KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se ky mision “vazhdon të luajë rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”.

 

“Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për të përmbushur misionin”, tha ai, duke shtuar se bashkëpunimi mes aleatëve është thelbësor për sigurinë e përbashkët.

 

Misioni i KFOR-it u vendos në Kosovë në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e rikthimit të dhunës. Ai mbetet operacioni më jetëgjatë dhe një nga më të mëdhenjtë aktivë të NATO-s.

 

Fillimisht, forca shumëkombëshe numëronte mbi 50.000 trupa, ndërsa sot ka rreth 4.700 ushtarë. Rreth 590 prej tyre janë nga Shtetet e Bashkuara.

 

Misioni i KFOR-it u vendos në Kosovë në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e rikthimit të dhunës. Ai mbetet operacioni më jetëgjatë dhe një nga më të mëdhenjtë aktivë të NATO-s.

 

Fillimisht, forca shumëkombëshe numëronte mbi 50.000 trupa, ndërsa sot ka rreth 4.700 ushtarë. Rreth 590 prej tyre janë nga Shtetet e Bashkuara. /rel


Afati për presidentin drejt fundit - Në Kosovë partitë ende pa marrëveshje

 

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri po shkon drejt fundit, ndërkohë që partitë politike parlamentare ende nuk kanë një marrëveshje që do t’i siguronte 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e tij.

 

Takimi i zhvilluar të hënën në mes të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar rezultat.

 

Pas takimit, Abdixhiku tha se e sheh shumë të vështirë konsensusin politik mes partive për emrin e presidentit të ri, tek theksoi se nuk ka qëndrim refuzues ndaj presidentes Vjosa Osmani.

 

“Neve nuk na ka ardhur askush me 15 nënshkrime për t’i kërkuar edhe 15 të tjera. Neve nuk na është propozuar asnjë emër për t’i kërkuar votat tona. Pra, në këtë fazë, nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt. Aq më pak ndaj zonjës Osmani”, ka thënë Abdixhiku.

 

Kurti dhe Abdixhiku janë takuar për të njëjtën çështje edhe të hënën e shkuar.


Abdixhiku tha se nëse edhe Vetëvendosja, edhe Partia Demokratike hyjnë në garë me nga një nominim për president, atëherë vendi shkon në zgjedhje. Me 66 votat e koalicionit qeverisës dhe 15 deputetët e LDK-së do të siguroheshin 81 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri, që afat kushtetues ka deri më 5 mars.

 

“Pra në qoftë se vendosë Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja të ketë garë, atëherë shkojmë në zgjedhje sipas të gjitha gjasave, sepse nuk e di se si do t’i bëjnë 80 vota por konsensusi bën president. LDK-ja ka qenë e angazhuar të gjejë president. Pra të gjejë një emër konsesual, jo zgjatim të qeverisë, mos të jetë vazhdimësi e qeverisë, e sidomos e një qeverie që i ka 51 për qind të votave, presidenti duhej të ishte një kundër balancë”, ka deklaruar lideri i LDK-së.

 

Kryeministri Kurti tha se nuk i ka 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe se krejt çfarë mund të bëjë me numrat aktualë është t’i sigurojë nënshkrimet për dy kandidatë.

 

“Si Lëvizje Vetëvendosje ne kemi mundësi që ta nxjerrim një kandidat sepse i bëjmë 30 nënshkrime, sepse nevojiten 30 nënshkrime për të pasur kandidaturë. Bashkë edhe me pakicat që i kemi në mazhorancë mund t’i nxjerrim dy kandidatë. Për shkak se me 66 veta i kemi 60 nënshkrime. Tash edhe opozita, nëse nuk e përfshijmë Listën Serbe, janë 43 deputetë, 22 PDK-ja, 15 LDK-ja dhe 6 AAK-ja gjithsej bëjnë 43. Pra edhe opozita mund të nxjerrë kandidat. Kushtetuta na obligon që t’i evitojmë zgjedhjet, që të mos shkojmë në zgjedhje. Kushtetuta thotë që ne duhet të angazhohemi maksimalisht që të mos shkojmë në zgjedhje”, është shprehur Kurti.

XS
SM
MD
LG