Zelensky i dërgon letër Putinit, i kërkon takim ballë për ballë për t’i dhënë fund luftës
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Vladimir Putinit për një takim ballë për ballë, në një përpjekje të re për të zhbllokuar negociatat dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në një letër të hapur drejtuar presidentit rus, Zelensky shkruan se paqja nuk mund të arrihet duke pritur që lufta në Evropë të rikthehet në qendër të vëmendjes së Shteteve të Bashkuara, të cilat sipas Kievit janë aktualisht të përqendruara te kriza me Iranin. Ai kërkoi një armëpushim të plotë gjatë kohës së negociatave dhe propozoi që takimi të mbahej në një vend neutral, si Zvicra ose Turqia.
“Ukraina propozon përfundimin e kësaj lufte përmes një angazhimi të drejtpërdrejtë mes nesh dhe jush. Unë po propozoj një takim”, shkroi Zelensky, duke shtuar se Ukraina vazhdon të humbasë njerëz dhe se çdo humbje është e dhimbshme.
Kremlini konfirmoi se e kishte marrë letrën dhe se Putini do të informohej për përmbajtjen e saj. Megjithatë, si edhe më parë, Moska la të kuptohej se Zelensky mund të takohej me Putinin në Moskë, një propozim që Kievi nuk e sheh si realist.
Nga Shën Petersburgu, ku mori pjesë në një forum ekonomik, Putin deklaroi se ishte i gatshëm për marrëveshje me Ukrainën, por këmbënguli se duheshin bërë kompromise. Qëndrimi rus mbetet i pandryshuar: Ukraina duhet të tërhiqet nga katër rajonet e pushtuara pjesërisht nga Rusia — Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia — si dhe të heqë dorë nga synimi për anëtarësim në NATO.
Kievi e ka përjashtuar kategorikisht dorëzimin e territorit, duke argumentuar se një kompromis i tillë do ta inkurajonte Rusinë të sulmonte sërish në të ardhmen.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump tha se një takim mes Zelenskyt dhe Putinit “do të ishte shumë i mirë” dhe u bëri thirrje dy palëve ta mbyllin luftën. “Duhet ta bëjnë. Përfundojeni”, tha Trump, pa dhënë detaje mbi kompromiset që ai pret nga Ukraina dhe Rusia.
Thirrja e Zelenskyt vjen në një moment kur negociatat për armëpushim kanë ngecur, ndërsa përpjekjet e mëparshme diplomatike në Gjenevë, Abu Dhabi dhe Stamboll kanë dështuar. Tensionet në terren mbeten të larta, me sulme të ndërsjella me dronë dhe raketa, përfshirë goditje në Krimenë e pushtuar dhe pranë Shën Petersburgut.