Lidhje


Ndër mbështetësit më të fortë të Kosovës, ndahet nga jeta ish-kongresmeni amerikan Eliot Engel

 

Eliot Engel, ish-kongresmeni i Nju Jorkut nga Bronxi, ka ndërruar jetë të premten, njoftoi familja e tij në një deklaratë. Ai ishte 79 vjeç.

 

Demokrati përfaqësoi Bronxin gjatë 16 mandateve në Dhomën e Përfaqësuesve nga viti 1989 deri në vitin 2021.

 

Engel ka qenë i pranishëm në seancën solemne të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

 

Ka qenë ndër figurat më mbështetëse për Kosovën në Kongres. Në një shkrim të vitit 2023, ai pati bërë thirrje që SHBA-ja të qëndronte me Kosovën, duke vlerësuar se nuk po ka trajtim të duhur të mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi.

 

Engel e pati cilësuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si suksesin më të madh të politikës së jashtme për Perëndimin.

 

Familja e Eliot tha se ai ndërroi jetë në paqe, i rrethuar nga familjarët “në lagjen që e rriti: Bronxin.”

 

“Gjatë më shumë se 44 viteve në shërbim publik, Eliot Engel luftoi pa u lodhur për zgjedhësit e tij në vend dhe për paqen dhe sigurinë në mbarë botën,” thuhet në deklaratën e familjes. “Ne e duam dhe na mungon shumë.”

 

Engel u zgjodh për herë të parë në Kongres në vitin 1988. Ai u mposht në zgjedhjet paraprake demokrate të vitit 2020 nga Jamaal Bowman, fituesi i mëvonshëm i zgjedhjeve të përgjithshme të atij viti.

 

Në vitet e fundit të mandatit të tij, Engel shërbeu si anëtar me peshë dhe kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë.

 

“Gjatë gjithë karrierës së tij, kongresmeni Engel ishte një mbrojtës i fortë i zgjedhësve të tij në Westchester dhe Bronx. Ai ishte një kampion i të drejtave të njeriut dhe … ndihmoi në formësimin e politikës së SHBA-së në skenën globale,” tha në një deklaratë drejtuesi ekzekutiv i Westchester County, Ken Jenkins. “Trashëgimia e tij është ajo e përkushtimit, bindjes dhe shërbimit.”

 

Engel ishte anëtar i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut për më shumë se 10 vjet para se të bëhej kongresmen, skruan CBS.

 

XS
SM
MD
LG