Lidhje


Çështja e Presidentit, Glauk Konjufca: Tërhiqem nga kandidatura nëse propozohet një emër jopartiak

 

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka folur sërish rreth kandidaturës së tij për president të vendit.

 

Gjatë një komunikimi për mediat ka thënë se tërhiqet nga kandidatura e tij, në rast se partitë politike do të propozojnë ndonjë emër jopartiak për postin e të parit të shtetit.

 

“Kryeministri e ka vendosur njëfarë kornize. Të mos jetë drejtpërdrejt i partive politike ky president nëse vendoset konsensual, pra të mos jetë drejtpërdrejt prej kryesive. Për shembull, të mos jetë nënkryetari i tyre apo kështu shumë i afërt, që vjen prej rangjeve, strukturave të partive”, ka deklaruar Konjufca.

 

Gjithashtu Konjufca ka shtuar se nëse diskutohet për president partiak atëherë kjo duhet të bëhet me marrëveshje politike.

 

“Deri tani nuk është hapur ky opsion për president partiak. Deri tash asht hapur për president jo-partiak. Nëse është jopartiak, unë jap dorëheqje prej kandidaturës time. Jap dorëheqje sepse po gjendet një i të gjithëve, kush jam unë me mbyllë rrugë”, ka deklaruar ai.


Pasuria e Kurtit në fokus: Kryeministri i Kosovës me vetëm 16 euro në llogari

 

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar deklarimin vjetor të pasurisë së Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Nga deklarimi shihet se atij i është shtrenjtuar qiraja e banesës për 100 euro, teksa i kanë rënë kursimet.

 

Tek pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme nuk ka ndonjë ndryshim. Si pasuri të paluajtshme, Kurti ka përmendur banesën e bashkëshortes, në vlerë 530 mijë euro.

 

Para të gatshme në emër të tij i ka deklaruar 16.41 centë, në emër të bashkëshortes 19 mijë e 500 me prejardhje nga paga dhe trashëgimi nga prindi, 2 mijë euro kursime të vajzës dhe 50 euro tjera të vajzës, që thotë se e kanë prejardhjen nga familjarët.

 

Vjet ai i kishte deklaruar si kursime 1800 euro.

 

Si borxhe, ka deklaruar kredinë e bashkëshortes në vlerë të mbetur 160 mijë euro, dhe ka renditur qiranë e banesës që tash e paguan 350 euro, nga 250 sa e paguante vjet.

 

Tek të hyrat vjetore, Kurti ka renditur 21 mijë e 315 euro nga paga si Kryeministër dhe 51 mijë euro të bashkëshortes.


Kuvendi i Kosovës miratoi dërgimin e Forcave të Sigurisë në Gaza

 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar të premten propozimin e Qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

 

Propozimi – për të cilin nevojiteshin një shumicë votash prej 2/3 – kaloi me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

 

Për të hyrë në fuqi, ky vendim tani duhet të nënshkruhet nga presidenti i Kosovës, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila vjen nga partia në pushtet.

 

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të Kosovës, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendosë vendin në mesin e shteteve, që jo vetëm që përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.

 

“Përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes ë civileve dhe mandateve ndërkombëtare”, tha ministri Maqedonci.

 

Më 30 mars, Qeveria e miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Gazë.

 

Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

 

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

 

Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre.

 

Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

 

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes, e ka mbështetur publikisht këtë nismë. Mandati i saj presidencial përfundoi më 4 prill.


Distria, kampione e Evropës për herë të katërt

 

Për herë të katërt Distria Krasniqi ka fituar titullin e kampiones së Evropës. Suksesin madhor, xhudistja kosovare e ka arritur për herë të tretë rresht.

 

Distria fitoi të artën në Evropianin që të enjten nisi në Tbilisi të Gjeorgjisë. Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë, 30-vjeçarja e mposhti francezen Amandine Buchard. Ndaj saj realizoi herët hedhje për “Yuko” dhe më pas kontrolloi luftën deri në fund.

 

Kështu Kosova për vitin e 14-të rresht fiton medalje në kampionate kontinentale. Është kjo seri e mahnitshme që nuk duket se do të ndalet shpejt, falë punës së kryemjeshtrit Driton Kuka dhe nivelit që e kanë arritur xhudistët e tij.

 

Distria ishte bartëse e parë e kategorisë deri 52 kilogramë dhe nuk lejoi befasi. Nisi me fitore ndaj çekes, Tereza Bodnarova. Ndaj saj fitoi me uazari, kurse dominoi gjithë luftën.

 

Në luftën e dytë, përkatësisht në çerekfinale, e kontrolloi luftën taktike ndaj polakes Aleksandra Kaleta.

 

Edhe ndaj saj fitoi me uazari.

 

Në gjysmëfinale e kishte përballë italianen e njohur, Odette Giuffrida. Ashtu si pritej, lufta ishte e fortë dhe thuajse e barabartë. Shkoi në kohën shtesë, kurse Distria fitoi më “Yuko”.

 

Distria Krasniqi e Giuffrida janë përballur për herë të 13-të në karrierë. Xhudistja kosovare tani i ka nëntë fitore e katër humbje. Ka fituar gjashtë luftërat e fundit.

 

Xhudistja pejanë është në ecuri të pabesueshme. Ka fituar medalje në 16 gara rresht. Gjatë karrierës së mahnitshme ka fituar edhe medalje të artë dhe medalje të argjendtë olimpike.

 

Të enjten garuan edhe Fatjona Kasapi dhe Erza Muminoviq.

 

Fatjona fitoi një luftë dhe u ndal në të dytën në kategorinë deri 52 kilogramë. Ndërkohë Erza u ndal në xhiron e parë në kategorinë deri 48 kilogramë. Madje e humbi luftën që thuajse e kishte fituar.

 

Të premten garojnë Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe Dardan Cena. Dhe shpresat janë që të fitohen medalje të tjera.


Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës dhe deputeti i Vetëvendosjes dënohen me burg për nxitje të përçarjes

 

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, dhe deputeti i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Egzon Azemi, janë dënuar secili me nga një vit e gjashtë muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë të martën, në një rast rigjykimi për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

 

Në të njëjtin rast u dënuan me nga gjashtë muaj burgim edhe Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, të cilën u shpallën fajtorë për kanosje.

 

Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

 

Në një reagim pas dënimit, Azemi shkroi në Facebook se ai dhe Manxhuka u dënuan “pa asnjë provë nga sistemi i vjetërsuar i drejtësisë që liron terroristët serbë”.

 

Ata u rigjykuan pasi Gjykata e Apelit vitin e kaluar e kishte rrëzuar një aktgjykim të më hershëm ndaj tyre, kur gjykata e kishte liruar nga akuzat Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelajn i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim secilin.

 

Për çfarë u dënuan Manxhuka dhe Azemi?

 

Në nëntor të vitit 2023 prokurorët ngritën aktakuzë ndaj Manxhukës dhe Azemit për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit ndaj një gjykatësi dhe një prokurori në Prishtinë.

 

Në kohën kur aktakuza u ngrit ndaj tyre, Manxhuka ishte zëdhënës i LVV-së, ndërsa Azemi anëtar i partisë.

 

Sipas aktakuzës, Manxhuka dhe Azemi, më 28 dhjetor të vitit 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social Facebook, me dashje kishin përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj gjykatësit Mentor Bajraktari dhe prokurorit special Afrim Shefkiu, pas vendimit të tyre asokohe për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.

 

Pantiq, ish-polic serb i Policisë së Kosovës, ishte arrestuar më 10 dhjetor të vitit 2022 nën dyshimin për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veriun e banuar me shumicë serbe.

 

Rasti i tij kishte shkaktuar reagime në vend.

 

“I pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak”, thuhej në aktakuzë.

 

Prokurorët argumentonin se me reagimet e tyre, Manxhuka dhe Azemi kishin ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar punën e gjyqtarit dhe prokurorit, dhe se veprimet e tyre kanë mundur ta prishnin rendin publik dhe ta dëmtonin imazhin dhe integritetin e tyre personal./REL

XS
SM
MD
LG