Lidhje


Presidenti/ Abdixhiku hedh poshtë ofertën e Kurtit – Mbyll derën dhe paralajmëron krizë politike

 

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa asnjë marrëveshje, edhe pse në fokus ka qenë çështja e presidentit.

 

Pas një bisede që zgjati rreth një orë, Abdixhiku deklaroi se palët kanë rënë dakord që të mos zhvillojnë më takime të tjera. Ai bëri të ditur se gjatë diskutimeve, LDK-së i ishte ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ose alternativa për të marrë drejtimin e Kuvendit, por këto propozime janë refuzuar.

 

Sipas tij, oferta nuk përfaqësonte një ndarje të drejtë të pushtetit, ndaj LDK-ja e konsideron këtë çështje të mbyllur. Abdixhiku paralajmëroi se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, të cilat i cilësoi si skenari më i rëndë dhe më i pakuptimtë.

 

Ai theksoi se që në fillim LDK ka pasur një qëndrim të qartë: posti i presidentit nuk mund të jetë në varësi të qeverisë dhe nuk mund të kontrollohet nga e njëjta forcë politike që drejton ekzekutivin. Sipas tij, një situatë ku një parti mban njëkohësisht qeverinë dhe presidencën është e papranueshme.

 

Abdixhiku shtoi se LDK nuk ka kërkuar poste për vete dhe se në këto rrethana nuk mund të bëjë më shumë për të arritur një marrëveshje. Ai theksoi se partia e tij mbetet e hapur për diskutime me subjektet e tjera politike.

 

Kreu i LDK-së akuzoi Kurtin se ka insistuar që posti i presidentit t’i mbetet Vetëvendosjes dhe tha se nuk mund të propozojë një emër në këto kushte. Ai shtoi se gjatë bisedimeve nuk është diskutuar asnjë kandidat tjetër përveç Glauk Konjufca.

 

Gjithashtu, Abdixhiku bëri të ditur se emri i Vjosa Osmani nuk është përmendur në këto negociata, por shtoi se synon të punojë për një afrim politik me të, duke e konsideruar këtë si një zhvillim pozitiv për vendin dhe për LDK-në.


Presidenti/ Kurti: I dhamë LDK-së postin e zv.kryeministrit dhe 4 ministri, por na thanë JO!

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se takimi me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk solli rezultat konkret, duke e cilësuar procesin e bisedimeve si të dështuar.

 

Sipas tij, asnjë nga propozimet e paraqitura nga Vetëvendosje nuk u pranua nga pala tjetër. Kurti bëri të ditur se LDK-së i ishte ofruar një rol i rëndësishëm në një qeveri të përbashkët, përfshirë postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Jashtme dhe tre dikastere të tjera. Ai shtoi se kishte sugjeruar që vetë Abdixhiku të merrte rolin e zëvendëskryeministrit, si një mundësi për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi.

 

Kreu i qeverisë paralajmëroi se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të cilat ai i konsideron të panevojshme dhe me kosto për shtetin. Sipas tij, një proces i tillë do të rëndonte buxhetin me të paktën një milion euro dhe nuk do të prodhonte zgjidhje, pasi nuk do të sigurohej shumica e nevojshme prej 80 deputetësh për funksionimin normal institucional.

 

Kurti theksoi se ishte bërë edhe një kompromis lidhur me ndarjen e posteve të larta shtetërore. Ai propozoi që kryetarja e Kuvendit, Haxhiu, të kalonte në pozicionin e nënkryetares, ndërsa drejtimi i Kuvendit t’i jepej LDK-së. Sipas tij, kjo do të mundësonte krijimin e qeverisë pa nevojën e zgjedhjeve të reja.

 

Megjithatë, edhe ky variant nuk u pranua. Kurti u shpreh se nuk kishte pasur insistim për emra të caktuar, duke kujtuar se Glauk Konjufca kishte deklaruar gatishmëri të tërhiqej nëse do të kishte një figurë konsensuale. Ai shtoi se Vetëvendosje nuk ka synuar domosdoshmërisht të mbajë të tre postet kryesore të shtetit, por kishte marrë iniciativën për të propozuar zgjidhje konkrete në mungesë të alternativave nga pala tjetër.

 

Sipas Kurtit, LDK-ja nuk ka paraqitur kërkesa të qarta, përfshirë edhe çështjen e presidentit. Ai theksoi se nuk mund të ofronte diçka që nuk ishte kërkuar nga vetë partneri potencial, ndërsa shtoi se Konjufca mbetet një nga figurat më të votuara në vend.

 

Duke folur për raportet me PDK, Kurti bëri të ditur se ka komunikuar me kryetarin Bedri Hamza, por theksoi se oferta për bashkëqeverisje kishte qenë ekskluzivisht për LDK-në. Ai shtoi se PDK kishte kërkuar një marrëveshje pa kushte, ku kandidatët do të propozoheshin prej tyre dhe të votoheshin nga Vetëvendosje.

 

Në fund, Kurti kritikoi mungesën e gatishmërisë për dialog nga partitë e tjera, duke theksuar se takimet politike janë të zakonshme, por sipas tij, ka një tendencë për të shmangur bashkëpunimin me të. Ai e cilësoi këtë si një formë bojkoti, duke mohuar që mungesa e marrëveshjes të vijë nga ana e tij.


Dështon takimi Kurti-Abdixhiku për presidentin - Kosova drejt zgjedhjeve të reja

 

Pa marrëveshje për presidentin ka përfunduar takimi në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku.

 

Pas takimit, që ka zgjatur rreth një orë, Kurti ka theksuar se LDK-ja i ka refuzuar të gjitha ofertat që ua kanë bërë, ndërkohë që Abdixhiku, ka thënë se e konsideron të mbyllur diskutimin për këtë çështje.

 

Të dy kanë thënë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, por kanë lënë të kuptohet se ditëve në vazhdim do të mund të ketë diskutime mes Vetëvendosjes e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

 

Kurti ka thënë se menjëherë pas takimit i ka dërguar mesazh kryetarit të PDK-së Bedri Hamza, e Abdixhiku është shprehur se LDK-ja nuk mund të bëjë më shumë dhe se e lë të hapur mundësinë për diskutime me partitë e tjera.

 

Lideri i Vetëvendosjes ka thënë se LDK-së i kanë ofruar postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera, ose postin e kryetarit të Kuvendit.

 

“Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët tjerë ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendëskryeministër i imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë një kapitull të ri”, ka deklaruar Kurti.

 

Por, Abdixhiku ka thënë se nuk i kana pranuar ofertat pasi konsideron që kjo “nuk është ndarje e pushteteve”. Ai ka theksuar se presidenti i Kosovës nuk duhet të jetë zgjatim i qeverisë.

 

“Nuk kemi kërkuar asnjë pozicion për LDK-në e as për mua. Me kaq, në këto rrethana LDK nuk mund të bëjë më shumë. LDK-ja e lë të hapur diskutimin me partitë tjera. Nuk kemi dëgjuar asnjë propozim tjetër përveç që presidenti të jetë i Vetëvendosjes. LDK-ja e konsideron këtë çështje të mbyllur që nga ky moment”, ka theksuar Abdixhiku. “Do të bëhemi gati për skenarin më të keq, më të rëndë e më të pakuptueshëm të zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme. Nga fillimi parimet kanë qenë të qarta, presidenti i Kosovës nuk mund të jetë zgjatim i Qeverisë”.

 

Në anën tjetër Kurti ka deklaruar se LDK-ja nuk ka konsideruar që asaj i takon presidenti. “Unë nuk mund të bëhem më LDK se LDK-ja. Nuk ka mundësi të ofroj unë diçka që ata nuk më kanë thënë se e kërkojnë. Ne ua kemi propozuar opozitës dikë që e duan më shumë se mua, Konjufcën. Ai është njeriu i dytë më i votuar në Kosovë”, është shprehur Kurti.

 

Ai ka thënë se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve, të cilat i ka quajtur të panevojshme.

 

“Në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhje të reja, të panevojshme, që i humbin kohë shtetit dhe buxhetit të Kosovës mjete. Së paku 1 milion euro kushtojnë zgjedhjet e reja dhe nuk do të sjellin zgjidhje sepse nuk do ta kemi numrin prej 80 deputetëve për ta bërë kuorumin. Është dashur të përpiqemi më shumë dhe nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për qeverisje”, ka deklaruar Kurti.

 

Por, në fund të deklarimit Kurti ka folur edhe për diskutimet më PDK-në, duke thënë se pas takimit me Abdixhikun, i ka dërguar një mesazh kryetarit Bedri Hamza dhe se do të shohin si është e mundur të ecin përpara.

 

“PDK-ja ka kërkuar nga unë që të bëjë marrëveshje politike blanko ku ata i propozojnë dy kandidatët e ne ua votojmë. Unë i dërgova një mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës dhe të shohim se si është e mundur të ecim përpara, por oferta për bashkëqeverisje që u ofrua për LDK-në ka qenë ekskluzive për LDK-në”, ka theksuar Kurti.

 

Ai ka theksuar se nëse PDK-ja është serioze do të duhej të takoheshin.

 

Më 28 prill përfundon afati që Gjykata Kushtetueses e ka caktuar për të zgjedhur presidentin. Mospërmbyllja e suksesshme e këtij procesi nënkupton zgjedhje brenda 45 ditëve.

 

Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 28 qershor, zgjedhjet duhet të mbahen më së largu më 7 qershor.

 

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, subjektet politike nuk kanë arritur të gjejnë konsensus për presidentin.

 

E, në seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit, e cila u bojkotua nga opozita, fillimisht Konjufca u propozua nga Vetëvendosje, e më pas edhe Fatmire Kollçaku-Mulhaxha. Seanca nuk u zhvillua, meqë në momentin kur duhej të zhvillohej votimi në sallë nuk ishin së paku 80 deputetë, sa kërkohen në raundin e parë e të dytë të zgjedhjes./ Koha.net


Kryeministri i Sllovenisë dështon të formojë qeverinë, i hapet rruga populistit të djathtë Janez Jansa

 

Kryeministri në detyrë i Sllovenisë, Robert Golob , pranoi të hënën se partia e tij nuk ishte në gjendje të formonte një qeveri, duke i hapur potencialisht rrugën rikthimit të populistit Janez Jansa.

 

Lëvizja liberale e Lirisë e Golobit fitoi zgjedhjet kombëtare të muajit të kaluar me një diferencë shumë të vogël, duke siguruar 29 nga 90 vendet në parlamentin slloven, por nuk arriti të sigurojë një shumicë qeverisëse. Pas një muaji bisedimesh të dështuara për koalicion, Golob tha se e kishte informuar presidenten sllovene Natasa Pirc Musar se partia e tij ishte dorëzuar për të udhëhequr opozitën parlamentare.

 

Jansa, Partia Demokratike Sllovene e të cilit siguroi 28 vende në zgjedhjet e muajit të kaluar, tani pritet të përpiqet të formojë një qeveri koalicioni të krahut të djathtë.

 

Më herët këtë muaj, partia e Jansës mbështeti përpjekjen e partisë pro-ruse Resni.ca për të zgjedhur udhëheqësin e saj, Zoran Stevanovic, kryetar të parlamentit të Sllovenisë. Ky veprim u interpretua gjerësisht si sinjalizim i një aleance midis dy partive populiste, por pas takimit të tij me Pirc Musar të hënën, Janša pranoi se partia e tij nuk kishte siguruar ende mbështetjen e nevojshme për t’u rikthyer në pushtet.

 

Udhëheqësi populist, i cili ka shërbyer tashmë si kryeministër i Sllovenisë në tre raste të ndryshme, shtoi se partia e tij ndihej rehat nëse do të formonte një qeveri, do të qëndronte në opozitë ose do të merrte pjesë në zgjedhje të përsëritura. “Të tre opsionet janë të mira për ne”, tha ai.

 

Nëse Jansa, një admirues i vetëshpallur i Donald Trump, arrin të formojë një qeveri, ai do të kthehet në Këshillin Evropian, pikërisht kur aleati i tij, kryeministri hungarez në largim Viktor Orban, do të ndalojë së marri pjesë në samitet periodike të liderëve të BE-së.


Zgjedhjet parlamentare në Bullgari, Rumen Radev shpall fitoren

 

Ish-presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, e ka cilësuar si një “fitore shprese” pasi koalicioni i tij doli në krye të zgjedhjeve parlamentare të vendit, sipas rezultateve të para zyrtare.

 

Bullgarët hodhën votat e tyre të dielën për herë të tetë në pesë vjet, pas protestave masive që çuan në rrëzimin e qeverisë së mëparshme konservatore në dhjetor të vitit të kaluar.

 

Me më shumë se 60 përqind të fletëvotimeve të numëruara të hënën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se koalicioni i Bullgarisë Progresive (PB) i Radev kishte fituar rreth 45 përqind të votave, të mjaftueshme për një shumicë të plotë prej të paktën 132 vendesh në parlamentin me 240 vende.

 

Rezultati e vendosi PB-në shumë përpara koalicionit liberal Ne Vazhdojmë Ndryshimin, Bullgaria Demokratike (PP-DB) me 14.26 përqind dhe partisë konservatore GERB të ish-kryeministrit Boyko Borissov me 13.01 përqind.

 

“PB ka fituar pa mëdyshje, një fitore shprese mbi mosbesimin, një fitore lirie mbi frikën”, u tha Radev gazetarëve jashtë selisë së partisë së tij në Sofje.

 

Radev, një euroskeptik me prirje të majta, dha dorëheqjen nga presidenca në janar, pas nëntë vitesh, për të nisur kandidaturën e tij për t’u bërë kryeministër. Ai kishte mbështetur protestat kundër korrupsionit që panë qindra mijëra njerëz, kryesisht të rinj, të dilnin në rrugë në dhjetor dhe premtoi të hiqte qafe “modelin oligarkik të qeverisjes”.

 

«Do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të mos shkojmë përsëri në zgjedhje. Është shkatërruese për Bullgarinë. Jemi gati të shqyrtojmë mundësi të ndryshme në mënyrë që Bullgaria të ketë një qeveri të rregullt dhe të qëndrueshme”, u tha Radev gazetarëve pasi u publikuan rezultatet e sondazheve të daljes në pension.

 

Vendi ballkanik ka parë parlamente të fragmentuara vitet e fundit, me koalicione që nuk kanë arritur të zgjasin më shumë se një vit që nga viti 2021.

 

Pjesëmarrja në votime tejkaloi 50 përqind, më e larta që nga prilli i vitit 2021, sipas agjencisë së sondazheve Market Links. Autoritetet u kishin kërkuar votuesve të hidhnin votat e tyre mes shqetësimeve për blerjen e votave.

 

Në javët e fundit, policia tha se sekuestroi më shumë se 1 milion euro në bastisje të lidhura me blerjen e votave dhe arrestoi qindra njerëz, përfshirë këshilltarë vendorë dhe kryetarë bashkie.

 

Radev ka bërë thirrje për ripërtëritjen e lidhjeve me Moskën dhe ka kritikuar furnizimin e Ukrainës me armë për të shmangur pushtimin rus. Ai gjithashtu kundërshtoi marrëveshjen 10-vjeçare të mbrojtjes të nënshkruar midis Bullgarisë dhe Ukrainës në mars dhe është akuzuar nga kritikët se është shumë pro-rus.

 

Zgjedhjet në Bullgari vijnë pas humbjes së Viktor Orban në Hungari javën e kaluar, pas 16 vitesh në pushtet. Kryeministri i krahut të djathtë humbi ndaj partisë opozitare Tisza të Peter Magyar, e cila ka prirje të qendrës, e cila fitoi 70 përqind të vendeve në parlament.

 

Bullgaria u bashkua me Bashkimin Evropian në vitin 2007 dhe miratoi euron si monedhë të saj në janar të këtij viti.

XS
SM
MD
LG