Lidhje


Ish-diplomati serb: Marco Rubio i prezantoi Gjuriqit marrëveshjen e fshehtë për të njohur Kosovën

 

Ish-diplomati serb, Nebojsha Vujoviq, ka komentuar vizitën e kryediplomatit serb, Marko Gjuriq, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Sipas tij, Gjuriqit i është treguar marrëveshja e fshehtë dhe detyruese nga Sekretari Amerikan, Marko Rubio, për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës

 

Sipas Vujoviq, ky ka qenë qëllimi kryesor se pse Gjuriq është ftuar në SHBA, që në emër të Qeverisë dhe Shtëpisë së Bardhë t’i propozohet marrëveshja “e fshehtë dhe detyruese”.

 

“Gjuriq u ftua në Uashington në mënyrë që Rubio, në emër të qeverisë amerikane dhe Presidentit Donald Trump, ta prezantonte atë me marrëveshjen e fshehtë detyruese për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ky ishte qëllimi kryesor i ftesës së Gjuriqit në Uashington. Çdo ditë, hap pas hapi, Serbia po i afrohet formalizimit dhe njohjes zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur”, ka thënë ish-diplomati serb për agjencinë e lajmeve Beta.


REL: Zgjedhjet e parakohshme në horizont për Kosovën?

 

Sikur të mos mjaftonin një palë zgjedhje të parakohshme dhjetorin e vitit të kaluar, dhe një vit i plotë i humbur legjislativ – siç ishte 2025 – partitë politike në Kosovë rrezikojnë të nisin fushatë zgjedhore përsëri brenda disa javësh, meqë nuk po gjejnë konsensus për një emër për president të vendit.

 

Kanë ngelur vetëm edhe pesë ditë deri në afatin e fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet të votojë për ta zgjedhur presidentin e ri, përndryshe, sipas Kushtetutës, ai shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja.

 

Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati pesëvjeçar më 4 prill, por Kuvendi duhet të votojë për presidentin për mandatin e ri më së largu deri më 4 mars.

 

Presidentja e ka bërë të ditur synimin për një mandat shtesë, mirëpo votat e nevojshme duket se nuk i ka.

 

Ajo e fitoi mandatin e parë me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), mirëpo kjo parti tani nuk e përmend emrin e saj. Partitë opozitare e kanë kritikuar me raste se ka qenë e njëashme në të mirë të LVV-së dhe nuk duket se kanë disponim për ta votuar për një tjetër mandat.

 

Por, këto parti as nuk po përmendin emra tjerë potencialë për pozitën e presidentit.

 

Deri më tani dihet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lider i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), është takuar ndaras me liderët e partive kryesore opozitare: Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

 

Përparim pas takimeve nuk pati.

 

Analisti Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, i thotë Radios Evropa e Lirë (REL) se mungesa e transparencës e vë në dyshim seriozitetin e partive politike për ta zgjedhur presidentin e ri në kohë.

 

“Ndoshta ka një vullnet të fshehur mes partive politike, përfshirë edhe partinë më të madhe, Lëvizjen Vetëvendosje, që vendi të shkojë sërish në zgjedhje”, thotë Paçarizi.

 

Asnjë parti nuk përmend emra, megjithëse PDK-ja tha ditë më parë se ka një, por nuk e identifikoi me emër.

 

Kurti pretendoi ditë më parë se po bën “çdo përpjekje” për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme, por nuk tregoi se kush do të ishte kandidati i tij e as nëse do të mbështeste presidenten Osmani.

 

Kush u përmend për këtë pozitë?

 

Me ditë u përfol mundësia që në krye të shtetit të jetë ndonjë pjesëtar i familjes së heroit Adem Jashari, përfshirë edhe nga vetë zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.

 

Megjithatë, anëtarë të kësaj familjeje e kanë bërë të qartë për media se nuk kanë ambicie për këtë pozitë.

 

Për dallim prej tyre, ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka shprehur gatishmërinë për t’u bërë president.

 

Njëjtë, gatishmëri ka shprehur javë me parë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, mirëpo partitë tjera nuk i kanë dhënë mbështetje.

 

Për të propozuar një kandidat për president duhet siguruar 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa LVV-ja, e vetme, i ka 57 sosh.

 

Për zgjedhjen e kandidatit nevojiten të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para, ose 61 në të tretin, prej 120 votave në total.

 

Sa janë gjasat për një marrëveshje?

 

Ka raportime se Kurti mund t’i takojë Hamzën dhe Abdixhikun përsëri të premten, në përpjekje për të arritur një marrëveshje.

 

Sipas Paçarizit, gjasat për një marrëveshje nuk duken edhe aq të mira.

 

“Ka gjasa të pajtohen, por përderisa nuk kemi pasur takime publike mes udhëheqësve të partive opozitare për t’u koordinuar apo pajtuar për një emër të cilin do t’ia vinin zotit Kurti në tavolinë…. nuk duket se sot mund të ketë marrëveshje”.

 

Megjithatë, ai nuk e përjashton se takimi i mundshëm i së premtes mund të prodhojë “lëvizje përpara, pajtim për parimet në kohën kur Jasharët kanë refuzuar dhe në kohën kur nuk e dimë qasjen e Kurtit ndaj presidentes Osmani”.

 

Sipas tij, më shumë se çdo gjë, çështjen e ndërlikon mungesa e bashkërendimit mes partive opozitare për një emër, të cilin do të mund t’ia paraqisnin kryeministrit Kurti.

 

“Kam frikë se më i vështirë është koordinimi ndërmjet PDK-së dhe LDK-së për kandidatin, sesa që Kurti do ta pranonte një kandidat konsensual për të cilin do të pajtoheshin partitë opozitare. Unë më shumë e shoh problemin te partitë opozitare, sesa te raporti me Kurtin në këtë kuptim”, shton ai.

 

Kështu, Kosova rrezikon të përballet me zgjedhje, pa i bërë ende një muaj prej kur u bë me Qeveri të re.

 

Kjo do të ishte një goditje tjetër për vendin, pasi këto do të ishin zgjedhjet e dyta të parakohshme brenda muajsh.

 

Organizata të shoqërisë civile kanë bërë thirrje që një proces i tillë të shmanget, duke kërkuar që interesi qytetar të vendoset para atij partiak.


Prokuroria në Hagë: Thaçi dha “udhëzime të detajuara” për të ndryshuar dëshmitë

 

Në seancën gjyqësore në Hagë, prokurori Joshua Hafetz paraqiti fragmente të bisedave të incizuara gjatë takimeve të Hashim Thaçit me vizitorë në paraburgim, duke pretenduar se ish-presidenti i Kosovës ka tentuar të ndikojë mbi dëshmitarë kyç në procesin për krime lufte. Sipas Prokurorisë së Specializuar (ZPS), Thaçi kishte për qëllim të shmangte dëshmi që, sipas tij, përbënin kërcënim për mbrojtjen e tij, duke u përqendruar në dy kategori dëshmitarësh: ish-anëtarë të UÇK-së që mund të flisnin për strukturën dhe rolin e tij drejtues, si dhe viktima që mund ta implikonin drejtpërdrejt.

 

Prokuroria pretendon se, pas nisjes së procesit për krime lufte, Thaçi u angazhua në përpjekje për të penguar dëshmitë që mund ta dëmtonin, pasi në rast shpalljeje fajtor rrezikonte “burgim të gjatë”. Në këtë kuadër, sipas ZPS-së, ai ka dhënë udhëzime të detajuara për mënyrën se si duhej të dëshmonte Rrustem Mustafa – Remi, përmes Fadil Fazliut, i cili e kishte vizituar në paraburgim në korrik 2023. Prokurori tha se vizitat u incizuan me urdhër gjyqësor dhe se gjatë një takimi, Thaçi kishte sqaruar “çfarë duhej të thoshte” dëshmitari, duke e paraqitur dëshminë si vendimtare për fatin e procesit.

 

Sipas akuzës, Fazliu pranoi t’i përcillte këto udhëzime, ndërsa djali i tij kishte kontaktuar dëshmitarin para paraqitjes në Hagë. Po ashtu, Prokuroria pretendoi se Hajredin Kuçi kishte diskutuar me Thaçin për ndikim ndaj dy dëshmitarëve dhe një viktime, ndërsa Isni Kilaj dyshohet se kishte marrë udhëzime për ndryshimin e dëshmisë së një viktime që më herët e kishte implikuar Thaçin në raste keqtrajtimi. Sipas prokurorit, gjatë takimit në Hagë, Thaçi kishte theksuar konkretisht pjesë të dëshmisë paraprake që duhej të ndryshoheshin.

 

Procesi vijon me paraqitjen e provave nga ana e Prokurorisë, ndërsa të akuzuarit i kanë mohuar akuzat për pengim të drejtësisë.


Mbi 22 mijë persona kanë nënshkruar peticionin në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së deri tani

 

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Fatmir Sopi, ka bërë të ditur se mbi 22 mijë persona e kanë nënshkruar deri më tani peticionin elektronik gjithëkombëtar në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

 

Sipas tij, peticioni është veprimi i radhës pas protestave dhe aktiviteteve të tjera që, siç tha, kanë pasur mbështetje të madhe qytetare.

 

“Ky është veprimi ynë i radhës. Pas shumë protestave me mbështetje të madhe popullore, takimeve dhe konsultave me diplomacitë e shteteve mike, si dhe pasi iu jemi drejtuar edhe Parlamentit Evropian në Strasburg, ku ua kemi dorëzuar nga një shkresë secilit eurodeputet, i ka ardhur radha edhe kësaj forme të kërkimit të drejtësisë që është peticioni gjithëkombëtar. Kërkojmë zbatim të ligjit, Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, ka deklaruar Sopi në “60 Minuta” të KTV-së.

 

Ai ka sqaruar se ekzistojnë dy forma të nënshkrimit të peticionit – elektronike dhe fizike – ndërsa forma online tashmë ka kaluar shifrën prej 22 mijë nënshkrimeve.

 

Sopi theksoi se nuk është caktuar ndonjë limit për numrin e nënshkrimeve dhe se presin që ai të arrijë në “qindra mijëra”, para se peticioni t’i dorëzohet Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill, përpara shpalljes së aktgjykimit.

 

Ai ka ngritur shqetësime edhe për gjykimin që nisi sot për pengim të drejtësisë ndaj Thaçit, duke pretenduar se po tentohet të gjenden elemente për pengim të drejtësisë, në mungesë të provave për “gjyqin e madh”.

 

“Përgjimet që u janë bërë janë shkelje e të drejtave të njeriut. Thaçi dhe të tjerët kanë të drejtë të bisedojnë me familjarët e tyre. Nuk u është dhënë leje për raste të rënda familjare, por janë përgjuar. Kjo është shkelje e rëndë”, ka deklaruar ai.

 

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi po akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha akuzat që u ngarkohen.

 

Prokuroria e Gjykatës Speciale ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja lirimin pasi ka konstatuar se organi i akuzës nuk ka argumentuar me asgjë pretendimet e saj. Trupi gjykues është në përgatitje të shpalljes së aktgjykimit që pritet të mos shkojë më larg se në fund të qershorit.


Begaj në Shkup: Shqiptarët faktor shtetformues, integrimi në BE rrugëtim i përbashkët strategjik

 

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku u prit nga homologja e tij Gordana Siljanovska-Davkova. Në qendër të takimeve ishin të drejtat e shqiptarëve, integrimi europian dhe thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fusha strategjike.

 

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Begaj theksoi rolin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke deklaruar: “Shqiptarët këtu janë shtetformues dhe kontribues, konstruktiv. Shqiptarët mbeten faktor kyç për stabilitetin politik.” Ai nënvizoi se Shqipëria e konsideron historike Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe se “përfaqësimi i drejtë dhe dinjitoz i shqiptarëve në institucionet shtetërore, zbatimi i ligjit të gjuhës shqipe dhe ruajtja e mekanizmit të barazisë janë elementë kryesorë për stabilitetin dhe perspektivën europiane”.

 

Kreu i shtetit shqiptar theksoi se integrimi në Bashkimin Europian është objektiv i përbashkët i të dy vendeve, me synimin për të mbyllur kapitujt negociues deri në vitin 2027 dhe për t’u anëtarësuar brenda vitit 2030. Në fjalimin e mbajtur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Begaj u shpreh se “integrimi evropian nuk është vetëm objektiv i Shqipërisë, por rrugëtim strategjik i vendeve tona”, duke shtuar se “zgjerimi nuk është kosto për Evropën. Evropa nuk është vetëm destinacion, është standard”.

 

Një pjesë e rëndësishme e deklaratave iu kushtua projektit strategjik të Korridorit VIII, të cilin Begaj e cilësoi si simbol të një epoke të re bashkëpunimi. “Korridori VIII është energjetik, hekurudhor dhe rrugor, dhe mbi të gjitha korridor i sigurisë evropiane që lidh Mesdheun me Detin e Zi”, theksoi ai.

 

Nga ana e saj, presidentja Siljanovska-Davkova deklaroi se në një botë të pasigurt politike dhe me sfida për sigurinë europiane, forcimi i bashkëpunimit është thelbësor. “Gjithmonë kemi dhënë dhe do të vijojmë të japim kontribut në ruajtjen e paqes”, u shpreh ajo, duke nënvizuar se pakicat etnike përbëjnë ura lidhëse të rëndësishme mes dy vendeve.

 

Vizita përfshiu edhe dimensionin arsimor dhe shkencor, me pjesëmarrjen e rektorit të Universitetit të Tiranës, si dhe angazhime për zgjerimin e bashkëpunimit në energjinë e gjelbër, ekonominë digjitale dhe lehtësimin e lëvizjes në pikat kufitare.

 

Begaj e mbylli mesazhin e tij me mbështetje të qartë për Shkupin, duke theksuar se Shqipëria e mbështet “pa ekuivok” rrugëtimin europian të Maqedonisë së Veriut dhe se bashkëpunimi rajonal mbetet kyç për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë.

XS
SM
MD
LG