Lidhje


Arben Malaj: Fatmir Xhafaj ka torturuar një vajzë të re t’i marrë florinjtë, do e dënojë Zoti

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar ashpër ndaj krijimit të të ashtuquajturit "Super-Komision", të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, duke e cilësuar atë si një zhvillim që, sipas tij, cenon demokracinë parlamentare dhe përqendrimin e pushtetit në Shqipëri.

 

Në një reagim publik, Malaj shprehet se një praktikë e tillë nuk gjendet në asnjë parlament të vendeve demokratike dhe se, sipas tij, ajo është produkt i një marrëdhënieje politike mes kryeministrit Edi Rama dhe Fatmir Xhafajt.

 

"Thelbi është i qartë: Xhafaj i shërben, Rama e shpërblen", shkruan ai.

 

Sipas Malajt, problemi nuk lidhet vetëm me ngritjen e këtij komisioni, por me atë që ai e quan "kalbëzim" të Partisë Socialiste, qeverisë dhe Parlamentit, duke theksuar se kritikat e tij nuk u drejtohen socialistëve të thjeshtë, por drejtuesve që, sipas tij, kanë abuzuar me pushtetin.

 

Në analizën e tij, Malaj rikthehet edhe te zhvillimet politike të viteve të fundit, duke pretenduar se Fatmir Xhafaj ka ndryshuar aleancat në funksion të interesave personale dhe se është shpërblyer politikisht për mbështetjen ndaj kryeministrit.

 

Në fund të reagimit, ish-ministri ngre edhe akuza të tjera ndaj Xhafajt. Ai i referohet pretendimeve të bëra publikisht ndër vite, sipas të cilave Xhafaj është akuzuar për torturimin e një vajze të re gjatë periudhës së regjimit komunist për t'i marrë florinjtë. Çështja ka qenë objekt debatesh publike ndër vite.

 

"E kaluara do ta përndjekë këmbë pas këmbe. Kur dhe si, është çështje kohe", përfundon Malaj, duke shtuar se, sipas bindjes së tij, askush nuk mund t'i shpëtojë gjykimit të Zotit.

XS
SM
MD
LG