Lidhje


Fjalime paqeje në Washington, tmerr në Bregun Perëndimor – Izraeli vijon shkatërrimin në Al-Bureij, raportohet për viktima civile

 

Forcat izraelite kryen bastisje dhe arrestime në disa qytete të Bregut Perëndimor të premten, ndërsa operacionet vazhduan edhe në Gaza, pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që nga tetori 2025, raportuan mediat palestineze.

 

Mediat lokale njoftuan se trupat bastisën Attil, në veri të Tulkarmit, si dhe Zita dhe Deir al-Ghusun, duke kryer kontrolle dhe arrestime. Operacione u zhvilluan gjithashtu në zonën Safa të Beit Ummar në provincën Al-Khalil (Hebron), në kampin e refugjatëve Al-Ain në Nablus, ku u përdorën granata trullosëse, si dhe në Qabatiya, në jug të Jeninit.

 

Sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë dhe organizatave për të drejtat e njeriut, operacionet izraelite në Bregun Perëndimor që nga tetori 2023 kanë vrarë të paktën 1,092 palestinezë dhe kanë plagosur afro 11,000 të tjerë. Shoqata e të Burgosurve Palestinezë vlerëson se më shumë se 21,000 palestinezë janë ndaluar, shumë prej tyre nën masën e paraburgimit administrativ pa ngritje akuze.

 

Në Gaza, mediat palestineze dokumentuan shembje ndërtesash në lindje të kampit të refugjatëve Al-Bureij, në pjesën qendrore të Rripit, si dhe të shtëna me armë zjarri nga mjete ushtarake izraelite në të njëjtën zonë. Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor 2025, 611 palestinezë janë vrarë dhe 1,630 janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave që nga 7 tetori 2023 në 72,069 të vrarë dhe 171,728 të plagosur.

 

Zhvillimet në terren vijnë vetëm një ditë pasi në Washington DC u mbajt mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes, një strukturë e re ndërkombëtare e iniciuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, me pjesëmarrjen e rreth 45 delegacioneve shtetesh. Në këtë takim u prezantua një plan për rindërtimin dhe stabilizimin e Gazës, përfshirë krijimin e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi dhe një force të re policore palestineze tranzitore, me theks të veçantë në çarmatimin e plotë si kusht për nisjen e rindërtimit.

 

Kontrasti mes diskutimeve diplomatike në Uashington dhe operacioneve të raportuara në Al-Bureij nënvizon tensionin e vazhdueshëm mes përpjekjeve për stabilizim ndërkombëtar dhe realitetit në terren. Ndërsa komuniteti ndërkombëtar po diskuton administrimin civil, sigurinë dhe rindërtimin e Gazës, zhvillimet ushtarake në kampet e refugjatëve tregojnë se situata mbetet e paqëndrueshme dhe se rruga drejt një paqeje të qëndrueshme mes Izraelit dhe Gazës mbetet e ndërlikuar.


Izraeli ndalon Tucker Carlson dhe i merr pasaportën - Ambasada e SHBA e quajnë kontroll rutinë

 

Komentatori amerikan Tucker Carlson deklaroi se ai dhe ekipi i tij u ndaluan nga autoritetet izraelite në Aeroportin Ben Gurion, pak pasi realizoi një intervistë me ambasadorin amerikan në Izrael, Mike Huckabee. Sipas Carlsonit, pasaportat e tyre u konfiskuan përkohësisht dhe një anëtar i ekipit u mor në pyetje, duke e përshkruar situatën si të pazakontë dhe shqetësuese.

 

Nga ana tjetër, autoritetet izraelite dhe Ambasada e SHBA-së në Izrael hodhën poshtë pretendimet për ndalim formal, duke sqaruar se bëhej fjalë për një kontroll standard të dokumenteve, si ai që u nënshtrohen të gjithë udhëtarët. Sipas tyre, nuk ka pasur as konfiskim pasaportash dhe as marrje në pyetje përtej procedurave rutinë të sigurisë. Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe debat në media, me raportime që paraqesin dy versione të kundërta mbi atë që ndodhi realisht në aeroport.


Terrorizmi dhe krimet mbi civilët - SHBA godet aleatët e Emirateve në Sudan

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione të reja ndaj tre komandantëve kryesorë të paramilitarëve të Forcës së Reagimit të Shpejtë (RSF) të Sudanit, pas rolit të tyre në rrethimin 18-mujor dhe marrjen e qytetit El Fasher në Darfur, ku sipas hetimeve ndërkombëtare janë raportuar vrasje masive, tortura, dhunë seksuale dhe sulme etnike ndaj civilëve. Tre komandantët e sanksionuar përfshijnë figura të larta të RSF, të listuar nga Departamenti i Thesarit të SHBA-s për këto shkelje serioze të të drejtave të njeriut. Në veprim përfshihet ngrirja e pasurive të tyre në SHBA dhe ndalimi i transaksioneve financiare me qytetarët amerikanë. 

 

 

 

 

Konflikti në Sudan ka shkaktuar një nga krizat më të rënda humanitare në botë që nga prilli 2023, me dhjetëra mijëra të vrarë dhe miliona të zhvendosur nga luftimet midis RSF-së dhe Forcave të Armatosura Sudaneze. Një hetim i Kombeve të Bashkuara ka gjetur se vrasjet e komuniteteve jo-arabe gjatë ofensivës janë me “tipare gjenocidi”, ndërsa SHBA dhe aleatët perëndimorë e kanë përshkruar dhunën si atrocitet masive, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. 

 

 

Edhe pse RSF dhe aleatët e tyre kanë mohuar pretendimet, mbështetja e Emirateve të Bashkuara Arabe ndaj RSF-së dhe lidhjet financiare të grupit me kompani të bazuara në Emirate janë bërë objekt kritikash ndërkombëtare, duke ngritur pyetje rreth rolit të mbështetësve të jashtëm në vazhdimin e konfliktit dhe mizorive në Sudan.  

 


Gjeneral Jeffers konfirmon: Kosova dhe Shqipëria do të çojnë trupa në Gaza

 

Komandanti i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën (ISF) njoftoi të enjten se pesë shtete janë zotuar të dërgojnë trupa për të shërbyer në këtë trupë të re sigurie, transmeton Anadolu.

 

Gjeneralmajor Jasper Jeffers, duke folur në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Washington, tha se Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria janë zotuar të kontribuojnë me trupa, ndërsa Egjipti dhe Jordania do të trajnojnë forcat e policisë.

 

Jeffers njoftoi gjithashtu se Indonezia ka pranuar postin e zëvendëskomandantit të forcës.

 

“Me këta hapa të parë, do të ndihmojmë të sjellim sigurinë që i nevojitet Gazës për prosperitetin tonë të ardhshëm dhe paqen e qëndrueshme”, tha ai.


Nikolai Mlladenov nis punën në Gaza – Kur fillon administrimi civil dhe forca policore stabilizuese?

 

Zyrtarë të lartë prezantuan të enjten një kuadër për qeverisjen, sigurinë dhe rindërtimin e Gazës pas luftës gjatë takimit inaugurues të Bordit të Paqes, duke dhënë propozime që shkonin nga rindërtimi i institucioneve deri te krijimi i një force të re policore palestineze.

 

Nickolay Mladenov, drejtor i përgjithshëm i Bordit të Paqes, njoftoi krijimin e një mekanizmi të ri administrativ që do ta mbështesë lidershipin civil të ardhshëm të Gazës.

 

“Sot jemi shumë të kënaqur të njoftojmë krijimin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për Gazën, nën Bordin e Paqes, e cila do të jetë aty për të mbështetur, udhëzuar dhe ndihmuar Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës, me shpresën për t’i hequr pengesat që ata do të përballen në marrjen e kontrollit civil dhe administrativ të Rripit të Gazës,” tha ai.

 

Mlladenov shtoi se zyra do të funksionojë nën mbikëqyrjen e bordit dhe trupit të tij ekzekutiv dhe do të koordinojë me institucionet izraelite dhe palestineze, si dhe me forcën ndërkombëtare të stabilizimit.

 

Ai gjithashtu njoftoi se rekrutimi për një forcë tranzitore palestineze të policisë ka filluar tashmë.

 

“Që nga mëngjesi i sotëm, kemi filluar procesin e rekrutimit për forcën palestineze të policisë… dhe vetëm në disa orë të para, 2.000 persona kanë aplikuar për t’u bashkuar me një forcë të re tranzitore palestineze të policisë që do të formohet në Gaza nën autoritetin e Komitetit Kombëtar, me mbështetjen e Bordit të Paqes dhe trajnuar në Egjipt”, tha ai.

 

Sipas Mladenovit, kjo forcë do të jetë qendrore për rikthimin e rendit gjatë fazës së tranzicionit.

 

“Kjo forcë e sigurisë palestineze nën autoritetin e Komitetit Kombëtar për periudhën e tranzicionit do të na lejojë të sigurojmë që të gjitha fraksionet në Gaza të çarmatosen dhe të gjitha armët të vendosen nën kontrollin e një autoriteti civil”, tha ai.

 

Ai falënderoi Katarin, Egjiptin dhe Türkiyen për mbështetjen në përpjekjet e ndërmjetësimit dhe theksoi se rindërtimi varet nga çarmatimi, duke thënë: “Nuk ka alternativë tjetër përveç çarmatimit të plotë dhe dorëzimit të të gjitha armëve në Gaza që rindërtimi të fillojë dhe njerëzit të kenë një mënyrë të re jetese përpara”.

 

Ish-kryeministri britanik Tony Blair gjithashtu foli në takim, duke e përshkruar regjistrin e qeverisjes së Gazës si thellësisht problematik dhe duke kërkuar reforma të gjera.

 

“Për dekada, qeverisja në Gaza është karakterizuar nga ekstremizmi, korrupsioni, institucionet joefektive dhe mungesa totale e një rruge drejt prosperitetit për popullin e Gazës”, tha ai.

 

Blair përshkroi një vizion për Gazën të bazuar në institucione publike funksionale, mundësi ekonomike dhe zhvillim teknologjik.

 

“Ky është një vizion i Gazës si pjesë e Lindjes së Mesme në paqe… një angazhim i vërtetë për një rajon ku, qoftë mysliman, hebre, krishter, i çdo feje apo pa fe, mund të ngrihesh me përpjekjet e tua dhe të ndiesh qeverinë pranë vetes, jo mbi shpinën tënde”, tha ai.

 

Ai shtoi se kuadri i propozuar nga presidenti Donald Trump “mbetet shpresa më e mirë, madje e vetmja për Gazën, rajonin dhe botën më të gjerë”.

XS
SM
MD
LG