Lidhje


Dhjetë Vjet nga nata që ndryshoi historinë

 

Nga Hamzi Ibraimi

 

“Ka netë kur historia shkruhet nga armët, por ka edhe netë kur historia shkruhet nga populli. 15 Korriku 2016 ishte nata kur vullneti i qytetarëve turq triumfoi mbi tanket, frikën dhe përpjekjen për të rrëzuar demokracinë.”

 

Më 15 korrik 2026 shënohet dhjetëvjetori i tentativës për grusht shtet që la gjurmë të thella në historinë moderne të Republikës së Turqisë. Ngjarjet e 15 korrikut 2016 përbëjnë një nga momentet më vendimtare në historinë politike të vendit, kur rendi kushtetues, institucionet demokratike dhe stabiliteti shtetëror u vunë përballë një sfide të paprecedentë. Për popullin turk, 15 Korriku është një datë që simbolizon njëkohësisht dhimbjen, unitetin kombëtar, rezistencën qytetare dhe vendosmërinë për të mbrojtur demokracinë. Dhjetë vjet më vonë, ajo mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive dhe e debatit mbi mbrojtjen e rendit demokratik.

 

Në mbrëmjen e 15 korrikut 2016, organizata terroriste FETO, e udhëhequr nga Fetullah Gülen dhe e infiltruar prej vitesh në strukturat e forcave të armatosura, sistemin e drejtësisë dhe institucionet shtetërore të Turqisë, ndërmori një tentativë të përgjakshme grusht shtetit me synimin për të rrëzuar qeverinë legjitime dhe për të marrë kontrollin e shtetit. Tanket dolën në rrugët e Ankarasë dhe Stambollit, avionët luftarakë bombarduan objektiva strategjikë, ndërsa Kuvendi i Madh Kombëtar i Turqisë dhe institucione të tjera shtetërore u vunë në shënjestër. Si pasojë e sulmeve të puçistëve, qindra civilë humbën jetën ose mbetën të plagosur. Në ato momente vendimtare, Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, iu drejtua qytetarëve përmes mediave, duke i ftuar të mbronin demokracinë dhe institucionet e zgjedhura. Miliona qytetarë iu përgjigjën kësaj thirrjeje. Pa armë, por me besim, guxim dhe vendosmëri, ata dolën në sheshe, ura, aeroporte dhe rrugë për t’u përballur me puçistët.

 

Kjo rezistencë u bë vendimtare në dështimin e tentativës për grusht shtetin. Sepse bilanci i asaj nate ishte i rëndë: 251 qytetarë humbën jetën dhe mijëra të tjerë mbetën të plagosur. Sakrifica e tyre konsiderohet një nga simbolet më të fuqishme të rezistencës qytetare në historinë bashkëkohore të Turqisë dhe ata kujtohen si dëshmorë të demokracisë. Sipas qëndrimit zyrtar të autoriteteve turke, tentativa për grusht shtetin u organizua nga struktura të lidhura me lëvizjen Hizmet, e cilësuar nga Turqia si Organizatë Terroriste Fethullahiste (FETO). Institucionet turke vlerësojnë se kjo organizatë kishte ndërtuar ndër vite rrjete ndikimi në administratë, sistemin gjyqësor, forcat e sigurisë dhe sektorë të tjerë strategjikë, ndërsa ngjarjet e 15 Korrikut zbuluan përmasën e këtij infiltrimi. Ndërsa pas vitit 2016 u ndërmorën reforma në administratë, sistemin e sigurisë dhe qeverisje, me synimin për të forcuar kontrollin civil mbi institucionet shtetërore dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të ngjashme.

 

Zhvillimet pas tentativës për grusht shteti kanë qenë objekt debatesh brenda dhe jashtë vendit, por mbetet fakt se miliona qytetarë dolën në rrugë për të mbrojtur institucionet e zgjedhura dhe rendin kushtetues. Ngjarjet e 15 Korrikut mbartin një mesazh edhe për vendet e Ballkanit, të cilat kanë kaluar procese të vështira politike dhe demokratike. Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe vendet e tjera të rajonit kujtohen se demokracia nuk është një arritje e pakthyeshme. Ajo kërkon institucione të forta, pjesëmarrje qytetare, përgjegjësi dhe vigjilencë të vazhdueshme. Edhe pse tash më ka kaluar një dekadë pas ngjarjes së 15 Korrikut 2016, por ajo natë edhe sot vazhdon që të jetë simbol i rezistencës qytetare dhe i mbrojtjes së rendit demokratik në Turqi. Sepse kujtimi për 251 dëshmorët mbetet dëshmi se liria, demokracia dhe sovraniteti kërkojnë përgjegjësi, guxim dhe sakrificë.

 

“15 Korriku do të kujtohet si nata kur vullneti i popullit triumfoi mbi përpjekjen për të rrëzuar rendin kushtetues dhe kur demokracia arriti të mbijetojë përballë një prej sfidave më të mëdha në historinë moderne të Turqisë.”

XS
SM
MD
LG