Lidhje


Tre orë pas emërimit, jep dorëheqjen Drejtori i Kadastrës Elbasan. Ja kush e zëvendëson

 

ELBASAN- Drejtori i Kadastrës në Elbasan, Everest Gazheli ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij vetëm tre orë pas emërimit. Ai është zëvëndësuar nga Gentian Mahmutaj, i cili më herët mbante detyrën e përgjegjësit të sektorit tekniko-ligjor në Drejtorinë e Përgjithshme të ASHK-së.

 

Dorëheqja e Gazhelit vjen vetëm pak orë pas emërimit të tij në krye të institucionit, ndërsa shkaqet e këtij vendimi mbeten ende të paqarta


Vizita surprizë në SPAK, dy takime brenda pak ditësh! Çfarë garancie po jep ambasadori i ri amerikan për Prokurorinë e Posaçme?

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt, ka zhvilluar një tjetër takim me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho.

 

Vizita, e dyta brenda pak ditësh, ngre pikëpyetje mbi mesazhet që diplomacia amerikane po përcjell në drejtim të institucionit që heton korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

 

Ambasadori amerikan është shoqëruar nga përfaqësues të ambasadës së SHBA-së, të cilët janë parë duke dalë nga ambientet e SPAK.

 

Takimi vjen vetëm pak ditë pas vizitës së parë të Wendt në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të marrjes së detyrës së tij të re diplomatike në Tiranë.

 

Takimi i parë, i zhvilluar më 5 tetor, kishte në fokus luftën kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm. Në njoftimin e saj, Ambasada Amerikane theksoi edhe rolin vendimtar të institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave.


Shqipëria do ketë 46 bashki, si do të funksionojnë?

 

Pas orëve të gjata diskutimesh Kuvendi miratoi dje reformën e re administrativo-territoriale me 85 vota pro. Reforma nuk mori konsensusin e opozitës, por edhe të disa deputetëve brenda frontit qeverisës.

 

Varianti i mazhorancës synon të krijojë njësi vendore më të mëdha dhe financiarisht më të qëndrueshme, me reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, por raporti përfundimtar i Komisionit Parlamentar evidenton se bashkimi territorial nuk mjafton për të garantuar shërbime më të mira. Reforma kërkon ndryshime të thella në shpërndarjen e kompetencave, financimin e pushtetit vendor dhe organizimin rajonal. Ndërkohë, opozita propozoi një model të kundërt, me mbi 92 bashki, duke argumentuar se pushteti vendor duhet të jetë më afër qytetarëve.

 

Dymbëdhjetë vjet pas reformës së vitit 2014, që reduktoi numrin e njësive vendore nga 373 në 61 bashki, Shqipëria po shkon drejt një konsolidimi të mëtejshëm territorial.

 

Sipas reformws se re 15 bashki do të humbasin statusin si njësi të pavarura të vetëqeverisjes vendore, duke iu bashkuar bashkive më të mëdha fqinje. Reforma mbështetet në synimin për të ulur kostot administrative, për të përqendruar burimet financiare dhe për të rritur kapacitetet e bashkive për të ofruar shërbime publike.

 

Megjithatë, raporti përfundimtar prej 357 faqesh i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale tregon se problemet e pushtetit vendor janë më të gjera sesa madhësia e bashkive.

 

Pas miratimit të sotshëm Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, Klosit me Matin dhe Rrogozhina me Kavajën. Në qarkun e Beratit, Dimali dhe Poliçani bashkohen me Beratin, ndërsa në qarkun e Fierit, Patosi bashkohet me Fierin dhe Divjaka me Lushnjën.

 

Në jug të vendit, Selenica bashkohet me Vlorën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën dhe Libohova me Gjirokastrën. Në qarkun e Korçës, Maliqi bashkohet me Korçën, ndërsa në qarkun e Elbasanit, Cërriku dhe Belshi bashkohen me Elbasanin dhe Përrenjasi me Librazhdin.

 

Qëllimi është krijimi i njësive më të mëdha, të afta për të menaxhuar një territor dhe një bazë më të gjerë ekonomike. Bashkitë që shkrihen nuk do të kenë më drejtim politik dhe buxhet të pavarur, por do të administrohen nga strukturat e bashkive përkatëse.

Një nga çështjet kryesore mbetet nëse përqendrimi i administrimit do të shoqërohet me ruajtjen e aksesit në shërbime për komunitetet që humbasin bashkinë e tyre.

 

Financimi, më shumë para nga taksat e ndara dhe ndryshimi i formulës së transfertave

Një nga problemet kryesore që evidenton raporti lidhet me varësinë e bashkive nga financimet e qeverisë qendrore.

 

Me refrormwn e re propozohet rishikimi i formulës së financimit, duke përfshirë tregues si relievi, shpërndarja e fshatrave, gjatësia e rrugëve, mosha e popullsisë, niveli i varfërisë dhe kapaciteti fiskal. Rritet pesha së transfertave të pakushtëzuara në raport me financimet e kushtëzuara, për t’u dhënë bashkive më shumë autonomi në përcaktimin e prioriteteve të shpenzimeve.

 

Një tjetër propozim është që një pjesë e tatimit mbi të ardhurat personale t’u rikthehet bashkive sipas vendbanimit të tatimpaguesve. Po kështu, rekomandohet që një pjesë më e qartë e rentës minerare dhe të ardhurave nga turizmi të përfitohet nga territoret ku krijohen këto të ardhura.

 

Reforma kërkon edhe funksionalizimin e plotë të taksës së pasurisë dhe përdorimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë kryesisht për investime, jo për paga dhe shpenzime të zakonshme.

Këto masa synojnë të forcojnë autonominë financiare, por mbeten rekomandime që kërkojnë ndërhyrje në legjislacionin fiskal dhe atë të financave vendore.

 

Kostot e reformës dhe rreziqet e zbatimit

Ndërsa bashkimi i bashkive synon kursimin e shpenzimeve administrative, raporti pranon se zbatimi i reformës do të shoqërohet me kosto të përkohshme. Ato lidhen me riorganizimin e personelit, trajnimin e administratës, integrimin e sistemeve digjitale, transferimin e aseteve, harmonizimin e kontratave dhe detyrimeve financiare.

 

Për përballimin e këtyre kostove rekomandohet krijimi i një Fondi Kombëtar të Tranzicionit, me financim shumëvjeçar. Raporti i mazhorancws identifikon gjithashtu rrezikun e mbivendosjes së përgjegjësive, vonesave në vendimmarrje, pasigurisë për punonjësit dhe vështirësive financiare të njësive që përfshihen në proces.

 

Për këtë arsye propozohet një zbatim gradual, me përgatitjen ligjore dhe institucionale gjatë viteve 2026-2027, transferimin e kompetencave, aseteve dhe personelit në vitet 2027-2028, konsolidimin gjatë viteve 2029-2030 dhe vlerësimin e rezultateve deri në vitin 2035.

 

Ky kalendar tregon se ndryshimi i hartës administrative është vetëm faza fillestare e një procesi shumë më të gjatë riorganizimi institucional.

 

Ekspertët: Zvogëlimi i bashkive nuk garanton automatikisht shërbime më të mira

Edhe vetë raporti parlamentar pranon se bashkimet territoriale duhet të justifikohen nga përmirësimi i qëndrueshmërisë financiare dhe funksionale, pa përkeqësuar në mënyrë të papranueshme aksesin e qytetarëve dhe përfaqësimin e komuniteteve.

 

Ky është edhe shqetësimi kryesor i ekspertëve të pavarur të pyetur nga ne.

Afrim Krasniqi, nga Instituti i Studimeve Politike, paralajmëron se reforma rrezikon të ndikohet nga interesat politike dhe elektorale, ndërkohë që debati duhet të përqendrohet te modeli i qeverisjes vendore.

 

Urbanisti Gent Kaprata argumenton se problemi nuk qëndron vetëm te kufijtë administrativë, por te funksionet, kompetencat dhe burimet që i jepen pushtetit vendor. Sipas tij, numri i bashkive duhet të dalë si rezultat i një analize të këtyre elementeve dhe jo të jetë pikënisja e reformës.

 

Një shqetësim tjetër lidhet me zonat rurale, ku bashkimi me qendra më të mëdha mund të rrisë distancën e qytetarëve nga vendimmarrja. Në mungesë të një mekanizmi që garanton ruajtjen dhe përmirësimin e shërbimeve, konsolidimi administrativ mund të mos sjellë përfitimet e pritshme për komunitetet që po shpopullohen.

 

Varianti i opozitës thellim i decentralizimit

Ndryshe nga mazhoranca, Partia Demokratike propozoi një rishikim të hartës që synon shtimin e numrit të bashkive në mbi 92 njësi, me alternativa që mund të çojnë edhe në mbi 100 bashki.

 

Sipas bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, platforma mbështetet në katër kritere kryesore: demografinë, potencialin ekonomik dhe fiskal, distancën nga shërbimet dhe identitetin territorial e historik.

Opozita argumenton se reforma e vitit 2014 e largoi pushtetin vendor nga shumë komunitete rurale dhe malore, duke dobësuar përfaqësimin dhe aksesin në shërbime. Një nga alternativat parashikon krijimin e bashkive të reja në zona ku distanca nga qendra administrative është mbi 15-20 kilometra ose kërkon rreth 30 minuta udhëtim, duke marrë parasysh edhe numrin e banorëve dhe mundësitë ekonomike. PD propozon gjithashtu një organizim me bashki më të vogla dhe 6-8 rajone funksionale, ose ruajtjen e 12 qarqeve me kompetenca të qarta për planifikimin territorial, emergjencat dhe projektet ndërbashkiake.

 

Megjithatë, krijimi i më shumë bashkive do të kërkonte financim të qëndrueshëm dhe riorganizim të administratës, për të shmangur shtimin e kostove dhe fragmentimin e shërbimeve.

Në aspektin financiar, PD propozoi rritjen e transfertës së pakushtëzuar nga rreth 1% e PBB-së në të paktën 2%, me një objektiv afatgjatë deri në 4%.

 

Sipas Boçit, rritja e financimit duhet të shoqërohet me ndryshimin e formulës së shpërndarjes, në mënyrë që bashkitë e vogla dhe zonat rurale të mos mbeten të disavantazhuara për shkak të popullsisë së ulët.

Propozimi mbështetet në financimin bazë për çdo bashki, përfshirjen e kostove të territorit dhe relievit, si dhe krijimin e një mekanizmi barazimi për njësitë me kapacitet të dobët fiskal.

 

Kjo qasje ka pika të përbashkëta me rekomandimet financiare të raportit parlamentar, veçanërisht për nevojën e një formule që pasqyron koston reale të shërbimeve.

Dallimi kryesor mbetet mënyra se si duhet të organizohet territori: mazhoranca synon më pak bashki, me kapacitete më të përqendruara, ndërsa opozita kërkon më shumë njësi vendore dhe shpërndarje më të gjerë të financimeve.

 

Në të dy variantet, sfida mbetet sigurimi i burimeve të mjaftueshme financiare dhe kompetencave reale për pushtetin vendor. Pa këto ndryshime, rishikimi i hartës administrative mund të mos mjaftojë për të përmirësuar shërbimet dhe për të frenuar braktisjen e zonave rurale.

 


Kurti i ngre shqetësimin Komisionerit të OSBE-së: Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë po diskriminohen

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp.

 

Gjatë takimit, Kurti ka ngritur shqetësimin për trajtimin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë duke akuzuar autoritetet serbe për diskriminim sistematik ndaj tyre.

 

Kurti ka kërkuar angazhim dhe masa konkrete për zgjidhjen e këtij problemi, duke thkesuar se Serbia duhet të zbatojë standardet europiane për mbrojtjen e pakicave dhe të sigurojë trajtim të barabartë për shqiptarët.

 

“Serbia duhet të përmbushë standardet europiane për mbrojtjen e komuniteteve, të garantojë barazi reale për shqiptarët dhe të respektojë të drejtat e njeriut e ato civile. Të drejtat e tyre nuk mund të mbeten peng i vullnetit politik të një sistemi autokratik”, shkroi Kurti.

 

Më tej Kurti ka folur për pakicat në Kosovë duke thënë se vendi u garanton atyre të drejta të gjera dhe se barazia para ligjit duhet të zbatohet për të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë së tyre.

 

Kurti bëri të ditur se Kosova do të vijojë bashkëpunimin me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, me synimin për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe sundimin e ligjit.


Shqipëria ka nevojë për një të djathtë të re, dinjitoze dhe me identitet të qartë politik.

 
Për të rrëzuar këtë klasë politike, fillimisht duhet një ridimensionim rrënjësor i lëvizjeve politike opozitare. Pamundësia për të ndërtuar një parti të djathtë dinjitoze, me integritet dhe vizion, ka prodhuar një ngërç të thellë politik, duke i mundësuar një qeverie të zhytur në skandale dhe akuza të rënda korrupsioni të vijojë të qeverisë sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
 
 
Lëvizjet e djathta duhet të marrin menjëherë përgjegjësinë historike për të zëvendësuar rolin e Partisë Demokratike cila duket se ka zgjedhur rrugën e vetëshkatërrimit politik, duke humbur gjithnjë e më shumë misionin e saj si përfaqësuese e së djathtës shqiptare gjithashtu dhe për të rrëzuar Partinë Socialiste nga pushteti i zullumit.
 
 
Një e djathtë reale nuk mund të ndërtohet mbi pazare pushteti, interesa personale apo riciklim figurash të konsumuara. Ajo duhet të ngrihet mbi parime të qarta, luftën pa kompromis kundër korrupsionit, betejën morale për dekulturalizimin e korrupsionit nga shoqëria shqiptare, mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe sovranizmit ekonomik, forcimin e familjes si themel i shoqërisë dhe mbi të gjitha, angazhimin serioz për çështjen ende të pazgjidhur kombëtare shqiptare.
 
 
Shqipërisë nuk i duhet thjesht një opozitë që të zëvendësojë qeverinë. I duhet një alternativë që të ndryshojë sistemin politik, moral dhe modelin ekonomik që e ka mbajtur peng vendin për dekada.
 
 
E djathta shqiptare duhet të rilindë e të rimekëmbet si një projekt vlerash, dinjiteti dhe përgjegjësie kombëtare, jo si një strehë për ambicie personale.

XS
SM
MD
LG