Lidhje


Portreti i Napoleon Zervës në Derviçan: “Provokim i rëndë, të hiqet menjëherë!”

 

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” ka dalë me një reagim të ashpër publik, duke dënuar me forcë atë që e cilëson si një provokim të rëndë ndaj dinjitetit kombëtar dhe popullsisë shqiptare: ekspozimin e portretit të komandantit grek Napoleon Zerva në Galerinë e Artit në Derviçan.

 

Përmes një deklaratë zyrtare, Fondacioni ngre pyetjen se për çfarë meritash mund të nderohet në territorin e Republikës së Shqipërisë figura e Zervës, i cili njihet historikisht për masakrat ndaj popullsisë civile, dëbimin masiv të shqiptarëve të Çamërisë nga trojet e tyre etnike dhe vuajtjet e pakufishme që u shkaktoi brezave të tërë.

 

Më tej, në reagim rikujtohet se Kuvendi i Shqipërisë, me ligjin nr. 7839 (datë 30.6.1994, dekretuar nga Presidenti me nr. 885, datë 12.7.1994), ka shpallur zyrtarisht 27 qershorin si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”. Sipas Fondacionit, përbën një absurditet të paimagjinueshëm që i njëjti shtet që njeh me ligj gjenocidin, të lejojë që brenda kufijve të tij të nderohet pikërisht arkitekti i atyre krimeve.

 

"Nderimi i Zervës përçon një mesazh që bie ndesh me njohjen zyrtare të gjenocidit nga parlamenti. Ndërsa shqiptarët përkujtojnë viktimat, në Dervician i jepet vend nderi figurës që simbolizon tragjedinë e tyre. Ky është një provokim që nuk mund të relativizohet si zgjedhje artistike dhe as të kalojë në heshtje. Arti dhe kultura nuk mund të përdoren për të rehabilituar figura përgjegjëse për krime ndaj shqiptarëve", thuhet në deklaratë.

 

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” i ka bërë thirrje të menjëhershme kryetarit të Bashkisë Dropull që të heqë pa vonesë portretin e Napoleon Zervës nga ekspozita dhe të japë një shpjegim publik për këtë akt të papranueshëm.

 

Përveç pushtetit lokal, kërkesa i është drejtuar edhe nivelit qendror të qeverisjes: "I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të nisë një hetim të plotë përmes institucioneve kompetente për të sqaruar rrethanat, për të identifikuar personat që kanë propozuar, miratuar dhe mundësuar këtë ekspozim, si dhe për të nxjerrë përgjegjësitë institucionale e ligjore."

 

Në përmbyllje, Fondacioni nënvizon se respekti për minoritetin grek dhe të drejtat e tij në Shqipëri është i padiskutueshëm. Megjithatë, pikërisht mbrojtja e bashkëjetesës kërkon që përgjegjësia për këtë ngjarje të jetë me emra konkretë dhe të mos rëndojë mbi komunitetin, por mbi ata që provokojnë rëndë kujtimin e shqiptarëve të masakruar nga bandat shoviniste.

 


Një përplasje e papritur ushtarake dhe politike: Krisja ndërmjet Baku-s dhe Ankarasë

 
Në vitet e fundit, Turqia dhe Azerbajxhani kanë ndërtuar një partneritet aq të ngushtë saqë, sipas deklaratave të përsëritura të Rexhep Tajip Erdoganit e Ilham Alijevit, ato konsideroheshin si "dy shtete, një komb". Mirëpo, zhvillimet e fundit tregojnë se kjo marrëdhënie po përballet me tensionet e saj më të mëdha historike.


Gjatë fjalimit të tij në kongresin e partisë në Baku më 3 tetor, Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alijev, u dërgoi tre mesazhe të prera e të drejtpërdrejta Ankarasë dhe udhëheqjes turke, ndonëse pa i përmendur ata me emra konkretë:


* "Mos u përzieni në mënyrën tonë të jetesës."

* "Ne i kemi blerë armët tuaja me çmimet e tregut global."


* "Ne kemi një politikë të jashtme të pavarur."
Shkaqet e Përplasjes: Nga Shamia te Konflikti i Karabakut

Prapa këtyre deklaratave të ashpra fshihen mospërputhje të thella ideologjike dhe gjeopolitike mes dy vendeve:


* Çështja e shamisë në shkolla: Mesazhi i parë lidhet me presionin e vazhdueshëm të Ankarasë për lejimin e shamisë islame në shkollat e Azerbajxhanit. Në vend të pranimit të këtij modeli, Alijev nënshkroi më 24 shtator një dekret presidencial që ndalon përdorimin e shamisë në shkollat e vendit, duke mbrojtur modelin laik të shtetit azer.


* Roli në luftën e 2020-ës: Alijev është irrituar nga përpjekjet e Erdoganit për ta paraqitur Turqinë si aktorin kryesor dhe përcaktues pas fitores ushtarake të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabak. Përmes mesazhit për armët, Alijev rikujtoi se pajisjet ushtarake turke nuk u dhuruan, por u blenë me çmimet e plota të tregut.
 

* Përplasja për Izraelin: Mesazhi i tretë i adresohet kërkesës këmbëngulëse të Turqisë që Bakuja të shkëpusë marrëdhëniet e saj strategjike me Izraelin — një kusht që Alijev e ka refuzuar kategorikisht.


Analistët turq vlerësojnë se këto mesazhe nga Bakuja përbejnë një goditje të fortë për planin e shpallur nga Erdogani në vitin 2023, i cili synonte integrimin e plotë politik, ushtarak dhe ekonomik të shteteve turkike.

Aleanca pragmatike: Pse Izraeli është i paprekshëm për Bakunë?


Marrëdhëniet mes Azerbajxhanit dhe Izraelit janë jashtëzakonisht të ngushta e shumëdimensionale, pavarësisht se Azerbajxhani është një vend me shumicë myslimane:

* Furnizimi me armatime: Izraeli mbetet furnizuesi kryesor i Azerbajxhanit me armatime të teknologjisë së lartë, përfshirë dronët dhe sistemet raketore që luajtën një rol vendimtar në fitoren e Karabakut. Izraeli mbulon pjesën më të madhe të importeve të armëve të rënda për ushtrinë azere.


* Interesi strategjik ndaj Iranit: Izraeli e sheh Azerbajxhanin si një pikëmbështetje kyçe gjeopolitike për shkak të kufirit të tij të përbashkët me Iranin, çka i mundëson monitorimin e aktiviteteve ushtarake e politike te fqinjit të tij jugor.


* Sektori energjetik: Azerbajxhani është një nga furnizuesit më të mëdhenj të Izraelit me naftë bruto përmes tubacionit Baku-Ceyhan. Nga ana tjetër, kompania shtetërore e naftës së Azerbajxhanit (SOCAR) ka bërë investime madhore në fushat izraelite të gazit natyror, si fusha Tamar.


Kjo lidhje e fortë, e zyrtarizuar me hapjen e ambasadës së Azerbajxhanit në Izrael në vitin 2023, tregon se Bakuja nuk është e gatshme të sakrifikojë interesat e saj kombëtare e sigurisë për t'iu përshtatur agjendës së jashtme të Ankarasë.
 
 
 
 


NASA: Rusia dhe Kina mund t'i bashkohen Marrëveshjeve Artemis nëse ndajnë parimet e përbashkëta

 

"Rusia dhe Kina mund të bashkohen një ditë me Marrëveshjet Artemis të udhëhequra nga SHBA-ja për eksplorimin e hapësirës", tha zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson.

 

Rusia dhe Kina mund të bashkohen një ditë me Marrëveshjet Artemis të udhëhequra nga SHBA-ja për eksplorimin e hapësirës nëse ndajnë parimet e tyre, por sot nuk e bëjnë, tha sot zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, transmeton Anadolu.

 

"Nëse një ditë, Rusia dhe Kina do të kishin të njëjtat mendime në këto parime, të cilat nuk i shohim si të tilla tani, atëherë do të kishte një mundësi për t'u bashkuar me Marrëveshjet Artemis", u tha Anderson gazetarëve në Kongresin Ndërkombëtar Astronautik në Antalya.

 

Anderson tha se 76 vendet që kanë nënshkruar marrëveshjet ndajnë një "lidhje të përbashkët" të ndërtuar mbi parime të dakorduara për aktivitet të sigurt, transparent dhe të përgjegjshëm në hapësirë.

 

Moska dhe Pekini në vend të kësaj po udhëheqin një përpjekje rivale, Stacionin Ndërkombëtar të Kërkimeve Hënore, i cili planifikon një bazë të përbashkët kërkimore në Hënë. Disa vende i përkasin të dy grupeve. Disa institucione akademike të nënshkruesve gjithashtu punojnë me projektin e udhëhequr nga Kina.

 

I pyetur nëse kjo ishte një shqetësim, Anderson tha "Ajo që bëjnë kombet sovrane varet prej tyre". Nënshkrimi i marrëveshjeve nuk i ndalon vendet të ndjekin interesat e tyre kombëtare, shtoi ai. Anderson foli një ditë pasi bashkëkryesoi një takim me dyer të mbyllura të anëtarëve të marrëveshjeve me Gjeneral Major Roberto Melgar Sheen, drejtor i agjencisë hapësinore të Perusë, CONIDA.

 

Anderson tha se morën pjesë pak më shumë se 40 vende. Melgar Sheen tha se pjesëmarrësit arritën një marrëveshje mbi mbeturinat hapësinore. Ata diskutuan gjithashtu për mbeturinat në sipërfaqen hënore.

 

"Hapi i parë për të ndaluar mbeturinat hapësinore ose për t'u marrë me mbeturinat hapësinore, është të ndalohet krijimi i tyre", tha Anderson. I pyetur për shqetësimet në lidhje me armët në hapësirë, Anderson tha se marrëveshjet mbulojnë aktivitetet civile hapësinore. Ai theksoi se çështjet ushtarake i përkasin organeve të sigurisë kombëtare të secilit vend.

 

"Për ne në SHBA, kjo është Forca Hapësinore e Shteteve të Bashkuara dhe Komanda Hapësinore e SHBA-së. Ajo në të cilën përqendrohet Marrëveshja Artemis është sektori i hapësirës civile", tha ai duke vënë në dukje se "Askush nuk dëshiron luftime kinetike në hapësirë. Ne jemi për eksplorim paqësor".

 

Anderson tha se studentët nga vendet anëtare do të jenë në gjendje të ndjekin një Akademi të re Hapësinore të SHBA-së, një universitet civil katërvjeçar. Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi krijimin e saj në gusht, dhe Anderson tha se studentët e parë priten në verën e vitit 2028.

 

Ai tha se vendet anëtare janë të etura të kontribuojnë në bazën e planifikuar të NASA-s në Hënë. Kontributet mund të variojnë nga satelitë të vegjël të njohur si CubeSats deri te inxhinierë në ekipet e industrisë amerikane që ndërtojnë anije uljeje dhe rover.

 

Gjermania do të presë seminarin e ardhshëm vjetor të marrëveshjeve në vitin 2027, tha Anderson.

Melgar Sheen tha se seminari i këtij viti në Lima të Perusë, i pari në Amerikën Latine, përdori simulime dhe ushtrime në tavolinë për të testuar parime të tilla si mosndërhyrja, ndërveprimi dhe ndarja e të dhënave. Ai tha se Peruja shpreson të marrë pjesë në misionet e ardhshme hënore, ndoshta së bashku me vendet e tjera të Amerikës Latine.

 

"Ne besojmë fuqimisht se e ardhmja e eksplorimit hënor dhe të hapësirës së thellë duhet të udhëhiqet nga transparenca, qëndrueshmëria, ndërveprimi dhe përfshirja", tha ai.

 

Të lançuara në vitin 2020 nga SHBA-ja dhe shtatë vende të tjera, Marrëveshjet Artemis janë një grup parimesh jo-detyruese për eksplorimin paqësor të Hënës, Marsit dhe më gjerë. Ato bazohen në Traktatin e Hapësirës së Jashtme të vitit 1967. Turqia e nënshkroi në gusht.

 

Marrëveshjet lidhen me programin Artemis të NASA-s. Misioni i saj Artemis II transportoi astronautë rreth Hënës në prill, fluturimi i parë hënor me ekuipazh në më shumë se 50 vjet.

 


Presidentja e re e Kosovës me mesazhin e parë: “Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve”

 

Justina Shiroka-Pula, e zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës, ka mbajtur fjalimin e saj të parë pas votimit në Kuvend.

Në fjalën e saj, Shiroka-Pula tha se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi të madhe, duke theksuar se mandati presidencial nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.

 

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan. Do të jem presidente e gjithë qytetarëve”, tha Shiroka-Pula.

 

Presidentja e re premtoi se gjatë mandatit të saj do të punojë për unitet, drejtësi, zhvillim dhe forcimin e institucioneve, ndërsa theksoi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe ruajtjen e lidhjeve me aleatët.

 

“Do të punojë për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona. Kosova duhet të ecë përpara si shtet demokratik, sigurt me orientim të qartë euroatlantik e me miqësi të fortë me aleatët tanë. Do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, njerëzit e saj dhe besoj së bashku mund të ndërtojmë të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës”, tha ajo.


“Ka bashkëjetuar me Vlora Hysenin”, Berisha: Roni Yeffet u bë brenda natës pronar i 45 milionë eurove nga buxheti i shtetit

 

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama lidhur me aktivitetin e biznesmenit Roni Yeffet dhe marrëdhëniet e tij me struktura dhe zyrtarë të sigurisë e mbrojtjes.

Berisha pretendoi se Yeffet është përfshirë në një skemë që, sipas tij, ka përfituar dhjetëra miliona euro nga fondet publike dhe prona shtetërore.

 

Duke iu referuar një deklarimi të bërë, sipas tij, nga drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, në Komisionin e Sigurisë, Berisha tha se ajo kishte deklaruar se bashkëjetonte me Roni Yeffet. Sipas kreut të PD-së, kjo tregon për një “kontroll të dyfishtë” të shërbimit informativ dhe e cilësoi situatën si një çështje që prek sigurinë kombëtare dhe, sipas tij, edhe NATO-n.

 

Berisha ngriti akuza edhe për aktivitetin e kompanive të lidhura me Yeffet, duke pretenduar se përmes vendimeve dhe ligjeve të miratuara nga qeveria, kompanive të tij u janë dhënë 45 milionë euro nga buxheti i shtetit, si dhe prona shtetërore.

 

“Ndërkohë, unë më duhet t’u rikujtoj këtu, për të pasur qartë pushtetin e tij, se në komisionin e sigurisë, Vlora Hyseni e pyetur për lidhjet me Ergys Agasin, ka mohuar të ketë ndonjë lidhje të veçantë me të dhe ka deklaruar se bashkëjetonte me Roni Yeffet. E kuptoni se si është i ngërthyer i quajturi shërbimi informativ kombëtar, në njërën anë Agasi, në anën tjetër Roni Yeffet. Kur e dëgjova këtë fjalë, mendova se ishte një shpoti për Lubinë, por burime të besueshme më thanë mua se ajo ka shprehur një të vërtetë.

 

Shërbimi informativ ishte vënë nën një kontroll të dyfishtë, të Agasit dhe Roni Yeffet. Kjo është një nga skemat më mafioze. Një vend anëtar i NATO-s që aplikon skemë të tillë mafioze në fushën e mbrojtjes, kryen një akt shumë të rëndë ndaj vendit të tij, por edhe ndaj aleancës.

 

Siç jeni në dijeni, Roni Yeffet me Miss Autoblindin blinin armë në zona lufte, në Sudan dhe në vende të tjera të Afrikës, i sillnin në Shqipëri, u vinin etiketa shqiptare në një mashtrim të madh për t’i shitur në Ukrainë, në të cilin për hir të së vërtetës, përfaqësuesit e atij vendi ua thonë haptas se ne i blemë me tendera të hapur, jo direkt siç kërkonin këta.

 

Është e faktuar nga regjistrimet që keni dëgjuar përpjekja e tij mafioze për të shtrirë dorën e zezë në gazin e Delvinës. Që të gjitha këto janë porosi në bashkërendim dhe bashkëveprim me Edi Ramën. Aktiviteti i tij është një kërcënim madhor për sigurinë kombëtare të Shqipërisë ndaj dhe e dënoj me forcën më të madhe”, tha Berisha.

 

Ai tha se skema, sipas tij, nisi pas shfaqjes së një sipërmarrëseje të industrisë ushtarake në podcastin e Edi Ramës, të cilën Berisha e cilësoi me ironi si “Miss Autoblindi”. Sipas tij, më pas u krijuan kompani dhe u kryen transaksione aksionesh që sollën Yeffet në një pozicion kontrollues mbi aktivitetet dhe asetet.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përfshirje në kontrata të sektorit të mbrojtjes dhe deklaroi se kompanitë e përfshira, sipas tij, nuk plotësojnë kriteret ligjore dhe financiare për aktivitetin që ushtrojnë.

 

“Roni Yeffet brenda natës bëhet pronar i të gjitha ndërtimeve që ekzistojnë në Shkozë apo në ish-Kombinatin e Traktorëve, bëhet pronar i 45 milionë eurove nga buxheti i shtetit”, deklaroi Berisha.

 

“Ajo çka është për interesin direkt të qytetarëve se në një skemë mafioze të ndërtuar nga Edi Rama, të mbështetur fuqimisht nga Edi Rama me ligje, me vendime, Roni Yeffet de facto kompanisë së tij nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë, nga paratë e tyre, i janë dhënë gjer sot 45 milionë euro.

 

Përveç këtyre, ky grup mafiozësh shkon dhe plaçkit prona private të qytetarëve shqiptarë në Zall Herr, prona të fituara me të gjithë dokumentacionin, dhe ua marrin familjeve pronat duke u thënë se janë të shtetit”, tha ai.

 

XS
SM
MD
LG