Lidhje


Sigurimi i pronës, ecuri e dobët edhe për vitin 2026

 

Sigurimi i pronës në Shqipëri po shfaq ecuri të dobët edhe gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoritetit i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për tetë muajt e vitit 2026 primet e shkruara bruto të sigurimit të pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës, si edhe sigurimet nga dëmtimet e tjera në pronës kishin vlerën e 1.74 miliardë lekëve, në rënie me 13.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

 

Kjo ka bërë që pesha e këtyre produkteve të bjerë në 10.4% të volumit të përgjithshëm të primeve të shkruara bruto, nga 12.2% që kishte qenë një vit më parë. Ecuria e tregut paraqitet e dobët në të dy produktet kryesore, sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës dhe sigurimet e tjera në pronë.

Primet e shkruara bruto për sigurimin nga zjarri dhe forcat e natyrës ranë në 1.49 miliardë lekë, 11.2% më pak krahasuar me një vit më parë. Ndërsa sigurimet nga dëmtimet e tjera në pronë ranë në 247 milionë lekë, 24.1% më pak krahasuar me 8-mujorin 2025.

 

Megjithëse ligjërisht sigurimi i pronës nga fatkeqësitë natyrore është vullnetar, në praktikë pjesa më e madhe e kontratave të sigurimit për këtë produkt janë të lidhura me pronat e lëna si kolateral për kreditë bankare.

Në rastet kur kredia është e siguruar me kolateral, sigurimi i tij është kusht i vendosur nga banka për huamarrësin, ndaj edhe në këtë rast bëhet fjalë për një produkt faktikisht të detyrueshëm.

 

Rritja e shpejtë e kredisë për pasuri të paluajtshme në vitet e fundit ka mbështetur edhe rritjen e tregut të sigurimit të pronës, por përmasat e tij ngelen shumë modeste dhe zënë një peshë të ulët kundrejt volumit total të tregut të sigurimeve në vend.

Bazuar në numrin vjetor të policave të sigurimit, mund të vlerësohet se në Shqipëri janë të siguruara afërsisht 5% e numrit të përgjithshëm të banesave (duke iu referuar Censit 2023).

 

Më shumë se 90% e primeve të sigurimit nga katastrofat natyrore janë të përqendruara në qarkun e Tiranës, ndërsa pjesa tjetër e vendit është në masën dërrmuese e pambuluar ndaj këtyre rreziqeve.

Duke parë shkallën e ulët të mbulimit vullnetar me sigurime të pronës, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një nismë ligjore për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet.

 

Ai përcakton detyrimin për sigurimin e të gjitha banesave në vend, me pak përjashtime (psh. shtëpitë e ndërtuara prej argjile, qerpiçi, kallami, etj. apo ndërtesave me vendndodhje të lëvizshme apo të përkohshme).

Skema e sigurimit do të administrohet nga një ent i posaçëm me kapital shtetëror që do të ngrihet për këtë qëllim, Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet.

 

Shuma e sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa primi i sigurimit që do të paguajnë pronarët e banesave do të përcaktohet nga Fondi për Tërmetet, pas marrjes së pëlqimit nga ministri përgjegjës për financat.

 

Megjithatë, industria e sigurimeve është shprehur në vijimësi kundër kësaj skeme, duke kërkuar një zgjidhje tjetër, që të përfshijë edhe shoqëritë private të sigurimit.

 


Protestat në kryeqytet, Ambasada e Izraelit në Tiranë: Prej sot do të jemi të mbyllur, hapja do të varet nga zhvillimi i situatës

Ambasada e Izraelit në Tiranë ka njoftuar se për shkak të situatës aktuale me protestat në kryeqytet, do të qëndrojë e mbyllur prej ditës së sotme deri në një afat të pacaktuar.

 

Njoftimi është bërë nga faqja zyrtare e Ambasadës, teksa thuhet se për çdo rast urgjent, do duhet të kontaktojnë me numrin celular të emergjencës.

 

“Për shkak të zhvillimeve të fundit, Ambasada e Izraelit në Tiranë është aktualisht e mbyllur.

 

Rihapja e Ambasadës do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet situata. Për çështje urgjente konsullore, ju lutemi kontaktoni numrin celular të emergjencës të Ambasadës.

 

Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe do të ofrojmë përditësime të mëtejshme sipas nevojës”, thuhet në njoftim.


Të rinjtë e Shqipërisë ndryshe nga ata të Kosovës, nuk kërkojnë partnerë të virgjër, por fetarë

 

Të rinjtë në Shqipëri po ndryshojnë prioritetet në zgjedhjen e partnerit, duke i kushtuar më pak rëndësi virgjërisë, miratimit të familjes dhe nivelit arsimor, ndërsa besimi fetar dhe gjendja ekonomike kanë fituar më shumë peshë. Sipas anketave të Fondacionit Friedrich Ebert (FES), të publikuara në një grafik krahasues nga AlbanianStats, përqindja e të rinjve që e konsiderojnë virgjërinë të rëndësishme ose shumë të rëndësishme ka rënë nga 46% në vitin 2011 në vetëm 19% në vitin 2024.

 

Rënie është regjistruar edhe te miratimi i familjes, nga 73% në 60%, si dhe te niveli arsimor i partnerit, nga 77% në 64%. Në të kundërt, rëndësia e besimit fetar është rritur nga 17% në 27%, ndërsa gjendja ekonomike nga 41% në 44%, duke reflektuar ndryshimin e kritereve që të rinjtë shqiptarë vlerësojnë në një marrëdhënie.

 

Krahasimi me Kosovën nxjerr në pah dallime të dukshme. Në vitin 2024, virgjërinë e konsideronin të rëndësishme 56% e të rinjve kosovarë, kundrejt 19% në Shqipëri, ndërsa miratimi i familjes dhe besimi fetar arrinin përkatësisht në 80% dhe 79% në Kosovë, kundrejt 60% dhe 27% në Shqipëri. Edhe rëndësia e gjendjes ekonomike është rritur më shumë në Kosovë, nga 43% në 53%, ndërsa niveli arsimor mbetet një kriter i rëndësishëm në të dy vendet, pavarësisht rënies së peshës së tij.


Sani Sanilevich pronar i Jet Bank dhe Interesat izraelite në Shqipëri! Investigimi: Kush është ish-këshilltari i Netanyahut

 

Sani Sanilevich, i cili ka shërbyer si këshilltar i kryeministrit Benjamin Netanyahu, po e çon kompaninë familjare të pasurive të paluajtshme në Bursën e Tel Avivit. Kemi mësuar se kompania Sanilevich Real Estate Entrepreneurship do të përpiqet të sigurojë 200–250 milionë shekelë përmes emetimit të obligacioneve, bazuar në raportet financiare të tremujorit të dytë të vitit 2026. Emisionin e obligacioneve do ta udhëheqë kompania Leader Underwriting.

 

Sani Sanilevich pronar i Jet Bank dhe Interesat izraelite në Shqipëri! Investigimi: Kush është ish-këshilltari i Netanyahut

Emetimi synon, ndër të tjera, t’i japë kompanisë mundësinë të provojë për herë të parë praninë e saj në bursë, në përgatitje për një emetim të mundshëm të ardhshëm të aksioneve. Për momentin, nuk është e qartë se kur ose nëse do të realizohet një gjë e tillë.

 

Për shkak të vështirësive aktuale në tregun e pasurive të paluajtshme, kompanitë e këtij sektori që dëshirojnë të hyjnë në bursë priren fillimisht të sigurojnë financim përmes obligacioneve, duke e përgatitur terrenin për një emetim të ardhshëm të aksioneve. Kjo prirje ka nisur rreth dy vjet më parë, me kompani të tilla si Amram Abraham dhe Beser, ndër të tjera.

 

Sanilevich Real Estate, ku Sani mban pozicionin e drejtorit të përgjithshëm, zotëron një projekt të madh të pasurive të paluajtshme me të ardhura nga qiratë në parkun Neve Ne’eman, në Hod Hasharon.

 

Kompleksin e ndërtoi së bashku me dy partnerë, mes tyre Haim, babai i Sanilevich, i cili ndërroi jetë 13 vjet më parë. Haim e kishte nisur karrierën si fermer, përpara se të kalonte në sektorin e pasurive të paluajtshme.

 

Në vitin 2020 nisën negociatat për blerjen e kompleksit nga partnerët që dëshironin të shisnin pjesët e tyre. Kompania Afy Nivim dhe familja Sanilevich blenë dy të tretat e aksioneve të partnerëve për 440 milionë shekelë, bazuar në një vlerësim total të kompleksit prej 656 milionë shekelësh. Afy Nivim bleu 50% të kompleksit, me një investim prej 328 milionë shekelësh.

 

Parku përfshin 48 mijë metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar dhe tre ndërtesa të tjera që pritet të ngrihen:

Një ndërtesë zyrash me sipërfaqe 82 mijë metra katrorë.

 

Një ndërtesë tjetër zyrash me sipërfaqe 20 mijë metra katrorë.

Një kompleks banimi të asistuar për të moshuarit, në një sipërfaqe prej 65 mijë metrash katrorë.

 

Kompania zotëron gjithashtu dy dynymë tokë brenda kompleksit, të destinuara për ndërtime të ardhshme.

Ndër qiramarrësit e parkut janë kompani të tilla si Merck Israel, Valens dhe Harman–Samsung.

 

Një tjetër pasuri që do të përfshihet në kompaninë që synon të hyjë në bursë është një sipërfaqe toke bujqësore prej më shumë se 200 dynymësh në Tel Mond, të cilën Sanilevich e zotëron së bashku me kompaninë Mega Or të Tzachi Nahmias. Synimi është që toka të ndryshojë destinacion dhe të përdoret për veprimtari logjistike.

 

Një parcelë e tretë përbëhet nga 190 dynymë tokë në Hadera, ku familja zotëron një të tretën e të drejtave. Synimi është që toka të riklasifikohet për ndërtim banesash dhe, ndoshta, edhe për projekte energjetike, si një central elektrik ose një qendër të dhënash (data center).

 

Familja zotëron edhe toka të tjera bujqësore, të cilat nuk do të përfshihen në kompaninë që do të dalë në bursë, por do të mbeten në pronësi të saj.

Më herët, mediat kanë raportuar se Sanilevich po përpiqet të krijojë një spital në Shqipëri së bashku me Yardena Ovadia. Sipas raportimit, ai zotëron gjithashtu një bankë digjitale në Shqipëri dhe kompani në sektorët e pasurive të paluajtshme dhe turizmit.

 

Sanilevich shërbeu si këshilltar i Netanyahu-t gjatë viteve 2006–2011, por, sipas informacioneve të disponueshme, sot nuk ka më lidhje mes tyre.

Në emisionin investigativ televiziv «Uvda», në muajin maj të këtij viti, u raportua se Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë dhe mik i afërt i Sanilevich, i ishte ankuar këtij të fundit për presionet që, sipas raportimit, Netanyahu kishte ushtruar ndaj tij për të emëruar Nicole Raidman, e afërt me bashkëshorten e kryeministrit izraelit, Sara Netanyahu, si konsulle nderi të Shqipërisë në Izrael.

 

 

 


Gjyqi ndaj Veliajt/ Dumani kërkon vijimin e procesit pa avokatë, GJKKO gjobit mbrojtësit me nga 100 mijë lekë

 

Në procesin ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë, prokurori i posaçëm Altin Dumani i kërkoi Gjykatës së Posaçme të shohë mundësinë që seancat të vijojnë pa praninë e mbrojtësve ligjorë, duke e konsideruar bojkotin si shkak të paligjshëm për mospjesëmarrje.

 

“Mbrojtja është një e drejtë. Duke parë sjelljen e të pandehurve dhe avokatëve, vlerësojmë se Gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ta konsiderojë sjelljen e tyre si heqje dorë nga kjo e drejtë dhe të vijojë gjyqin pa avokat. Gjykata e Apelit e ka një precedent të tillë, ku ka shqyrtuar çështje pa avokat”, deklaroi Dumani. Por gjykata tha se lidhur me këtë kërkesë do të shprehet në një moment të dytë.

 

Për shkak se avokatët vijojnë prej më shumë se një muaji bojkotin në shenjë proteste ndaj rregullores së gjykatës, seanca e radhës u shty në datën 27 tetor. Ndërkohë që trupa gjykuese caktoi avokatë për të pandehurit nga lista e ndihmës juridike falas e Ministrisë së Drejtësisë. GJKKO gjobiti po ashtu me nga 100 mijë lekë mbrojtësit.

 

Erion Veliaj, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë po gjykohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje të pasurisë.

XS
SM
MD
LG