Lidhje


Shefi i të Drejtave të Njeriut në OKB: Dënojmë dhunën në protesta, shtetet të angazhohen me të rinjtë

 

Shefi i të Drejtave të Njeriut në OKB, Volker Turk ka reaguar lidhur me protestat masive që po zhvillohen në disa shtete evropiane, përfshirë Shqipërinë.

Turk është shprehur se protestat masive në të gjithë Shqipërinë, Belgjikën, Francën, Italinë dhe Portugalinë po ngrenë shqetësime për të drejtat e njeriut.

 

Ai ka dënuar aktet e dhunës dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm. Turk kërkon që shtetet të angazhohen veçanërisht me të rinjtë dhe të adresojnë shqetësimet e tyre për arsimin, shërbimet publike, strehimin, koston e jetesës dhe pabarazinë

 

“Dënoj të gjitha aktet e dhunës dhe u bëj thirrje të gjithë të përfshirëve të ulin tensionet dhe të parandalojnë dhunën e mëtejshme. Rruga më e mirë dhe e vetme përpara është dialogu gjithëpërfshirës dhe i sigurt. Shtetet duhet të angazhohen me protestuesit, veçanërisht me të rinjtë, në dialog kuptimplotë, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar shqetësimet legjitime dhe themelore të të drejtave të njeriut lidhur me arsimin, shërbimet publike, strehimin, rritjen e kostos së jetesës dhe pabarazinë”, thuhet në reagimin e tij. 


Sot në orën 10:00 pedagogët protestojnë sërish në mbështetje të të rinjve

 

Pedagogët i janë bashkuar protestës së studentëve dhe kanë paralajmëruar se do të dalin çdo ditë në orën 10:00, duke e lidhur vijimin e tubimeve me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, tha se përfshirja e botës akademike vjen pas mungesës, sipas tij, të një përgjigjeje konkrete ndaj kërkesave të ngritura nga të rinjtë. 

 

Ai e cilësoi dialogun e munguar si një prej arsyeve që ka çuar në përshkallëzimin e protestave dhe kritikoi mënyrën se si është ndërhyrë ndaj demonstruesve gjatë ditëve të fundit.

 

Kovaçi ngriti gjithashtu shqetësimin për praninë e personave me rroba civile gjatë përplasjeve, duke kërkuar që rastet e raportuara të verifikohen dhe siguria e qytetarëve të garantohet. “Brutaliteti ndaj rinisë shqiptare është i papranueshëm”, deklaroi ai, ndërsa u bëri thirrje ambasadave dhe përfaqësive ndërkombëtare të ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri.

 

Pedagogët kërkojnë marrjen e përgjegjësisë politike nga qeveria dhe kanë bërë të ditur se protestat e tyre do të vazhdojnë. Ndërkohë, studentët dhe të rinjtë protestues refuzuan një ditë më parë ofertën e kryeministrit Rama për dialog.


Associated Press: Gaz lotsjellës dhe ujë me presion, policia përleshet me protestuesit

 

Agjencia e njohur amerikane e lajmeve Associated Press  i ka kushtuar një artikull protestave antiqeveritare në Shqipëri, ku për të tetën ditë radhazi janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe policisë në kryeqytet. Sipas AP-së, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit, ndërsa demonstruesit hodhën gurë, flakadanë, bomba molotov dhe fishekzjarrë gjatë përplasjeve në qendër të Tiranës.

 

Në protestë janë përfshirë edhe gjimnazistë dhe studentë universitarë, të cilët kërkojnë uljen e tarifave të studimit, rritjen e investimeve publike në arsim dhe luftën kundër korrupsionit në sistemin arsimor. Kërkesave të tyre u është bashkuar edhe thirrja e lëvizjes më të gjerë antiqeveritare për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

 

Agjencia amerikane thotë se qytetarët po protestojnë për rritjen e kostos së jetesës, problemet në arsim, dobësimin e shërbimeve publike dhe vështirësitë për të siguruar strehim të përballueshëm.

 

Shkrimi rikujton gjithashtu protestat e muajve të fundit kundër një projekti të madh turistik luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë, të lidhur me një kompani investimesh të themeluar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Duke komentuar protestat, kryeministri Edi Rama i cilësoi aktet e dhunës si një përpjekje për të ndryshuar pushtetin përmes forcës.

 

“Një valë gurësh, një përpjekje për të rrëzuar qeverinë dhe për të ndryshuar ata që janë në pushtet përmes imponimit të dhunës”,deklaroi Rama, sipas Associated Press.

 

Kryeministri argumentoi se shqetësimet e qytetarëve për koston e jetesës, strehimin dhe të ardhmen po shfrytëzohen nga persona që, sipas tij, nxisin qëllimisht dhunën gjatë demonstratave. Ai i akuzoi protestuesit se po krijojnë një klimë terrori në kryeqytet dhe i përshkroi studentët e përfshirë në protesta si pjesë të rrymave në zhvillim të ekstremizmit politik.


Protesta, 310 të lënduar që prej 13 tetorit!

 

310 persona janë lënduar që prej 13 tetorit, gjatë situatave të lidhura me protestat, sipas të dhënave të raportuara nga strukturat spitalore.

Sipas njoftimit të Spitalit Universitar të Traumës, gjatë ditës së sotme janë paraqitur për ndihmë mjekësore katër kalimtarë.

 

 
Njëri prej tyre, përfaqësues i medias ndërkombëtare, ka marrë trajtimin e nevojshëm dhe është larguar nga spitali në gjendje jashtë rrezikut për jetën, me këshillën e mjekut.

Aktualisht, në Spitalin Universitar të Traumës ndodhen dy kalimtarë, të cilët po i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme. Një tjetër kalimtar i lënduar gjatë protestës është larguar pasi ka marrë trajtimin mjekësor.

 

Ndërkohë, sipas të dhënave të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, gjatë ditës së sotme janë paraqitur për ndihmë mjekësore tre persona: një efektiv policie, një protestues i mitur dhe një përfaqësues i medias. Të tre ndodhen në gjendje shëndetësore stabël.

 

Bilanci i të lënduarve që prej 13 tetorit:

Në total, 310 persona kanë marrë ndihmë mjekësore që prej 13 tetorit, sipas të dhënave të raportuara nga strukturat spitalore.


Eurodeputetja: Rama nuk pranon të dëgjojë, po dhunohen dhe arrestohen fëmijët

 

Eurodeputetja holandeze Anna Strolenberg ka ngritur në Parlamentin Europian çështjen e dhunës së policisë ndaj studentëve protestues në Shqipëri, duke i kërkuar Bashkimit Europian të mos qëndrojë indiferent përballë pamjeve të të rinjve të qëlluar me plumba gome, të rrahur dhe të arrestuar.

Në fjalën e saj, Strolenberg e vendosi në qendër të mesazhit përgjegjësinë e Edi Ramës dhe reagimin e institucioneve europiane, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të trajtohet si pronë e kryeministrit.

 

Ajo tha se çdo ditë përballet me pamje nga protestat që, sipas saj, tregojnë përdorimin e forcës ndaj të rinjve, ndërsa e akuzoi Ramën se nuk dëgjon kërkesat e qytetarëve dhe nuk pranon të ndryshojë qëndrimin e tij.

‘Protestues të qëlluar me plumba gome, fëmijë të rrahur dhe të arrestuar. E gjitha kjo sepse Edi Rama nuk dëgjon dhe nuk pranon të ndryshojë’, u shpreh Strolenberg.

 

 Fjalimi i eurodeputetes Anna Strolenberg:

Dëshiroj të kërkoj një mocion për procedurë, në përputhje me nenin 202 të Rregullores së Procedurës.

 

Shqipëria e shqiptarëve.

Shqipëria e shqiptarëve dhe jo Shqipëria e Edi Ramës dhe e të pasurve.

Çdo ditë më vijnë pamje të cilave nuk mund t’ua kthej shpinën. Protestues të qëlluar me plumba gome, fëmijë të rrahur dhe të arrestuar. E gjitha kjo sepse Edi Rama nuk dëgjon dhe nuk pranon të ndryshojë.

 

Më vjen turp që BE-ja dënoi vetëm dhunën e disa protestuesve të dhunshëm, por nuk dënoi dhunën e tepruar të policisë ndaj shumicës së protestuesve paqësorë.

Ne flasim për vlerat, por nuk bëjmë asgjë kur ato vlera shkelen.

 

Njerëzit mund t’i falin armiqtë e tyre, por nuk do ta falin një mik që i braktis.

Ne kemi mjete ndikimi, sepse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e BE-së dhe qeveria e saj duhet të ndërmarrë ndryshime të mëdha, të luftojë korrupsionin, të reformojë policinë dhe të mbrojë qytetarët e saj.

 

Shqipëria është pjesë e familjes evropiane dhe një familje qëndron në krah të njëri-tjetrit.

 

XS
SM
MD
LG