Lidhje


Veliaj sfidon SPAK-un nga qelia: U jep çelësat e Bashkisë dy hajdutëve

 

Erion Veliaj ka rikthyer në drejtimin e Bashkisë së Tiranës dy emra që më herët janë përballur me akuza dhe kallëzime publike: Sara Goxhaj, e denoncuar për një apartament pranë TEG-ut të blerë me rreth 860 euro/m², dhe Sadi Vorpsi, i kallëzuar për shpërdorim detyre dhe përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore. Të dy janë rikthyer tashmë si nënkryetarë të Bashkisë së Tiranës, me vendim të Veliajt nga qelia.

 

Në rastin e Sara Goxhajt, çështja lidhet me një apartament në zonën pranë TEG-ut, të blerë nga ndërtuesi Shkëlqim Fusha. Sipas kallëzimit të bërë në SPAK nga opozita në vitin 2025, u ngritën dyshime mbi çmimin dhe mënyrën e blerjes së pronës. Raportimet e kohës e vendosën çmimin e deklaruar në rreth 860 euro për metër katror, duke e konsideruar dukshëm më të ulët se vlera e tregut. U ngritën gjithashtu pretendime se kontrata e shitblerjes mund të ishte fiktive.

 

Edhe Sadi Vorpsi është përballur më herët me kallëzim penal. Emri i tij ishte përfshirë në një kallëzim të depozituar në SPAK ndaj disa zyrtarëve të lartë, ku pretendohej “shpërdorim detyre” dhe “përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Kallëzimi lidhej me pretendime për përdorimin e burimeve dhe funksioneve publike në aktivitete politike e zgjedhore.

 

Pavarësisht historikut të këtyre dy emrave, Veliaj ka vendosur t’i rikthejë pikërisht ata në kupolën drejtuese të Bashkisë së Tiranës.

Goxhaj ka mbajtur më herët postin e nënkryetares dhe ishte përfshirë edhe në një përpjekje të mëparshme të Veliajt për t’i deleguar kompetencat e drejtimit të bashkisë, ndërsa Vorpsi rikthehet gjithashtu në një pozicion drejtues që e ka mbajtur më parë.

 

Lëvizja e sotme merr një tjetër dimension për shkak të situatës së pazakontë në të cilën ndodhet kryebashkiaku: Veliaj ndodhet në qeli, por vazhdon të marrë vendime për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Dhe nga qelia, dy prej emrave që ai ka zgjedhur për të drejtuar institucionin janë pikërisht dy figura që kanë qenë më herët në qendër të kallëzimeve dhe akuzave publike.


Dyfishohet në 22 milionë euro kostoja e rrugës Qafa e Buallit - Martanesh, fituesit sërish të njëjtët

 

Autoriteti Rrugor Shqiptar përmbylli procedurën e re të prokurimit publik për projektin "Plotësimi i punimeve në rrugën Qafa e Buallit - Martanesh". Fitues i këtij tenderi është shpallur sërish i njëjti bashkim operatorësh ekonomikë, "BE - IS SH.PK", "ERGI" dhe "VËLLEZËRIT HYSA", të cilët morën kontratën me një ofertë financiare prej 952,928,422.00 lekësh pa TVSH.

 

Ky aks rrugor ka si qëllim lidhjen dhe zhvillimin e zonës së Martaneshit, ndërsa afati i zbatimit të kësaj faze të dytë është përcaktuar në 10 muaj. Ky vendim vjen pas një kontrate të parë të nënshkruar në dhjetor të vitit 2023 për sistemimin dhe asfaltimin e këtij segmenti prej 16.5 kilometrash.

 

Atë procedurë e kishte fituar po ky konsorcium kompanish me një ofertë prej 947.6 milionë lekësh, duke marrë përsipër përfundimin e plotë brenda vitit 2025.

 

Megjithatë, për shkak se segmenti mbeti pjesërisht i papërfunduar, institucioni hapi garën e dytë për plotësimin e punimeve të mbetura, e cila e dyfishoi koston e rrugës nga 11 milionë euro në 22 milionë euro.

 

Procedura e fundit e prokurimit, kishte një fond limit prej 1,04 miliardë lekësh pa TVSH. Vlerësimi i ofertave bazohej në sistemin e pikëve, ku çmimi i ofruar përbënte 60 pikë, ndërsa 40 pikët e tjera ndaheshin për kriteret teknike si metodologjia, stafi, garancia dhe propozimet për reduktimin e impaktit mjedisor e social.

 

Gjatë vlerësimit të kryer nga komisioni, konsorciumi fitues grumbulloi gjithsej 275.40 pikë. Menjëherë pas tyre u rendit kompania "BAMI HOLDING" me 271.80 pikë dhe një ofertë prej 989,083,857.70 lekësh pa TVSH.

 

Ndërkohë, operatori "ALBAVIA", i cili ofroi vlerën 1,02 miliardë lekësh, u skualifikua për shkak të mungesës së dokumentacionit të saktë teknik dhe certifikatave të menaxhimit të cilësisë SSH EN ISO 9001:2015. Gjithashtu, nga gara u skualifikua edhe kompania "ADIDAS - ONE", pasi kishte dorëzuar vetëm preventivin e punimeve pa dokumentet e tjera ligjore të kërkuara. 


Shqipëria, ndër vendet me konsumin më të ulët të energjisë për familje në Europë

 

Shqipëria rezulton ndër vendet me konsumin më të ulët të energjisë në familje për banor në Europë, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2024. Konsumi final i energjisë në familje ishte 220 kilogramë ekuivalent nafte (kgoe) për banor, shumë më poshtë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 507 kgoe për banor. (Ky tregues mat energjinë nga burime të ndryshme, si energji elektrike, gaz, naftë/produkte nafte, dru dhe lëndë të tjera djegëse, të shndërruara në një njësi të përbashkët: kilogramë ekuivalent nafte (kgoe) ne një vit).

 

Me këtë nivel, Shqipëria renditet ndër vendet me konsumin më të ulët në Europë, duke lënë pas vetëm Maltën. Konsumi shqiptar ishte më pak se gjysma e mesatares së BE-së dhe dukshëm më i ulët edhe se vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut (261 kgoe), Mali i Zi (472), Serbia (508) dhe Bosnjë-Hercegovina (513).

 

Të dhënat e brendshme e shpjegojnë këtë renditje me mënyrën e ngrohjes së banesave në Shqipëri. Sipas iNSTAT përdorimi i druve, qymyrit dhe materialeve të tjera të ngurta mbetet shumë i përhapur si burim kryesor ngrohjeje në disa qarqe, ndërsa në zona të tjera përdorimi i energjisë elektrike është më i lartë.

 

Një studim mbi varfërinë energjetike në Shqipëri, i bazuar në të dhëna të Eurostat, ka treguar gjithashtu se sobat individuale janë sistemi më i zakonshëm i ngrohjes, ndërsa një pjesë e familjeve nuk kanë fare sistem ngrohjeje, duke bërë që konsumi për banor mbetet i ulët, sidomos krahasuar me vendet europiane ku ngrohja e banesave është e bazuar të gazi i lëngshëm.

 

Në Bashkimin Europian, në vitin 2024, 61,5% e energjisë së përdorur nga familjet shkoi për ngrohjen e banesave, 15,6% për ngrohjen e ujit dhe 14,8% për ndriçimin dhe pajisjet elektrike. Kjo tregon se kushtet klimatike dhe nevoja për ngrohje janë faktorë të rëndësishëm në nivelin e konsumit familjar të energjisë.

 

Ndërkohë, të dhënat e INSTAT tregojnë se shpenzimet për banesën, ku përfshihen energjia elektrike, uji, karburantet dhe qiraja, zinin 9,6% të buxhetit mujor të familjeve shqiptare në vitin 2024, me një shpenzim mesatar prej 8.944 lekësh në muaj.

 

Shqipëria ende nuk ka projekt për gazifikimin e vendit dhe një pjesë e madhe e konsumatorëve sidomos familjeve nuk arrijnë të ngrohin banesën me asnjë lloj energjie gjatë periudhës së dimrit./ Monitor


Gylenistët, izraelitët dhe Ergys Agasi, bëhen bashkë në Equos Resort

 

Hetimet që SPAK ka hapur mbi kompanitë e lidhura me TIMAK-un e Ron Yeffet dhe kontratat e sektorit të mbrojtjes po çojnë drejt një pike tjetër ku kryqëzohen interesa të mëdha biznesi: Equos Resort. Resorti dhe territori përreth tij, i lidhur tashmë me dosjen e Ergys Agasit dhe hetimet për aferën e AKSHI-t, shfaqet edhe në pistën e re që po ndiqet për Arjeta Pucën dhe biznesmenin Ron Yeffet.

Read more ...


Kuvendi Kosoves miraton në parim ndryshimet për Specialen, çfarë ndodh tani me projektligjin?

 

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në votim morën pjesë 91 deputetë.

 

Të gjithë votuan në favor të projektligjit, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u miratuar përfundimisht.

 

Çfarë ndodh tani me projektligjin?

Miratimi në parim nuk e përfundon procedurën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

 

Projektligji tani duhet të shqyrtohet nen për nen në komisionin përgjegjës, ku mund të propozohen edhe amendamente.

Pas kësaj, ai duhet të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.

 

Rregullorja e Kuvendit lejon që, në rrethana të caktuara, të shmangen afatet e zakonshme procedurale, nëse këtë e propozojnë së paku gjashtë deputetë dhe e mbështesin dy të tretat e deputetëve të pranishëm.

 

Aleanca tashmë ka kërkuar që projektligji të votohet edhe në lexim të dytë gjatë ditës së sotme.

 

XS
SM
MD
LG