Lidhje


Humb jetën në spital 12-vjeçari në Tiranë, shkak arresti kardiak

 

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku një 12-vjeçar ka humbur jetën në një spital gjatë ditës së djeshme. Sipas informacioneve paraprake, i mituri dyshohet se ka pësuar arrest kardiak.

 

Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve dhe përpjekjeve për ta shpëtuar, 12-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Rasti është referuar për verifikim nga autoritetet, ndërsa pritet të përcaktohen rrethanat e plota të ngjarjes.

 

Hetimet do të synojnë të zbardhin edhe shkakun e saktë të humbjes së jetës së të miturit, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një problem të papritur shëndetësor apo për rrethana të tjera. Deri në daljen e të dhënave zyrtare, dyshimi për arrest kardiak mbetet informacion paraprak.


Efektet e rezervës së sigurisë te nafta, operatorët llogarisin rritje të çmimit final 6.1 lekë/litër

 

Krijimi i rezervës së sigurisë me naftë bruto, diesel dhe benzinë pritet të shtojë deri në 6.1 lekë për litër çmimin final të shitjes së karburanteve, sipas përllogaritjeve të operatorëve të importit dhe tregtimit në vend. 

 

Efekti llogaritet nga financimi për blerjen e stokut të rezervës strategjike me naftë të papërpunuar dhe kostot e ruajtjes së nënprodukteve të saj, përfshirë diesel dhe benzinë.   

Projektligji “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, i miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe i dërguar për shqyrtim në Kuvend, parashikon krijimin gradual të një sasie rezerve prej 238 mijë ton, sasi që korrespondon me rreth 90 ditë importe. 

 

Sipas operatorëve, vetëm financimi i krijimit të rezervës strategjike, të naftës të papërpunuar do të shtojë rreth 3.6 lekë për litër (me TVSH) çmimin final të karburanteve nga tarifa prej 3 lekë për litër që do të paguhet prej operatorëve. 

 Ndërkohë kostot për rezervën tregtare (nënprodukte të naftës), përfshirë kostot e blerjes, infrastrukturës, sigurisë dhe mirëmbajtjes, vlerësohet sipas llogaritjeve të operatorëve të tregut do të shtojnë edhe me 2.5 lekë për litër të tjera çmimin final të shitjes.

 

 
Në total, kostoja shtesë llogaritet të arrijë në 6.1 lekë për litër, e cila do të reflektohet në çmimet e naftës dhe benzinës së shitjes me pakicë.

 
Projektligji i miratuar nga Këshilli i Ministrave, që është dërguar për miratim Kuvendit të Shqipërisë përcakton krijimin e rezervës së hidrokarbureve me një sasi prej 238 mijë ton që është ekuivalente me sasinë për 90 ditë importe. Kjo rezervë pritet të krijohet për një periudhë 5-vjeçare, ku parashikohet që çdo vit të blihet një sasi prej 43 mijë deri 49 mijë ton produkte, përfshirë naftë të papërpunuar, benzinë, diesel, karburant për avionët etj.

 


Për blerjen dhe depozitimin e saj qeveria parashikon që kostot financiare ta mbulojë nëpërmjet tarifës me një nivel të supozuar prej 3 lekë për litër që do të paguhet nga kompanitë.

 


Në total nga kompanitë nëpërmjet tarifës vlera e se cilës është e supozuar, pasi niveli i saj do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave parashikohet të arkëtohen 3.4 deri 3.6 mld lekë apo rreth 40 mln euro në vit. Për 5 vite të krijimit të plotë të stokut të rezervës kostoja llogaritet rreth 200 mln euro.

 


Efektet në rritjen e çmimit final të shitjes për konsumatorin nga vendosja e tarifës janë pranuar edhe nga qeveria.

Në relacionin e projektligjit “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, theksohet se me qëllim financimin e krijimit, mbajtjes dhe menaxhimit të rezervave të sigurisë së naftës dhe nënprodukteve të saj, është parashikuar dhe vendosja e një tarife për këtë qëllim.

 

Sipas relacionit, tarifat e krijimit dhe mbajtjes së rezervës së sigurisë, që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure, që i nënshtrohet detyrimit për pagimin e taksës së akcizës, në përputhje me ligjin nr.61/2012, datë 24.5.2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, çdo vit.

 

“Të gjitha këto aktivitete do të shoqërohen me kosto shtesë për sektorin publik për mbulimin e shpenzimeve për krijimin, ruajtjen, mirëmbajtjen, inspektimin e rezervave të sigurisë, si dhe për aktivitetet e tjera të rregullta të autoritetit.

 

Sigurimi i fondeve do të kërkojë, ndër të tjera, vendosjen e tarifës që do të aplikohet mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure. Kjo do të sjellë rritje të vlerës në zinxhirin e ngarkesës financiare dhe rezultatin final të çmimit të shitjes te konsumatori”, përcaktohet në relacion.

 

Përveç kostos shtesë që krijon operatorët vijojnë ta konsiderojnë vendosjen e një taksë të fshehte antikushtetuese, pasi është propozuar pa asnjë konsultim me grupet e interesit dhe niveli i saj nuk i kalon për miratim Kuvendit.

Ndërkohë opozita nëpërmjet një amendamenti të propozuar nga deputeti Enno Bozdo ka kërkuar ndryshime në projektligji. Në amendament është propozuar që kostot për krijimin dhe financimin të rezervës të përballohen nga buxheti shtetit.

 

Po ashtu vendosja e tarifës dhe kostove për mirëmbajtjen e rezervës, propozohen në kulmin e çmimeve për karburantet, e ndikuar nga rritja e çmimeve në bursa dhe barra e rëndë fiskale që ka çmimi në Shqipëri.

Aktualisht nafta në vend është e ngarkuar më disa taksa dhe tarifa, përfshirë TVSH, akcizë, taksën e qarkullimit, taksë karboni, tarifën e skanimit, taksat bashkiake, tarifën e rilicensimit.

 

Në çmimin final të naftës barra e taksave zë 53% të atij apo në vlerë llogaritet të jetë 90 deri 100 lekë të çmimit final. Krahasuar me shtetet e rajonit, vendi ynë ka barrën më të lartë fiskale për naftën.

Në shtetet si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Kosovë mbi çmimin e shumicës së naftës llogaritet vetëm akciza dhe TVSH-ja.

 


Familjet pa shkollë me rritjen më të lartë të shpenzimeve mujore në 2025

 

Familjet ku kryefamiljari nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor regjistruan rritjen më të lartë të shpenzimeve mujore për konsum gjatë vitit 2025 krahasuar me 2024, duke reflektuar një zgjerim më të shpejtë të shpenzimeve se te familjet me nivele më të larta arsimore.

 

Të dhënat e INSTAT tregojnë se shpenzimet mujore të familjeve ku kryefamiljari nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor arritën në 66,112 lekë në vitin 2025, me një rritje prej 3.28% krahasuar me një vit më parë. Ky ishte ritmi më i lartë mes të gjitha kategorive dhe mbi rritjen mesatare prej rreth 2.35% të shpenzimeve të familjeve në tërësi.

 

Rritja më e shpejtë e shpenzimeve në këtë kategori mund të lidhet edhe me ndryshimet në tregun e punës. Ekonomia shqiptare po shfaq një kërkesë të lartë për punonjës në profesione elementare, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe shërbimeve. Zgjerimi i këtyre aktiviteteve ka rritur kërkesën për profesione si pastrues, shitës dhe punonjës të tjerë që jo domosdoshmërisht kërkojnë nivele të larta arsimimi.

 

Mungesa e fuqisë punëtore dhe kërkesa e lartë në këto profesione kanë ndikuar që pagat në disa prej kategorive me kualifikim më të ulët të rriten më shpejt se në profesione të tjera më të kualifikuara gjatë viteve të fundit. Kjo tendencë ka vijuar edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.

 

Për familjet me të ardhura më të kufizuara, rritja e të ardhurave priret të reflektohet më drejtpërdrejt në konsum, pasi një pjesë më e madhe e buxhetit të tyre përdoret për nevojat e përditshme.

 

Megjithatë, një pjesë e rritjes së shpenzimeve lidhet edhe me ecurinë e çmimeve. Inflacioni mesatar në Shqipëri ishte 2.2% gjatë vitit 2025. Në këtë mënyrë, rritja nominale prej 3.28% e shpenzimeve të familjeve pa arsim të përfunduar ishte vetëm rreth një pikë përqindjeje mbi rritjen mesatare të çmimeve.

 

Familjet ku kryefamiljari kishte përfunduar arsimin 8/9-vjeçar shpenzuan mesatarisht 85,333 lekë në muaj, vetëm 0.4% më shumë se në vitin 2024. Kjo ishte rritja më e ulët mes kategorive të analizuara.

 

Te familjet me arsim të mesëm të përgjithshëm ose profesional, shpenzimet u rritën me 2.74%, nga 96,790 lekë në 99,442 lekë në muaj.

Ndërkohë, familjet ku kryefamiljari kishte arsim të lartë ose pasuniversitar vijuan të kishin nivelin më të lartë të konsumit, me 116,312 lekë në muaj. Megjithatë, ritmi i rritjes së shpenzimeve në këtë kategori ishte më i moderuar, në 2.13%.

 

Në total, një familje shqiptare shpenzoi mesatarisht 95,227 lekë në muaj gjatë vitit 2025, rreth 2.3% më shumë se një vit më parë, sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve të INSTAT.

 

Rritja më e shpejtë e shpenzimeve te familjet pa arsim të përfunduar nuk e ka ndryshuar hendekun e madh të konsumit ndërmjet familjeve sipas nivelit arsimor të kryefamiljarit. Familjet me kryefamiljar me arsim të lartë shpenzojnë rreth 50 mijë lekë më shumë në muaj se ato ku kryefamiljari nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor.

 

Të dhënat për vitin 2025 tregojnë një afrim të lehtë në ritmin e rritjes së konsumit, por diferencat në nivelet e shpenzimeve mbeten të konsiderueshme. Familjet me nivel më të ulët arsimor po i rrisin më shpejt shpenzimet, por vijojnë të konsumojnë dukshëm më pak se familjet me nivele më të larta arsimore.

 


Pas dorëheqjes së Vuçiçit Serbia “tradhton” gazin rus?

 

Harta energjetike e Ballkanit po ndryshon. Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë hedhur një tjetër hap drejt zgjerimit të Korridorit Vertikal të Gazit, një rrjet që synon të çojë gazin nga terminalet greke drejt veriut, duke krijuar rrugë alternative furnizimi për Ballkanin dhe Evropën Qendrore. 

 

Në takimin ministror të 6 tetorit në Beograd, ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë Stavros Papastavrou, ministrja serbe në detyrë Dubravka Dedoviç Handanoviç, ministrja bullgare Iva Petrova dhe ministrja e Maqedonisë së Veriut Sanja Bozinovska konfirmuan përfshirjen e operatorëve të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në projekt. 

 

Zgjerimi lidhet drejtpërdrejt me interkonektorët e rinj që po ndërtohen në rajon. Interkonektori Serbi-Maqedoni e Veriut do të lidhet me atë Greqi-Maqedoni e Veriut, duke krijuar një aks të ri që mund të transportojë drejt veriut edhe LNG-në që mbërrin në terminalin e Aleksandrupolit.

 

Korridori Vertikal nuk është një gazsjellës i vetëm, por një sistem që bashkon terminalet LNG, rrjetet kombëtare të transmetimit dhe interkonektorët ndërkufitarë. Deri tani boshti kryesor shtrihej nga Greqia drejt Bullgarisë, Rumanisë dhe më tej drejt Evropës Qendrore dhe Lindore. Përfshirja e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut i shton atij një degë të rëndësishme drejt Ballkanit Perëndimor.

 

Në këtë projekt ka edhe një interes të fortë amerikan. 

SHBA nuk mori pjesë në takimin e Beogradit dhe deklarata e katër ministrave nuk përcakton që gazi që do të kalojë në këtë korridor duhet të jetë amerikan. Zgjerimi mbetet një projekt rajonal dhe evropian infrastrukture, ndërsa origjina e gazit do të përcaktohet nga kontratat dhe kushtet e tregut. 

 

Por Uashingtoni është përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet për zhvillimin e Korridorit Vertikal. Më 25 shkurt 2026, Departamenti amerikan i Energjisë mblodhi në Uashington përfaqësues të Bullgarisë, Greqisë, Rumanisë, Moldavisë, Ukrainës dhe Komisionit Evropian për të diskutuar avancimin e projektit. 

 

Në tryezë u vendosën pengesat rregullatore, harmonizimi i tarifave dhe investimet e nevojshme për të shfrytëzuar kapacitetin e korridorit. Objektivi ekonomik amerikan është i qartë: krijimi i rrugëve të reja që mund të çojnë LNG-në amerikane nga terminalet greke drejt Evropës Qendrore dhe Lindore. 

 

Joshua Volz deklaroi në takimin e shkurtit se bashkëpunimi me vendet e Korridorit Vertikal krijon mundësi për zgjerimin e eksporteve amerikane të LNG-së, ndërsa Departamenti amerikan i Energjisë e ka lidhur zhvillimin e projektit me mundësinë që gazi i rigazifikuar në Greqi të transportohet drejt veriut.

 
Interesi nuk mbetet vetëm në nivel politik. Në qershor 2026, Atlantic SEE LNG Trade prezantoi strategjinë e zgjerimit drejt tregjeve të Evropës Juglindore dhe Qendrore gjatë aktivitetit “Greece-US Alliance for Energy Security”. Kompania e lidhi strategjinë e saj me Korridorin Vertikal dhe me vëllimet e LNG-së të siguruara nga kompania amerikane Venture Global.

 

Megjithatë, ky interes duhet ndarë nga marrëveshja e Beogradit. Deri tani nuk ka një angazhim të katër qeverive për blerjen e LNG-së amerikane dhe as një deklaratë zyrtare se SHBA ka financuar apo drejtuar zgjerimin Serbi-Maqedoni e Veriut. Ajo që po ndërtohet është infrastruktura që do t’u japë vendeve më shumë alternativa furnizimi.

 

Ndërkohë, punimet po hyjnë në një fazë konkrete. Dedoviç Handanoviç deklaroi se vendosja e tubave të parë në segmentin serb të interkonektorit Serbi-Maqedoni e Veriut nis javën e ardhshme. Pjesa serbe është rreth 145 kilometra e gjatë dhe Beogradi synon përfundimin e saj në tremujorin e parë të vitit 2028. Pala maqedonase parashikon që segmenti i saj të përfundojë nga mesi ose deri në fund të vitit 2028.

 

Takimi i ardhshëm ministror do të mbahet në Sofje. Deri atëherë, sfida nuk është më vetëm zgjerimi në hartë i Korridorit Vertikal. Projekti duhet të tregojë nëse infrastruktura e re, tarifat dhe tregu mund ta bëjnë ekonomikisht të leverdishëm transportin e LNG-së nga Greqia drejt Ballkanit dhe Evropës Qendrore, pavarësisht nëse gazi vjen nga SHBA apo nga furnizues të tjerë.

 


Agasi mori para nga Mbrojtja dhe ngrit fermë kuajsh!”- Gazetari zbulon prapaskenat: TIMAK fut në tender në Ukrainë me kolateral pronën e News24!

 

Gazetari Poli Hoxha ka zbuluar detaje të reja që lidhen me hetimin e SPAK për kompaninë KAYO, marrëveshjen me TIMAK Defence dhe lidhja e Ergys Agasit me paratë që Ministria e Mbrojtjes ka dhënë për prodhimin e armëve.

 

Sipas tij, fondet e destinuara për industrinë e mbrojtjes, janë përdorur nga Ergys Agasi për ngritjen e një resorti kuajsh, TIMAK Horse, dhe se investimi është kryer teksa Agasi ndodhje në kërkim.

 

Po ashtu, gazetari ka deklaruar se nga hetimet e SPAK është zbuluar se TIMAK, pa u bashkuar me KAYO-n, është futur në një tender në Ukrainë, duke dhënë si kolateral ambientet e ish-uzinës së Autotraktorëve, kur ka qenë më herët godina e News24.

 

“Ato ishin të KAYO-s, qeveria ia dha me një vendim. Dhe ndërkohë, TIMAK nuk kishte bërë ende pjesë”, tha ai, ndërsa shtoi se de facto, TIMAK bëhet pjesë e KAYO-s një muaj me vonesë.

 

Ndër të tjera, Hoxha i ndal edhe te trafiku i armëve duke e cilësuar si ngjarje tronditëse, ku i përfshirë ishte edhe biznesmeni izraelit Ron Yeffet, i cilësuar si mik i kryeministrit Rama.

Për kreun e qeverisë, gazetari tha: “trafiku i armëve është një rast kur Edi Rama nuk mund të thotë më kumbulla-dardha pas krahëve. E dyta, është vetë iniciator, është vetë që e ka sjellë Ron Yeffet."

 

Poli Hoxha: Sot, në fakt, hapur u bashkua Ergys Agasi me KAYO-n. Resorti, 50 e ca mijë metra, i sekuestruar, rezulton se TIMAK Horse, pasi kishin hapur nga një TIMAK për armët, një TIMAK për kafshët, kishin një seli atje dhe kishte investuar, ndërkohë që Agasi ishte në kërkim. Kishte investuar para të marra nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për shoqërinë KAYO, e cila ishte një shoqëri e sapokrijuar dhe çdo fitim do ta sillte në investim.

 

Ndërkohë që investimi për të prodhuar të ashtuquajturat armë, që ju përzunë dhe ju, Neës24, ku do të bëhen armë, dronë të famshëm që do të monitoronin dhe Trump-in kur të vijë këtu, në fakt kishin shkuar për resortin, për ta kompletuar, për të bërë dhe një fermë kuajsh.

 

Nuk është vetëm kjo. SPAK ka zbuluar se TIMAK, pa u bashkuar me KAYO-n, është futur në një tender në Ukrainë, duke dhënë si kolateral ambientet e ish-uzinës së Autotraktorëve, kur ka qenë News24, ndërkohë që ato ishin të KAYO-s, që qeveria ia dha me një vendim. Dhe ndërkohë, TIMAK nuk kishte bërë ende pjesë.

Imagjinoni, merret shkresa me vulë të njomë dhe i jepet TIMAK-ut që ta përdorë për kolateral për t’u futur në një projekt të Ukrainës. De facto, TIMAK bëhet pjesë e KAYO-s një muaj me vonesë. Është si ajo 8% e Edi Ramës me inceneratorët, që e dha pa u krijuar ende kompania. Dhe kjo, pa u bërë pjesë e KAYO-s, kishte marrë vërtetim sikur ishte pronar i asaj prone.

 

Është një hetim shumë gjithëpërfshirës, është një hetim i ndërlidhur dhe me ndërkombëtarët, sidomos pasi doli çështja e trafikut të armëve, sepse bëhet fjalë që do të ndodhte një skemë me një shtet në Afrikë që është në embargo si nga SHBA-ja dhe BE-ja. Dhe kur vjen puna për trafik të armëve, marrëveshjet, ndizen llambat e kuqe në zyrat më kryesore. Ndoshta tolerohet droga dhe kokaina, mbahet në kontroll, por në protokollet e këtyre shteteve të fuqishme, trafikantët e armëve nuk falen asnjëherë. Sepse mund të pretendojë që transporton raketa, kallashnikovë, por mund të futen dhe koka bërthamore.

 

Kjo ka qenë goditja e përshpejtuar e këtij grupi, se në hetim kanë qenë. Është më keq se pastrim parash. Ajo që është më kryesorja, sepse u quajt tronditëse dhe është, po ta shohësh nga ana gjeopolitike, edhe çështja e shefes së SHISH-it, që është edhe këtu.

 

Kjo e KAYO-s është edhe më e rëndë. Është një rast kur Edi Rama nuk mund të thotë më kumbulla-dardha pas krahëve. E dyta, është vetë iniciator, është vetë që e ka sjellë Ron Yeffet. E treta, për herë të parë SPAK-u duhet ta bllokojë si kompani, të mos vazhdojë rrjedhja, pavarësisht se janë kontratat dhe ndoshta nuk ka dhe aq fuqi si në rastin e inceneratorëve. Është ndaluar, parandaluar, është hera e parë dhe ky duhet të jetë funksioni i SPAK-ut.

 

XS
SM
MD
LG