Lidhje


Shqipëria në shitje? Nga plani sionist i vitit 1935 te ligjet e Ramës, kush po e merr në dorë tokën shqiptare?

 

Një projekt sionist i vitit 1935 për vendosjen e hebrenjve në Shqipëri rikthehet në vëmendje, ndërsa Edi Rama forcon marrëdhëniet me Izraelin dhe qeveria ndryshon rregullat e pronësisë e të zhvillimit të territorit. Në lojë janë tokat bujqësore, kullotat, zonat e mbrojtura, investimet miliardëshe të Jared Kushnerit dhe një projekt për 50 mijë banorë në Divjakë. Pas hartës së re të Shqipërisë qëndrojnë vendime politike, kompani ndërkombëtare dhe interesa të mëdha ekonomike.

Read more ...


Italia dërgon 500 ushtarë në Milano pas protestave, ministri i Brendshëm: Nuk kemi prova për ndërhyrje nga Rusia apo Franca

 

Italia po forcon masat e sigurisë në Milano pas protestave të dhunshme të fundjavës, ndërsa autoritetet përgatiten për mobilizime të reja të shtunën. Qeveria ka miratuar dërgimin e 500 ushtarëve shtesë në qytet, ndërsa policia dhe autoritetet vendore kanë hartuar një plan për parandalimin e përplasjeve.

 

Sipas agjencisë italiane ANSA dhe Euronews, gjatë ditës së sotme në Prefekturën e Milanos është zhvilluar një mbledhje e posaçme për rendin dhe sigurinë publike, me pjesëmarrjen e ministrit të Brendshëm Matteo Piantedosi, shefit të Policisë Vittorio Pisani, kryebashkiakut Giuseppe Sala dhe drejtuesve të institucioneve të sigurisë.

 

Piantedosi konfirmoi se 500 ushtarët që do të vendosen në Milano do të kenë lëvizshmëri më të madhe në territor, në kuadër të operacionit ekzistues të sigurisë “Strade Sicure”. Ndërkohë, policia bashkiake do të angazhojë deri në 300 efektivë dhe do të vërë në dispozicion dronë për mbikëqyrjen e situatës.

 

Një nga deklaratat më të rëndësishme të ministrit të Brendshëm lidhej me pretendimet për ndikime të huaja në protestat e ditëve të fundit.

“Objektivisht, ende nuk ka asnjë provë për lidhje me Francën dhe Rusinë”, deklaroi Piantedosi, duke iu referuar dyshimeve të ngritura për një organizim të jashtëm të trazirave.

 

Deklarata vjen pas diskutimeve brenda mazhorancës italiane mbi mundësinë e ndërhyrjeve të huaja dhe përdorimit të rrjeteve sociale për nxitjen e dhunës.

Kryebashkiaku Giuseppe Sala mbajti një qëndrim të ashpër, duke deklaruar se në këtë fazë përparësi duhet të kenë kontrolli dhe goditja e akteve të dhunshme. Ai mbështeti vendosjen e forcave shtesë të sigurisë dhe kërkoi përgjegjësi edhe nga prindërit e të miturve që kanë marrë pjesë në shkatërrimin e pronës.

 

Sipas të dhënave të bëra publike, mes 343 personave të ndaluar pas trazirave të fundjavës, një pjesë e madhe janë të mitur. Mes personave të identifikuar është edhe një fëmijë 11-vjeçar.

 

Ndërkohë, presidenti italian Sergio Mattarella ndërhyri sot në debatin për protestat dhe marrëdhënien e institucioneve me brezin e ri.

Ai deklaroi se shoqëria nuk mund t’i trajtojë të rinjtë me indiferencë apo, edhe më keq, me nënvlerësim meskin, duke e cilësuar të ardhmen e tyre një çështje të madhe sociale dhe përparësi për institucionet.

 

Masat e sigurisë pasojnë miratimin nga qeveria Meloni të një dekreti të ri, i cili ashpërson përgjegjësinë për pjesëmarrjen e dhunshme në protesta dhe parashikon masa të reja për të miturit dhe prindërit e tyre.

Autoritetet italiane po përgatiten për fundjavën e ardhshme, kur priten mobilizime të tjera në Milano dhe qytete të Lombardisë.

 


Maqedonia e Veriut armatos regjimin e Ramës me plumba gome dhe gaz lotsjellës

Në 7 ditë proteste Edi Rama e mbaroi të gjithë gazin lotësjellës që kishte në magazinat e policisë, duke e hedhur kundër studentëve dhe qytetarëve që kanë dalë në protestë kundër tij.

 

Për këtë arsye, ai ka blerë në Maqedoninë e Veriut gaz dhe plumba gome që kur shpërthejnë përhapin dhe ata gaz.

 

Lajmi është bërë i ditur për SYRI-n nga burime të doganës së Qafë Thanës, që kanë konfirmuar se ngarkesa ka hyrë ditën e sotme në Shqipëri.

 

Këtë gaz dhe plumbat e gomës që lëshojnë gaz, policia e Edi Ramës po i përdor sonte kundër shqiptarëve në çdo cep të Tiranës.


Kryediplomati turk: Marrëveshja detare Turqi-Libi është “plotësisht legjitime”

 

 “Kjo është një marrëveshje plotësisht legjitime, si nga pikëpamja juridike, ashtu edhe nga ajo politike. Nuk ka nevojë të debatohet për të”, tha Fidan gjatë një vizite në Bruksel.

 

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se marrëveshja detare e vitit 2019 ndërmjet Turqisë dhe Libisë është “plotësisht legjitime”, si nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, ashtu edhe nga ajo politike.

 

“Kjo është një marrëveshje plotësisht legjitime, si nga pikëpamja juridike, ashtu edhe nga ajo politike. Nuk ka nevojë të debatohet për të”, tha Fidan për Anadolu gjatë një vizite në Bruksel.

 

Deklaratat e tij erdhën pas pranimit nga Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë të memorandumit të mirëkuptimit të vitit 2019 për përcaktimin e kufijve të zonave të juridiksionit detar ndërmjet Turqisë dhe Libisë.

 

Fidan e përshkroi këtë zhvillim si një arritje diplomatike që rezulton nga politika e jashtme e ndjekur nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ai tha se marrëveshja pasqyron parimet e politikës së jashtme të Turqisë për mbështetjen e paqes dhe stabilitetit përmes bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella.

 

“Besimi që vëllezërit tanë libianë kanë treguar ndaj Turqisë, si dhe stabiliteti që kjo marrëveshje do të sjellë në Mesdheun Lindor, kanë rëndësi të jashtëzakonshme”, tha ai.

Duke iu referuar reagimeve të vendeve të tjera, Fidan tha se disa qeveri ndihen të detyruara të reagojnë, ndërsa të tjerat kanë shqetësime të mirëfillta strategjike.

“Ne e kuptojmë pse këto vende po reagojnë. Disa reagojnë sepse ndihen të detyruara ta bëjnë këtë, ndërsa të tjerat kanë vërtet shqetësime strategjike lidhur me këtë çështje”, tha ai.

 

Fidan tha se ekspertët juridikë turq e konsiderojnë marrëveshjen të vlefshme që nga nënshkrimi i saj në vitin 2019, për shkak të strukturës së saj juridike.

“Sipas ekspertëve tanë juridikë, ajo që ndodhi në Dhomën e Përfaqësuesve të Libisë ishte në thelb një akt pranimi dhe jo ratifikimi”, tha ai.

“Nga këndvështrimi ynë, ne e kemi konsideruar këtë një marrëveshje të vlefshme që nga viti 2019”, shtoi ai.

 

 

Fidan rikonfirmoi vendosmërinë e Turqisë për të vijuar nismat diplomatike që synojnë promovimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Mesdhe.

“Diplomacia jonë nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç këtij”, tha ai.

- Fidan zhvillon bisedime me zyrtarë belgë, të NATO-s dhe të BE-së

 

Më tej, Fidan tha se zhvilloi një “seri intensive takimesh” në Bruksel, ku u diskutuan marrëdhëniet ndërmjet qeverive të Turqisë dhe Belgjikës, si dhe lidhjet e Ankarasë me NATO-n dhe BE-në.

Ai tha se në bisedimet me homologun belg u trajtuan çështje dypalëshe dhe rajonale.

 

Fidan mori pjesë gjithashtu në një takim me ministrat e Jashtëm, të Drejtësisë dhe të Brendshëm të Turqisë dhe Belgjikës, së bashku me ministrin turk të Drejtësisë, Akin Gurlek dhe ministrin e Brendshëm, Mustafa Ciftci. Ai tha se diskutimet përfshinë çështje që lidhen me përgjegjësitë e të tre ministrive.

Fidan e përshkroi mekanizmin e konsultimeve, të krijuar në vitin 2016, si shumë të dobishëm.

 

Duke rikujtuar vizitën e mbretëreshës belge Mathilde në Turqi, të shoqëruar nga një delegacion i madh ekonomik dhe tregtar, Fidan tha se kjo vizitë i kishte forcuar marrëdhëniet dypalëshe.

“Kjo i ngriti qartazi marrëdhëniet tona dypalëshe në një nivel tjetër dhe ne po vazhdojmë të ndërtojmë mbi këtë bazë”, tha ai.

 

Fidan u takua gjithashtu me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të diskutuar marrëdhëniet Turqi-NATO dhe përpjekjet për zbatimin e vendimeve të marra në samitin e NATO-s në Ankara në korrik.

Ai tha se bisedimet përfshinë gjithashtu luftën Rusi-Ukrainë, zhvillimet në rajonin e Gjirit, çështjet institucionale të NATO-s dhe zona të ndryshme të krizës.

 

Gjatë bisedimeve me shefen e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, Fidan tha se diskutuan pengesat në marrëdhëniet Turqi-BE, si dhe sfidat rajonale dhe globale.

Këto përfshinin luftën Rusi-Ukrainë, Ngushticën e Hormuzit, Ngushticën Bab el-Mandeb, sfidat energjetike dhe ndërprerjet e transportit të drithërave nga Deti i Zi.

 

“Ne shqyrtuam gjithashtu fushat ku marrëdhëniet Turqi-BE kanë ngecur, si dhe ato ku është shënuar përparim”, tha ai.

Fidan tha se zhvilloi gjithashtu bisedime të gjera me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për tregtinë, marrëdhëniet politike dhe statusin e Turqisë si vend kandidat për anëtarësim në BE.

 

“Është thelbësore të vazhdojmë diskutimet thelbësore, të planifikuara mirë dhe këmbëngulëse për këto çështje”, tha ai.


U shty nga revoltat studentore/ Kuvendi mblidhet sot në 10:00

 

Pas shtyrjes së seancës së kaluar, deputetët do të mblidhen sot, në orën 10:00, në seancën plenare, në një klimë të tensionuar politike dhe sociale, pas revoltave studentore. Në fokus pritet të jetë situata e krijuar në vend, pasi në pikën e tretë të rendit të ditës është parashikuar një interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo. Kjo interpelancë është kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

 

Interpelanca pritet të rikthejë në qendër të debatit parlamentar menaxhimin e protestave, veprimet e Policisë së Shtetit dhe përplasjet e ashpra gjatë ditëve të fundit. Përveç interpelancës me ministrin Demo, në rendin e ditës janë edhe dy interpelanca me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar gjithashtu interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.

 

Në seancën e sotme do të shqyrtohen edhe disa projektligje, ndërsa në rendin e ditës është përfshirë edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale. Kryeministri Edi Rama nuk pritet të jetë pjesë e seancës së sotme plenare, pasi ndodhet në Budva, Mal i Zi, për një takim zyrtar. Vëmendja pritet të përqendrohet te debati parlamentar dhe veçanërisht te interpelanca urgjente me ministrin e Brendshëm, në një kohë kur vendi ndodhet nën tensionin politik të krijuar pas protestave.

 

Rendi i ditës i seancës plenare:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 8.10.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj.


5. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
6. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
7. Projektligji "Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit,
bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025".


8. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë
dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit
kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen
veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar".


9. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 55/2020, “Për shërbimet e pagesave»»
10. Projektligji "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit".


11. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e
tjera të lidhura me to", të ndryshuar".
12. Projektligji "Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale".


13. Projektvendim "Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë".
14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e
anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

 

XS
SM
MD
LG