Lidhje


BKH zbarkon në Bradashesh, kontroll në qelinë ku mbahet Ergys Agasi! Sekuestrohen disa celularë, dyshime se kujt i përkasin

 

Në orën 23:00 të mbrëmjes të së hënës, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në paraburgimin e Bradasheshit. Në qelitë e tij mbahen të izoluar njerëz problematikë të botës së krimit, mes tyre Ergys Agasi dhe Oresty Sota.

 

Në sektorin ku ata janë izoluar është ushtruar kontroll blic nga agjentët, të cilët, sikurse konfirmohet nga burimet, kanë gjetur në ambientet e përbashkëta 5 celularë, që u dërguan për ekzaminim në laboratorin e SPAK.

 

Në këtë mënyrë do të mund të përcaktohet se kush i ka pasur në përdorim celularët.

 

Kontrollet te qelia e Agasit, që akuzohet si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, u kryen pak orë pas dorëheqjes së Adriatik Kupit si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.


“Merrni 3 mijë paund dhe shkoni në Shqipëri!” – Oferta e pazakontë e Britanisë për familjen siriane që kërkon azil

 

Një ofertë e pazakontë e Ministrisë së Brendshme britanike (Home Office) ndaj një familjeje siriane që kërkon azil në Mbretërinë e Bashkuar ka ngritur shqetësime për saktësinë e vendimmarrjes në sistemin britanik të emigracionit. Sipas një investigimi të publikuar nga gazeta skoceze The National, 39-vjeçari Fadi Alsakka, bashkëshortja e tij Lojain dhe dy fëmijët e tyre, Ayman, 11 vjeç, dhe Ayla, 10 vjeçe, të cilët jetojnë në Glasgow, kanë marrë një dokument nga Home Office ku u ofrohet ndihmë financiare prej 3 mijë paundësh për t’u zhvendosur në Shqipëri.

 

Në dokumentin e shqyrtuar nga gazeta britanike thuhet se kjo mbështetje financiare mund ta ndihmojë familjen të ndërtojë të ardhmen e saj afatgjatë në Shqipëri. Megjithatë, familja nuk ka asnjë lidhje me vendin tonë dhe asnjë prej anëtarëve të saj nuk ka qenë ndonjëherë në Shqipëri.

Duke folur për The Sunday National, Fadi Alsakka e ka cilësuar rastin si një gabim serioz administrativ, me pasoja potencialisht të rënda për njerëzit që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.

 

“Gabime të tilla nuk mund të tolerohen kur kontrollon jetën dhe të ardhmen e njerëzve. Mund të jetë një gabim fatal”, është shprehur ai. Sipas gazetës, ky nuk është problemi i parë që familja ka hasur me administratën britanike. Në një rast të mëparshëm, Home Office ishte detyruar t’i dërgonte gjashtë herë kartat britanike të identifikimit, pasi në pesë përpjekjet e para kishte vendosur gabimisht fotografinë e djalit të familjes në dokumente. Por shqetësimi më i madh i familjes lidhet me vendimin për refuzimin e kërkesës së azilit, të cilin ata e kanë kundërshtuar në gjykatë.

 

Sipas Alsakka, autoritetet kanë bërë një tjetër gabim të rëndësishëm në interpretimin e ngjarjeve mbi të cilat mbështetet kërkesa e tij për mbrojtje. Ai ka shpjeguar se një incident që i kishte ndodhur në Siri gjatë vitit 2025 ishte paraqitur në dokumentacionin e refuzimit sikur të kishte ndodhur në vitin 2023. Për më tepër, autoritetet kishin përdorur një vizitë që familja kishte kryer në Siri në vitin 2023, për të takuar një të afërm në gjendje të rëndë shëndetësore, si argument se familja nuk përballej me rrezik në vendin e origjinës. Alsakka e ka kundërshtuar këtë arsyetim, duke theksuar se incidenti mbi të cilin mbështetet kërkesa e tij për azil kishte ndodhur dy vjet pas asaj vizite.

 

Home Office i sugjeron edhe rikthimin në Alepo

Dokumenti i shqyrtuar nga The Sunday National nuk përmbante vetëm propozimin për zhvendosjen në Shqipëri. Sipas gazetës, autoritetet britanike kishin sugjeruar gjithashtu se familja mund të ndërtonte një jetë të re në një qytet sirian, si Alepo. Për Fadi Alsakka, të dyja alternativat përfaqësojnë një shkëputje nga jeta që familja ka ndërtuar në Skoci dhe një rikthim drejt pasigurisë. 39-vjeçari ka treguar se pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar jashtë Sirisë dhe se nuk ka më lidhje të forta familjare apo shoqërore me vendin e origjinës.

 

Ai ka jetuar vetëm dhjetë vjet në Siri, ndërsa fëmijët e tij kanë lindur jashtë këtij vendi. Për këtë arsye, sipas tij, rikthimi në Siri do të ishte pothuajse po aq i huaj sa zhvendosja në Shqipëri. Alsakka ka vënë në dukje edhe kontradiktën mes qëndrimit të autoriteteve britanike ndaj qytetarëve të tyre dhe trajtimit të azilkërkuesve.

 

Ndërsa qeveria britanike këshillon shtetasit e saj të mos udhëtojnë drejt Sirisë për shkak të kushteve të paparashikueshme të sigurisë dhe kërcënimeve terroriste, familjeve që kërkojnë azil u sugjerohet rikthimi në këtë vend.

 

Dyshimet për përdorimin e inteligjencës artificiale

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i raportimit lidhet me dyshimet e familjes se gabimet në dokumentacion mund të kenë ardhur si pasojë e përdorimit të inteligjencës artificiale në proceset administrative.

 

Lojain Alsakka, e cila ndjek studimet master për inteligjencën artificiale në Universitetin e Glasgow-t, dhe bashkëshorti i saj, që po ndjek një program të dytë master në Universitetin e St Andrews, kanë shprehur shqetësimin se përpjekjet për të përshpejtuar shqyrtimin e dosjeve të azilit mund të ndikojnë në cilësinë e vendimeve.

 

The National i referohet edhe një raportimi të gazetës The Independent, sipas të cilit sistemet e inteligjencës artificiale të përdorura nga Home Office për përshpejtimin e vendimmarrjes nuk kishin përmbushur standardet e saktësisë në 22% të rasteve të shqyrtuara.

Megjithatë, gazeta skoceze sqaron një detaj thelbësor: sipas informacionit që ajo ka siguruar, inteligjenca artificiale nuk është përdorur për përgatitjen e letrës që përmbante gabimin me Shqipërinë.

 


Anton Martini shkarkohet nga Hetimi Tatimor: Gati prangat nga SPAK?

 

Sektori i Hetimit Tatimor pëson një goditje të papritur në kupolën e tij drejtuese. Anton Martini është shkarkuar nga posti i Drejtorit të Hetimit Tatimor, një detyrë që e mbante prej tetorit të vitit 2024. Largimi i tij pa asnjë paralajmërim ka rindezur diskutimet mbi prapaskenat e këtij lëvizjeje, ndërsa në ambientet mediatike e politike përflitet fort se shkarkimi mund të jetë një hapa paraprak përpara një veprimi nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

 

Pyetja që ngrihet sot në korridoret e administratës është e qartë: A është ky shkarkim sinjali i parë se SPAK ka gati një masë shtrënguese apo urdhërarrest për ish-drejtorin?

 

Hija e dosjes së hakerimit të të dhënave të SPAK-ut

Emeritimi i Anton Martinit në qendër të vëmendjes së SPAK-ut lidhet me hetime mjaft sensitive që po zhvillohen rreth rrjedhjes dhe hakerimit të të dhënave kompjuterike nga sistemi i brendshëm i Prokurorisë së Posaçme.

 

Në media është raportuar se emri i Martinit ka dalë gjatë përgjimeve dhe hetimeve si një person i mundshëm që mund të ketë pasur akses apo dijeni mbi këto materiale sekrete. Megjithëse vetë Martini i ka mohuar publikisht akuzat, duke deklaruar se nuk ka marrë e as shpërndarë asnjë dokument të hakeruar, shkarkimi i tij nga detyra e lartë shtetërore e shton më shumë dyshimin se SPAK po shtron rrugën për llogaridhënie zyrtare.

 

Nga shkarkimi në Vetting te karrigia e Tatimeve

Karriera e Anton Martinit mbart prej kohësh prapaskena dhe lëvizje që kanë ngritur supe:

 

  • Përjashtimi nga sistemi i drejtësisë: Ish-prokuror i Krimeve të Rënda dhe kandidat për SPAK, Martini u shkarkua përfundimisht nga sistemi i drejtësisë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) për shkak të problemeve me justifikimin e pasurisë dhe vlerësimin profesional.
  • Kalimi te Hetimi Tatimor: Pasi mbeti jashtë drejtësisë nga Vettingu, ai u emërua në tetor 2024 në krye të Drejtorisë së Hetimit Tatimor, një nga sektorët më kritikë dhe me ndikim më të madh mbi financat dhe bizneset në vend.

 

Drejtori "3-orësh" merr frenat e Hetimit Tatimor

Ajo që e bën akoma më enigmatike këtë lëvizje është personazhi që është zgjedhur për ta zëvendësuar. Në karrigen e lënë bosh nga Martini është emëruar Everest Kazheli.

 

Kazheli nuk është një emër i panjohur për zhvillimet e çuditshme në administratë. Vetëm pak ditë më parë, ai u emërua në krye të Drejtorisë së Kadastrës në Elbasan, por dha dorëheqjen vetëm 3 orë pas marrjes së detyrës. Pas përvojave të tij në drejtimin e Kadastrës në Fier dhe Lushnjë, Kazheli merr sot drejtimin e një prej sektorëve më delikatë të financave.

 

Pavarësisht nëse shkarkimi i Anton Martinit do të pasohet me pranga nga SPAK apo me një proces tjetër hetimor, ajo që mbetet e sigurt është se stacioni i tij i fundit në krye të Hetimit Tatimor ka mbyllur një kapitull plot hije e pikëpyetje.

 


Kryediplomari izraelit i thurr lavde Ramës për qëndrimet ndaj konfliktit në Gaza

 

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar,  i ka thurrur lavde kryeministrit Rama për qëndrimet e mbajtura për konfliktin Izrael Palestinë dhe për hapsirën që i ka dhënë onbestimeve te hebrejve në vendin tonë.

"Dua të shpreh admirimin tim të jashtëzakonshëm për kryeministrin Rama, që është, në këndvështrimin tim, një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm në botën e sotme. Udhëheqja e tij, bindja dhe busulla e palëkundur morale kanë vlerë përtej Ballkanit, përfshirë edhe rajonin tonë"tha ai.

 

Edi Eama që e ka shpallur Shqipërinë si "tokën rrezervë të hebrejve", gjatë një fjalimi në SHBA, ka sulmuar vetëm Hamasin por nuk ka folur kurrë për mbi 80 mijë viktimat e Gazës, mes të cilëve gra dhe fëmijë të pafajshëm. Kjo e ka yshtur, Gideon Sa’ar të thotë

 

“Shqipëria është një mike e vërtetë e Izraelit. Me zgjedhjet që do të zhvillohen në Izrael nuk është momenti më i lehtë për të udhëtuar, por ishte e rëndësishme të gjeja kohën për të vizituar Shqipërinë. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që bëri Shqipëria. Shohim sot të njëjtën qasje morale pas masakrës së 7 tetorit". Edhe për shefin e diplomacisë në Telaviv bie ne sy hapja e dyerve nga Tirana:

 

Faleminderit për punën e pareshtur për ta çuar marrëdhënien tonë përpara. Vitin e kaluar kemi nënshkruar një marrëveshje dypalëshe për shëndetësinë. Sot do ta zgjerojmë këtë partneritet me një marrëveshje më të gjerë, duke krijuar mundësi për kompanitë tona dhe bashkëpunim më të thellë”, tha Sa’ar.


Hajdutët në Elbasan vishen me uniforma polcie dhe grabisin një banesë

 

Të veshur me uniforma policie, të armatosur gjer në dhëmbë, pesë persona kanë hyrë në një banesë në Elbasan, duke marrë nga pronari i saj një shumë parash dhe 4 celularë.

 

Ngjarja është shënuar në orët e para të mëngjesit në lagjen “5 Maji”. Sipas policisë, shtetasi L. Z. ka njoftuar se rreth orës 04:05 të mëngjesit, disa persona të paidentifikuar janë futur në banesën e tij dhe, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i kanë marrë 4 telefona celularë dhe një shumë parash.

 

 
Policia tha se mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe u vu në ndjekje të grupit të grabitësve. “Sapo kanë konstatuar praninë e shërbimeve të Policisë, personat janë larguar në drejtim të zonës kodrinore, duke përfituar nga errësira, dhe kanë braktisur automjetet”, theksoi policia.

 

 
Gjatë kontrolleve në zonë, policia njoftoi se janë gjetur dhe sekuestruar 2 automjete, të dyshuara se janë përdorur gjatë ngjarjes, veshje të ngjashme me uniformat e Policisë dhe prova të tjera që do t’i shërbejnë grupit hetimor për zbardhjen e ngjarjes.

XS
SM
MD
LG