Lidhje


Shqipëria ka nevojë për një të djathtë të re, dinjitoze dhe me identitet të qartë politik.

 
Për të rrëzuar këtë klasë politike, fillimisht duhet një ridimensionim rrënjësor i lëvizjeve politike opozitare. Pamundësia për të ndërtuar një parti të djathtë dinjitoze, me integritet dhe vizion, ka prodhuar një ngërç të thellë politik, duke i mundësuar një qeverie të zhytur në skandale dhe akuza të rënda korrupsioni të vijojë të qeverisë sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
 
 
Lëvizjet e djathta duhet të marrin menjëherë përgjegjësinë historike për të zëvendësuar rolin e Partisë Demokratike cila duket se ka zgjedhur rrugën e vetëshkatërrimit politik, duke humbur gjithnjë e më shumë misionin e saj si përfaqësuese e së djathtës shqiptare gjithashtu dhe për të rrëzuar Partinë Socialiste nga pushteti i zullumit.
 
 
Një e djathtë reale nuk mund të ndërtohet mbi pazare pushteti, interesa personale apo riciklim figurash të konsumuara. Ajo duhet të ngrihet mbi parime të qarta, luftën pa kompromis kundër korrupsionit, betejën morale për dekulturalizimin e korrupsionit nga shoqëria shqiptare, mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe sovranizmit ekonomik, forcimin e familjes si themel i shoqërisë dhe mbi të gjitha, angazhimin serioz për çështjen ende të pazgjidhur kombëtare shqiptare.
 
 
Shqipërisë nuk i duhet thjesht një opozitë që të zëvendësojë qeverinë. I duhet një alternativë që të ndryshojë sistemin politik, moral dhe modelin ekonomik që e ka mbajtur peng vendin për dekada.
 
 
E djathta shqiptare duhet të rilindë e të rimekëmbet si një projekt vlerash, dinjiteti dhe përgjegjësie kombëtare, jo si një strehë për ambicie personale.
XS
SM
MD
LG