Lidhje


Nënkolonel Bedri Kaloshi merr drejtimin e Bazës Ajrore Farkë

 

Nënkolonel Bedri Kaloshi mori sot detyrën e komandantit të Bazës Ajrore Farkë, duke pasuar në këtë detyrë nënkolonel Ervin Buzin. Në ceremoninë e ndërrimit të komandës morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi; Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji; Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral Brigade Edmond Voci; si dhe efektivë e personel i Bazës Ajrore.

 

Ministri Nufi vlerësoi angazhimin e efektivëve të Forcës Ajrore në përballimin e zjarreve dhe emergjencave civile: “Pas tyre qëndrojnë njerëz që i shërbejnë Atdheut, komunitetit dhe shqiptarëve për t’u mbrojtur nga fatkeqësitë natyrore. Kjo është përmbushja e misionit!”, u shpreh ministri.

 

“Janë ata njerëz që kërkoheshin me zor në orën katër e në pesë të mëngjesit në Krujë; e katër e në pesë të mëngjesit në Himarë; e katër e pesë të mëngjesit në Levan. Duke thënë njerëzit: “O Zot, kur do të vijë mëngjesi, që të vijë helikopteri. Një falënderim i jashtëzakonshëm për të gjithë ju, për të gjithë Forcën Ajrore, për çdo efektiv!” – iu drejtua gjithashtu Ministri Nufi efektivëve të pranishëm.

 

Ministri Nufi falënderoi nënkolonel Ervin Buzin për 20 vitet e shërbimit dhe veçanërisht për punën e tij në drejtimin e Bazës Ajrore Farkë, ndërsa komandantin e ri, nënkolonel Bedri Kaloshin e uroi për detyrën dhe i kërkoi të vijojë punën e mirë të bërë deri më tani nga i gjithë personeli i Bazës Ajrore Farkë.


Zaptoi me forcë ambientet e News24/ Skandali “Kayo”-TIMAK Defense, gazetari: 30 mln euro nga buxheti i shtetit për makina të salduara në kapanon

Një skemë e re abuzimi me fondet e ushtrisë shqiptare ka dalë në dritë, duke zbuluar detaje tronditëse të menaxhimit të parave publike dhe përfshirjes së individëve të dyshimtë në kontrata shtetërore. Investigimet mediatike, të nisura fillimisht nga indiciet e dhëna nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, kanë zbërthyer skemën se si rreth 30 milionë euro nga taksat e shqiptarëve kanë përfunduar në llogaritë e kompanisë “Timak Defense”.

 

Sipas të dhënave të publikuara, kjo kompani është krijuar si një bashkëpunim mes kompanisë shtetërore “Kayo” dhe personave privatë të TIMAK Defense. Edhe pse shteti zotëron vetëm 20% të aksioneve, ai mban të gjithë peshën e financimit. Pjesa e mbetur prej 80% kontrollohet nga aksionerë privatë, të cilët raportohet se kanë bërë një investim fillestar prej vetëm 490 eurosh për blerjen e aksioneve. Në kontrast të plotë, vetëm dy muaj pas themelimit, shteti disbursoi menjëherë 10 milionë euro, ndërsa shifra e përgjithshme e dhënë si paradhënie llogaritet të ketë arritur në 30 milionë euro.

 

Gazetari Julian Hoxhaj tha në “Çim Peka Live”, se faktet e zbuluara tregojnë se pavarësisht shumave marramendëse dhe propagandës për mjete të blinduara ushtarake “Made in Albania”, nuk ekziston një linjë e mirëfilltë prodhimi. Mjetet thjesht modifikohen dhe saldohen në një kapanon të adaptuar, ndërkohë që shteti ka vënë në dispozicion jo vetëm paratë, por edhe ambientet e punës.

 

Një aspekt tjetër shqetësues i kësaj historie është heshtja dhe vonesa e institucioneve të drejtësisë, specifikisht e SPAK. Për muaj të tërë pas denoncimeve të para, nuk pati asnjë lëvizje për të filluar hetime kryesisht, derisa publikimi i audio-përgjimeve të fundit i ktheu faktet në një skandal publik të pamohueshëm.

 

 

Pjesë nga biseda:

 

Çim Peka: Do ta filloj me Julin. Keni bërë një emision, Plug, ku jeni marrë me Roni Yeffet. Keni publikuar dokumente, keni publikuar të dhëna. Nga audio përgjimet e publikuara prej Arben Ahmetajt, dukeshin qartë se ata ishin të shqetësuar. Emisioni është transmetuar, dokumentet kanë qenë publike, SPAK as nuk është lodhur të marrë indicie për të filluar hetimin, vetëm pas përgjimit kur ata nuk kanë çfarë bëjnë, po bëjnë sikur janë të interesuar për të hetuar. Por në fakt përgjimet nuk bëjnë gjë tjetër, veçse vërtetojnë ato çfarë ju keni publikuar. Ndërkohë është para një viti apo para shumë kohësh.

Julian Hoxhaj: Në muajin janar të këtij viti.

Çim Peka: Pra nga janari e deri më sot, SPAK-ut nuk i interesonte të hetonte. Edhe pse faktet ishin bërë publike. Vetëm kur u bë zhurmë apo bëhet e madhe, bën sikur është i interesuar aq sa të marrë nga Syri audio përgjimet për të hetuar Kayo-n e famshëm.

 

Julian Hoxhaj: Shiko, emisioni në fakt zanafillën e ka pikërisht nga emisioni i katërt ose nga intervista e katërt që ju keni zhvilluar me Arben Ahmetajn. Ka qenë po në atë intervistë ku Arben Ahmetaj ka bërë, ka dhënë indicie për veprimtarinë e Roni e Yeffet në Shqipëri, duke nisur nga ato që ishin denoncuar më përpara, që nga tentativa për t’i dhënë tokën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, borxhin e shtetit, përfshirjen në aeroportin e Vlorës, dhe shumë gjëra të tjera.

 

Dhe në atë emision denoncoi apo publikoi të dhëna që lidheshin pikërisht edhe me mënyrën se si Edi Rama po përgatiste që të gjitha asetet e ushtrisë shqiptare, të gjithë paratë që vihen pra, pjesa e buxhetit që shkon për armatime, t’i shkonte pikërisht Roni e Yeffet. Ne morëm indicie, e investiguam në një farë mënyre, faktet janë publike sepse janë të dhëna, janë transaksione thesarit, janë dokumente në regjistrat e QKB-së.

 

Sigurisht që ne kemi investiguar sepse kemi shkuar deri në Senegal, atë që Roni Yeffet e përmend në audio përgjim si vendin ku merren armët, paketohen në Shqipëri dhe më pas shiten në vende të ndryshme. Dhe Senegali ishte një pikë interesante sepse e lidhte Roni e Yeffet-in me një nga miqtë që tashmë i është dënuar kryeministrit Edi Rama, Charles McGonigal.

 

Dhe normalisht ne kemi publikuar të dhëna në atë kohë që tregonin se sa shpejt, me atë mënyrën fap, fap, kryeministri kishte firmosur, pra si ishte themeluar kompania Timak Defense. Kompania që është në bashkëpronësi mes Kayo, pra kompanisë shtetërore, dhe Arjeta Pucës dhe Roni e Yeffet. Ku Roni dhe Arjeta Puca kanë 80% të aksioneve, ndërsa shteti ka vetëm 20%. Dhe çfarë ka ndodhur dhe këtu dua të ndalem pak ta theksoj sepse në thelb është një mini-incenerator, ose është një formë inceneratori apo një formë e të gjitha koncesioneve që Edi Rama ka dhënë nga 2014-a deri më sot.

 

Sepse shteti është financuesi kryesor i të gjithë veprimtarisë. Ne kemi parë të dhënat e dokumenteve

Çim Peka: Juli, që të mos hyjmë në detaje, sepse për t’u thënë shqiptarëve se Rama vjedh, s’u ke thënë gjë të re. Forma dihet, ai vetëm vjedh. Forma e Ramës është vjedh, vjedh, vjedh. Do gjejnë të huaj, do gjejnë shqiptarë, në rastin konkret ka gjetur një izraelit.

 

Julian Hoxhaj: Dua t’i bëj një përgjigje direkt në fakt drejtorit të Kayo-s, Ardi Veliut. Sepse Ardi Veliu pak ditë më parë ka deklaruar në një studio televizive se Roni Yeffet u bë aksioner maxhoritar, pra me 80% të aksioneve, sepse premtoi se do të investonte shumë. Në fakt, deri më sot na rezulton që i vetmi investim që ka bërë Roni Yeffet ka qenë 490 euro që ka blerë aksionet tek Arjeta Puca dhe investimin e ka bërë shteti. Ka disbursuar 2 muaj pasi u themelua kompania menjëherë 10 milionë euro.

 

Dhe aktualisht që ne flasim, kjo kompani ka marrë 2.5 miliardë lekë apo rreth 30 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë. Pra shteti shqiptar paguan paradhënie makinat që Edi Rama i shet si “Made in Albania”, por në fakt edhe në emisionin e para disa ditëve pamë që nuk kishte asnjë linjë prodhimi, por ishin makinat, të paktën me syrin e një njeriu po themi edhe të gazetarit, por edhe një qytetari të thjeshtë e kuptojmë që ishte një kapanon ku modifikoheshin, saldoheshin dhe më pas shiteshin si prodhim shqiptar. Pra vetëm kaq ka bërë kompania.

 

Çim Peka: Ka dhënë 30 milionë euro deri tani?

Julian Hoxhaj: Deri tani 30 milionë euro.

Çim Peka: Dhe ku saldohen këto makinat? Te ish godina e Irfanit?

 

Julian Hoxhaj: Pra makinat. Ka disa asete që ka marrë. Se këtu është interesantja. Pra, kur shteti futet bashkëaksioner me një kompani, supozohet që kompania që futet aksionere jashtë, pra kompania private, duhet të vijë me një investim, që duhet të jetë ose linja e prodhimit, ose diçka tjetër. Kurse shteti i ka dhënë dhe paratë, i ka dhënë dhe ambientet.

 

Çim Peka: Unë realisht besoj që t’u thuash shqiptarëve që Rama vjedh dhe të mundohesh t’i bindësh është kohë e humbur. Ata e dinë. Ne thjesht do sjellim sa herë kemi mundësi prova konkrete, për t’ju thënë njerëzve që Rama është gati të hahet me këdo. Për t’ju thënë njerëzve që SPAK-u është në lojën e tij sepse nuk heton. Aty i ka provat. Kjo është më shumë për ata që besonin te drejtësia e re. Rama bashkëqeveris në mënyrë kriminale me SPAK-un. I jep publikut ushqim. Çfarë i intereson Ramës? Do lirojnë njërin, do arrestojnë tjetrin. Këtë punë, i ndërron ai. Dua të pyes vetëm pak shpejt, si u ndjeve kur dëgjove që në përgjim flitej për ty?

 

Julian Hoxhaj: Shiko, ndjesia fillestare sigurisht që nuk ndihesh mirë, në momentin që bëhesh objekt bisede e disa njerëzve që quhen trafikantë, ose vetëquhen. E kanë deklaruar që janë trafikantë. Dhe sigurisht që ky ishte një moment, personalisht nuk e kam përjetuar po them në nivele problematike, por janë familja, njerëz të afërt të shqetësuar, dhe as nuk do të ndal hapat e mia sepse është një çështje që duhet ndjekur, e konsideroj serioze.

 

Sepse një nga çështjet kryesore apo problemet kryesore që u përmend edhe në audiopërgjime ishte pikërisht që Roni Yeffet thoshte që mediat do të flasin shumë për ne, do të merren shumë me ne e tjerë e tjerë. Pra fokusi i tyre do të jenë gazetarët. Sepse të vetmit që mund të nxjerrin zbuluar pikërisht punët e pista të kësaj qeverie nëpërmjet njerëzve të tillë janë gazetarët.

 

Çim Peka: Edhe gazetarët me gishta.

Juluan Hoxhaj: Patjetër. Ata pak gazetarë, të cilët kanë guximin, kanë hapësirën sigurisht si ne në Syri Televizion, që të bëjnë punë të tilla për të denoncuar aferat e kësaj qeverie.

 


Balla mbron dhunën e policit ndaj protestuesit: Bëri detyrën!

Taulant Balla, ka reaguar pas protestës së ndodhur pranë një shkolle në Tiranë, ku Policia e Shtetit ndaloi një person.

 

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla mbrojti veprimet e policisë, duke theksuar se efektivët kanë zbatuar ligjin dhe detyrën e tyre në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve dhe veçanërisht të nxënësve.

 

“Policia e Shtetit ka bërë detyrën sot pranë perimetrit të sigurisë së një shkolle këtu në Tiranë, duke ndaluar një individ të skeduar për aktivitet kriminal në shpërndarje lëndësh narkotike. Gjatë ndalimit ky individ ka sharë dhe fyer punonjësin e policisë. Nuk di asnjë vend tjetër europian që Policia nuk do të vepronte njëlloj. Prandaj mjaft sulmuat Policinë”, shprehet Balla.

 

Ai u ndal edhe te respektimi i perimetrit të sigurisë së shkollave, duke theksuar se këto hapësira duhet të mbeten të paprekshme nga çdo aktivitet që cenon rendin dhe sigurinë.

 

“Perimetri i sigurisë së shkollave nuk duhet të shkelet. Le të gjejnë vende të tjera për të shfryrë dështimin e protestës së tyre”, deklaroi Balla.


Gjykata e Lartë shqyrton sot masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt

 

Gjykata e Lartë do të shqyrtojë ditën e sotme çështjen që lidhet me masën e sigurisë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Seanca do të zhvillohet në orën 09:30 në Dhomë Këshillimi, ndërsa në qendër të shqyrtimit është masa “arrest me burg” e caktuar ndaj Veliajt.

 

Gjykata e Lartë do duhet të arsyetojë se a është proporcionale masa e sigurisë “arrest me burg” në raport me pozicionin që Veliaj ka si kryebashkiak.

 

Çështja është rikthyer për shqyrtim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka kërkuar rishikimin e proporcionalitetit të masës së sigurisë. Ajo argumentoi se Gjykata e Lartë nuk kishte dhënë argumente të mjaftueshme se pse Veliaj ai duhet të mbahet në burg, ndërkohë që është Kryetar i Bashkisë së Tiranës.


Nafta në Shqipëri kushton 2.6 herë më shumë se mesatarja e gjithë Europës, ndaj fuqisë blerëse

Nafta në Shqipëri është ndër më të shtrenjtat në Europë, por për konsumatorin shqiptar kostoja reale është edhe më e lartë kur çmimi i karburantit vihet përballë të ardhurave. Një litër naftë në Shqipëri kërkon një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave ditore sesa në shumicën e vendeve europiane, duke e bërë furnizimin e një automjeti dukshëm më të kushtueshëm në raport me të ardhurat.

 

Çmimi i një litri naftë në Shqipëri ka arritur në 229 lekë (2.46 euro), duke e renditur vendin të tretin në Europë, pas Danimarkës me 2.60 euro dhe Norvegjisë me 2.56 euro. Në rajon, në Serbi nafta ka arritur në gati 2 euro, në mal të Zi 1.87 euro, Bosnjë Hercegovinë 1.76, në Mal të Zi 1.87 euro, në Kosovë 1.85 euro dhe më i liri është në Maqedoninë e Veriut, me 1.64 euro.

 

Mesatarja europiane e çmimit në vendet e përfshira në krahasim është rreth 1.94 euro për litër.

Por çmimi në pompë nuk është treguesi i vetëm që duhet parë. Një litër naftë prej 2.46 eurosh ka peshë krejt të ndryshme për një shqiptar, një danez apo një norvegjez, për shkak të diferencave të mëdha në të ardhura.

 

Për të matur këtë diferencë, Monitor ka krahasuar çmimin e naftës, bazuar në çmimet e naftës të publikuara nga Global Petrol Prices, me të ardhurat për frymë të publikuara nga FMN për vitin 2026, të matura sipas fuqisë blerëse (PPP).

Ky tregues merr parasysh ndryshimet në nivelet e çmimeve mes vendeve dhe përdoret për të krahasuar më drejt standardin ekonomik dhe atë që mund të blejnë qytetarët me të ardhurat e tyre.

 

Në Shqipëri, të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse janë rreth 25.2 mijë dollarë ndërkombëtarë në vit. Të ardhurat ditore për frymë janë rreth 69.2 dollarë, ndërsa një litër naftë përfaqëson 3.56% të të ardhurave ditore, më e larta në Europë. (shiko grafikun: Përqindja e të ardhurave ditore që duhet për të blerë një litër naftë).

 

Një danezi, në vendin ku nafta është më e shtrenjta në vlerë, i duhen 1.06% e të ardhurave ditore për të boerë një litër naftë, teksa të ardhurat ditore për frymë janë 245 dollarë ndërkombëtare, ose gati 10 herë më të larta se një shtetas shqiptar.

 

Në Norvegji, që është shteti i tretë me të ardhurat më të larta për frymë në Europë, sipas fuqisë blerëse, pas Irlandës dhe Luksemburgut, duhen 0.8% e të ardhurave ditore.

 

Në të gjitha vendet europiane të marra në analizë, mesatarja e të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë është 1.36%. Pra, për një qytetar shqiptar, blerja e një litri naftë përfaqëson rreth 2.6 herë më shumë të ardhura ditore sesa për një qytetar europian mesatar dhe këtu janë përfshirë të gjitha shtetet e Europës.

 

Nëse krahasimi bëhet vetëm për vendet e Bashkimit Europian, që kanë të ardhura për frymë më të larta se pjesa tjetër, mesatarja është 1.14%, pra një shqiptar duhet të shpenzojë rreth 3.1 herë më shumë nga të ardhurat e tij ditore për të blerë një litër naftë, krahasuar me qytetarin mesatar të BE-së.

 

Në rajon, në raport me fuqinë blerëse, më e shtrenjtë pas Shqipërisë është në Kosovë, ku duhen 3.1% e të ardhurave ditore të matura sipas fuqisë blerëse, duke u renditur dhe e dyta më e shtrenjtë në Europë. Nafta në Kosovë është më e lirë se në Shqipëri, në 1.85 euro, por Kosova ka të ardhura ditore gati 60 dollarë ndërkombëtare, që janë 14% më të ulëta se në Shqipëri.

 

Renditjen e vijon Bosnjë Hercegovina (2.66%), Serbia (2.09%). Më e lirë në raport me të ardhurat nafta është në Maqedoninë e Veriut, që e ka më të lirën dhe në vlerë si dhe në Mal të Zi, me përkatësisht 1.89% dhe 1.88%.

 

Taksat rëndojnë çmimin në pompë në Shqipëri

Ndërkohë, Shqipëria vijon të ketë çmimet më të larta të karburanteve në rajon për shkak të barrës së lartë fiskale që zë gati 50% të çmimit dhe mungesës së masave fiskale.

 

Po ashtu në të gjitha vendet e rajonit mbi çmimin bazë të naftës llogaritet vetëm akciza dhe TVSH. Në disa shtete të rajonit akciza është 2% më pak. Në Maqedoninë e Veriut TVSh është 18% për naftën dhe benzinën, por u ul në 10% gjatë periudhës së rritjes së çmimeve.

 

Në Kosovë gjithashtu zbatohet norma e TVSH-së 18%.

TVSH në Malin e Zi arrin 21%, por ky shtet naftën e ngarkon vetëm me 2 taksa TVSH dhe akcizë, e cila së fundmi është përgjysmuar si masë për amortizimin e çmimeve.

 

Në Serbi TVSH është 20% ndërsa akciza para nisjes së luftës arrinte 59.5 lekë për litër. Por menjëherë pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, Serbia uli akcizën me 25%. Masa u riaktivizua edhe disa javë më parë.

 

Në Shqipëri përveç akcizës të lartë prej 39.4 lekë për litër, TVSh-së 20% dhe mungesës së masave fiskale, mbi çmimin e naftës aplikohet edhe dy taksa të tjera shtesë, që nuk aplikohen në vendet e rajonit. Taksa e qarkullimit me vlerë 27 lekë për litër dhe taksa e karbonit 3 lekë për litër.

 

Shqipëria, pa masa lehtësuese për naftën

Nafta në Shqipëri ka arritur në 229 lekë për litër, ndërsa benzina është ngjitur në 219 lekë, duke shënuar nivele të reja rekord dhe duke rritur presionin mbi konsumatorët dhe bizneset.

 

Sipas të dhënave të publikuara nga Monitor, rritja e çmimeve të karburanteve po ndodh ndërsa Shqipëria nuk ka ndërmarrë masa të reja për të zbutur ndikimin te qytetarët. Ndërkohë, mekanizmi i parashikuar për uljen e akcizës me 20% mbetet i kufizuar në zbatimin e tij.

 

Sipas skemës, ulja me 20% e akcizës aktivizohej kur nafta kalonte nivelin 220 lekë për litër dhe benzina 200 lekë për litër, por vendimmarrja për aplikimin e saj lidhej me funksionimin dhe vendimin e Bordit.

 

XS
SM
MD
LG