Lidhje


Rama në gjurmët e Vuçiç? Ndryshimet për drejtësinë ngrenë alarmin për integrimin në BE

 

Në janar të këtij viti, shumica parlamentare në Serbi, e drejtuar nga presidenti Aleksandër Vuçiç, miratoi me procedurë të përshpejtuar ndryshime ligjore që i japin qeverisë kontroll më të madh mbi prokurorinë dhe gjyqësorin.

 

Ndërhyrja nuk qe rastësore. Ajo erdhi pasi hetimet për aksidentin me 16 viktima në stacionin e trenit në Novi Sad në vjeshtën e vitit 2024 si dhe akuzat e ngritura për falsifikim dokumentesh në favor të projektit të Jared Kushner, vunë në shënjestër njerëz me pushtet pranë Vuçiçit.

 

Ndryshimet e propozuara ligjore në Serbi nuk u toleruan nga Brukseli.

 

Përmes një interviste për agjencinë Reuters, komisionerja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos e paralajmëroi Beogradin më 13 shkurt se nëse nuk tërhiqte ndryshimet ligjore, BE mund të pezullonte një kredi prej 1.6 miliardë eurosh për Serbinë.

 

“Këto (fonde) kanë parakushte të lidhura me sundimin e ligjit,” deklaroi Kos.

 

Sundimi i ligjit është një nga vlerat themelore të Bashkimit Europian dhe një detyrim kyç për vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të bëhen anëtare të Bllokut.

 

Kjo, megjithatë, nuk duket se e pengoi mazhorancën e kryeministrit Edi Rama në Shqipëri, që që ngjashëm me atë të Vuçiç, të propozojë ndryshime ligjore që synojnë në thelb mbrojtjen e zyrtarëve të veshur me pushtet ndaj hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.

 

Më 16 shkurt, kryeministri Edi Rama dorëzoi në Kuvend me firmën e tij një projektligj për ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, sipas kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar nuk preken nga masa e pezullimit nga detyra si pjesë e një procedimi penal.

 

Propozimi vjen pas një periudhe tensioni mes Ramës dhe sistemit të drejtësisë lidhur me pezullimin nga detyra dhe një kërkese për heqje imuniteti ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, e pandehur për shkelje të barazisë në tendera me vlerë qindramilionë euro.

 

Amendamenti i Ramës për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale po monitorohet nga afër nga Bashkimi Europian, i cili pret që çdo nismë legjislative që lidhet me gjyqësorin të jetë në përputhje me acquis e BE-së dhe standardet europiane.

 

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri i tha BIRN se monitorimi përfshin edhe zbatimin e reformës në drejtësi të vitit 2016 në kuadër të negociatave të anëtarësimit, për shkak se “shteti i së drejtës dhe pavarësia, llogaridhënia dhe efikasiteti i gjyqësorit në Shqipëri janë elemente themelore të procesit të zgjerimit të BE-së”.

 

“Retorika që nxit mosbesim publik ndaj gjyqësorit dhe ndaj pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit të sistemeve gjyqësore dhe prokuroriale është kundërproduktive,” tha Delegacioni i BE-së në Shqipëri.

 

“Lufta efektive kundër korrupsionit është me rëndësi jetike për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE,” theksoi Delegacioni.

 

Rreziku për integrimin

 

Gjatë viteve të fundit, Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë hetime për korrupsion ndaj disa prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të kryeministrit Edi Rama në qeverisje, por procedimi penal ndaj numrit 2 të qeverisë shënoi një pikë kthese.

 

Balluku akuzohet nga SPAK për paracaktimin e fituesit të tenderit prej 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë, ndërkohë që po hetohet për manipulimin e garës në projekte të tjera të kushtueshme infrastrukturore si Unaza e Madhe apo koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar.

 

Ndryshe nga rastet e tjera, kryeministri Rama udhëhoqi një beteje ligjore në Gjykatën Kushtetuese për të bllokuar pezullimin nga detyra të Ballukut, ndërkohë që mazhoranca e tij në Kuvend po mban peng prej dy muajsh një kërkesë të SPAK për autorizimin e masës së arrestit ndaj zv.kryeministres.

 

Bashkimi Evropian e ka bërë më shumë se njëherë të qartë se lufta kundër korrupsionit dhe një shtet i sundimit të ligjit janë kritere thelbësore në negociata, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme ka marrë vlerësime në raportet e përvitshme të progresit.

 

Ndryshimet në legjislacion për të forcuar imunitetin e kryeministrit dhe qeverisë së tij përballë hetimeve të SPAK konsiderohen një tjetër “vijë e kuqe”, e cila do të ketë sipas ekspertëve ndikimin e vet në procesin e negociatave të vendit me Bashkimin Europian.

 

Altin Gjeta, studiues i Shkencave Politike pranë Universitetit të Birmingham në Mbretërinë e Bashkuar, i tha BIRN se ndryshimet e propozuara ligjore kufizojnë hapësirën e veprimit të drejtësisë ndaj zyrtarëve të lartë, duke rrezikuar njëherazi “ngadalësimin e integrimit të Shqipërisë”.

 

“Vërtet BE-ja ka vendosur si objektiv gjeostrategjik përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por vendosja e mburojës politike ndaj hetimit të korrupsionit në nivele të larta rrezikon bazën e legjitimitetit të zgjerimit”, tha Gjeta.

 

Sipas tij, retorika dhe pengesat politike që po i vendosen SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do ta bëjnë mjaft të vështirë për zyrtarët e lartë të BE-së dhe shtetet anëtare për të mbrojtur qëndrimin për një anëtarësim të përshpejtuar të Shqipërisë para votuesve të tyre.

 

Gjeta theksoi gjithashtu se progresi në kapitujt negociues është i lidhur teknikisht dhe politikisht me progresin në grup-kapitujt themelorë, ku funksionimi i institucioneve dhe i shtetit të së drejtës janë kritere kyçe.

 

“Minimi i luftës kundër korrupsionit në nivele të larta do t’i vendoste shkopinj nën rrota procesit,” tha ai.

 

Edhe politologu Ermal Hasimja është gjithashtu kritik, ndërkohë që thekson se sjellja e mazhorancës socialiste ndaj drejtësisë ishte e parashikuar që prej zgjedhjeve të fundit parlamentare, ku ata fituan 83 mandate.

 

“Siç e kam paralajmëruar dhe më herët, sistemi i drejtësisë do të ishte shënjestra e parë e shumicës socialiste në kushtet kur ajo po fuqizon goditjen ndaj korrupsionit. Njësoj siç ka ndodhur më herët në Rumani e Serbi, pushteti kalon nga sulmet ndaj individëve në ndryshime ligjore për të paaftësuar drejtësinë,” tha Hasimja.

 

Kostot e këtij sulmi nuk janë vetëm në ngrirjen apo ngadalësimin e negociatave, por mund të prekin edhe marrëdhëniet e Ramës me Brukselin.

 

“Kjo mund ta ngadalësojë e madje edhe të bllokojë procesin e integrimit në BE, sepse reforma në drejtësi është jo vetëm produkt i vullnetit ndërkombëtar, por edhe instrumenti i funksionimit të çdo shteti që pretendon të jetë anëtar në BE,” tha Hasimja për BIRN.

 

“Dalja hapur kundër ndërkombëtarëve do të ketë kosto të lartë për Ramën, por qeverisja mund të ndryshohet vetëm nga faktori i brendshëm”, përfundoi ai./ Reporter.al


Brukseli reagon për ndryshimet në Kodin Penal: “Po e ndjekim nga afër, lufta kundër korrupsionit është thelbësore”

 

Komisioni Europian ka reaguar pas nismës së shumicës për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, përmes së cilës synohet ndalimi i pezullimit nga detyra me vendim gjyqësor për anëtarët e qeverisë dhe katër drejtues të institucioneve të tjera kushtetuese. Në një përgjigje për Report Tv, Brukseli konfirmon se “BE-ja po e ndjek nga afër amendamentin e paraqitur më 16 shkurt” dhe thekson se çdo nismë legjislative që prek gjyqësorin në vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë, monitorohet dhe vlerësohet në raport me acquis-in e BE-së dhe standardet europiane.

 

Komisioni Europian nënvizon se këto iniciativa duhet të jenë në përputhje me legjislacionin komunitar dhe me parimet e shtetit të së drejtës, duke lënë të kuptohet se ndryshimet e propozuara nuk janë konsultuar paraprakisht me Brukselin. Në përgjigjen zyrtare, theksohet se shteti i së drejtës, pavarësia, llogaridhënia dhe efikasiteti i sistemit gjyqësor janë elemente themelore të procesit të zgjerimit dhe të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi të vitit 2016.

 

I pyetur për mundësinë e një përplasjeje më të thellë mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, Komisioni paralajmëron se retorika që cenon besimin publik ndaj pavarësisë dhe integritetit të sistemit të drejtësisë është kundërproduktive. Në të njëjtën linjë, Brukseli rikujton se është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të shqyrtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të deputetëve, duke iu referuar kontekstit të çështjes së zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka paraqitur kërkesë për arrestim që pritet të shqyrtohet nga Këshilli i Mandateve.

 

Në përfundim, Komisioni Europian thekson se lufta efektive kundër korrupsionit, veçanërisht në nivele të larta, mbetet kusht parësor për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke e vendosur debatin mbi ndryshimet ligjore në një kornizë më të gjerë të detyrimeve të vendit në procesin e integrimit.


Vjen mesazhi amerikan! Van Horn takim urgjent me Peleshin në mes të përplasjes me SPAK

 

E ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi sot një takim rreth 30-minutësh me Kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, në një moment politik të ndjeshëm për qeverinë shqiptare. Zyrtarisht, biseda u fokusua në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit euro-atlantik.

 

Megjithatë, takimi vjen në një kohë kur mazhoranca është në përplasje të hapur me SPAK dhe GJKKO lidhur me çështjen e Belinda Ballukut dhe debatet për kompetencat institucionale. Në këtë kontekst, vizita e përfaqësueses amerikane në Kuvend shihet si sinjal i vëmendjes së Uashingtonit ndaj zhvillimeve të fundit në raportin mes pushtetit politik dhe drejtësisë së posaçme, ndërsa SHBA ka qenë tradicionalisht mbështetëse e reformës në drejtësi dhe institucioneve të saj.


Kushtetuesja rrëzon Ramën për pagat e gjyqtarëve: U ulën! Kuvendi të ribëjë ligjin!

 

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen e pagave të gjyqtarëve, duke pranuar pjesërisht padinë e tyre dhe duke i lënë Kuvendit detyrën të hartojë një formulë të re ligjore. Në vendim theksohet se ligjvënësi ka diskrecion për të përcaktuar referencën e pagave, por kjo kompetencë duhet të ushtrohet në përputhje me nenin 138 të Kushtetutës dhe pa sjellë ulje të drejtpërdrejtë apo të fshehur të pagave.

 

Sipas Kushtetueses, formula aktuale – e miratuar në vitin 2023 dhe që e lidh pagën e gjyqtarëve me 36% të pagës së Presidentit – ka prodhuar një “ulje të fshehur” në raport me rritjen ekonomike, çka bie ndesh me parimet kushtetuese të mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit. Për këtë arsye, Kuvendi duhet të ndërhyjë me ndryshime ligjore, ndërsa efektet financiare të formulës së re duhet të llogariten që nga viti 2023.

 

Gjyqtarët kishin kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të bëra nga qeveria në vitin 2023, duke argumentuar se metoda e re e llogaritjes u ka ulur përfitimet dhe është antikushtetuese. Ata propozuan që paga e tyre të referohej me nivelin e Drejtorit të Departamentit në Kryeministri, por Gjykata zgjodhi të mos imponojë një formulë konkrete, duke ia lënë këtë përgjegjësi Kuvendit.


SPAK fundos ish-drejtorët e Lalit: 39 vite burg për dosjen 5D!

 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti sot pretencën për disa nga të pandehurit e dosjes “5D”, duke kërkuar në total 39 vite burg.

 

SPAK kërkoi 11 vite burg për Redi Mollën, 9 vite për Mariglen Qaton dhe 4 vite për Taulant Tushën. Po ashtu, u kërkuan 7 vite burg për Nestor Muhametllarin, nga 3 vite heqje lirie për Enton Punavijën dhe Julian Zanajn, si dhe 2 vite për Albano Jankun.

 

Redi Molla dhe ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha, u arrestuan në mars 2024 me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”, nën akuzat për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera. Hetimet kanë përfshirë zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të dyshuar për afera financiare dhe procedura të dyshimta prokurimi.

XS
SM
MD
LG