Lidhje


Myftiu Sytari: “Dita Botërore e Paqes, frymëzim për t’u ndarë nga haramet dhe zullumet!”

 

Elhamdulilah, unë jam musliman dhe bota është më e sigurt! Kjo është esenca dhe zanafilla!

Pas çdo namazi, ne si muslimanë lexojmë dhikret e virdeve ditore që na i mësoi Resulull-llahu (a.s), ku fjalia e parë pas istigfarit është: “All-llahumme Entes-Selamu ve minkes-Selam…”, që do të thotë: “Zoti im, Ti je burimi i Paqtimit, prej Teje buron Paqja…”

 

Me pak fjalë, më e pakta, pesë herë në ditë, Islami na edukon e na frymëzon drejt paqtimit dhe rrugëve të tij, duke u lartësuar ditë pas dite drejt asaj që Krijuesi ynë kërkon prej nesh në këtë jetë!

Le të punojmë me sa të kemi mundësi për të jetuar në paqe dhe harmoni me njëri-tjetrin, duke ruajtur mbi të gjitha dinjitetin dhe krenarinë e besimit dhe të fesë, shenjtërinë e jetës dhe atë të njeriut-mëkëmbës i Zotit në tokë, dijes dhe arsimimit!

 

Të përpiqemi për të punuar me pastërti e dinjitet, të angazhohemi për të ruajtur e mbrojtur Tokën, nënën tonë të përbashkët, nga zjarret dashakeqe, nga shkatërrimet egoiste, nga zaptimet zullumqare, nga mohimi i pronësisë për të zotët legjitimë, por jo vetëm, dhe që shpien drejt konflikteve dhe të papriturave të padëshiruara!

 

Të angazhohemi me të gjitha forcat për t’u ndarë nga politikat shkatërrimtare, që prishin rendin mbi tokë, edhe duke përdorur kartën e fesë për të përçarë njerëzit mbi baza fetare, si një gangrenë e keqe, që është instaluar në mendësitë provinciale të mbështetura edhe nga rrogtarë meskinë!

 

Të japë secili diçka nga vetja e tij për paqen me dinjitet, duke falur mirësi e dashuri, mirëkuptim e heshtje, sidomos në familje, me fëmijët, me të rinjtë e farefisin!

Nuk mund të prodhojmë paqe sociale, duke mbështetur “festat” e harameve, duke promovuar alkoolin, lakuriqësinë, devijimet morale dhe injorancën, në zemër të lagjeve tona dhe bri shtëpive të Zotit!

 

Rini e alkoolizuar, e droguar, rini hashashi, banalitetesh, nuk mund të jetë ajo që e themi në zhargonin e përditshëm: “e ardhmja e kombit”!

 

Alkool, zhurmë e çmendur deri në orë të vona, shëtitorja kryesore e qytetit e mbushur me flamuj me shishe birre, harbim para dyerve të Bashkisë, nuk është as më shumë e as më pak sesa një shfaqje e denjë për njerëz pa dinjitet, “pa din e pa iman”, siç e përmend shpesh edhe kryeministri i vendit!?

Mendoja se kjo tollovi dhe gjurulldi do të mbyllej një herë e mirë në Shkodër, por ja që parashikimi im i heshtur paska qenë i gabuar!

 

Imagjino, sa tribuna fetare e ligjërata, takime zyrtare, konferenca shkencore ndërfetare me vlerë, fushata të mbara sensibilizimi në bashkëpunim me policinë, me shkolla etj, për të udhëzuar opinionin kundër alkoolit, drogës, bimëve narkotike e të ngjashme dhe, papritur, krejt papritur, “Festa e birrës” që don të imponohet si traditë primitive në mesin tonë!

 

Sapo mbaroi java e parë e fillimit të vitit të ri shkollor. Para Bashkisë mund të shihnim një panair libri, një festival të letërsisë për fëmijë e të rritur, një fushatë sensibilizuese për leximin, shenjtërinë e librit, një seri mbrëmjesh letrare e poetike me shkrimtarët dhe poetët më me zë të qytetit e përtej, duke i mbështetur e vlerësuar, një panair të arritjeve të talenteve të Shkodrës në dije e shkencë, një.., por..!?

 

Nuk mund të ketë paqe, nëse nuk e kultivojmë dhe e jetojmë atë në familje fillimisht, pastaj në rrethin e ngushtë familjar, e më pas në shoqëri, me shumë kujdes e plot përkushtim, duke ndjekur dritën e Zotit dhe udhëzimin e Tij, jo interesat e ngushta, tekat e skutat e errëta!

 

Fjala e mirë është paqe! Buzëqeshja e sinqertë është paqe! Heshtja e urtë është paqe! Mësimi dhe edukimi i udhëzuar është paqe! Ndihma në rast nevoje është paqe! Luftimi i së keqes në jetë është paqe! Kundërshtimi i keqpërdorimit të besimit është paqe! Përballja me tërë fenomenet e prishjes dhe devijimit është paqe!

 

Paqe me Zotin! Paqe me robin! Paqe me vetveten e me realitetet e përditshme, që gjithsesi mbeten më të dobëta sesa mundësia për të ndryshuar kaderin!

 

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

 

Shkodër, më 21 shtator 2023


“Nata e Pritjes” në Prishtinë/ Qytetarët mblidhen për ta pritur gjithë natën vendimin e Hagës

Qytetarë të shumtë janë mbledhur sonte në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, në kuadër të “Natës së Pritjes”, në prag të shpalljes së vendimit nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

 

Me flamuj të Kosovës dhe të UÇK-së, qytetarët kanë dalë në shesh për ta pritur vendimin që pritet të shpallet nesër në Hagë.

 

Nga sheshi, nënkryetarja e PDK-së, Besiana Musmurati, tha për Ekonomia Online se UÇK-ja është e lidhur ngushtë me popullin e Kosovës. 

 

Musmurati u shpreh se shpreson që vendimi të jetë “në anën e popullit”, duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

 

Ajo tha se më së shumti i mungon energjia dbe inspirimi i tyre.

“Për energjinë e tyre, për inspirimin që e sjellin dhe për punën e tyre që Kosovën e kanë qitur gjithmonë para vetes”, tha ajo.

 

Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin “Ibrahim Rugova”, në pritje të vendimit nga Haga.

 


Qeveria premton rritje pensionesh në prag të zgjedhjeve vendore

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një video të shpërndarë në rrjetet sociale bëri të ditur se dyfishimi i bonusit mujor do të prekë të gjitha kategoritë e pensionistëve dhe se krahas kësaj do të vijojë edhe indeksimi i pensioneve.

 

Sipas ministres për financimin e kësaj mbështetjeje janë parashikuar 22.4 miliardë lekë më shumë në buxhet, ndërsa objektivi deri në vitin 2030 është që pensioni i plotë të arrijë në jo më pak se 40 mijë lekë dhe pensioni i pjesshëm në jo më pak se 22 mijë lekë.

 

“Ky është një angazhim konkret për të rritur, hap pas hapi, të ardhurat e pensionistëve deri në vitin 2030”, tha Ibrahimaj, ndërsa koncepti i bonusit mujor u aplikua për herë të parë gjatë vitit 2026 për të zbutur pasojat e rritjes së çmimeve dhe varion nga 600 deri në 1,800 lekë në muaj sipas kategorisë së pensionit.

 

Nuk është hera e parë që qeveria Rama ka akorduar bonuse për pensionistët në prag të zgjedhjeve duke shkaktuar kritika për përdorim të financave publike për të influencuar votuesit. Edhe ky premtim shihet me shqetësim si tentativë për të ndikuar në fushatën elektorale të 2027-ës.

 

“Bëhet fjalë për një vendim qeverie që korrespondon fiks në kufirin e periudhës 4 mujore përpara zgjedhjeve”- i tha BIRN, Rigels Xhemollari nga organizata Qëndresa Qytetare.

 

“Rritjen për shkak të inflacionit apo rritjen e merituar qeveria ua hedh si plaçkë elektorale një kontingjenti te madh qytetarësh, siç janë pensionistët, të cilët në nevoja të mëdha jetike bien pre e këtij karremi elektoral”- shtoi ai.

 

Pak muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës, qeveria njoftoi shpërndarjen e dy bonuseve me vlerë nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë për rreth 730 mijë pensionistë, me një kosto prej 163 milionë eurosh, vendim që u kritikua si tentativë për të orientuar votën e një prej kategorive më të mëdha të votuesve në vend.

 

Në raportet e vëzhgimit OSBE-ODIHR ka ngritur disa herë shqetësimin për përdorimin e burimeve publike për qëllime elektorale.


Akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, Gjykata Supreme e Brazilit pranon ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë

 

Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka miratuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Ervin Matës, i kërkuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

 

Vendimi është marrë më 14 shtator 2026. Sipas gjykatës braziliane, kërkesa e autoriteteve shqiptare ishte e plotë dhe përmbushte kushtet e parashikuara nga legjislacioni vendas. Gjykata konstatoi gjithashtu se veprat për të cilat Mata kërkohet nga drejtësia shqiptare parashikohen si vepra penale edhe në Brazil.

 

Afatet e parashkrimit, sipas vendimit, nuk kanë përfunduar.

 

Në vendim sqarohet se procedura e ekstradimit nuk përcakton fajësinë ose pafajësinë e Matës. Kjo do të shqyrtohet nga drejtësia shqiptare gjatë procesit penal. Miratimi i ekstradimit lidhet vetëm me plotësimin e kushteve ligjore për dorëzimin e tij tek autoritetet shqiptare.


Shtrenjtimi i tarifave “zbraz” bankat e shkollave private, ku po shkojnë nxënësit

 

Viti i ri shkollor ka nisur me rritje shpenzimesh për familjet që kanë zgjedhur arsimin privat. Disa shkolla private, në nisje të fillimit të vitit të ri shkollor, shtrenjtuan tarifat e shkollimit nga 15 deri në 20%. Rritja e tarifës u aplikua për të treja ciklet e studimeve, të ulët, 9-vjeçar dhe të mesëm. Shkak i shtrenjtimit është njoftuar rritja e pagës së mësuesve dhe tarifës të transportit prej shtrenjtimit të naftës.

 

Por pasojat e shtrenjtimit nuk janë ndjerë vetëm për buxhetin e familjarëve. Në disa shkolla private, rritja e tarifave ka sjellë edhe largimin e një numri të konsiderueshëm nxënësish, drejt shkollave publike. Mësuesit pohojnë se bazuar edhe në sondazhet e kryera me prindërit, arsyeja kryesore e largimeve është pikërisht rritja e kostos së shkollimit. Në shkollat private totali i tarifës përbëhet nga 3 zëra, tarifa e studimit, ushqimit dhe transportit.

 

Për shembull në një nga shkollat private tarifa totale mujore që paguante një prind për një fëmijë të ciklit të ulët ishte 15 mijë lekë studimi, 5 mijë lekë transporti dhe 6 mijë lekë ushqimi. Në total 26 mijë lekë në muaj. Pas rritjes tarifa mujore e studimit arriti  19 mijë lekë, transporti 6 mijë lekë dhe tarifa e ushqimit 7 mijë lekë. Në total tarifa arriti 31 mijë lekë në muaj.  Rritja është 5 mijë lekë apo 19 % në muaj. Për një familje me 2 fëmijë, me rritjen e tarifave kostoja e shkollimit bëhet e papërballueshme.

 

Kjo ka sjellë që për disa shkolla private largimi i nxënësve të arrijë në numër nga 3 deri në 7 nxënës në klasë. Në shkollat private numri i nxënëseve varion nga 15 deri 20 nxënës për klasë.  Në një klasë me 20 nxënës 7 të larguar zënë gati 35% të larguarve.

 

Edhe në një shkollë private të ciklit të ulët prindërit pohojnë se rritja e tarifës vjetore 500 euro apo 15% më shtrenjtë ndikoi te vendimi për largimin e fëmijës në një shkollë publike.

 

Një tjetër element është zgjerimi i shërbimit “pas shkolle” në arsimin shtetëror, i cili u mundëson prindërve që fëmijët të qëndrojnë më gjatë në ambientet e shkollës, edhe pas përfundimit të orarit mësimor. Ky është ende një projekt pilot, që zbatohet në disa klasa.

 

Ky shërbim përfshin edhe kohën e studimit dhe është kthyer në një nga avantazhet që kanë pasur shkollat private, duke bërë që shumë prindër t’i zgjedhin ato për shkak të orareve më të gjata.

 

Megjithatë, programi publik ende nuk përfshin ofrimin e vaktit të drekës, një shërbim që do të kishte një kosto të konsiderueshme për buxhetin.

 

Nga Ministria e Arsimit llogarit se nëse programi do të zbatohej për të gjithë sistemin 9-vjeçar në vend (nga klasat e para deri në klasat e 9) kostoja vjetore arrin rreth 203 mln euro në vit.

XS
SM
MD
LG