Lidhje


Arbitrazhi i Londrës bllokon qeverinë për shtetëzimin e Aeroportit të Vlorës

 

Qeveria shqiptare ka pësuar një pengesë juridike në përpjekjen për të marrë kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pasi një urdhër emergjent i datës 16 shtator 2026, i nxjerrë në kuadër të procedurës së arbitrazhit të administruar nga ICC, ka vendosur masa sigurie ndaj veprimeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

 

Sipas urdhrit, Ministria nuk mund të marrë posedimin apo kontrollin operacional të aeroportit, të kërkojë dorëzimin e aseteve apo të zëvendësojë shoqërinë koncesionare VIA me një operator tjetër. Masa synon të ruajë gjendjen ekzistuese deri në krijimin e Tribunalit të Arbitrazhit dhe shqyrtimin e mosmarrëveshjes në themel, pa dhënë ende një vendim përfundimtar mbi vlefshmërinë e zgjidhjes së kontratës.

 

Njoftimi për zgjidhjen e kontratës ishte parashikuar të hynte në fuqi më 17 shtator 2026, pas përfundimit të afatit të përcaktuar nga Ministria. Megjithatë, urdhri i arbitrazhit bllokon përkohësisht pasojat kryesore të këtij vendimi, duke penguar marrjen e aeroportit apo kalimin e tij te një operator tjetër. Mosmarrëveshja mes VIA-s dhe autoriteteve shqiptare pritet të vijojë në arbitrazh, ndërsa kohëzgjatja e procesit deri në një vendim përfundimtar mbetet e pasigurt.


Vuçiq: Aktgjykimi në Hagë tregoi “hipokrizi të madhe” dhe “standarde të dyfishta” në raport me serbët

 

“Mund të keni aktgjykime të formës së prerë ose jo, është krejtësisht njësoj, serbët gjithmonë do të jenë kriminelë, ndërsa të gjithë të tjerët do të jenë çlirimtarë, heronj dhe trima dhe të gjithëve do t’u lejohet kjo, përveç serbëve”, tha Vuçiq

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar aktgjykimet e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), deklaroi se ato tregojnë “hipokrizi të madhe” dhe “standarde të dyfishta” në raport me serbët, rapoton Anadolu.

 

“Mund të keni aktgjykime të formës së prerë ose jo të formës së prerë, është krejtësisht njësoj, serbët gjithmonë do të jenë kriminelë, ndërsa të gjithë të tjerët do të jenë çlirimtarë, heronj dhe trima dhe të gjithëve do t’u lejohet kjo, përveç serbëve”, tha Vuçiq në Presidencën e Serbisë.

 

Vuçiq akuzoi gjykatën në Hagë se me aktgjykimin e sotëm “nuk deshi ta cenonte kredibilitetin e UÇK-së”, duke pretenduar se në proces nuk janë përfshirë krime të shumta ndaj serbëve.

 

“Edhe ky është një mësim i madh për ne. Ashtu siç është një tregues dhe mësim i madh se çfarë standardesh të dyfishta dhe çfarë hipokrizie mbizotërojnë në botën përreth nesh”, tha Vuçiq.

 

Ai tha se opinioni publik ka mundur të shohë sulmet ndaj pjesëtarëve të EULEX-it në Prishtinë, si dhe incidentet që lidhen me autoritetet holandeze në Hagë, duke vlerësuar se ndaj tyre nuk është reaguar me të njëjtën masë si ndaj trazirave të lidhura me serbët.

 

“Serbët nuk shkaktuan kurrfarë trazirash, por me sa duket u mblodhën shumë prej tyre, ndaj kjo duhej të ndëshkohej me retorikën më të ashpër nga të gjitha anët”, tha Vuçiq.

 

Për Serbinë më e rëndësishmja është ruajtja e paqes

Vuçiq theksoi se ruajtja e paqes dhe stabilitetit është me rëndësi vendimtare për Serbinë.

 

“Besoj se fakti që emocionet janë kaq të forta edhe 27 dhe 30 vjet pas konflikteve në hapësirat e ish-Jugosllavisë tregon se janë bërë shumë padrejtësi, por edhe se ne të gjithë së bashku nuk kemi qenë mjaftueshëm të gatshëm të përballemi me gabimet tona dhe me krimet që janë kryer në emrin tonë”, tha ai.

 

Ai shtoi se zgjidhjen e ardhshme e sheh te bisedimet, mirëkuptimi më i madh dhe dialogu.

Duke folur për aktgjykimin, Vuçiq tha se, sipas interpretimit të tij, ai nuk përfshin krimet kundër njerëzimit, përkatësisht se janë hedhur poshtë të gjashtë pikat e aktakuzës që kishin të bënin me këto krime.

 

“Të gjitha krimet që janë kryer ndaj serbëve pas 20 qershorit 1999 nuk janë përfshirë”, tha Vuçiq.

Sipas tij, trupi gjykues nuk ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik ndaj popullsisë civile.

 

Presidenti serb tha se aktakuza kishte dhjetë pika, gjashtë prej të cilave kishin të bënin me krime kundër njerëzimit, përkatësisht përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

“Për të gjashtë pikat nuk është vërtetuar fajësia”, tha Vuçiq.

 

Në të njëjtën kohë, ai tha se katër ish-krerëve të UÇK-së u është vërtetuar përgjegjësia penale individuale për krime lufte sipas katër pikave të aktakuzës, përkatësisht privim i paligjshëm nga liria ose ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

 

Sipas tij, përgjegjësia është vërtetuar për privimin e paligjshëm nga liria të të paktën 385 personave, trajtimin mizor të të paktën 49 personave, torturimin e të paktën 303 personave dhe vrasjen e të paktën 96 personave.

 

“Për këtë është vërtetuar përgjegjësia penale individuale e katër të akuzuarve të përmendur, ekskluzivisht për krimet e lartpërmendura të luftës”, tha Vuçiq.

 

Vuçiq: Aktgjykimi nuk është përfundimtar

Vuçiq tha se populli serb nuk ka arsye as të gëzohet dhe as të pikëllohet për aktgjykimin e shkallës së parë, por duhet “të presë me durim dhe t’i kuptojë mirë mesazhet që kanë ardhur”.

 

Ai gjithashtu mundësinë e vazhdimit të procedurës para instancave më të larta gjyqësore.

“Ne mendojmë se këtu ekziston një dhomë e apelit që do të marrë vendimin përfundimtar. Jo. Këtu ekziston edhe një instancë mbi dhomën e apelit të kësaj gjykate të Kosovës apo gjykatës kosovare në Hagë. Kjo është Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha Vuçiq.

 

Vuçiq për presionet dhe zgjedhjet në Serbi

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për deklaratën e nënkryetarit të Lëvizjes Evropiane në Serbi, i cili foli për qëndrimin ndaj Serbisë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Vuçiq tha se e vlerëson dhe e respekton jashtëzakonisht shumë atë, pavarësisht deklaratave të saj të mëparshme apo të ardhshme.

 

Vuçiq theksoi se, siç tha ai, “von der Leyen e ka ndihmuar Serbinë në momente të vështira”.

“Duhet t’u them atyre që ushtrojnë presion se është e pabesueshme se sa shumë kanë mbetur në të kaluarën. Duhet t’i informoj, në Serbi në pushtet vihet me votat e qytetarëve”, tha Vuçiq, duke shtuar se qytetarët e Serbisë marrin vendimin në zgjedhje të lira.

 

Vuçiq për mundësinë që Serbia të presë negociatat Rusi-Ukrainë

Duke folur për mundësinë që Serbia të jetë nikoqire e negociatave midis Rusisë dhe Ukrainës, Vuçiq tha se nuk pret një zhvillim të tillë.

 

Sipas tij, nikoqire e negociatave mund të jetë një nga vendet arabe.


Kroacia reagon pas dënimit të Thaçit: Vendimi nuk ndryshon kontekstin e luftës në Kosovë, Tirana ende hesht

Ministria e Jashtme e Kroacisë ka reaguar pas aktgjykimit të dhënë në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, ndërsa Ministria e Jashtme e Shqipërisë, e drejtuar nga Ferit Hoxha, ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar.

 

Sipas raportimeve në mediat kroate, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europiane e Kroacisë ka deklaruar se “e merr në dijeni” vendimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Thaçit, duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim ende jo të formës së prerë.

 

Në reagim, Zagrebi nënvizon se ky aktgjykim “nuk e ndryshon kontekstin e luftës”, një formulim që ndan qartë procesin penal individual nga interpretimi politik dhe historik i luftës së Kosovës.

 

Në këtë pikë bie në sy heshtja e Tiranës zyrtare. Deri tani, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, nuk ka reaguar publikisht për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa homologu i tij kroat ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të qartë institucional: vendimi merret në dijeni, por nuk rishkruan kontekstin e luftës së Kosovës.

 

Gjykata Speciale në Hagë dënoi sot Hashim Thaçin me 25 vite burg për krime lufte, përfshirë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar. Në të njëjtën çështje janë dënuar edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Të pandehurit kanë mohuar akuzat dhe vendimi mund të apelohet.

 

Reagimi i Kroacisë vjen në një moment kur aktgjykimi ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë, ku shumë e shohin procesin si goditje ndaj figurave kryesore të luftës, ndërsa gjykata ka këmbëngulur se çështja lidhet me përgjegjësi individuale dhe jo me legjitimitetin e UÇK-së.


Arrestohet Eno Agasi, dyshohet se vodhi verën miliona euro nga kantina e kushëririt Ergys Agasi

 

Policia ka vënë në pranga ditën e sotme shtetasin Eno Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës për zhdukjen e një sasie të madhe vere me vlerë miliona euro nga një kantinë private.

 

Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ngjarja ka ndodhur menjëherë pas përfundimit të procedurave të inventarizimit zyrtar. Malli i bllokuar u lëshua përkohësisht në ruajtje brenda ambienteve të kantinës për shkak se transporti doganor nuk mund të realizohej gjatë orëve të natës. Megjithatë, gjatë kontrollit të ushtruar të nesërmen nga autoritetet, e gjithë sasia e verës rezultoi e larguar nga magazina.

 

I arrestuari ngarkohet me përgjegjësi penale për veprat "Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë", "Magazinim i mallrave që paguajnë akcizë" si dhe "Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës". Përveç përvetësimit të mallit, ai dyshohet se ka ndërhyrë drejtpërdrejt në pajisjet e sigurisë duke fshirë pamjet filmike të kamerave të ambientit.

 

Kjo goditje procedurale vjen në vijim të hetimit të zgjeruar që çoi më parë në ndalimin e Ergys Agasit në zonën e Durrësit, i cili ndodhet nën hetim nga struktura të posaçme për përfshirje në procedurat e tenderimeve publike dhe korrupsion.


Mediat serbe nisin ‘festën’ pas vendimit për ish-krerët e UÇK-së: Fajtorët u dënuan!

Mediat serbe i kanë kushtuar vëmendje të gjerë aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë.

 

Në titujt e tyre bie në sy përdorimi i një gjuhe të fortë dhe, në disa raste, cilësime të drejtpërdrejta për UÇK-në dhe ish-krerët e saj. Aktgjykimi i sotëm i shkallës së parë i dënoi të katër për krime lufte, ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit nuk u provuan sipas standardit të kërkuar nga gjykata.

 

B92 e hap raportimin me titullin:

“Reshje aktgjykimesh: Thaçi – fajtor; Veseli – fajtor; Krasniqi – fajtor; Selimi – fajtor; udhëheqësve të UÇK-së 25 vjet burg.”

 

Media thekson se Hashim Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 vjet, Jakup Krasniqi me 25 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Kurir përdor një titull dukshëm më të ashpër:

 

“Aktgjykimi ndaj udhëheqësve të UÇK-së kriminale, të katër fajtorë për krime lufte: Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit nga 25 vjet burg! Veselit 18, Selimit 13!”

 

Në tekst, Kurir përsërit se të katër janë shpallur fajtorë për krime lufte dhe jep dënimet përkatëse: Thaçi 25 vjet, Krasniqi 25, Veseli 18 dhe Selimi 13 vjet burgim. Media serbe veçon gjithashtu pretendimin e aktakuzës se krimet kanë prekur rreth 407 të ndaluar, prej të cilëve të paktën 102 janë vrarë.

 

Blic e vendos në qendër të titullit dënimet:

“Hashim Thaçi dhe Krasniqi dënohen me 25 vjet burg, Veseli me 18! Haga shpalli aktgjykimet ndaj udhëheqësve të UÇK-së.”

 

Në raportim thuhet se Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi janë dënuar në Hagë, duke veçuar veçanërisht dënimin 25-vjeçar të Thaçit. Blic përmend gjithashtu atmosferën rreth gjykatës në Hagë: përkrahësit e të akuzuarve kishin qëndruar gjatë natës pranë gjykatës me flamuj dhe pankarta të UÇK-së, ndërsa policia kishte shtuar masat e sigurisë. Media i referohet gjithashtu interesimit të madh të gazetarëve për procesin.

 

Hashim Thaçi dhe tre ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së janë gjykuar në Hagë për akuza që përfshijnë përndjekje, torturë, vrasje dhe zhdukje të detyruara gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Çështja është veçanërisht e ndjeshme për shqiptarët e Kosovës, shumë prej të cilëve e konsiderojnë Thaçin dhe UÇK-në si simbole të rëndësishme të luftës për pavarësinë e Kosovës.

 

XS
SM
MD
LG