Lidhje


Drejtësia për Kosovën s’duhet të jetë e verbër – Mesazhi i Spiropalit në Kuvend

 

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u ndal në Kuvend te marrëdhënia me Kosovën, duke e cilësuar atë një përgjegjësi historike dhe kombëtare për Shqipërinë. Ajo theksoi se Tirana do të vijojë të jetë një zë i fortë në mbrojtje të së drejtës së Kosovës, integrimit të saj ndërkombëtar dhe forcimit të pozitës së saj në strukturat euroatlantike, pasi – sipas saj – stabiliteti i rajonit lidhet drejtpërdrejt me një Kosovë të njohur dhe të konsoliduar si shtet.

 

Duke folur për proceset gjyqësore në Hagë, Spiropali nënvizoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare, por ajo duhet të funksionojë mbi bazën e barazisë dhe koherencës, pa u kthyer në instrument interpretimesh të njëanshme historike. Sipas saj, lufta e Kosovës nuk ishte një konflikt për pushtet, por një përpjekje për mbijetesë dhe liri pas një periudhe represioni sistematik, fakt i dokumentuar ndërkombëtarisht.

 

Ministrja paralajmëroi se drejtësia nuk mund të aplikojë standarde të dyfishta apo të krijojë perceptimin se viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan moral e historik. Ajo theksoi se çdo proces që lidhet me atë periudhë duhet të zhvillohet me vetëdije të plotë për kontekstin dhe disproporcionin e forcës, përndryshe rrezikon të humbasë legjitimitetin.

 

“Shqipëria do të mbrojë me dinjitet të vërtetën historike të Kosovës. Drejtësia duhet të jetë e paanshme, por jo e verbër ndaj realitetit”, deklaroi Spiropali, duke shtuar se pa një drejtësi të drejtë nuk mund të ketë pajtim e as paqe të qëndrueshme në rajon.


SPAK godet milionat e shëndetësisë – Sekuestrohet telefoni i Klodian Allajbeut

 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka intensifikuar hetimet mbi disa procedura koncesionare dhe tendera në sektorin e shëndetësisë, duke zhvilluar kontrolle në ambientet e Spitalit Amerikan dhe në kompaninë farmaceutike “Evita SHPK”.

 

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë sekuestruar dokumentacion të gjerë dhe pajisje elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen analizës teknike. Mes materialeve të bllokuara ndodhet edhe telefoni personal i biznesmenit Klodian Allajbeu, drejtues i Spitalit Amerikan.

 

Sipas burimeve zyrtare, Allajbeu i është drejtuar Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke kërkuar kthimin e celularit dhe sendeve të tjera të sekuestruara, me pretendimin se masa është e pajustifikuar. Kërkesa të ngjashme mësohet se kanë paraqitur edhe tetë persona të tjerë të përfshirë në procedurë.

 

Në fokus të hetimeve janë disa kontrata me vlera të konsiderueshme financiare. Bëhet fjalë për një tender rreth 750 milionë lekë për pajisje të kardiokirurgjisë, ku dyshohet për favorizim të operatorit fitues, ndonëse në garë ka pasur edhe një ofertë më të ulët ekonomike që është skualifikuar. Nën verifikim mbetet gjithashtu koncesioni i Hemodializës me vlerë rreth 120 milionë euro, si dhe kontrata të tjera që lidhen me shërbime të specializuara shëndetësore.


Korridori 8 – Tirana miraton deklaratën e përbashkët me Italinë, RMV-në dhe Bullgarinë

 

Në Tiranë u mbajt Ministeriali i Korridorit 8, me fokus avancimin e bashkëpunimit për ndërlidhjen, qëndrueshmërinë dhe integrimin rajonal. Në përfundim të takimit u miratua Deklarata e përbashkët e Tiranës, ndërsa ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, si dhe zëvendësministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolay Pavlov, dolën në një konferencë të përbashkët për mediat.

 

Sipas deklaratës, Korridori 8 ka domethënie strategjike politike, ekonomike dhe të sigurisë, duke kontribuar në kohezionin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE. Theksohet se zbatimi i koordinuar i projektit adreson boshllëqet e ndërlidhjes në Evropën Juglindore, rrit besueshmërinë e angazhimit të BE-së dhe përbën një kuadër kyç për ndërtimin e besimit politik, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe kontakteve mes njerëzve, veçanërisht të rinjve.

 

Në dokument dënohet fuqishëm “lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës” dhe mbështeten përpjekjet ndërkombëtare për një marrëveshje që i jep fund konfliktit. Palët nënvizojnë se Ballkani Perëndimor dhe rajoni i Detit të Zi janë zona tranziti të rëndësishme për tregtinë evropiane, ndërsa Korridori 8 konsiderohet projekt themelor për lehtësimin e flukseve tregtare dhe rritjen e lëvizshmërisë ushtarake në kuadër të bashkëpunimit BE–NATO, duke kontribuar në sigurinë e krahut juglindor dhe lindor të Aleancës.

 

Spiropali theksoi se fokusi ishte progresi konkret në terren, duke harmonizuar për herë të parë afatet dhe prioritetet përgjatë gjithë korridorit. “Hekurudha duhet të lidhet me hekurudhën, rruga me rrugën dhe portet me zonat e tyre ekonomike, pa pengesa strukturore”, tha ajo, duke shtuar se synimi është ta bëjnë Korridorin 8 një korridor të vërtetë evropian, jo vetëm një vijë në hartë.

 

Tajani e cilësoi projektin përparësi thelbësore për Italinë dhe një nga aspektet më të rëndësishme evropiane, ndërsa Mucunski theksoi se Korridori 8 është lidhje strategjike mes Adriatikut dhe Detit të Zi dhe mund të ketë sukses vetëm me angazhimin e të gjithë aktorëve. Pavlov nënvizoi përkushtimin e Bullgarisë, duke e konsideruar projektin prioritet kombëtar me rëndësi të veçantë mbrojtjeje në kontekstin aktual gjeopolitik.

 

Në kuadër të ministerialit do të zhvillohet edhe forumi ekonomik “Nga lidhja strategjike drejt rritjes ekonomike rajonale: Potenciali ekonomik i Korridorit 8”.


BE ngre alarmin: Reforma në Drejtësi mos preket nga ndryshimet e qeverisë!

 

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, reagoi lidhur me nismën e mazhorancës për ndryshime ligjore që synojnë të kufizojnë pezullimin nga detyra të ministrave gjatë një procesi penal.

 

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me David McAllister, diplomati evropian theksoi se çdo ndërhyrje ligjore duhet të ruajë integritetin e Reformës në Drejtësi. Ai nënvizoi se Bashkimi Evropian po i ndjek nga afër këto iniciativa, jo vetëm për të garantuar përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, por edhe për të siguruar që ato të mos cenojnë arritjet e reformës.

 

“Ne i ndjekim nga afër nismat e qeverisë që kanë lidhje me shtetin ligjor, jo vetëm sepse jemi të interesuar për harmonizimin e tyre me legjislacionin e BE-së, por edhe për t’u siguruar që të mos preket reforma në drejtësi. Sa i përket ndikimit konkret në këtë rast, nuk do të kisha një koment. Presim që të konsultohemi për këto nisma”, u shpreh Gonzato.


Brukseli paralajmëron Ramën: Rasti Balluku, provë vendimtare për Shqipërinë drejt BE-së

 

Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, e cilësoi çështjen që përfshin zv/kryeministren Belinda Balluku si një “test kritik” për Shqipërinë në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

 

Deklaratat e tij u bënë në kontekstin e një vizite zyrtare në Tiranë, ku delegacioni i Parlamentit Evropian zhvilloi takime me autoritetet shqiptare dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë. Çështja ndaj Ballukut, e cila po hetohet nga SPAK, ishte pjesë e diskutimeve gjatë këtyre takimeve, në një moment kur reforma në drejtësi dhe pavarësia e institucioneve mbeten në fokus të vëmendjes së Brukselit.

 

McAllister theksoi se nuk është në pozicion për të komentuar në detaje raste individuale, por shtoi se mënyra se si do të trajtohet kjo çështje do të shihet si një provë e rëndësishme për seriozitetin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit.

 

“Unë nuk mund të komentoj me hollësi për çështje individuale. Por për këtë rast që përfshin zonjën Balluku, do të thosha që është një çështje që do të bëjë test kritik për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit”, u shpreh ai.

 

Ai bëri të ditur se rasti ka qenë pjesë e diskutimeve gjatë vizitës në Shqipëri, por ritheksoi se nuk do të përfshihet në çështje konkrete ligjore. “Kjo çështje ka pasur një rol gjatë vizitës dhe takimeve tona në Shqipëri. Nuk jam në pozicion të komentoj një çështje individuale. Po vij nga Brukseli dhe kam dijeni mbi rastin, por nuk do të përfshihem në çështjet ligjore të këtij rasti”, deklaroi McAllister.

 

Në vijim, ai theksoi mbështetjen e institucioneve evropiane për procesin e reformës në drejtësi dhe për institucionet e pavarura në Shqipëri. “I kam thënë të gjitha çfarë kam për të thënë për këtë çështje, nuk kam komente për çështje të brendshme. Nuk kam komente të mëtejshme. Kam qenë shumë i qartë në atë që thashë: Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe shërbimi i veprimit të jashtëm janë partnerë të Shqipërisë. Shqipëria dhe ne kemi shumë punë për të bërë në këtë vend për të forcuar shtetin ligjor, për të forcuar luftën kundër korrupsionit. Ne mbështesim institucionet e pavarura që luajnë këtë rol dhe jemi në anën e qytetarëve të këtij vendi drejt përmbushjes së kushteve për t’u bërë anëtarë të BE-së”, u shpreh ai.

XS
SM
MD
LG