Lidhje


Ose Presidenti, ose zgjedhje! – 28 prilli, dita që vendos fatin politik të Kosovës

 

Sinjalet që dhanë subjektet kryesore politike në Kosovë nuk paralajmërojnë një kompromis të mundshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit deri më 28 prill.

 

Ky është afati kushtetues për zgjidhjen e kësaj çështjeje, në të kundërtën vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 

Kujt i leverdisin ato?

 

Vëzhguesit e zhvillimeve politike konsiderojnë se subjektet politike nuk kanë bërë përpjekje serioze për ta zgjidhur nyjën e krizës politike dhe institucionale.

 

Opozita s’i pranoi dy emra të propozuar për president nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Partia Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) refuzuan edhe postin e kryeparlamentarit, të ofruar nga LVV-ja, duke e konsideruar joserioze ofertën për kompromis.

 

Analisti Rrahman Paçarizi, profesor i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, konsideron se, përgjithësisht, të tri partive po iu konvenojnë zgjedhjet.

 

Sipas tij, LVV-ja ka shfaqur gatishmëri për të shkuar në zgjedhje, pasi nuk arriti t’i tejkalonte përplasjet me Vjosa Osmanin, tashmë ish-presidente e vendit, për ta propozuar edhe për një mandat të dytë.

 

Megjithatë, ai konsideron se partia e kryeministrit Albin Kurti nuk e ka pozitën e favorshme njëjtë sikur në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar, kur fitoi mbi 51 për qind të votave./REL

 

“Mendoj se zgjedhjet më së paku i konvenojnë Lëvizjes Vetëvendosje, sidomos pas çarjes që ka pësuar kjo parti në raport me tashmë ish-presidenten Osmani”, shprehet Paçarizi për Radion Evropa e Lirë (REL).

 

LVV-ja dhe subjekti politik Guxo, i themeluar nga Osmani, garuan bashkë në një listë zgjedhore në tri palë zgjedhjet fundit.

 

Për njohësin tjetër të çështjeve politike, Agon Maliqi, është e vështirë të përcaktohet se kujt i konvenojnë zgjedhjet aktualisht. Por, edhe ai konsideron se, pas ndarjes me Osmanin, LVV-ja nuk mund ta përsërisë rezultatin e zgjedhjeve të kaluara.

 

“Ndoshta opozita është në një pozitë më të mirë. Pozitat e saj në Kuvend mund të favorizohen më shumë [pas zgjedhjeve eventuale]”, thotë Maliqi për REL-in.

 

Çfarë do të mund të ndryshonte pas zgjedhjeve eventuale?

 

Paçarizi konsideron se një gjë është e sigurt: LVV-ja nuk do të ishte e gatshme t’i ndryshonte raportet me partitë politike që aktualisht janë në opozitë.

 

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin në qershor, dhe nëse partitë politike tash opozitare do të arrinin të ndërtonin një konsensus për bashkëqeverisje, një ndryshim i raportit të forcave në Kuvend do të ishte i mundshëm, mendon ai.

 

“Ndoshta zonja Osmani do të arrijë që t’ia shkëpusë një 5 përqindësh LVV-së, një pjesë të atyre që vetë i ka dërguar në Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021. Mirëpo, kjo nuk garanton që do të ketë zgjidhje”, thotë Paçarizi.

 

Ai shton se, për të arritur deri te një zgjidhje që nënkupton zgjedhjen e të gjitha institucioneve, përfshirë edhe presidentin, LVV-ja do të duhej të binte nën 40 deputetë, ndërsa opozita aktuale të bëhej më e fuqishme me numra.

 

Në të kundërtën, LVV-së do t’i duheshin rreth 70 deputetë që të mund të gjente zgjidhje si e vetme, thotë Paçarizi.

 

Të dy këto opsione, sipas Paçarizit, “në kushtet e tashme janë vështirë të imagjinueshme”.

 

Maliqi konsideron se LDK-ja po synon të rikonsolidohet para zgjedhjeve eventuale. Një rikthim i Osmanit në këtë parti mbetet ende i paqartë, ndonëse kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka lënë derën hapur për të.

 

“Se sa do të përkthehet dalja e Osmanit [nga partneriteti me Kurtin] në ulje të përqindjes së LVV-së… ne e kemi parë një herë. Për shembull, në zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar, kur Osmani ishte në marrëdhënie të acaruara me Kurtin, LVV-ja ishte më afër 40 përqindëshit”, thekson Maliqi.

 

Ai kujton se në zgjedhjet e fundvitit, votat e qytetarëve që jetojnë në diasporë favorizuan LVV-në.

 

Këto vota, sipas tij, do të ishin më të pakta, në rast se zgjedhjet do të mbaheshin në qershor, kur prania e diasporës në vend është më e ulët.

 

Si të zgjidhet nyja e krizës politike dhe institucionale?

 

Analistët nuk besojnë që mozaiku i renditjes së subjekteve në skenën politike do të ndryshonte në mënyrë substanciale.

 

Për Paçarizin, e vetmja shpresë që të shmangej një bllokadë e sërishme institucionale dhe kushtetuese është që partitë politike ta kuptonin raportin e forcave ndërmjet tyre, si dhe rëndësinë dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet tyre.

 

“Rrugë të tjera nuk ka. Rrugët e tjera janë të rrezikshme për Kosovën… Përndryshe, na presin cikle zgjedhore të pafund”, thekson Paçarizi.

 

Të përafërt e ka mendimin edhe Maliqi. Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mund të sillnin ndryshim përmbajtësor, vetëm në rast se rezultati do të ishte i tillë që LVV-ja të mos mund të qeveriste si e vetme.

 

“Pas shumë përpjekjeve, [LVV] do të detyrohej të arrinte një lloj kompromisi me të paktën njërën prej partive… U pa që edhe me 51 për qind, LVV-ja ka nevojë për një konsensus, të paktën për postin e presidentit”, thekson Maliqi.

 

Ai shton se, në rast se LVV-ja do t’i refuzonte kompromiset edhe pas zgjedhjeve eventuale brenda javësh, “një bashkëpunim i opozitës do të imponohej nga rrethanat”, në mënyrë që ato të bashkoheshin, të merrnin pushtetin dhe të konsolidonin institucionet.


“Pa politikë, pa media, pa lule” – publikohet testamenti tronditës i Rexhep Qoses: si kërkoi të përcillej në varr!

 

Nipi i Rexhep Qoses, Valjet Qosja ka publikuar testamentin e shkruar nga akademiku i shquar 10 vite më parë, ku kërkon që përcjellja për në banesën e fundit të jetë pa ceremoni.

 

“Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare” – thuhet në testament.

 

Akademiku kërkon që të përcillet për në banesën e fundit pa ritual fetar dhe pa asnjë pranie zyrtare. “Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi”-thuhet në testament, ndërsa thekson, “pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës”.

 

Testamenti i plotë:

 

NIPIT TIM VALJETIT

 

I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT

 

KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME

 

Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

 

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.

 

Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.

 

Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.

 

Vdes i qetë. Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.

 

Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.

 

Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.

 

Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.

 

Gjyshi yt, Valjet

 

Rexhep Qosja

 

(nënshkrimi)

 

Prishtinë, 30.4.2016


Rxhep Qosja u nda nga jeta - Sot ditë zie kombëtare në Kosovë

 

Kosova ndodhet sot në ditë zie kombëtare për vdekjen e akademikut Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta të enjten në moshën 90-vjeçare. Presidentja në detyrë dhe njëkohësisht kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi një ditë më parë shpalljen e 24 prillit si ditë zie.

 

“Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, shprehej Haxhiu në deklaratë.

 

Akademiku Qosja vdiq dje në moshën 89-vjeçare dhe u varros në varrezat e Dragodanit pa një ceremoni sikurse ai e kishte lënë amanet. Familja bëri me dije se nuk do të organizojnë një ceremoni pritjeje dhe as do të marrin pjesë në ceremonitë e organizuara nga institucionet me dëshirën e të ndjerit.

 

“Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”, thuhet në njoftim.

 

Rexhep Qosja ishte shkrimtar, historian i letërsisë, profesor universiteti dhe akademik. Përveç veprimtarisë akademike, Qosja njihej edhe si një nga zërat më të fortë dhe shpesh polemikë në debatet publike shqiptare. Ai ka trajtuar çështje që lidhen me identitetin kombëtar, historinë, kulturën dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri.


Paralajmërimi i fortë amerikan për Serbinë: Qëndroni larg Rusisë!

 

Një paralajmërim shumë i fortë Amerikan i është dorëzuar Serbisë. Kjo gjë ndodhi gjatë takimit të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, me presidentin Aleksandër Vuçiç.

 

“Ambasadori Whitaker ishte i qartë: Bashkëpunimi i mbrojtjes dhe sigurisë i Serbisë me partnerë të pabesueshëm krijon varësi strategjike afatgjatë që është e vështirë të çmontohet dhe ndërlikon bashkëpunimin në të ardhmen.

 

Për një partneritet modern dhe me vizion, drejtimi strategjik i Serbisë duhet të jetë në përputhje me Perëndimin. Siguria varet nga zgjedhja e partnerëve të duhur”, lexohet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Beograd.

 

Nga ana tjetër, presidenti serb foli për rrethana të vështira gjeopolitike dhe pretendoi se dëshiron të ruajë paqen në Ballkan, pavarësisht se është i vetmi që e kërcënon atë.

 

“Theksova veçanërisht se për Serbinë, ruajtja e sigurisë së popullit tonë në Kosovë është me rëndësi thelbësore, si dhe vazhdimi i një politike të përgjegjshme dhe serioze që përfshin si dialogun ashtu edhe këmbënguljen në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe detyrimeve të ndërmarra”, shkruan Vuçiç në Instagram.


Vëllai i Netanyahut mbërrin fshehurazi në Zagreb – ligjëratë sekrete në fakultet nën masa të forta sigurie!

 

Iddo Netanyahu, vëllai i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ka mbërritur këtë të enjte në Zagreb, ku ka mbajtur një leksion për studentët në Fakultetin e Shkencave Politike.

 

Ai ishte i ftuar si ligjërues nga profesori Boris Havel, në kuadër të lëndës “Hebrenjtë Orientalë dhe Arabët në kohën e Sionizmit”, një kurs që trajton marrëdhëniet mes hebrenjve dhe arabëve në Lindjen e Mesme, nga emigrimi i parë hebre në Palestinë deri në ditët e sotme.

 

Ajo që ka tërhequr vëmendje është fakti se ligjërata nuk ishte njoftuar në faqet zyrtare të fakultetit dhe as në rrjetet sociale, gjë që nuk është praktikë e zakonshme për aktivitete të tilla akademike.

 

Iddo Netanyahu nuk mbërriti vetëm. Ai u shoqërua nga truproja sigurie dhe, pas përfundimit të ligjëratës, u largua me një Mercedes të zi luksoz. Së bashku me të ishte edhe ambasadori izraelit në Kroaci, Gary Koren, raportojnë mediat kroate.

 

Mikpritësi i tij, profesori Boris Havel, ndodhet gjithashtu në qendër të polemikave, pasi ka marrë paralajmërim për largim nga puna pas një incidenti vitin e kaluar lidhur me fyerjen e gazetares Maja Sever.

 

Iddo Netanyahu nuk është një emër i panjohur për rajonin. Vitin e kaluar ai ishte në Banja Luka, ku promovoi romanin e tij “Itamar K.”, por vizita e tij u shoqërua me një moment të sikletshëm.

 

“Jam shumë i lumtur që jam këtu, është hera e parë që vij në shtetin tuaj, në qytetin e Novi Sadit…”, deklaroi ai atëherë, duke shkaktuar konfuzion mes gazetarëve dhe përkthyesve, pasi ndodhej në Bosnje dhe jo në Serbi.

 

Përveçse shkrimtar, Iddo Netanyahu është edhe mjek dhe dramaturg. Gjatë vizitës së tij në Banja Luka, ai foli edhe për kërcënimet globale, duke theksuar atë që e quajti “lufta kundër forcave radikale myslimane”, si sunite ashtu edhe shiite, të cilat sipas tij “po përpiqen të pushtojnë botën”.

XS
SM
MD
LG