Kurti hap fushatën me premtime miliardëshe: dronë, municione, hekurudha dhe “rezervë vullnetare”
Albin Kurti hapi fushatën e Vetëvendosjes me një paketë premtimesh të mëdha ekonomike, infrastrukturore dhe ushtarake. Ai premtoi 1 miliard euro shpenzime kapitale, investime strategjike në Brezovicë, Rugovë e Bjeshkët e Nemuna, gazifikim të qymyrit, katër hekurudha të reja, pesë diga, si dhe ndërtimin ose renovimin e 20 stadiumeve.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua ushtrisë. Kurti premtoi 1 miliard euro për armatim, krijimin e fabrikës së dronëve dhe municioneve, rritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe ngritjen e një rezerve vullnetare ku qytetarët do të trajnohen dhe do të kenë pajisje të caktuara në kazermat e FSK-së.
Ai foli edhe për energjinë dhe transportin, duke premtuar vazhdimin e investimeve në termocentralet Kosova A dhe B, zgjerimin e ngrohjes qendrore në disa qytete dhe ndërtimin e linjës hekurudhore Gjakovë-Shkodër, si pjesë e lidhjes Prishtinë-Durrës. Kurti premtoi gjithashtu bashkëpunim më të ngushtë me Shqipërinë, përfshirë edhe krijimin e një njësie të përbashkët mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë.