Lidhje


Ish-ambasadori holandez trondit: Gjykata Speciale u ngrit me mbështetjen e shërbimeve serbe

 

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, u shpreh se personalisht nuk ka qenë në një linjë me krijimin e Gjykatës Speciale, duke theksuar se, sipas tij, ajo u ngrit mbi baza të kontestuara.

 

Bosch deklaroi se gjatë kohës kur shërbente si ambasador ishte i detyruar ta mbështeste Gjykatën Speciale për shkak të qëndrimit zyrtar të qeverisë së tij, por në plan personal kishte rezerva. Ai argumentoi se themeli i saj ishte raporti i Dick Marty, për të cilin pretendoi se ishte hartuar me mbështetjen e shërbimeve sekrete serbe dhe se akuzat për trafikim organesh në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në veri të Shqipërisë nuk ishin konfirmuar nga hetimet e mëparshme.

 

Sipas tij, misionet ndërkombëtare si EULEX dhe UNMIK kishin zhvilluar hetime dhe kishin arritur në përfundimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për këto pretendime, megjithatë presioni i Këshilli i Evropës çoi në vijimin e procesit. Ai shtoi se hetimi në vetvete nuk është problem, por sipas tij, pasi gjyqtari Clint Williamson konstatoi se pretendimet për trafikim organesh nuk qëndronin, procesi duhej të ishte ndërprerë.

 

Bosch kundërshtoi gjithashtu pretendimin se UÇK ishte një organizatë kriminale, duke theksuar se ajo nuk kishte një strukturë të organizuar në atë formë. Ai përmendi edhe diplomatin amerikan Christopher Hill, për të cilin tha se kishte shprehur qëndrimin se UÇK-ja nuk ishte një organizatë e organizuar kriminale.


Vuçiq i gatshëm për antarësimin e Serbisë në BE pa të drejtë vetoje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të pajtohej me anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian që nuk do të ishte i plotë, duke theksuar se për të më e rëndësishme është qasja në tregun e përbashkët dhe lëvizja e lirë e njerëzve.

 

Duke folur për gazetën gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung", Vuçiq tha se anëtarësimi në BE pa të drejtën e vetos, për Serbinë është i pranueshëm.

Read more ...


Kosova në tryezën globale të paqes: Osmani merr pjesë në nismën 5 miliardë $ për Gazën

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në ceremoninë e Bordit të Paqes më 19 shkurt në Uashington, siç konfirmoi për Radion Evropa e Lirë këshilltari i saj Bekim Kupina. Ceremonia do të zhvillohet në Institutin për Paqe të Trumpit, ndërsa vetë Donald Trump ka njoftuar se vendet anëtare janë zotuar për mbi 5 miliardë dollarë për rindërtimin dhe ndihmën humanitare në Gazë, si dhe për angazhimin e mijëra trupave në një Forcë Ndërkombëtare Stabilizuese për garantimin e sigurisë.

 

Presidenca e Kosovës theksoi se vendi mbetet i përkushtuar të bashkëpunojë me SHBA-në dhe Bordin e Paqes për stabilitet në zonat e konfliktit, ndërsa sqaroi se Kosovës nuk i është kërkuar pagesa prej 1 miliard dollarësh. Bordi, i themeluar më 22 janar në Davos me 27 anëtarë, është autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mbikëqyrë armëpushimin dhe rindërtimin në Gazë, në kuadër të planit 20-pikësh të Trumpit, të pranuar nga Izraeli dhe Hamasi në tetor 2025.

 

Eksperti i studimeve për paqe, Gëzim Visoka, vlerëson se pjesëmarrja mund t’i sjellë Kosovës përfitime diplomatike dhe hapësirë për lobim ndërkombëtar, sidomos për sa kohë vendi mbetet jashtë NATO-s, BE-së dhe OKB-së. Ndërkohë, autoritetet kosovare po shqyrtojnë edhe mundësinë e kontributit të Forca e Sigurisë së Kosovës në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, e cila pritet të ketë mandat për sigurinë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.


Vuçiç shpërthen ndaj Perëndimit: “Kosova hapi Kutinë e Pandorës së rendit botëror!”

 

Në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, reagoi me një deklaratë të fortë gjatë një interviste për mediat serbe, të dhënë në kuadër të një vizite zyrtare në Indi.

 

Vuçiç u shpreh se me njohjen e pavarësisë së Kosovës “u hap Kutia e Pandorës e padrejtësisë dhe e shkatërrimit të shteteve sovrane”, duke e cilësuar atë një precedent me pasoja të rënda globale.

 

“Është mirë të analizohet pas 18 vitesh se sa katastrofike ishin pasojat, jo vetëm për Serbinë, jo vetëm për rajonin, por edhe për Evropën dhe botën ato vendime tepër të gabuara,” tha ai.

 

Presidenti serb akuzoi drejtpërdrejt NATO-n, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara për vendimet e marra në vitet 1999 dhe 2008, duke deklaruar se “me vendimin e të fuqishmëve, të cilët në atë kohë as nuk interesoheshin për të drejtën ndërkombëtare”, u vendos një standard i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare.

 

“Ata mendonin se ishin të gjithëpushtetshëm dhe të plotfuqishëm, se ishin përfaqësues të Zotit, të cilët me mjetet, armët dhe pasurinë e tyre të madhe mund të shpërndanin drejtësi me zjarr dhe shpatë ashtu siç dëshironin,” u shpreh Vuçiç.

 

Ai shtoi se vendet që mbështetën pavarësinë e Kosovës “duhet të shpjegojnë dhe të përdorin të njëjtat argumente që përdorëm ne 18 ose 27 vjet më parë”, duke argumentuar se “fillimi i rënies së rendit botëror ishte në atë periudhë midis viteve 1999 dhe 2008”.

 

Megjithatë, Vuçiç pranoi se Serbia ka bërë edhe gabime të brendshme në vitet ’90 dhe 2000, duke përmendur “angazhimin e pamjaftueshëm” dhe “konfliktet e brendshme që prodhuan tensione”, si edhe mungesën e një lidershipi të fortë në atë kohë.

 

“Kanë kaluar 18 vjet, çdo vit po bëhet më e vështirë, por ata nuk arritën ta thyenin Serbinë,” përfundoi ai.


Vendimi afrohet: Thaçi dhe të tjerët sot përballë fjalës së fundit në Hagë

 

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës vijon këtë të mërkurë me një nga momentet më të rëndësishme të tij: paraqitjen e deklaratave përmbyllëse.

 

Në seancën e sotme do të paraqiten fillimisht përfaqësuesi i viktimave dhe ekipet mbrojtëse, ndërsa më pas fjalën do ta marrin vetë të akuzuarit – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Pas pushimit të drekës, secili prej tyre do t’i drejtohet trupit gjykues me një fjalim prej 20 minutash.

 

Në seancën përmbyllëse pritet të jetë i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca. Në seancën e fundit, pas deklaratave përmbyllëse të mbrojtjes së Jakup Krasniqit, trupi gjykues dhe prokuroria u drejtuan palëve me pyetje shtesë.

 

Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja do të kalojë për vendimmarrje. Gjykatësit kanë afat deri në tre muaj për të shpallur vendimin ose për të kërkuar shtyrje të afatit. Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin e katër ish-krerëve me nga 45 vite burg secilit.

XS
SM
MD
LG