Lidhje


Non Grata me çmim? Si u “shpëtua” Milorad Dodik pas milionave në Uashington dhe lidhjeve me njerëzit e Trump!

 

Nga Lapsi.al

 

Që kur lideri historik i opozitës Sali Berisha u shpall Non Grata nga administrata amerikane e demokratëve, me një vendim të Sekretarit të shtetit Blinken, në Shqipëri është rihapur në mënyrë ciklike një debat: A është ky instrument saknsionesh një vendim që merret në bazë të fakteve apo falë lobimeve të ndryshme? Dhe më pas: A mund të hiqet falë parave dhe ndërhyrjeve një sanksion tashmë i shpallur?

 

Pikërisht një nga shembujt që mund ti shërbejë këtij debati është ai i liderit të serbëve të Bosnjës Milorad Dodik.

 

Ky lider pro rus, mik i Putinit dhe i akuzuar se do të minojë me tendencat e tij separatiste marëveshjen e Dejtonit, u shpall Non Grata nga Uashingtoni në 2022, me motivacionin për “Korrupsion të rëndësishëm” dhe për “Retorikë nacionaliste përçarëse”. Por në tetorin e vitit të kaluar, në mënyrë të habitshme administrata Trump e hoqi sanksionin ndaj liderit të serbëve të Bosnjës.

 

Që nga ky moment alibia “Non Grata nuk hiqet” u rrëzua dhe filluan spekullimet për arsyet që e shpëtuan Dodikun nga “mallkimi amerikan”. Një prej tyre ishte se ai kishte ditur të përzgjidhte lobistët e duhur. Ai u lidh me Michael Flynn që shërbeu si këshilltar i sigurisë kombëtare i Trump gjatë mandatit të tij të parë. Në vitin 2017, Flynn u dënua se gënjeu FBI-në në lidhje me marrëdhëniet e tij me Rusinë, por Trump e fali atë në vitin 2020. Madje galaksia rrotull Trump shkoi deri aty sa ta quante Dodikun një mbrojtes të krishtërimit.

 

Por, afersia me sa duket nuk ka qenë vetëm ideologjike. Ka gjasa që pas të gjithë kësaj të fshihen interesa të mëdha financiare. Dhe kjo duket qartë në një artikull të botuar këtë të enjte nga e përditshmja Britanike The Guardian ku flitet për konfiktin mes BE dhe SHBA-së, për ndërtimin e një gazoduku amerikan në Bosnjë, që do të mundësonte kalimin e gazit të lëngshëm amerikan nga Kroacia drejt Bosnjes. Dhe cilët janë personazhet që po lobojnë pranë Sarajevës për këtë projekt? Dy figura të afërta të presidentit Trump, Jesse Binnall, avokati që e mbrojti atë nga akuzat për nxitje të trazirave në Kapitol pas humbjes së tij, dhe Joe Flynn, vëllai i ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare të presidentit, Michael Flynn. Ndonëse këtu lidhja me Mirolad Dodikun fillon të përvijohet, ajo bëhet edhe më e fortë po të shihet se ç’ndodh më pas.

 

Si njeri i njohur pro Moskës, Dodiku duhet të ishte pro vijimit të furnizimit të vendit me gaz rus, që perëndimi e ndërpreu pas luftës në Ukrainë. Ndonëse gazoduku nuk kalonte gjeografikisht në territorin e Republika serbska, ai mund të bëhej pengesë për ndërtimin e atij ivenstimi 200 milionë dollarësh nga kompania pranë njerëzve të Trumpit, AAFS Infrastructure and Energy.

 

Por lideri e serbëve të Bosnjës bëri një piruetë të fortë. Ai e përkrahu ndërtimin e gazsjellsit Southern Interconnection.

 

A ka ndikuar kjo lëvizje e lidhur drejtpërdrejt me interesat e Vëllezërve Flynn në heqjen e sanksioneve amerikane ndaj tij?

 

Ndonëse askush se pohon zyrtarisht kjo hipotezë po qarkullon në mënyrë gjithnjë e më bindëse. Gjatë këtij prilli djali i presidentit amerikan, Donald Trump Jr., kreu i perandorisë së biznesit familjar, shkoi personalisht në Banja Luka, qytetin kryesor të Republika Srpsksa në Bosnje Hercegovinë, në një udhëtim që u pa si mbështetje e hapur për familjen Dodik pasi u bë me ftesë të të birit të liderit lokal të serbëve.

 

Aty Dodiku e mbështeti publikisht investimin amerikan për gazsjellësin dhe ndonëse askush nuk i di arsyet, ato mund të lidhen me shplarjen e tij nga Non Grata, që më sa duket nuk është punë parimesh, por një mall si gjithë të tjerët.

 


Kurti emëron Agron Bajramin si kryenegociator në dialogun teknik me Serbinë

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Agron Bajramin në postin e kryenegociatorit në dialogun teknik për normalizim të raporteve me Serbinë.

 

Përveç postit të ri, Bajrami është edhe ambasador i Kosovës në Belgjikë, në kryeqytetin e të cilës, Bruksel, Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi.

 

Në muajin shkurt, disa ditë pas votimit të Qeverisë së re të Kosovës, numri dy në ekzekutivin kosovar, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, tha se procesi i dialogut do të udhëhiqet nga kjo ministri.

 

Mandatin e kaluar qeverisës, në nivel politik, Kosova në dialog është përfaqësuar nga kryeministri, Albin Kurti, ndërkaq në nivel kryenegociatorësh nga Besnik Bisilimi.

 

Viteve të fundit, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një sërë rundesh të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por takime të nivelit të lartë politik nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023.

 

I fundit ishte dialogu në nivel të lartë që u zhvillua pak ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur vranë një polic të Kosovës. Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi mohon të jetë përfshirje.

 

Përgjatë vitesh të dialogut, Kosova dhe Serbia kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.


Shuhet në moshën 89-vjeçare akademik Rexhep Qosja - Ideolog i bashkimit kombëtar të shqiptarëve

 

Ndërron jetë akademiku i njohur shqiptar, Rexhep Qosja. Lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta në moshën 89-vjeccare e ka dhënë nipi i tij, përmes një postimi në rrjetet sociale.

 

Mësohet se Qosja është përcjellë për në banesën e fundit pa zhurma dhe ceremoni institucionale, amanet që siç duket akademiku e kishte dhënë për familjarët më herët.

 

Këta të fundit kanë plotësuar dëshirën e fundit të akademikut, duke organizuar një ceremoni të ngushtë familjare, për të çuar në vend amanetin e lënë.

 

Rexhep Qosja, një mendje e ndritur e kombit shqiptar, la pas vepra dhe mendime të vyera që do të shërbejnë brez pas brezi.

 

Postimi:

 

Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja.
Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.
Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja.
Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.
Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na
mundësohet të mbajmë zi në qetësi!

 

Kush ishte Rexhep Qosja!

 

Qosja u lind më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, ku e kreu shkollën fillore, para se të shpërngulej në Kosovë, ku e mbaroi shkollën normale në Prishtinë në vitin 1959, ndërsa më 1964 i përfundoi studimet në Degën e Gju­hës dhe të Letërsisë Shqipe të Fa­kultetit Filozofik të Prishtinës.

 

Gjatë viteve 1967-‘68 specializoi shkencën e le­tërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Univer­sitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit.

 

Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Al­banologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981.

 

Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike.

 

Ai gjithashtu ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

 

Qosja ishte marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë.

 

Ai ishte kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, si dhe anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i Kryesisë së këtij delegacioni.

 

Po ashtu, më 2000 ai shërbeu si anëtar i Këshillit Administrativ dhe i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës ndërkohë që kryeadministrator i Kosovës ishte Bernard Kushner.

 

Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.


“BE ose izolim!” – Ministrat e rajonit japin alarmin nga Delphi: Ballkani Perëndimor në udhëkryq historik!

 

Ministrat e jashtëm Georgios Gerapetritis, Nemanja Staroviç, Glauk Konjufca, Ferit Hoxha dhe Zoran Dimitrovski kanë dalë me një deklaratë të përbashkët pas takimit të zhvilluar në kuadër të Forumit Ekonomik Delphi i cili u zhvillua këtë të mërkurë në Greqi. Në deklaratë ata theksojnë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron brenda Bashkimit Evropian.

 

“Ne riafirmojmë fuqimisht angazhimin tonë politik ndaj procesit të anëtarësimit në BE, duke njohur ndikimin e tij të thellë transformues në shoqëritë dhe ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

 

Ne nënvizojmë rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE si një imperativ strategjik për sigurinë evropiane, i cili synon të rrisë qëndrueshmërinë, autonominë dhe gatishmërinë në rajon dhe në të gjithë Evropën.

 

Në këtë frymë, ne mirëpresim fokusin e ripërtërirë të BE-së në procesin e zgjerimit dhe në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, si një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet në rajonin dhe kontinentin tonë.

 

Ne theksojmë nevojën për integrim efektiv dhe mbështetje të prekshme të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor në luftimin e kërcënimeve hibride dhe fushatave të dezinformimit.

 

Prandaj, ne bëjmë thirrje për një angazhim të ripërtërirë ndaj procesit të pranimit për Ballkanin Perëndimor, bazuar në reforma të besueshme, kushtëzime të drejta dhe rigoroze dhe një qasje të bazuar në meritë, duke siguruar që secili partner të përparojë në përputhje me meritat e veta në përmbushjen e kritereve të pranimit”, thuhet në deklaratë.

 

Ndër të tjera ministrat theksojnë rëndësinë e përafrimit me acquis të BE-së, përfshirë Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian. Ata shtojnë se janë të vendosur për zbatimin efektiv të reformave të nevojshme.

 

“Ne përsërisim angazhimin tonë për bashkëpunim rajonal gjithëpërfshirës, ​​pajtim dhe marrëdhënie të mira fqinjësore si parakushte për anëtarësim në BE, si dhe elementë kyç për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

 

Ne mirëpresim zbatimin e integrimit gradual midis BE-së dhe rajonit dhe bëjmë thirrje për përfshirje të mëtejshme të rajonit në politikat dhe programet përkatëse të BE-së që mund të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë integrimin e mëtejshëm në Tregun e Përbashkët të BE-së, në përputhje me harmonizimin me acquis të BE-së.

 

Ne theksojmë rëndësinë e mundësimit të përparimit në kohë të atyre partnerëve të Ballkanit Perëndimor që kanë arritur një nivel të lartë përgatitjeje, ndër të tjera duke filluar përgatitjen e traktateve të pranimit për ata që janë në fazën përfundimtare të negociatave, me qëllim ruajtjen e besueshmërisë së procesit të zgjerimit”, thuhet në deklaratë.

 

Ministrat e jashtëm shprehën edhe angazhimin e tyre për zbatimin efektiv të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili duhet të kontribuojë në integrimin më të shpejtë të rajonit me tregun e brendshëm të BE-së dhe duhet të përmirësojë konvergjencën midis ekonomive.

 

“Ne theksojmë rëndësinë e bashkëpunimit efektiv në fushën e migracionit, luftën kundër korrupsionit dhe të gjitha formave të krimit të organizuar.

 

Ne bëjmë thirrje për integrimin efektiv të rajonit në planifikimin e ndërlidhjes së BE-së, me theks në energji, transport dhe ndërlidhje dixhitale.

 

Ne theksojmë nevojën për integrimin e transportit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë zgjerimin e Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T) dhe promovimin e iniciativave të tilla si Korsitë e Gjelbra, për të lidhur rajonin me korridore transporti dhe zinxhirë furnizimi thelbësorë, të tilla si IMEC, Korridori i Transportit Ballkani Perëndimor-Mesdheu Lindor, Korridori VIII përgjatë boshtit Lindje-Perëndim, Korridori X dhe Korridori Vertikal Deti i Zi-Deti Egje.

 

Ne bëjmë thirrje për lehtësim të mëtejshëm të tregtisë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe mbështesim përpjekjet për të rritur rrjedhën e mallrave përtej kufijve të BE-së”, thuhet në reagim.


“Mali i Zi më afër BE-së”, Kos: Shtetet anëtare po nisin procedurat e traktatit të anëtarësimit

 

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, në një postim në rrjetin social X ka bërë të ditur se Mali i Zi është shumë afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 

Në postim, Kos ka theksuar se Shtetet Anëtare kanë vendosur të fillojnë hartimin e Traktatit të Pranimit të Malit të Zi në BE, një proces që sipas saj po përshpejton reformat.

 

“Vendi i Malit të Zi brenda BE-së tani po merr formë. Sot, Shtetet Anëtare vendosën të fillojnë hartimin e Traktatit të Pranimit të Malit të Zi në BE. Ky është një hap i madh në rrugën drejt anëtarësimit në BE, një njohje e qartë e progresit të Malit të Zi dhe një inkurajim për të përshpejtuar reformat.

 

Gjithashtu ofron një shans për të nxjerrë mësime nga zgjerimet e kaluara dhe për të përfshirë mbrojtje të reja dhe më të forta në traktatet e ardhshme të pranimit për të parandaluar kthimin prapa në sundimin e ligjit dhe vlerat themelore”, ka shkruar ajo.

XS
SM
MD
LG