Lidhje


Pas shkarkimeve në Bashkinë e Tiranës, Veliaj sfidon qeverinë për Reformën Territoriale: Nuk është konsultuar me qytetarët

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dalë kundër mënyrës se si po zhvillohet Reforma Administrativo-Territoriale, duke kërkuar pezullimin e shqyrtimit përfundimtar të projektligjit për hartën e re.

 

Përmes një letre drejtuar deputetëve, Veliaj sqaron se nuk është kundër rishikimit të hartës territoriale, por kundërshton procedurën e ndjekur, duke argumentuar se qytetarët e prekur nga ndryshimi i kufijve duhet të konsultohen paraprakisht.

 

Sipas Veliajt, projektligji është hartuar dhe depozituar me ndarjen e re territoriale, ndërsa mendimi i qytetarëve kërkohet vetëm pasi zgjidhja është formuluar. Ai paralajmëron se në këtë mënyrë konsultimi rrezikon të kthehet në një formalitet për një projekt të përgatitur më parë.

 

Kryebashkiaku ndalet konkretisht edhe te Tirana, pasi projekti parashikon përfshirjen e njësisë administrative të Rinasit në territorin e kryeqytetit. Veliaj kërkon që përpara një vendimmarrjeje të ketë një vlerësim të plotë për ndikimin që ky ndryshim do të ketë te popullsia, shërbimet, financat, pronat dhe administrimi vendor.

 

Në përfundim, Veliaj kërkon pezullimin e shqyrtimit përfundimtar të projektligjit deri në zhvillimin e një konsultimi real me qytetarët, rezultatet e të cilit duhet të kenë mundësi të ndikojnë edhe në ndryshimin e hartës së propozuar.

 

“Kur Kushtetuta kërkon që qytetarët të dëgjohen, detyra jonë është të krijojmë kushtet që ata të flasin vetë dhe pastaj t’i dëgjojmë”, përfundon Veliaj.


Diploma në Shqipëri nuk “ha bukë”, tregu kërkon zanatçinj

 

Tregu shqiptar i punës dominohet nga profesionet me aftësi të mesme. Sipas ILO-s, në vitin 2024 rreth 74% e të punësuarve ishin në profesione të këtij niveli, kryesisht në shërbime, tregti, ndërtim, industri dhe bujqësi. Ndërkohë, profesionet që kërkojnë kualifikim të lartë mbeten më të pakta.

 

Në vitin 2025, sipas AKPA-s, u shpallën 68,860 vende të lira pune, 12% më shumë se një vit më parë. Kërkesa më e madhe ishte për profesionet elementare (29.9%), zanatçinjtë (23.7%), shitjet dhe shërbimet (15.9%) dhe industrinë (10.5%).

 

Ndërsa për specialistët me arsim të lartë u shpallën vetëm 6.4% e vendeve të lira. Të dhënat tregojnë se tregu kërkon më shumë punonjës praktikë dhe zanatçinj, ndërsa mbetet më e kufizuar oferta për profesionistë të teknologjisë, inxhinierisë dhe sektorëve të tjerë të specializuar.


“Shqipëria ka bërë një punë fantastike”, Ursula von der Leyen entuziaste për rrugën drejt BE: Tirana, ndër vendet kryesuese në procesin tonë

 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Von der Leyen u shpreh se Shqipëria është ndër vendet kryesuese në këtë proces dhe theksoi se gjatë vitit të fundit është shënuar progres i rëndësishëm.

 

“Është kënaqësi e madhe të rikthehem në Tiranë. Përvoja ime është e tillë që shqiptarët e mbajnë Evropën në zemër. Shqipëria është ndër vendet kryesuese në procesin tonë të integrimit.

 

Unë vij çdo vit për të parë ecurinë dhe, pas një viti, Shqipëria ka bërë një punë fantastike me progresin. Përparim shumë i rëndësishëm, sepse do të thotë që e shohim botën me të njëjtët sy.

 

Dua t’u përcjell qytetarëve shqiptarë dhe evropianë faktin që anëtarësimi i Shqipërisë nuk do të bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe BE-në.

Por vazhdoni me fokusin, sepse ka ende punë për të bërë”, tha ajo.


Rama u jep kullë 77 kate Luanit të “Deltës” dhe bosëve të basteve, Abdia-Avdia

 

Rama u jep kullë 77 kate Luanit të “Deltës” dhe bosëve të basteve, Abdia-Avdia

Gara për qiellin e Tiranës po bëhet gjithnjë e më e fortë. “Mali i Tiranës’ me 58 kate, i konsideruar si kulla më e lartë në kryeqytet, sfidohet nga një tjetër qiellgërvishtëse.

 

Në mbledhjen e 30 korrikut të Këshillit Kombëtar i Territorit dhe Ujit, mes shumë kërkesave për leje për hotele e godina shumëkatëshe bie në sy një kullë 77 katëshe në zemër të Tiranës. ‘Mali i Tiranës’, projekt i prezantuar në 2023-shin do të ndërtohet nga Nova Construction e Ilir Shtufit, biznesmeni i kapur në Greqi pasi SPAK lëshoi një urdhërarrest ndaj tij për pastrim parash për llogari të një grupi kriminal.

 

Disa dhjetëra metra larg kullës së Shtufit, projektohet një godinë edhe më e lartë. “Leje Ndërtimi për objektin: “Tirana Society Towers”, ndërtesë me përdorime të përziera, 77 kate me 10 kate parkimi nëntokësor”, me vendndodhje në rrugën “Ludovik Shllaku”, Bashkia e Tiranës, me subjekt zhvillues “National Construction” sh.p.k”, thuhet në rendin e ditës së 30 korrikut.

 

Ndërtesa parashikohet të ngrihet prapa pallatit të Kulturës. Projekti është realizuar nga një emër i njohur i arkitekturës botërore, kiliani Alehandro Aravena.

Sipas të dhënave të hapura “National Construction” shpk, zotërohet nga TDT&Partners me ortak Glendi Abdinë dhe Dajlan Avdine, e cila ka 50 përqind të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër është e kompanisë Deutchcolor, pjesë e grupit DC Industries, e kontrolluar nga Luan Muça, një prej biznesmenëve më të fuqishëm në vend

 

Në fillim të këtij muaji Muça u bë protagonist i një konflikti me armë në hotelin ‘Regina Palm’ të Vasil Bedinajt në Vlorë. Shkak u bë përplasja për pronësinë e një trualli në Palasë. Muça u arrestua, por u la i lirë tre ditë më pas, nën masën “detyrim paraqitje”.

 

Si për ironi të fatit, në të njëjtën ditë me projektin e tij në Tiranë, KKTU kishte në rend të ditës dhe aplikimin për leje ndërtimi të resortit në Palasë, nga Regina Group, e Vasil Bedinajt.

 

“Leje Ndërtimi për objektin: Resort turistik “Regina Collection Palasë”, 1, 2, 3 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, me pishina dhe mur rrethues me vendndodhje në Palasë, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues “Regina Group Construction” sh.p.k”, shkruhet në pikën 74 të rendit të ditës, të mbledhjes po të 30 korrikut.

 

Ka qenë pikërisht kjo leje, që sipas deklarimeve publike të Muçës, është kthyer në mollën e sherrit. Një takim “sqarues” mes palëve që përfundoi me përdorimin e armëve e ndoshta dhe me shuarjen e ëndrrave për të ndërtuar në atë tokë. Të paktën kryeministri Rama u angazhua publikisht për shpronësimin e asaj sipërfaqeje dhe kthimin e saj në një lulishte.

 

Një numër i madh lejesh për godina të larta, kishin qenë përfshirë dhe në rendin e ditës së mbledhjes së mëhershme në 17 korrik. Janë të paktën 16 leje për godina deri 43 kate që janë shqyrtuar në atë mbledhje, e deri tek aprovimi i rikonstruksionit të pallatit pranë QSUT që u përfshi nga flakët në prill të këtij viti. Punimet do të realizohen nga vetë kompania Arlis Construction.

 

Në këtë mbledhje është shqyrtuar dhe leja për zhvillimin e objektit “Rijetëzimi i Stadiumit Selman Stermasi” në Tiranë. Përveç stadiumit të ri, janë parashkuar dhe një hotel 23 kate, dhe një pallat banimi 25 katësh. Ndërtimi i tyre parashikohet të realizohet nga tre kompanitë “Plateau Spv” sh.p.k, “Cairn Spv” sh.p.k dhe “Gorge Spv” sh.p.k, të treja të kontrolluara nga “Albanian Investment Construction”, me ndërtuesin Alban Peza që zotëron 75.5 përqind të shoqërisë.

Të paktën 27 leje ndërtimi për godina shumëkatëshe, kanë qenë në rendin e ditës edhe në mbledhjen e 13 gushtit të KKTU.

 

Por përveç ndërtesave të larta, në të tre mbledhjet e verës së Këshilit Kombëtare të Territorit dhe Ujit ka patur kërkesa të shumta dhe për hotele, nga veriu në jug, bujtina, resorte, ndërtesa industriale apo investime në sektorin e energjisë. 

 


16 kulla mbi 15 kate marrin leje, Tirana kryeson listën e projekteve të reja

Të paktën 16 leje që kanë kaluar në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit në mbledhjen e datës 17 korrik parashikojnë projekte ndërtimi me lartësi 15 kate e më shumë, ku pjesa më e madhe janë të përqendruara në Tiranë, ndërsa një pjesë tjetër lidhet me zonat bregdetare. Ndërkohë e njëjta panoramë paraqitet edhe në mbledhjen e dates 30 korrik dhe 13 gusht. (Shih listën e plotë të vendimeve në 3 mbledhjet e fundit te KKTU në fund të lajmit)

 

Vendimet janë për leje zhvillimi, ndërtimi apo rishikim të atyre ekzistuese dhe përfshijnë godina rezidenciale, struktura shërbimi, hotele dhe komplekse me funksione të kombinuara. Në listën e miratuar dominojnë ndërtesat shumëkatëshe në kryeqytet, ku përfshihen disa prej projekteve me lartësinë më të madhe.

 

Ndër projektet më të larta është Garda Tower, me 43 kate mbi tokë për të cilën është kërkuar rishikim i kushteve gjatë ndërtimit , ndërsa M-21 parashikon një godinë shërbimi dhe banimi me 26 kate mbi tokë.

 

Në Tiranë janë miratuar gjithashtu Elite Tower me struktura deri në 24 kate, Vertical Village me deri në 23 kate, si dhe projekte të tjera rezidenciale dhe shërbimi me 15 deri në 19 kate.

 

Në listën e projekteve të reja përfshihet edhe zhvillimi i Rijetëzimit të Stadiumit “Selman Stermasi”, ku parashikohen dy struktura të veçanta: një strukturë shërbimi dhe hoteleri me 23 kate dhe një strukturë shërbimi e banimi me 25 kate. Ky projekt është pjesë e nismës që ka nisur qeveria përmes Korporatës Shqiptare të Investimit.

 

Përveç Tiranës, disa prej projekteve me lartësi të konsiderueshme janë të përqendruara në zonat bregdetare.

Në Durrës është miratuar një kompleks rezidencial dhe shërbimesh me 20-21 kate, ndërsa në Vlorë janë dhënë leje për objekte me deri në 16 kate. Në zonën e Shëngjinit është miratuar gjithashtu projekti “Duna”, një godinë shërbimi dhe banimi me 1-15 kate mbi tokë.

 

Krahas projekteve të ndërtesave shumëkatëshe, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit janë shqyrtuar dhe miratuar edhe një sërë lejesh për investime në infrastrukturë dhe energji.

 

Në sektorin energjetik janë përfshirë disa projekte për prodhim të energjisë elektrike, përfshirë hidrocentrale dhe impiante fotovoltaike me kapacitete të ndryshme që shkojnë deri në dhjetëra megavat.

 

Projektet(leje ndertimi/ zhvillimi ose rishikim i kushteve te ndertimit)

  1. Rijetëzimi i Stadiumit Selman Stërmasi – Tiranë
    • Strukturë shërbimi, hoteleri 23 kate dhe 20 kate mbi tokë
    • Strukturë shërbimi, banimi 25 kate dhe 21 kate mbi tokë
  2. Godinë shërbimi dhe banimi – Invest Society – Tiranë
    • 1-15 kate mbi tokë, me 4 kate parkim nëntokë
  3. Godinë banimi, shërbimi dhe hoteleri – Elbavo – Tiranë
    • 3-14-17-19 kate
  4. Vertical Village – Tiranë
    • Objekt banimi dhe shërbimesh 8-23 kate mbi tokë
  5. Uzina Residence – Tiranë
    • Rezidencë 16 kate mbi tokë
  6. Elite Tower – Tiranë
    • Godinë banimi dhe shërbimi me 16 dhe 24 kate mbi tokë
  7. Kompleks rezidencial dhe shërbime – Durrës
    • 6-7 dhe 20-21 kate mbi tokë
  8. Scarlet Tower – Tiranë
    • Strukturë me funksione komplekse, shërbim dhe rezidencial me 12, 13, 14, 15 kate mbi tokë
  9. Vertical Community – Tiranë
    • Objekt rezidencial dhe shërbime me 12, 15, 17, 18 kate mbi tokë
  10. M-21 – Tiranë
    • Objekt shërbimi dhe banimi 26 kate mbi tokë
  11. Garda Tower – Tiranë
    • Objekt banimi, hoteleri dhe shërbime 43 kate mbi tokë
  12. Godinë banimi dhe shërbime – Vlorë
    • 1-16 kate mbi tokë
  13. Objekt banimi dhe shërbimi – Tiranë
    • 10, 12, 14, 15 dhe 16 kate mbi tokë
  14. Godina banimi dhe shërbimi – Kamëz
    • 13 dhe 16 kate mbi tokë
  15. The Wave – (Spille)Rrogozhinë
    • Apart-Hotel 15 kate mbi tokë me 2 kate nëntokë
  16. Duna – Shëngjin, Lezhë
  • Godinë shërbimi, banimi 1-15 kate mbi tokë me 2 kate nëntokë.

XS
SM
MD
LG