Pezullohet drejtori i Policisë së Vlorës, Policia e Shtetit: U dha informacion i gabuar mbi ngjarjen e Zvërnecit, protestuesi s’ka hyrë me forcë në kantier
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka kërkuar ndjesë publike pas një raportimi të pasaktë të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë lidhur me një qytetar, për të cilin fillimisht u raportua se ishte futur me forcë brenda rrethimit të një kantieri ndërtimi. Sipas sqarimit zyrtar, ky pretendim nuk qëndron.
Në njoftim theksohet se, ndonëse pjesa tjetër e komunikatës së Policisë së Vlorës ishte korrekte, gabimi në raportim konsiderohet i rëndë. Për këtë arsye, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Policisë Vendore Vlorë.