BKH zbarkon në Bradashesh, kontroll në qelinë ku mbahet Ergys Agasi! Sekuestrohen disa celularë, dyshime se kujt i përkasin
Në orën 23:00 të mbrëmjes të së hënës, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në paraburgimin e Bradasheshit. Në qelitë e tij mbahen të izoluar njerëz problematikë të botës së krimit, mes tyre Ergys Agasi dhe Oresty Sota.
Në sektorin ku ata janë izoluar është ushtruar kontroll blic nga agjentët, të cilët, sikurse konfirmohet nga burimet, kanë gjetur në ambientet e përbashkëta 5 celularë, që u dërguan për ekzaminim në laboratorin e SPAK.
Në këtë mënyrë do të mund të përcaktohet se kush i ka pasur në përdorim celularët.
Kontrollet te qelia e Agasit, që akuzohet si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, u kryen pak orë pas dorëheqjes së Adriatik Kupit si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.