Lidhje


Pagat më të larta i gjeni në Tiranë, në qarqe shteti paguan më shumë se privati

Tirana vijon të ketë avantazhin më të madh në nivelin e pagave, veçanërisht në sektorët e teknologjisë, financave dhe shërbimeve profesionale.

Në qarqet e tjera, punonjësit e administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë paguhen përgjithësisht më mirë se të punësuarit në sektorin privat.

 

Të dhënat rajonale të publikuara nga INSTAT, tregojnë diferenca të dukshme të pagave jo vetëm ndërmjet qarqeve, por edhe ndërmjet aktiviteteve ekonomike.

Në Tiranë, paga më e lartë regjistrohet në grupin që përfshin informacionin dhe komunikacionin, veprimtaritë financiare dhe të sigurimit, pasuritë e paluajtshme, aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative. Paga mesatare në këtë grup i kalon 120 mijë lekë në muaj, ndjeshëm mbi çdo sektor tjetër dhe mbi nivelet e regjistruara në pjesën tjetër të vendit.

 

Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia renditen në vendin e dytë në kryeqytet, me një pagë mesatare prej rreth 100 mijë lekësh. Në qarqet e tjera, ky grup aktivitetesh kryeson pothuajse pa përjashtim, me paga që luhaten kryesisht ndërmjet 80 dhe 87 mijë lekëve në muaj.

 

Diferenca e Tiranës me qarqet e tjera është veçanërisht e fortë në sektorët me vlerë të shtuar dhe kërkesë më të lartë për kualifikim.

Ndërsa në kryeqytet paga në teknologji, financë dhe shërbime profesionale kalon 120 mijë lekë, në shumicën e qarqeve të tjera ajo qëndron rreth 45–60 mijë lekë. Kjo tregon se këto veprimtari, së bashku me vendet më të paguara të punës, mbeten të përqendruara në Tiranë.

 

Jashtë kryeqytetit, disa qarqe shfaqin rezultate më të mira në aktivitete të caktuara. Në Gjirokastër, pagat në tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor afrohen me nivelin e administratës publike. Në Fier spikat industria nxjerrëse dhe përpunuese, energjia elektrike dhe uji, ku paga mesatare arrin rreth 75 mijë lekë. Edhe në Dibër, ky grup aktivitetesh paraqitet relativisht më mirë se sektorët e tjerë privatë.

 

Në Durrës, pagat në informacion, financë dhe shërbime profesionale janë më të larta se në shumicën e qarqeve, por mbeten shumë poshtë Tiranës. Qarku shfaq gjithashtu një nivel relativisht të mirë të pagave në tregti, transport, akomodim dhe shërbime ushqimore, të ndikuara edhe nga pesha e turizmit dhe transportit.

 

Kukësi dhe Dibra me pagat më të ulëta

 

Të dhënat për vitin 2024 tregojnë se pagat më të ulëta mbizotërojnë në qarqet e Kukësit dhe Dibrës, ndërsa në grupin me nivele relativisht të dobëta përfshihen edhe Berati, Elbasani dhe Korça. Në këto qarqe, paga në shumicën e aktiviteteve private luhatet afërsisht ndërmjet 40 dhe 60 mijë lekëve, dukshëm më poshtë se në Tiranë.

 

Kukësi paraqet pozicionin më të pafavorshëm. Pagat në bujqësi zbresin afër 40 mijë lekëve, ndërsa edhe në tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor mbeten rreth 45–50 mijë lekë. Asnjë nga aktivitetet private të paraqitura nuk arrin të krijojë diferencë të ndjeshme, ndërsa administrata publike është i vetmi sektor ku paga i afrohet 80 mijë lekëve.

 

Një strukturë e ngjashme vërehet në Dibër. Bujqësia dhe tregtia kanë pagat më të ulëta, rreth 43–48 mijë lekë, ndërsa industria dhe ndërtimi ofrojnë nivele disi më të larta, por përsëri nën 65 mijë lekë. Edhe këtu, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia paguajnë dukshëm më mirë se pjesa tjetër e ekonomisë vendore.

 

Në Berat, Elbasan dhe Korçë, pjesa më e madhe e pagave sektoriale përqendrohet në intervalin 45–60 mijë lekë. Diferencat mes aktiviteteve janë relativisht të vogla, çka tregon mungesën e sektorëve privatë me produktivitet dhe paga të larta. Administrata publike, me paga rreth 80–85 mijë lekë, krijon një hendek të madh ndaj bujqësisë, tregtisë dhe industrisë.

 


Ahmetaj: Rama do t'i japë mikut izraelit gazin e Delvinës dhe TEC-in e Vlorës

 

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, gjatë intervistës ekskluzive në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka publikuar një audiopërgjim ku është përfshirë izraelito-shqiptari, Ron Yefet dhe dy qytetarëve, ukrainisht folës dhe rusisht folës. Sipas Ahmetajt, këta të tre po tentojnë të grabisin gazin e Delvinës. Ahmetaj ka zbuluar dhe kush është Ermal Raketa.

Read more ...


Shpallet fajtor për gazin lotsjellës, ministri i Brendshëm i Kosovës dënohet me 1 vit burg

Është ministër i brendshëm, në detyrë, por u dënua me një vit burgim me kusht. Gjykata në Prishtinë shqiptoi vendimin ndaj Xhelal Sveçlën që ishte shpallur fajtor për “përdorim të armës” apo “mjetit të rrezikshëm”.

 

Rasti lidhet me zhvillimet në seancën e Kuvendit të Kosovës më 21 mars 2018, kur po shqyrtohej ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Gjykata ka vendosur që dënimi të mos ekzekutohet nëse Sveçla nuk kryen vepër tjetër penale gjatë afatit të kushtëzuar.

 

“Dënim me burgim me kohëzgjatje 1 viti, nëse nuk kryen vepra penale brenda afatit të kushtëzuar. Pala mund të parashtrojë ankesë brenda 30 ditësh”, tha gjyqtari Sabit Sadikaj.

 

Ai është i detyruar gjithashtu të paguajë 50 euro shpenzime gjyqësore. Ndërkaq, prokurori Valdrin Krasniqi i propozoi gjykatës që Sveçlës t’i shqiptohet dënim me dy vjet burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë.

 

“Gjykatës i propozojmë që, me rastin e matjes së dënimit, të pandehurit Xhelal Sveçla t’i shqiptohet dënim me burgim efektiv me kohëzgjatje prej dy vitesh dhe dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë eurosh”, tha prokurori Valdrin Krasniqi.

 

Kryetari i trupit gjykues, Sabit Sadikaj, më 2 shtator e kishte shpallur fajtor Sveçlën, ndërsa shqiptimin e dënimit e kishte lënë për një datë tjetër. (A2 Televizion

XS
SM
MD
LG