Lidhje


Azilet në Shqipëri kërkojnë punonjës nga Filipinet dhe Tunizia

Shqipëria po përballet me një mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, e cila po prek edhe qendrat e kujdesit për të moshuarit. Përveç mungesës së mjekëve geriatër, qendrat private po hasin vështirësi në gjetjen e kujdestarëve vendas, kryesisht për shkak të emigracionit.

 

Për këtë arsye, disa prej tyre po shqyrtojnë punësimin e shtetasve të huaj, veçanërisht nga Filipinet dhe Tunizia.

 

Drejtues të qendrave për të moshuarit në Tiranë dhe Sauk kanë deklaruar për “Monitor” se po konsiderojnë punësimin e punonjësve të huaj për të përballuar mungesën e stafit. Megjithatë, procesi shoqërohet me vështirësi që lidhen me njohjen e gjuhës shqipe, kualifikimin profesional, procedurat e punësimit dhe shqetësimin se punonjësit mund të largohen pa paralajmërim.

 

Pagat për kujdestarët në qendrat e të moshuarve variojnë nga rreth 55 mijë deri në 70 mijë lekë në muaj, ndërsa shërbimet në shtëpi mund të arrijnë deri në 120 mijë lekë.

 

Të dhënat e Regjistrit Elektronik për të Huajt, të siguruara nga Policia e Shtetit për “Monitor”, tregojnë se deri në qershor 2026 numri i shtetasve të huaj të punësuar në Shqipëri arriti në 22.6 mijë, nga 18.1 mijë në dhjetor 2025.

 

Filipinasit kryesojnë listën me 3,552 leje pune, të ndjekur nga indianët me 3,423 dhe egjiptianët me 3,283. Rritja e punësimit të të huajve po shtrihet edhe në familjet shqiptare, ku shtetasit filipinas po punësohen si kujdestarë të të moshuarve, dado dhe për mirëmbajtjen e banesave


Shkrihen Kadastra dhe ATP-ja – krijohet ASHP-ja, ndryshon struktura e administrimit të pronave

Qeveria po përgatit një riorganizim të rëndësishëm të institucioneve që administrojnë çështjet e pronës në Shqipëri. Përmes një projektligji të hedhur për konsultim publik, parashikohet shkrirja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP), duke i bashkuar funksionet e tyre në një strukturë të re, e cila do të quhet Agjencia Shtetërore e Pronës (ASHP).

Read more ...


Avionët zjarrfikës, premtimi politik përballë realitetit të kontratës

Teksa kryeministri Edi Rama i ka paraqitur avionët zjarrfikës si një kapacitet të gatshëm për përballimin e situatave të zjarreve, dokumentet e kontratës ngrenë pikëpyetje serioze mbi atë se sa operacional është realisht ky kapacitet.

 

Sipas të dhënave të bëra publike nga Boldnews, kontrata me vlerë rreth 11.8 milionë euro lidhet me një proces ku avionët janë ende në fazën e trajnimit. Kjo krijon një hendek të qartë mes mënyrës se si është komunikuar publikisht gatishmëria e tyre dhe statusit real të përgatitjes.

 

Çështja nuk është thjesht teknike, por lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si përdoren paratë publike dhe me përgjegjësinë për të garantuar që një investim i tillë të jetë funksional pikërisht kur nevojitet. Nëse një pjesë e kapaciteteve të paguara me miliona euro nuk është ende plotësisht e gatshme për ndërhyrje, atëherë pyetja që kërkon përgjigje është e thjeshtë: çfarë u është premtuar qytetarëve dhe çfarë është dorëzuar realisht?

 

Në situata zjarresh, ku koha është kritike, diferenca mes “të disponueshëm” dhe “plotësisht operacional” nuk mund të trajtohet si një detaj komunikimi politik.

 

Për këtë arsye, kontrata prej 11.8 milionë eurosh meriton transparencë të plotë: afatet e trajnimit, kriteret e pranimit të avionëve, pagesat e kryera, detyrimet e operatorit dhe momenti kur kapaciteti konsiderohet zyrtarisht operacional. Qeveria duhet të sqarojë publikisht nëse avionët ishin realisht në gatishmëri kur u shpallën të tillë dhe, nëse jo, pse u krijua kjo përshtypje.

 

Në një vend ku zjarret kanë kosto të drejtpërdrejtë mbi jetën, pronën dhe mjedisin, një investim milionësh nuk duhet të vlerësohet nga deklaratat politike, por nga një kriter shumë më i thjeshtë: a janë avionët gati të fluturojnë dhe të ndërhyjnë kur qytetarët kanë nevojë për ta?


Abazi i bëri vilën pasi mori tenderin nga Balluku, ajo e regjistroi në emër të Tares

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbuluar fakte të reja penale në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, duke vendosur sekuestron preventive mbi një vilë luksoze në kompleksin "Green Coast" në Palasë, e cila rezulton në pronësi faktike të të pandehurës Belinda Balluku.

 

Sipas SPAK, vila është përfituar përmes një skeme korruptive në këmbim të favorizimit të tenderit për "Ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7", me fond limit mbi 2.3 miliardë lekë.

 

Skema e fshehjes së pronës dhe rolet e përfshira:

  • Belinda Balluku: Akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe refuzim/fshehje të deklarimit të pasurisë. Ajo fshehu pronën dhe mori përfitime të parregullta në formë investimesh.

  • Arbër Abazi ("Alko Impex General Construction"): Akuzohet për korrupsion aktiv. Pasi u shpall fitues i tenderit, ai mori përsipër dhe financoi punimet e vilës në një vlerë prej 288,616 deri në 410,526 euro.

     
  • Igli Tare: Akuzohet për pastrim parash. U përdor si person i dytë përmes veprimeve dhe kontratave fiktive të sipërmarrjes e shitjes për të regjistruar pronën në emër të tij.

  • Zyrtarë të tjerë: Në abuzimin me tenderin janë përfshirë edhe ish-kreu i ARRSH Evis Berberi, si dhe anëtarë të njësisë së prokurimit e KVO-së.

Të dhënat e objektit të sekuestruar:

 

  • Vendndodhja: Vila 2F nr.188/1, Nukli 27, Green Coast, Palasë (ZK 1739, Pasuria 68/87/73).

  • Sipërfaqja: 478 m² truall dhe 142.6 m² ndërtesë (me dy kate dhe dy hapësira parkimi 20.1 m² e 40.2 m²).

Vendimi për sekuestro u caktua nga Gjykata e Posaçme më 9 shtator 2026, ndërsa hetimet po vijojnë.


Protesta, Dervishi: Policia është arbitër që duhet t’i ruajë të gjithë, jo të bëhet palë!

Gazetari Lufti Dervishi ka komentuar rolin e Policisë së Shtetit gjatë protestave, ku ka pasur akuza për dhunë,  duke theksuar se uniformat blu janë arbitër dhe nuk duhet të jenë palë.

 

“Policia nuk është palë, policia është arbitër. Pra policia ka për detyrë të sigurojë mbarëvajtjen dhe integritetin e punës së Kuvendit dhe të deputetëve, dhe nga ana tjetër të sigurojë edhe protestën”, tha Dervishi në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli.

 

Ai shtoi se policia nuk mund të përdorë dhunën, por forcën proprocionale në përputhje me ligjin. 

 

"Policia nuk ka pse shqetësohet pse njerëzit kanë dalë me kërkesa për rrëzimin e qeverisë, sepse kjo është krejt normale, sepse nuk është se qeveria s’e ka mbushur kupën dhe u çmendën njerëzit, se kemi një qeveri të mrekullueshme, transparente, që ka bërë të mirat e dynjasë dhe njerëzit janë dalldisur dhe u ka zënë e mira sytë. Policia nuk mund të përdorë dhunë, policia përdor forcë proprocionale në përputhje me ligjin”.

XS
SM
MD
LG