Lidhje


Kuvendi rikthehet nën tension: seanca në 17:00, protestë para Parlamentit

 

Kuvendi i Shqipërisë çel sot, më 8 shtator, sesionin e ri parlamentar. Seanca plenare nis në orën 17:00, jo në 15:00, dhe ka kryesisht karakter ceremonial. Sipas rendit të ditës, parashikohen hapja zyrtare e sesionit të tretë të legjislaturës së XI-të, miratimi i procesverbaleve të seancave të 27 korrikut dhe njoftimet.

 

Para nisjes së seancës, mazhoranca dhe opozita u përplasën në Konferencën e Kryetarëve për pagat e magjistratëve, reformën territoriale dhe kalendarin e punimeve. PS e konsideron reformën administrative-territoriale një nga prioritetet kryesore të sesionit, ndërsa PD kundërshton një proces të njëanshëm.

 

Në të njëjtën orë, 17:00, është thirrur edhe një protestë qytetare përpara Parlamentit. Aktivistja Arvina Lleshi ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke deklaruar se klasa politike nuk i përfaqëson qytetarët. Gjatë paradites u zhvillua edhe një tubim i vogël pranë Kryesisë së Kuvendit.

 

Policia ka marrë masa të shtuara sigurie dhe ka vendosur barriera metalike në rrugët pranë Kuvendit, në pritje të protestës dhe mbërritjes së deputetëve.

XS
SM
MD
LG