Lidhje


Pas shkarkimeve në Bashkinë e Tiranës, Veliaj sfidon qeverinë për Reformën Territoriale: Nuk është konsultuar me qytetarët

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dalë kundër mënyrës se si po zhvillohet Reforma Administrativo-Territoriale, duke kërkuar pezullimin e shqyrtimit përfundimtar të projektligjit për hartën e re.

 

Përmes një letre drejtuar deputetëve, Veliaj sqaron se nuk është kundër rishikimit të hartës territoriale, por kundërshton procedurën e ndjekur, duke argumentuar se qytetarët e prekur nga ndryshimi i kufijve duhet të konsultohen paraprakisht.

 

Sipas Veliajt, projektligji është hartuar dhe depozituar me ndarjen e re territoriale, ndërsa mendimi i qytetarëve kërkohet vetëm pasi zgjidhja është formuluar. Ai paralajmëron se në këtë mënyrë konsultimi rrezikon të kthehet në një formalitet për një projekt të përgatitur më parë.

 

Kryebashkiaku ndalet konkretisht edhe te Tirana, pasi projekti parashikon përfshirjen e njësisë administrative të Rinasit në territorin e kryeqytetit. Veliaj kërkon që përpara një vendimmarrjeje të ketë një vlerësim të plotë për ndikimin që ky ndryshim do të ketë te popullsia, shërbimet, financat, pronat dhe administrimi vendor.

 

Në përfundim, Veliaj kërkon pezullimin e shqyrtimit përfundimtar të projektligjit deri në zhvillimin e një konsultimi real me qytetarët, rezultatet e të cilit duhet të kenë mundësi të ndikojnë edhe në ndryshimin e hartës së propozuar.

 

“Kur Kushtetuta kërkon që qytetarët të dëgjohen, detyra jonë është të krijojmë kushtet që ata të flasin vetë dhe pastaj t’i dëgjojmë”, përfundon Veliaj.

XS
SM
MD
LG