Lidhje


Trump: Irani në ‘rrezik të madh’ nëse bisedimet për armët bërthamore dështojnë

Donald Trump konfirmoi se një takim i “nivelit të lartë” mes SHBA-së dhe Iranit do të zhvillohet të shtunën.

 

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të një gazetari, ai shtoi se Irani do të ishte në “rrezik të madh” nëse këto bisedime dështojnë.

 

“Unë mendoj se nëse bisedimet nuk janë të suksesshme me Iranin, mendoj se Irani do të jetë në rrezik të madh. Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore dhe nëse bisedimet nuk janë të suksesshme, në fakt mendoj se do të jetë një ditë shumë e keqe për Iranin”.


E hëna e panikut! Rënia spektakolare e tregjeve të aksioneve, investitorët kanë frikë se bota gjendet para një kolapsi ekonomik



Ç'ndikim do të kenë tarifat doganore të Trumpit ndaj ekonomisë në SHBA, Kinë dhe botë?

Rënia në tregjet financiare botërore po vazhdon për shkak të tarifave dognoretë paprecedenta që vendosi Presidenti Donald Trump ndaj shumicës së partnerëve tregtarë të SHBA. Investitorët po bëhen gjithnjë e më nervozë, sepse në horizont po shfaqet gjithnjë e më qartë mundësia e një lufte të madhe tregtare, e cila ka të ngjarë të shkaktojë një recesion global.
Investitorët supozojnë se tarifat doganore do të kenë një ndikim të gjerë në rritjen ekonomike globale dhe se rritja e kostove të prodhimit do të rrisë inflacionin, do të shtojë pasiguritë e bizneseve dhe do të reduktojë investimet. Ekonomistët presin paqëndrueshmëri të mëtejshme në tregje dhe kanë frikë nga ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit.

A është ekonomia botërore në rrezik recesioni?

Përfaqësuesit e bankës amerikane JP Morgan thanë javën e kaluar se besojnë se mundësia e një recesioni global deri në fund të vitit është 60 për qind, krahasuar me 40 për qind përpara se të shpalleshin tarifat doganore gjithëpërfshirëse të Trumpit.

Të hënën banka gjermane Deutsche Bank paralajmëroi në një analizë të shkurtër se nëse Trumpi vazhdon me politikat e tij tregtare, tarifat e reja do të kenë "ndikime të mëdha mbarëbotërore në vitin 2025 dhe vitet dhe dekadat në vijim".
Azia është goditur shumë më rëndë se Evropa, me tarifa doganore prej më shumë se 40 për qind për disa. Kjo rrit presionin ndaj vendeve si Vietnami, Tajvani dhe Indonezia për të negociuar marrëveshje të reja tregtare me Uashingtonin. Kina, të cilën Trump e goditi me tarifa shtesë prej 34 për qind, është e vetmja ekonomi e madhe që ka urdhëruar që vendosjen e tarifave doganore hakmarrëse për importet nga SHBA-ja.

Pekini të premten vendosi tarifa doganore shtesë prej 34 përqind për mallrat amerikane dhe vendosi kufizime eksporti për disa minerale të rralla që nevojiten urgjentisht për produktet e teknologjisë së lartë dhe pajisjet e energjisë së pastër. Këto tarifa hyjnë në fuqi të enjten (10.04).

BE-ja diskuton

Importet nga vendet e Bashkimit Evropian drejt SHBA-së kërcënohen nga tarifa të reja doganore prej 20 për qind, duke filluar nga e mërkura (09.04). Ministrat e Financave të BE-së u takuan të hënën në Luksemburg për të rënë dakord mbi një përgjigje të përbashkët.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha se Brukseli ishte i gatshëm të "mbrojë interesat e tij me kundërmasa proporcionale". Por ajo sinjalizoi gjithashtu se BE-ja është e gatshme të negociojë me SHBA-në.


Raporti i SPAK/ Grupet kriminale shqiptare drejtojnë ose koordinojnë transportin e drogës nga Amerika Latine, si pastrohen paratë! Dy tipet e trafikut të emigrantëve

Shqiptarët edhe në 2024-ën vijuan të jenë në majë të trafikimit të kokainës nga Amerika Latine në Evropë, me porosi direkt nga Dubai. Fitimet kolosale hyjnë në disa forma në sistem, ndërsa investohen në pasuri të paluajtshme. Grupet kriminale trafikojnë edhe njerëz, shqiptarë në Amerikë, Kanada e Britani të Madhe dhe të huaj për në Evropë, me skema të qarta.

 

Në tregjet ndërkombëtare të trafikimit të kokainës, vijuan të kenë rol shumë të rëndësishëm edhe shqiptarët, vitin e shkuar. Sipas raportit të SPAK, grupet shqiptare trafikun e kokainës dhe kanabisit vijojnë ta kenë në disa shtete të BE, Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Francë, Gjermani, Norvegji, Zvicër dhe Mbretëri të Bashkuar. Kokaina sigurohet në Amerikën Latine, porositur në sasi të konsiderueshme në Bolivi, Meksikë, Peru, Ekuador, dhe Paraguai.

 

Shqiptarë, anëtarë të grupeve kriminale, me banim në Amerikën Latine, janë në role drejtuese ose dytësore, ndjekin të gjithë procesin e transferimit të ngarkesës nga vendi i origjinës në destinacion. Këto dërgesa kalojnë në BE dhe Ballkanin Perëndimor, në portet italiane, spanjolle, holandeze, belge dhe greke, por edhe në Durrës dhe Tivar në Mal të Zi. Shumë prej eksponentëve kryesorë urdhërojnë dhe financojnë nga Dubai.

 

Fitimet e tyre kolosale arrijnë të hyjnë në treg si para të pastra, përmes disa monovrave. Një ndër tendencat e theksuara është përdorimi gjithnjë e më në rritje i kryerjes së pagesave të blerjes së kokainës me kriptovaluta.

 

Por si hynë paraja e pistë në sistem?


Skema fillon me përdorimin e parave në dorë, ose kriptovalutë, teknikë klasike për të shmangur kontrollin. Paratë hidhen në qarkullim përmes shoqërive tregtare të ngritura, të cilat funksionojnë si një mbulim ligjor në dukje, për aktivitetin e vërtetë kriminal. Për të shmangur vëmendjen e autoriteteve, grupet kriminale kanë përdorur një seri teknikash. Fillimisht, organizojnë kryerjen e një serie të shumtë veprimesh nëpërmjet bankave midis llogarive të shoqërisë dhe atyre personale, duke krijuar një mjegullnajë financiare që do të bënte të vështirë ndjekjen e origjinës së vërtetë të parave.

 

Përveç kësaj, përdoren fatura fiktive, ku shoqëritë tregtare lëshojnë dokumente të falsifikuara për të justifikuar transaksione që në realitet nuk kanë ndodhur kurrë. Pasi paratë e pastruara maskohen me sukses, investohen në pasuri të paluajtshme, apartamente, njësi tregtare, ullishte, pemëtore, shoqëri tregtare, automjete luksoze, automjete të blinduara, bizhuteri, flori, ora të markave të shtrenjta,kriptovaluta.


Gjermania në alarm? Shkollave u kërkohet të mësojnë fëmijët si të mbijetojnë në luftë

Gjermania po përgatitet për një skenar lufte. Ministria e Brendshme ka kërkuar që shkollat të përfshijnë trajnime për mbrojtje civile dhe që qytetarët të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë. Kjo lëvizje vjen mes paralajmërimeve se Rusia mund të sulmojë territorin e NATO-s brenda pak vitesh.

 

Sipas gazetës Handelsblatt, fëmijët gjermanë do të mësojnë se si të veprojnë në raste konflikti apo emergjencash. Një zëdhënës i ministrisë deklaroi se mbrojtja civile duhet të jetë prioritet, sidomos për shkollat. Deputeti i CDU-së, Roderich Kiesewetter, tha se fëmijët janë "veçanërisht të pambrojtur" dhe duhet të trajnohen për skenarë të tillë, duke ndjekur modelin e Finlandës, që për vite me radhë është përgatitur për një konflikt me Rusinë.

 

Pavarësisht se arsimi është kompetencë e landeve federale, Berlini është i gatshëm të shpërndajë materiale dhe udhëzime për të gjitha shkollat përmes Zyrës Federale për Mbrojtje Civile (BBK). Ndërkohë, BE ka miratuar një iniciativë të re për përgatitjen ndaj luftës dhe u ka rekomanduar të gjithë qytetarëve të përgatisin një “paketë emergjence” për 72 orë.

 

Paketa duhet të përfshijë: ujë, ushqime të thata, ilaçe, radio me bateri, elektrik dore, dokumente identiteti dhe thikë shumëfunksionale. Autoritetet paralajmërojnë se strukturat aktuale të Gjermanisë janë të papërgatitura dhe të mbifinancuara për një krizë madhore, me vlerësime që tregojnë se nevojiten mbi 30 miliardë euro për t’i sjellë ato në standardet minimale të luftës.

 

Shefi i ushtrisë gjermane, Carsten Breuer, tha se “sipas analizave tona, Rusia është e aftë të sulmojë NATO-n brenda 4 deri në 7 vitesh”.

Edhe Britania po përgatitet. Pas zbulimit të anijes ruse Yantar që po hartëzonte infrastrukturën nënujore të energjisë në Detin e Veriut, ekspertët e sigurisë i kanë bërë thirrje qytetarëve të kenë gjithashtu një paketë mbijetese. Thuhet se sabotimi i tubacioneve nga Rusia është një kërcënim real.

 

Ndërkohë, disa vende europiane kanë nisur shpërndarjen e udhëzuesve për mbijetesë në rast lufte. BE po ndjek shembullin e Finlandës, që ka theksuar rëndësinë e informimit të popullsisë për të shmangur panikun dhe për të rritur vetëdijen ndaj kërcënimeve.


Studim: Qytetet e Zelandës së Re po fundosen, rrezikohen nga rritja e nivelit të detit

Nëse kjo prirje vazhdon, rritja e nivelit të detit do të rezultojë në afër 70 centimetra në shekull, duke paraqitur një kërcënim domethënës për shumicën e mbrojtjeve të detit. 

 

 Sipas një studimi të botuar së fundmi, qytetet kryesore që ndodhen në vijat bregdetare të Zelandës së Re po fundosen në vazhdimësi dhe rrezikojnë të preken nga rritja e nivelit të detit, transmeton Anadolu.

 

Siç raporton ‘Radio New Zealand’, vijat bregdetare pranë qyteteve të mëdha në Zelandën e Re po fundosen me disa milimetra për çdo vit, me disa nga normat më të larta që ndodhin në periferitë bregdetare të qytetit Christchurch.

 

Rritja e nivelit të detit po ndodh në mbarë botën derisa oqeani zgjerohet për shkak të temperaturave të ngrohta, ndërsa akullnajat dhe shtresat e akullit polar vazhdojnë të shkrihen.

 

Ndërkohë, fundosja e tokës ndodh në shkallë rajonale ose lokale, por ajo mund të përforcojë efektet e rritjes së nivelit të detit, duke dyfishuar ose trefishuar ndikimin e saj në zona të caktuara.

 

Ky efekt i kombinuar i rritjes së nivelit të detit dhe fundosjes së tokës njihet si ngritje relative e nivelit të detit.

Studiuesit përdorën imazhe të radarëve satelitor të sipërfaqes së tokës për të fituar njohuri se cilat zona bregdetare janë më të rrezikuara, duke kërkuar matje të detajuara dhe të sakta të rrëshqitjes së tokës.

 

Studimi zbuloi se vlerësimet e rritjes relative të nivelit të detit për qytetet Christchurch, Wellington, Dunedin dhe Auckland janë afër ose tejkalojnë 7 milimetra në vit. Nëse kjo prirje vazhdon, rritja e nivelit të detit do të rezultojë në afër 70 centimetra në shekull, duke paraqitur një kërcënim domethënës për shumicën e mbrojtjeve të detit.

 

Studimi gjithashtu identifikoi pikat e nxehta të rajoneve që fundosen me shpejtësi, të cilat shpesh korrespondojnë me zonat ku toka është modifikuar, veçanërisht përgjatë bregdetit. Në shekullin e 20-të, sipërfaqe të mëdha të tokës u rikuperuan nga oqeani dhe kjo tokë e krijuar rishtazi akoma është në ngjeshje, duke çuar në një themel të paqëndrueshëm për infrastrukturën e ndërtuar në majë.

XS
SM
MD
LG