Lidhje


'Orbani i Bullgarisë': Radev drejt pushtetit mes revoltës kundër korrupsionit dhe hijes së Rusisë!

 

Në një luginë me bar në jugun rural të Bullgarisë, fermeri Nikolay Vasiliev është i dëshëruar për ndryshim.

 

Për vite me radhë, thotë ai, zyrtarë lokalë të korruptuar kanë bllokuar planet për të zgjeruar biznesin e tij të rritjes së bagëtive. Qeveritë që janë ndërruar vazhdimisht në Sofje nuk kanë arritur të zhdukin korrupsionin apo të mbështesin ekonominë e rrënuar të zonës.

 

I ngjitur në një shtyllë jashtë fermës së tij është një poster fushate zgjedhore me portretin serioz të Rumen Radev, një ish-pilot luftarak pro-rus, i cili dha dorëheqjen si president në janar për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të 19 prillit.

 

Radev kryeson në sondazhe, i mbështetur nga votues më të moshuar dhe ruralë që e shohin si një shpëtimtar për t’u dhënë fund viteve të trazirave dhe për të thyer atë që ai e quan një “oligarki” të politikanëve të vjetër të korruptuar.

 

“Unë shoh një lider që mund ta bëjë këtë ndryshim drastik dhe të ofrojë siguri për njerëzit”, ka thënë Vasiliev, gjatë një interviste në fermën e tij në provincën Haskovo të Bullgarisë. “Ka ardhur koha që ne t’i zgjidhim në mënyrë themelore problemet në vend”, ka shtuar ai.

 

Bullgaria, një vend në Detin e Zi me rreth 6.5 milionë banorë në kufirin juglindor të Bashkimit Evropian, voton të dielën për herë të tetë në pesë vjet, mes një krize politike ku koalicionet e dobëta kanë dështuar të mbijetojnë dhe besimi në zgjedhjet demokratike është zbehur.

 

Këto zgjedhje duken ndryshe, kanë thënë disa votues për Reuters. Radev, i cili u zgjodh president-, një rol ky kryesisht ceremonial-, në vitin 2016, ka dalë kryesisht i panjollosur nga kriza dhe ka premtuar t’i japë fund korrupsionit dhe të sigurojë stabilitet.

 

Ekspertët thonë se korrupsioni në Bullgari ekziston në çdo nivel, nga kontratat publike deri te zgjedhjet lokale. Bullgaria renditet e 84-ta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025 nga Transparency International, në të njëjtin nivel me Hungarinë si vendi me performancën më të dobët në Bashkimin Evropian.

 

Radev premtoi të mërkurën t’i japë fund “feudalëve lokalë dhe njerëzve të fortë që po mbytin rajone të tëra të Bullgarisë”.

 

Një Orban i ri?

 

Një fitore e Radevit mund të riformësojë politikën e jashtme të Bullgarisë, e cila deri tani është diktuar nga partitë besnike ndaj Brukselit. Bullgaria iu bashkua eurozonës në janar dhe muajin e kaluar nënshkroi një marrëveshje sigurie me Ukrainën, hapa që Radev i kundërshton.

 

“Koalicionet e sollën euron në Bullgari pa ju pyetur. Dhe tani, kur paguani faturat tuaja, kujtoni gjithmonë se cilët politikanë ju premtuan se do të ishit në ‘klubin e të pasurve’”, ka thënë Radev të mërkurën, duke iu përgjigjur pakënaqësisë publike për rritjen e faturave.

 

Pasi kryeministri pro-Kremlinit i Hungarisë, Viktor Orban, u rrëzua nga pushteti, Radev po pozicionohet si i vetmi lider i BE-së që është i gatshëm të përmirësojë marrëdhëniet me Moskën, edhe pse lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon.

 

“Ne jemi i vetmi shtet anëtar i Bashkimit Evropian që është njëkohësisht sllav dhe ortodoks lindor”, ka thënë ai në një intervistë me gazetarin bullgar Martin Karbovski.

 

“Ne mund të jemi një lidhje shumë e rëndësishme në këtë mekanizëm… për të rivendosur marrëdhëniet me Rusinë”, ka shtuar ai.

 

Radevi mund të detyrohet të bëj kompromise

 

Në dhjetor, qeveria ka dhënë dorëheqjen pas protestave masive kundër korrupsionit dhe një buxheti që parashikonte rritje taksash. Më pas u rrit kërkesa për reforma. Në këtë moment doli në skenë Radev.

 

Partia e tij, Progressive Bulgaria (PB), ka rreth 30% të votave sipas sondazheve, rreth 10 pikë përqindje përpara partisë më të madhe në vend, GERB, por shumë larg një shumice absolute.

 

PB-ja ka marrë mbi 650,000 euro donacione private për fushatën, që përbëjnë 67% të kontributeve totale, sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Bullgarisë.

 

Megjithatë, Radev mund të ketë nevojë për partnerë koalicioni, gjë që mund ta zbusë qëndrimin e tij pro-rus. Një kandidat i mundshëm është koalicioni pro-evropian “We Continue the Change – Democratic Bulgaria” (PP-DB), që ka rreth 12% dhe është dakord për nevojën e reformave.

 

Radev ka përjashtuar një aleancë me GERB-in, e drejtuar nga ish-kryeministri Boyko Borissov, si dhe me partinë “Movement for Rights and Freedoms”, lideri i së cilës, Delyan Peevski, është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për korrupsion.

 

“Të gjithë treguesit çojnë drejt… formimit të një koalicioni”, ka thënë Tihomir Bezlov, studiues në Qendrën për Studimin e Demokracisë në Sofje, duke shtuar se nuk është e qartë sa gjatë mund të mbijetojë një koalicion i tillë.

 

Shumë do të varet nga pjesëmarrja e votuesve, që pritet të kalojë 50%. Në përpjekje për të rikthyer besimin, qeveria e përkohshme ka goditur blerjen e votave dhe ka kërkuar ndihmë nga BE-ja për të luftuar dezinformimin online, përfshirë atë që e ka quajtur me burim rus.

 

Radev ka thënë se kjo është një manovër për të manipuluar votën.

 

“Asnjë nga jashtë nuk mund të vijë dhe të na tregojë për kë dhe si të votojmë. Kjo vendoset këtu, nga ne bullgarët”, ka thënë ai.

 

Rusia ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhje të huaja.

 

Kërkimi për një lider me dinjitet

 

Bullgaria ka njohur nje zhvillim te shpejtë që nga rënia e komunizmit në vitin 1989 dhe pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2007. Jetëgjatësia është rritur ndjeshëm, papunësia është më e ulëta në BE dhe ekonomia ka më shumë garanci që nga hyrja në eurozonë.

 

Rrugët me kalldrëm të qendrës së Sofjes janë të mbushura me kafene dhe bare të gjalla, dhe njerëzit kalojnë mbrëmjet e pranverës në parqet e mirëmbajtura të qytetit.

 

Qendrat e skive tërheqin turistë dimërorë nga e gjithë Evropa.

 

Por në fshatrat e Haskovos, komunitetet janë dobësuar nga vite të tëra mungese investimesh dhe largimi i të rinjve. Rrugët kanë nevojë për rikonstruksion, ndërsa çatitë e fermave për riparim.

 

Fermeri Vasiliev hedh poshtë idenë se Radev është pro-rus. Ai thjesht dëshiron një njeri të ndershëm.

 

“Fjala e parë që më vjen në mendje kur mendoj për një lider është ‘dinjitoz’”, ka thënë ai. “Për të qenë një lider dinjitoz, duhet të jesh një njeri dinjitoz”, ka shtuar.

 


Trump në delir, publikon foto me AI në krah të Jezu Krishtit

Donald Trump postoi këtë të mërkurë një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale që tregonte Jezusin duke e përqafuar. Fotoja vjen dy ditë pasi presidenti amerikan fshiu një tjetër postim ku ai krahasonte veten me Jezusin, duke shkaktuar kritika të ashpra.

 

Imazhi, i postuar në llogarinë e Trump në Truth Social, e tregon atë me sytë e mbyllur, duke përkulur kokën drejt Jezusit. Trump qëndron pas një mikrofoni me një flamur amerikan pas tij.

Read more ...


Ultimatum i SHBA: Marrëveshje ose luftë! – kërcënohet Irani me bllokadë dhe bombardime!

 

Forcat amerikane në Lindjen e Mesme janë të pozicionuara për të rifilluar menjëherë operacionet luftarake nëse Irani nuk pranon një marrëveshje paqeje, deklaruan të enjten zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë.

 

Si pjesë e një fushate për të ushtruar presion ndaj Teheranit që të nënshkruajë një marrëveshje, forcat ushtarake amerikane po vendosin një bllokadë ndaj të gjitha anijeve që përpiqen të hyjnë ose të dalin nga Irani.

 

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një konference në Pentagon tha:

 


“Ju, Iran, mund të zgjidhni një të ardhme të begatë, një urë të artë, dhe ne shpresojmë që ta bëni këtë për popullin tuaj.”

 

“Por nëse Irani zgjedh keq, atëherë do të përballet me bllokadë dhe me bomba që do të bien mbi infrastrukturën, energjinë dhe burimet jetike.”

 

Administrata e Donald Trump shprehu optimizëm të mërkurën për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i japë fund luftës me Iranin, por paralajmëroi gjithashtu për rritje të presionit ekonomik ndaj Teheranit nëse ai vazhdon të kundërshtojë.

 

Hegseth, duke iu drejtuar udhëheqjes iraniane, tha:


“Kjo nuk është një përballje e barabartë dhe ne e dimë çfarë asetesh ushtarake po lëvizni dhe ku po i dërgoni ato.”

 

Gjenerali Dan Caine, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët, deklaroi se forcat amerikane janë “gati të rifillojnë operacione të mëdha luftarake në çdo moment”.

 

Anijet e marinës amerikane do të ndjekin çdo anije me flamur iranian ose çdo mjet që përpiqet të ofrojë mbështetje materiale për Iranin, u tha gjatë konferencës.

 

Anijet që do të përpiqen të thyejnë bllokadën do të ndalohen dhe do të paralajmërohen se:

 


“Nëse nuk respektoni këtë bllokadë, do të përdorim forcën.”

 

Zbatimi i kësaj mase do të ndodhë si brenda ujërave territoriale iraniane, ashtu edhe në ujërat ndërkombëtare.

 

Gjenerali Caine tha se gjithsej 13 anije kanë zgjedhur të kthehen mbrapsht në vend që të thyejnë bllokadën, duke shtuar se deri tani nuk është hipur në bord asnjë anije.


Revolucion në Hungari: Péter Magyar i shpall luftë televizionit shtetëror dhe rrëzon sistemin e Orbán!

 

Kryeministri i zgjedhur i Hungarisë, Péter Magyar, ka premtuar se do të pezullojë shërbimet informative të mediave shtetërore, duke i cilësuar ato si një “makineri propagande”, sapo qeveria e tij të marrë detyrën, që pritet rreth mesit të muajit maj.

 

Magyar, i cili fitoi bindshëm zgjedhjet e së dielës duke i dhënë fund 16 viteve në pushtet të Viktor Orbán, bëri të ditura planet e tij gjatë dy intervistave, për radion dhe televizionin publik të mërkurën.

 

Sipas tij, këto ishin paraqitjet e para në mediat shtetërore pas 18 muajsh, në kontrast të fortë me daljet e rregullta të Orbán. Gjatë intervistave, Magyar akuzoi mediat publike për përhapje frike dhe gënjeshtrash, duke i krahasuar ato me propagandën e Koresë së Veriut dhe të Gjermanisë naziste.

 

“Çdo hungarez meriton një media publike që transmeton të vërtetën”, deklaroi ai për radion shtetërore.

 

Ai shtoi se qeveria e tij do të miratojë një ligj të ri për shtypin dhe do të krijojë një autoritet të ri mediatik, me synimin për t’i kthyer mediat shtetërore në funksionin e tyre të vërtetë publik.

 

Nga ana tjetër, autoritetet e mediave shtetërore hodhën poshtë pretendimet e Magyar se ai ishte përjashtuar gjatë fushatës, duke deklaruar se i kishin bërë disa ftesa atij dhe partisë së tij.

 

Organizata Reporters Without Borders ka ngritur vazhdimisht shqetësime për gjendjen e medias në Hungari, ku rreth 80% e mediave kontrollohen nga aleatë të partisë Fidesz të Orbán, ndërsa mediat shtetërore janë përdorur shpesh si zëdhënëse të qeverisë.

 

Pas intervistave, Magyar reagoi në rrjetet sociale duke deklaruar “Sapo kemi parë ditët e fundit të një makinerie propagande. Pas formimit të qeverisë së Tisza, do të pezullojmë shërbimet informative të mediave ‘publike’ derisa të rikthehet karakteri i tyre i vërtetë publik.”

 

Kryeministri i zgjedhur përsëriti gjithashtu thirrjen për dorëheqjen e presidentit të Hungarisë, Tamás Sulyok, i konsideruar mbështetës i Orbán. Ai tha se presidenti nuk përfaqëson më unitetin kombëtar dhe nuk është në gjendje të garantojë respektimin e ligjit, duke shtuar se Sulyok ka rënë dakord t’i “shqyrtojë” argumentet e tij.

 

Zhvillimet e fundit japin një pasqyrë të sfidave që e presin Magyar, ndërsa ai synon të çmontojë modelin e “demokracisë joliberale” të ndërtuar nga Orbán, gjatë së cilës institucionet shtetërore, mediat dhe sistemi gjyqësor janë mbushur me besnikë politikë.

 

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, një nga aleatët më të fortë ndërkombëtarë të Orbán, reagoi me tone të moderuara ndaj rezultatit të zgjedhjeve. Ai u shpreh se beson se lideri i ri “do të bëjë një punë të mirë”.

 

Trump dhe rrethi i tij kanë parë prej kohësh Orbán si një model politik, veçanërisht për qasjen ndaj pushtetit shtetëror dhe retorikës kundër kundërshtarëve politikë.

 

Gjatë fushatës zgjedhore në Hungari, Trump kishte bërë disa thirrje publike për mbështetjen e Orbán, ndërsa edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance vizitoi Budapestin për të treguar mbështetje ndaj tij.

 

Megjithatë, pas humbjes, Vance e përshkroi Orbán si një “partner të mirë” dhe shprehu keqardhje për rezultatin, duke theksuar se administrata amerikane do të bashkëpunojë me qeverinë e re hungareze.


Tronditje në SHBA: Demokratët nisin shkarkimin e shefit të Pentagonit për ‘luftë të paligjshme’ ndaj Iranit!

 

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së prezantuan të mërkurën gjashtë nene shkarkimi (impeachment) kundër kreut të Pentagonit, Pete Hegseth, duke e akuzuar për “krime të rënda dhe shkelje të rënda” (high crimes and misdemeanors), përfshirë zhvillimin e luftës kundër Iranit pa miratimin e Kongresit.

 

Rezoluta për shkarkim drejtohet nga Yassamin Ansari, një kongresmene demokrate nga Arizona, dhe ka pak gjasa të miratohet për shkak të shumicës republikane në Dhomë.

 

Shkarkimi (impeachment) është procesi përmes të cilit Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuza ndaj një zyrtari qeveritar për shkelje të pretenduara, ndërsa largimi nga detyra është i mundur vetëm nëse Senati e dënon pas një gjyqi.

 

“Kam prezantuar nenet e shkarkimit kundër Pete Hegseth për shkelje të betimit të tij, vënien në rrezik të ushtarakëve amerikanë dhe kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë sulmet ndaj civilëve dhe një shkolle vajzash në Minab, Iran,” shkroi Ansari në platformën X.

 

“Vetëm Kongresi mund të shpallë luftë; veprimet e tij kërkojnë largim të menjëhershëm.”

 

Lufta në Lindjen e Mesme ka çuar në rritje të çmimeve të naftës dhe ka goditur vlerësimet e Donald Trump përpara zgjedhjeve të rëndësishme të ndërmjetme në nëntor.

 

Neni i parë i shkarkimit pretendon se Hegseth nisi konfliktin me Iranin “pa një shpallje lufte ose autorizim të veçantë nga Kongresi” dhe “duke ekspozuar me vetëdije anëtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së ndaj një rreziku të konsiderueshëm dhe të parashikueshëm për lëndime ose vdekje”.

 

Një tjetër nen e bën Hegseth përgjegjës për një sulm ndaj një shkolle fillore në Iran më 28 shkurt – ditën kur SHBA dhe Izraeli nisën bombardimet – ku u vranë të paktën 170 persona, përfshirë nxënës dhe mësues.

 

The New York Times ka raportuar se gjetjet paraprake të një hetimi ushtarak amerikan tregojnë se një raketë “Tomahawk” goditi shkollën për shkak të një gabimi në shënjestrim.

 

Dokumenti i demokratëve thotë se sekretari i Mbrojtjes “ka autorizuar, toleruar ose nuk ka parandaluar përdorimin e forcës ushtarake në mënyrë që bie ndesh me ligjin e konflikteve të armatosura”, duke përfshirë sulmin ndaj shkollës.

 

Demokratët kritikuan gjithashtu Hegseth për të ashtuquajturat sulme “double tap” (goditje të dyfishta) kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe.

 

Sipas tyre, këto sulme janë të paligjshme dhe minojnë rregullat e angazhimit të dizajnuara për të mbrojtur civilët.

 

Akuza të tjera përfshijnë “neglizhencë dhe trajtim të papërgjegjshëm” të informacionit të ndjeshëm ushtarak, si dhe pengim të mbikëqyrjes së Kongresit, duke iu referuar përdorimit nga Hegseth të aplikacionit komercial të mesazheve Signal për të diskutuar sulmet në Jemen.

 

Zëdhënësi i Pentagonit, Kingsley Wilson, i tha medias Axios se “kjo është thjesht një tjetër përpjekje e demokratëve për të tërhequr vëmendje, ndërsa Departamenti i Luftës ka arritur në mënyrë vendimtare dhe dërrmuese objektivat e Presidentit në Iran.”

 

XS
SM
MD
LG