Lidhje


Numri i palestinezëve të vrarë në Gaza nga sulmet izraelite arrin në 18.205

Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 18.205.

 

Duke folur në një konferencë për media, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra, tha se 49.645 persona të tjerë gjithashtu janë plagosur.

 

Sipas tij, 22 spitale dhe 46 qendra të kujdesit shëndetësor janë jashtë shërbimit për shkak të bombardimeve izraelite.

 

Read more ...


Studentët që organizuan protesta në mbështetje të Palestinës në Harvard përballen me masa disiplinore

Do të nisë një proces disiplinor ndaj 4 studentëve të Universitetit të Harvardit, të cilët organizuan protesta në mbështetje të Palestinës.

 

Sipas lajmit të gazetës "The Crimson", një botim lokal i Universitetit të Harvardit në Cambridge, Massachusetts, që nga viti 1873, 4 studentë që organizuan protesta pro-palestineze u dërguan në bordin disiplinor të universitetit.

 

"Veprimet që pengojnë anëtarët e universitetit të kryejnë aktivitetet e tyre normale dhe shkelin deklaratën përbëjnë sjellje të papranueshme dhe janë subjekt disipline", tha Universiteti i Harvardit për këtë çështje.

 

Mendohet se studentët që organizuan një marshim pro-palestinez në kampusin universitar në nëntor do të marrin paralajmërime, ndalim ose pezullim nga universiteti.

 

Një nga studentët e dërguar në bordin disiplinor për organizimin e protestave pro-palestineze, Kojo Acheampong tha: "Ne e dimë se kjo nuk do të na ndalojë. Ne kurrë nuk do t'i lejojmë këto sulme të pengojnë solidaritetin tonë me popullin palestinez".

 

Rektorja e Harvardit, Claudine Gay u detyrua të japë dorëheqje

 

Në kuadër të sesionit të titulluar "Mbajtja e presidentëve të kampusit përgjegjës dhe lufta kundër antisemitizmit" të mbajtur në Komisionin e Arsimit dhe Fuqisë Punëtore të Kongresit të SHBA më 5 dhjetor, rektorja e Universitetit të Pensilvanisë, Elizabeth Magill, rektorja e Harvardit, Claudine Gay dhe rektorja e Institutit të Teknologjisë së Massachusetts (MIT), Sally Kornbluth u ftuan t'u përgjigjen pyetjeve rreth qasjes së tyre ndaj incidenteve antisemitiste në kampusin universitar.

 

Të tre rektoret kaluan orë të tëra duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me masat disiplinore ndaj studentëve për çështje që lidhen me antisemitizmin se si universitetet përfaqësojnë pikëpamje të ndryshme dhe sigurinë në kampus.

 

Gay, Magill dhe Kornbluth, të cilët filluan rektoratin e tyre vitin e kaluar, deklaruan se do të luftojnë kundër rritjes së të gjitha formave të urrejtjes dhe islamofobisë.

 

Tre rektorë u detyruan të japin dorëheqje pasi u përballën me kritika dhe presione të forta pas deklaratave të tyre në Komision. Magill, rektorja e Universitetit të Pensilvanisë, e cila mbrojti lirinë e shprehjes në protestat kundër Izraelit dha dorëheqje dje pas kritikave dhe presioneve.

 

Burimi: AA


Rektorja e Universitetit të Pensilvanisë e cila mbrojti lirinë e shprehjes kundër Izraelit dha dorëheqje nga presionet

Rektorja e Universitetit të Pensilvanisë, Liz Magill e cila mbrojti lirinë e shprehjes në protestat në reagim kundër Izraelit, ka dhënë dorëheqje pas kritikave dhe presioneve të ardhura pas dëshmisë së saj në Komisionin e Arsimit dhe Fuqisë Punëtore të Kongresit të SHBA-së për qasjen e saj ndaj ngjarjeve antisemitiste në kampus.

 

Kreu i Bordit të Administratorëve, Scott Bok në deklaratën e tij ku njoftoi dorëheqjen e tij dhe të Magill-it tha se "(Pas dëshmisë në Kongres) u kuptua se pozicioni i Magill-it nuk mund të vazhdonte më. Ajo dhe unë kemi vendosur së bashku se ka ardhur koha e largimit".

 

Nga Universiteti informuan se Magill do të qëndrojë si lektore në stafin e Fakultetit të Drejtësisë Carey, dhe se Magill ka rënë dakord të vazhdojë detyrën deri në emërimin e rektorit të përkohshëm.

 

Anëtarja republikane e Kongresit, Elise Stefanik që është pjesë e komisionit, në një deklaratë përmes platformës së medias sociale X tha: "Iku njëri mbetën dy. Ky është vetëm fillimi i trajtimit të kalbjes së antisemitizmit të përhapur që po shkatërron institucionet më ‘prestigjoze" të arsimit të lartë në SHBA".

 

Duke mbrojtur idenë e se sa dorëheqja e Megill-it është "më e pakta që duhet bërë", Stefanik i bëri thirrje Harvardit dhe Institutit Teknologjik të Massachusettsit (MIT) të marrin hapa të ngjashëm.

 

Më 8 dhjetor, administrata e universitetit u kërcënua nga donatori i saj, Ross Stevens me tërheqjen e donacionit prej 100 milionë dollarësh, me arsyen se "nuk është treguar reagimi i nevojshëm ndaj ngjarjeve antisemitiste" në kampus.

 

Rektorja Magill u thirr në një seancë në Kongresin e SHBA-së

 

Magill, rektorja e Universitetit të Harvardit, Claudine Gay dhe rektorja e MIT, Sally Kornbluth më 5 dhjetor u thirrën në një seancë në Kongresin e SHBA-së për t‘iu përgjigjur pyetjeve për qasjet e tyre lidhur me ngjarjet antisemitike në kampuset e tyre universitare.

 

Gay, Magill dhe Kornbluth të cilat kanë filluar detyrën e tyre si rektorë në vitin e fundit, deklaruan se do të luftojnë kundër islamofobisë (kundërshtisë ndaj muslimanëve) dhe kundër rritjes të çdo lloj urrejtjeje.

 

Në anën tjetër rektoret në fjalimet e tyre të para folën për politikat e tyre të lirisë së shprehjes duke dënuar sulmin e Hamasit dhe ngjarjet me përmbajtje antisemitike në kampus si dhe deklaruan se do të fillojnë menjëherë punimet e tyre dhe se do të luftojnë në afat të gjatë me çdo lloj të urrejtjes.

 

Ndaj pyetjes së Stefanik nëse "thirrja për gjenocidin hebre" përbën apo jo shkelje të rregullave të universitetit, Magill dha përgjigjen: "Nëse retorika kthehet në sjellje, po mund të jetë ngacmim".

 

Hetim ndaj shkollave

 

Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, Departamenti i Arsimit filloi hetime të shumta mbi akuzat për incidente të urrejtjes në kampuset universitare.

 

Si rezultat i hetimeve, Departamenti do të bëjë rekomandime për shkollat dhe nëse këto nuk respektohen, shkollat do të humbasin fondet federale.

 

Burimi: AA


Anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve: E turpshme vetoja e SHBA-së në KS-OKB për armëpushim në Gaza

Anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Alexandria Ocasio-Cortez e ka quajtur "të turpshme" veton e vendit të saj në Këshillim e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) ndaj projekt-rezolutës në të cilën kërkohej armëpushim urgjent humanitar në Gaza.

 

Përmes një postimi nga llogaria e saj në median sociale X, Cortez reagoi ndaj vetos së SHBA-së në KS-OKB për projekt-rezolutën në të cilën kërkohej armëpushim urgjent humanitar në Gaza.

 

"E turpshme. Administrata e Bidenit e cila vendos veton e vetme ndaj thirrjes së OKB-së për armëpushim dhe injoron pa rezerva Kongresin e SHBA-së për të mbështetur bombardimet pa dallim në Gaza, tashmë nuk mund të pajtojë më me asgjë shqetësimet e saj për palestinezët dhe të drejtat e tyre të njeriut", tha Cortez në postimin lidhur me veton e SHBA-së.

 

Thirrja për armëpushim urgjent në Gaza u bllokua me veton e SHBA-së

 

SHBA-ja vendosi veto ndaj projekt-rezolutës më 8 dhjetor në KS-OKB e cila kërkonte armëpushim urgjent në Rripin e Gazës.

 

Projekt-rezoluta e bashkëparaqitur nga më shumë se 90 vende, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Türkiye-n, u votua në seancën urgjente që u mbajt në KS-OKB.

 

Ndaj projekt-rezolutës abstenoi Britania e Madhe ndërsa 13 vendet e tjera anëtare votuan pro.

 

Burimi: AA

 


Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë thirrje të gjithë botës për grevë globale për Gazën

Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë i bëri thirrje të gjithë botës që të shkojë në grevë globale për të ndalur sulmet e Izraelit kundër Rripit të Gazës nën bllokadë.

 

Unioni ka bërë një deklaratë me shkrim lidhur me grevën globale që do të fillojë sot.

 

"U bëjmë thirrje të gjithë popujve të botës, kryesisht botës islame, që më 11 dhjetor të nisin një grevë dhe ta vazhdojnë këtë grevë nga të gjitha institucionet, partitë, lëvizjet dhe figurat e rëndësishme të botës derisa të arrijë qëllimin e saj. Shpresojmë që të ndalë luftën e padrejtë dhe të sigurojë shpëtimin e njerëzve të pafajshëm", thuhet në deklaratë.

 

Bojkoti i popujve dhe institucionet e bamirësisë i kanë përmbushur detyrat e tyre lidhur me çështjen e ndihmës, por Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk ka mundur të marrë vendim për ndalimin e luftës, thuhet në deklaratën ku theksohet se "Duke marrë parasysh veton e SHBA-së që anulon miratimin e këtij vendimi nga shtetet, rregullorja e vetos duhet të rishikohet dhe vendimet duhet të merren me votën e shumicës absolute".

 

"Si union, ne u bëjmë thirrje vendeve të botës dhe popujve të vendeve që mbështesin sulmet e Izraelit, që të marrin pjesë në grevën gjithëpërfshirëse e cila do të paralizojë të gjitha fushat e jetës", thuhet në deklaratën ku vihet theksi se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në marrjen e vendimit për të ndalur gjakderdhjen në Rripin e Gazës.

 

Më tej në deklaratë kërkohet që greva gjithëpërfshirëse të vazhdojë derisa administratat t‘i përgjigjen kërkesave të popullit dhe të ndalojnë persekutimin në territoret palestineze dhe ndër të tjera theksohet se greva është një mjet legjitim si në fe ashtu dhe në të drejtën ndërkombëtare.

 

Në anën tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Unionit, Ali Muhyiddin Al-Qaradaghi, theksoi se thirrja e unionit për grevë globale është një mesazh i dhënë ndaj të gjithë botës për mbështetjen e çështjes palestineze dhe për ndalimin e luftës në Gaza.

 

Greva është bërë një opsion i rëndësishëm proteste për shkak se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar të ndalojë luftën në Gaza, deklaroi Al-Qaradaghi, duke ftuar muslimanët që mund të kontribuojnë në suksesin e kësaj fushate, duke bërë ftesë për grevë dhe duke përcjellë mesazhin në mënyrë të qartë dhe transparente.

 

"I ftoj të gjithë që të jenë aktivë në grevën gjithëpërfshirëse dhe që të qëndrojnë të gjithë së bashku kundër padrejtësisë dhe persekutimit", deklaroi Al-Qaradaghi.

 

Burimi: AA

XS
SM
MD
LG