Lidhje


“Vëllazëria jonë është e rrënjosur thellë” – Turqia rikonfirmon aleancën me Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

 

Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Kemal Memişoğlu, në pritjen për Ditën e Pavarësisë së Kosovës të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Ankara, ka deklaruar se dy vendet ndajnë "një histori të rrënjosur thellë, një kulturë të përbashkët dhe një frymë të fortë vëllazërie", raporton Anadolu.

 

Memişoğlu tha se Turqia krenohet që është një nga vendet e para që njohu Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë së saj në vitin 2008. Ai tha se Turqia krenohet që është një nga vendet e para që njohu Kosovën, e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin.

 

Memişoğlu theksoi se që nga ajo datë Turqia ka vazhduar me vendosmëri mbështetjen e saj për Kosovën në arritjen e pozicionit që i takon me të drejtë në arenën ndërkombëtare dhe se ajo ka kontribuar në përfaqësimin më të fortë të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

 

“Marrëdhëniet midis vendeve tona nuk kufizohen vetëm në lidhjet diplomatike. Ne ndajmë një histori të rrënjosur thellë, një kulturë të përbashkët dhe një frymë të fortë vëllazërie”, tha Memişoğlu.

 

Ai tha se qytetarët me origjinë nga Kosova që jetojnë në Turqi dhe komuniteti turk në Kosovë përbëjnë themelin më të fortë të lidhjeve historike dhe kulturore midis dy vendeve.

 

Ministri turk gjithashtu shprehu kënaqësinë për rolin konstruktiv të ndërmarrë nga turqit e Kosovës në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të Kosovës, si dhe vlerësoi kontributet e tyre në zhvillimin e vendit.

 

“Dihet mirë se ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Kosovë është me rëndësi kritike për paqen dhe stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit dhe Evropës. Me këtë rast, Marrëveshja për Bashkëpunim në Fushën e Shëndetësisë, e cila hapi rrugën për vendosjen e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona, u nënshkrua më 8 shtator të vitit 2009. Brenda fushëveprimit të kësaj marrëveshjeje, jemi të kënaqur të ofrojmë trajtim falas në Turqi çdo vit për 100 pacientë nga Kosova, kushtet e të cilëve nuk mund të trajtohen atje. Në takimet dhe kontaktet tona të fundit në lidhje me shëndetin, kemi ndarë përvojën e vendit tonë në 'Programin e Transformimit të Shëndetit' dhe vizionin tonë 'Shëndet Produktiv’ me miqtë tanë kosovarë”, deklaroi Memişoğlu.

 

- “Kemi vendosur një bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe të gjerë”

 

Më tej, Memişoğlu tha se si Turqi kanë vendosur një bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe të gjerë me Kosovën, jo vetëm në fushën e shëndetësisë, por edhe në fushat politike, ekonomike, ushtarake dhe kulturore.

 

Duke theksuar se marrja e komandës së forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) nga Turqia për herë të dytë, ashtu si në mandatin e parë do të kontribuojë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

 

“Për më tepër, ne mirëpresim pjesëmarrjen aktive të Kosovës në Platformën e Paqes në Ballkan, e cila u inicua me udhëzimet e presidentit tonë. Ne besojmë se kjo platformë ofron përfitime të konsiderueshme në mbajtjen e hapur të kanaleve të dialogut dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal”, tha Memişoğlu.

 

Ai gjithashtu theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Kosovën vazhdon në fushat e arsimit dhe kulturës përmes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe se projektet e përbashkëta kontribuojnë në ndihmën e të rinjve kosovarë për të ecur përpara me hapa më të fuqishëm drejt së ardhmes. Ai shtoi se Turqia do të vazhdojë të jetë një nga mbështetësit më të fortë të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit./AA


Mbreti Charles III uron 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

 

Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Mbreti Charles III sot në 16 shkurt i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke theksuar raportet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe duke riafirmuar përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.

 

Në letrën e tij, Mbreti Charles III shprehet se kjo ditë përbën një mundësi të veçantë për reflektim mbi historinë e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ai shpreh inkurajimin e tij për fuqinë e lidhjeve dypalëshe dhe thekson rëndësinë e ruajtjes së këtyre marrëdhënieve të forta edhe për dekadat e ardhshme.

 

“Kjo ditë shërben si një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi miqësinë e qëndrueshme midis vendeve tona. Jam thellësisht i inkurajuar nga fuqia e lidhjeve tona dypalëshe dhe mbetem i përkushtuar për të nxitur një bashkëpunim edhe më të ngushtë në vitet që vijnë. Ndërsa përballemi me sfidat e përbashkëta të kohës sonë, veçanërisht ato që lidhen me klimën dhe ruajtjen e botës sonë natyrore, shpresoj që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku për zgjidhje domethënëse dhe të qëndrueshme”,theksohet në mesazh.

 

Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla gjithashtu kanë përcjellë urimet e tyre për paqe, prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe solidaritetit në përballimin e sfidave globale.

 

Ky mesazh është gjithashtu një shenjë e qartë e përkushtimit britanik për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit dhe forcimit të institucioneve demokratike.

 

Ambasada Britanike në Kosovë ka publikuar këtë letër, duke nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe vazhdimësinë e dialogut politik dhe ekonomik midis dy shteteve, si dhe përkushtimin për të punuar së bashku në çështje globale si ndryshimet klimatike, ruajtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm.


Përplasje mes ministrit të Mbrojtjes së Kosovës dhe shefit të Ushtrisë së Serbisë: I papërgjegjshëm!

 

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka hedhur poshtë si të pavërteta, të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me realitetin në terren deklaratat e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilović, i cili ka pretenduar se ekziston rreziku që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të përdoret kundër popullsisë serbe në Kosovë.

 

Mojsiloviq ka deklaruar më 15 shkurt 2026 se armatosja e FSK-së, përpjekjet për ta transformuar atë në ushtri dhe synimi për t’iu bashkuar aleancave ushtarake janë në kundërshtim me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me Marrëveshjen Ushtarako-Teknike dhe me marrëveshje të tjera ndërkombëtare, duke shtuar se këto veprime nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet në rajon. Ai ka theksuar se, edhe pse FSK “në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet me Ushtrinë e Serbisë”, mbetet shqetësues potenciali që ajo të përdoret kundër popullsisë serbe në Kosovë.

 

Reagimi nga Prishtina ka qenë i menjëhershëm. Më 16 shkurt 2026, Maqedonci ka theksuar se FSK është një forcë profesionale, e ndërtuar sipas standardeve më të larta demokratike, dhe se fuqizimi dhe modernizimi i saj nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt. Sipas tij, kjo përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran dhe një domosdoshmëri për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në vend dhe në rajon.

 

Ministri ka nënvizuar se FSK vepron nën kontroll të plotë civil dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me obligimet ndërkombëtare. Ai ka shtuar se misioni i saj është dhe mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, pa dallim. Sipas Maqedoncit, narrativat që synojnë frikësimin e komuniteteve ose justifikimin e politikave destabilizuese nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet, ndërsa përgjegjësia për sigurinë kërkon maturi, respekt për realitetin dhe përkushtim ndaj paqes.

 

Tensionet janë ndërlidhur edhe me aleancën ushtarake të firmosur më 18 mars 2025 mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, nga ministrat Pirro Vengu, Ivan Anušić dhe Maqedonci. Kjo marrëveshje ka nxitur reagime të forta nga Beogradi.

 

Presidenti serb, Aleksandar Vučić, e ka cilësuar memorandumin si nisje të një “gare armësh”. Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka deklaruar se do të kërkojë shpjegime urgjente nga Shqipëria dhe Kroacia, duke pretenduar se dokumenti “minon stabilitetin rajonal”.

 

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i ka cilësuar reagimet e Serbisë si agresive dhe kërcënuese, si dhe shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.

 

Një zyrtar i NATO-s ka sqaruar se Aleanca nuk është palë në marrëveshjen trepalëshe dhe, si e tillë, nuk ka pasur rol në procesin e konsultimit, duke theksuar se Shqipëria dhe Kroacia janë kontribuues të stabilitetit rajonal përmes angazhimit në misionin e KFOR-it.


KOMENT / “Osmani u kërcënua nga prokurorët!” – Çfarë tregon deklarata e paprecedentë e Ramës në Prishtinë?

 

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri një deklaratë të fortë publike në lidhje me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

 

Duke folur në një aktivitet publik, Rama deklaroi se presidentja Osmani është kërcënuar për një periudhë dyvjeçare nga prokurorë, sepse – sipas tij – nuk ka lejuar “dhunimin e zyrës së institucionit të Presidentit”. Ai shtoi se kjo çështje “mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë”, por jo për të.

 

Deklarata e tij u bë në kontekstin e proceseve që lidhen me Gjykatën Speciale në Hagë dhe hetimet e saj ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Rama la të kuptohej se përplasja kishte të bënte me kërkesa ose veprime hetimore që, sipas interpretimit të tij, cenonin integritetin institucional të Presidencës.

 

Vizita e Ramës në Kosovë kishte karakter ceremonial dhe simbolik, por deklarata e tij zhvendosi vëmendjen publike nga festimet drejt një debati institucional mbi raportin mes Presidencës dhe strukturave të drejtësisë që lidhen me proceset e Hagës. Deri në momentin e publikimit, nuk ka pasur reagim zyrtar nga organet e drejtësisë lidhur me pretendimet e bëra.

 

Deklarata e Ramës ngre disa çështje të rëndësishme.

 

Së pari, nëse informacioni për të cilin ai foli ishte realisht i ndjeshëm ose i klasifikuar, atëherë publikimi i tij nga një lider i një shteti tjetër krijon problem protokollar dhe ngre pikëpyetje mbi sigurinë institucionale. Nëse nuk ishte i klasifikuar, atëherë përdorimi i termit “sekret shtetëror” përbën dramatizim politik.

 

Së dyti, termat “kërcënim” dhe “dhunim i zyrës” e paraqesin situatën si konflikt të rëndë mes Presidencës dhe strukturave të drejtësisë të lidhura me Gjykatën Speciale. Kjo e ndërkombëtarizon një çështje të brendshme dhe krijon perceptimin e tensionit institucional në Kosovë.

 

Së treti, në praktikën diplomatike, liderët zakonisht shmangin komentimin publik të çështjeve të ndjeshme të brendshme të një shteti tjetër. Edhe pse nuk ka provë për shkelje juridike ndërkombëtare, deklarata prodhon efekt politik dhe simbolik.

 

Së katërti, në planin e komunikimit strategjik, Rama pozicionohet si aktor që ka informacion të brendshëm dhe si mbrojtës i institucionit të Presidentit, duke ndërtuar autoritet përmes aksesit në informacion.

 

Në përmbledhje, deklarata e Ramës përbën një akt politik me peshë, që ekspozon publikisht një tension të pretenduar institucional dhe e vendos Shqipërinë në një rol aktiv në interpretimin e proceseve të brendshme të Kosovës, në një moment delikat kur kjo e fundit po përballet edhe me akuzat politike të Gjykatës Speciale


Takim Rama–Kurti në Prishtinë: Mesazh i fortë uniteti në prag të 17 Shkurtit?

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kosovë, në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së saj, ku u prit me ceremoni solemne nga homologu i tij, Albin Kurti, në ambientet e Qeverisë së Kosovës.

 

Takimi ndërmjet dy kryeministrave u zhvillua rreth orës 15:00 dhe zgjati për rreth një orë, pa konferencë për media pas përfundimit të bisedimeve.

 

Gjatë takimit, Kurti publikoi në rrjetet sociale se bisedimet u fokusuan në marrëveshjet bilaterale ndërmjet dy vendeve, mundësitë për zgjerimin e tyre, si dhe si t’u shërbehet më mirë qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror.

 

Ky takim vjen në një moment kur Kosova ka formuar qeverinë e re pas një krijimi të gjatë të saj pas zgjedhjeve, duke vendosur një bazë për bashkëpunim më të ngushtë politik dhe institucional me Tiranën.

 

Vizita e kryeministrit Rama përfshin gjithashtu takimin me presidenten Vjosa Osmani dhe pjesëmarrjen në aktivitete të tjera, ndërsa policia lokale ka siguruar masat e rendit dhe qetësisë gjatë zhvillimit të ngjarjeve të ditës.

 

Takimi u zhvillua në një atmosferë zyrtare, me qëllim thellimin e bashkëpunimit Ndërmjet dy qeverive dhe intensifikimin e marrëdhënieve Kosovë–Shqipëri, në prag të festës kombëtare të 17 shkurtit.

XS
SM
MD
LG