Ullinjtë në Berat mbeten në pemë për shkak të mungesës së krahut të punës, BIRN: Infrastruktura e rrënuar ua bën edhe më të vështirë mbijetesën

Berati është i njohur për prodhimin e vajit cilësor të ullirit, por fermerët po përballen me mungesë të krahut të punës, ndërsa infrastruktura e rrënuar ua bën edhe më të vështirë mbijetesën.
Theodhori Bello nga fshati Gjeroven, rreth 10 kilometra nga Berati, u kthye nga emigrimi i gjatë në Greqi për të investuar në kultivimin e ullirit. Por pasi derdhi kursimet e 27 viteve punë në emigrim për ngritjen e një fabrike moderne të prodhimit të vajit të ullirit, ai e gjeti veten para vështirësive që nuk i kishte menduar. Dy problemet kryesore sipas tij janë mungesa e rrugës dhe e krahut të punës.