Medreseja Isa Beu: 40 Vjet Histori, Suksese dhe Ndikim në Shoqërinë Shqiptare

Shkruan: Hamzi Ibraimi
Medreseja Isa Beu në Shkup, e themeluar para 40 vitesh, qëndron si një nga institucionet më të rëndësishme të edukimit fetar dhe arsimor në trevat tona. Ky institucion, që lindi si një nevojë për ruajtjen e vlerave islame dhe kulturore në rajon, ka qenë një vatër e dijes dhe e përkushtimit. Me kalimin e dekadave, Medreseja ka formuar një histori të ndritur dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën fetare, arsimore dhe shoqërore.
Medreseja Isa Beu ka pasur një mision të ndritur duke u bazuar në urdhrin hyjnor të shpalljes së parë: “Lexo, në Emër të Zotit tënd i cili krijoi” (Alek, 1). Ky urdhër thelbësor reflekton esencën e saj – përhapjen e dijes dhe ndriçimin shpirtëror përmes edukimit. Nga themelimi e deri më sot, Medreseja ka përmbushur këtë mision duke edukuar breza të tërë në frymën e mësimeve islame dhe vlerave universale.