Bojkoti i hurmave izraelite-Lidhja e Hoxhallarëve: Detyrim moral dhe fetar në mbështetje të Palestinës
Në prag të Ramazanit, kur në tregjet shqiptare shtohen llojet e ndryshme të hurmave si Medjool, Deglet Noor apo King Salomon, Lidhja e Hoxhallarëve ka dalë me një qëndrim të qartë lidhur me blerjen e produkteve që vijnë nga Izraeli.
Në një përgjigje zyrtare, institucioni thekson se në parim tregtia me jomyslimanët është e lejuar në Islam, duke sjellë si argument praktikën e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), i cili kishte kryer marrëdhënie tregtare me një hebre. Por, sipas tyre, ky parim ndryshon kur bëhet fjalë për palë që konsiderohen “armiq në luftë” (muharibin), duke iu referuar ajeteve kuranore dhe qëndrimeve të dijetarëve klasikë.
Sipas Lidhjes së Hoxhallarëve, shteti i Izraelit cilësohet si entitet pushtues mbi tokë që ata e konsiderojnë vakëf islam, përfshirë Kuds-in dhe Xhaminë Al-Aksa. Për këtë arsye, theksohet se blerja e produkteve izraelite përbën ndihmë të drejtpërdrejtë ekonomike ndaj një shteti që, sipas deklaratës, ushtron dhunë dhe padrejtësi ndaj palestinezëve.
Dokumenti përmend konsensusin e dijetarëve islamë ndër shekuj, si Imam Neveviu, Ibn Battali, el-Kasani dhe el-Kurtubi, të cilët ndalojnë tregtinë me armiqtë në luftë në rast se ajo i forcon ata kundër myslimanëve. Në këtë logjikë, ekonomia moderne shihet si një faktor kyç në mbështetjen e një shteti dhe, rrjedhimisht, blerja e produkteve të tij interpretohet si kontribut indirekt në konflikt.
Lidhja e Hoxhallarëve sjell në vëmendje edhe precedentin historik të bojkotit ekonomik në kohën e Profetit, si rasti i Thumame ibn Athalit, për të nënvizuar rolin e presionit ekonomik si mjet ndikimi politik.
Në përfundim, institucioni e konsideron bojkotin e produkteve izraelite si “minimumin e kontributit” që besimtarët mund të japin në mbështetje të palestinezëve, duke e cilësuar atë një detyrim moral dhe fetar. Deklarata mbyllet me formulimin tradicional: “Allahu e di më së miri.”