Ahmet Zogu – Versioni shqiptar i Ataturkut!
Përgatiti: Samuel Laze
Historia nuk është thjeshtë një shkencë e cila transmeton ngjarje nga e kaluara por është një kriter që na lë të kuptojmë klimën e fatit dhe njëkohësisht është një film që përsëritet, në të cilin nuk ndryshon asgjë përveç aktorëve, të cilët vetëm sa nëpërmjet rolit që zgjedhin të luajnë vënë në dukje aftësitë e tyre. Historia i ngjason problemave matematikore dhe nëse arrin të përdorësh formulën dhe logjikën e duhur, mund të bësh zgjidhjen e situatave që lidhen me aktualitetin.
Historia është një nga tri elementët identitet-formues dhe është për këtë arsye që shprehja “historinë e shkruajnë fitimtarët” gjen vend në çdo regjim i cili ecën në drejtim të kundërt me vullnetin e shoqërisë ku sundon.
Në çdo vend të botës shpesh-herë mund të ndodhë që të realizohen reforma, të cilat në princip synojnë përmirësimin e jetës sociale apo ekonomike të nënshtetasve por të fshish gjithçka nga e kaluara, të shkëputësh çdo lidhje me paraardhësit, të godasësh me topuzin e politikës mbi botëkuptimin e një kombi nuk është gjë tjetër veçse një shprehje e qartë e urrejtjes ndaj tij dhe ndaj vlerave të cilat ai komb është i lidhur. Një pasqyrim kulminant të kësaj urrejtje e vërejmë ndaj kombit shqiptar gjatë shek. XX ku edhe pse terreni ishte përgatitur më herët, thikën e parë pas shpine do ta ndjejë gjatë qeverisë kukull të Ahmet Zogut. Logjikisht mbretërit mund të bëjnë shumë gabime por nuk kanë asnjë arsye për ta tradhtuar vendin pasi sundimi do trashëgohet te bijtë e tyre dhe çdokush mendon për fëmijët e tij sado i lig që mund të jetë. Kur goditja vjen nga jashtë e armiku është i qartë, sado e fortë të jetë ajo goditje është e mundur që në një kohë shkurtër të ngrihesh sërish pasi nuk e humbet vetëdijen dhe për më tepër forcohet edhe më shumë lidhja me vlerat që beson. “Armiku të mban në këmbë”. Nisur nga kjo, për të përgatitur fillimisht terrenin psikologjik, komitetet e fshehta dhe shtetet kolonizatore imperialiste sjellin në pushtet nga mesi i shoqërisë njerëz me dobësi në karakter në mënyrë që t’i shërbejnë synimeve të tyre politike.
Në lojën e shahut sado ushtarë, kuaj apo oficerë (fil) të kesh, nëse mbreti kapet mat loja mbaron. Në të njëjtën mënyrë këto komitete i vunë syrin fëmijëve të bejlerëve shqiptarë, i edukuan, investuan në rritjen e tyre dhe më pas i përdoron për t’i nxirë jetën kombit me një atentat të posaçëm. Pa dyshimin më të vogël shekulli XX është shekulli i tradhtisë ndaj shqiptarëve! E njëjta gjë ndodh edhe në kohët e sotme ku po të vështrojmë me kujdes, e shumta dërmuese e klasës elitare të politikës është produkt i shoqatave e fondacioneve dhe sërish pjesa e popullit që gjendet ende në situatën e të sapodalit nga koma i zgjedh dhe i voton ata. Sa domethënëse është kjo fjalë e shairit nga Kosova Mehmet Aqifit:
“Thonë që historia veçse përsëritet, po të merrej mësim, a do të përsëritej vallë?”
Veçanërisht, nëse një skenar përsëritet në mënyrë identike në dy vende të ndryshme do të thotë që nuk është rastësi por një projekt i mirëfilltë. I tillë është rasti i Ahmet Zogut dhe Mustafa Qemal Pashait, dy personalitete të cilët u gjendën në krye të ekzekutivit përgjatë ndryshimeve radikale dhe operacionit të dhimbshëm që e dërgoi në koma vetëdijen kombëtare. Në këtë artikull do të paraqesim vetëm një peizazh të shkurtër, një shkrim në trajtën e “mesazhit telegrafik” që pasqyron një pjesëz nga panorama e projektit të “njeriut të ri” pasi për të nxjerrë në dritë filmin e shek. XX që është luajtur me shqiptarët nevojiten artikuj dhe mbase vëllime të veçanta për çdo pjesëz të kësaj panorame.
Principi qendror rreth të cilit do të vardiseshin të gjitha reformat e Ahmet Zogut ishte laiciteti, i cili edhe pse në themel prezantohej si distancim i shtetit nga legjislacioni religjioz, në realitetin social shqiptar u përdor si perde për të mbuluar shiringat e helmit komunist, të cilat do të nguleshin në damarin kryesor kombëtar dhe do ta përhapnin më pas atë helm në çdo enë të gjakut. Tashmë në dukje do kishim shqiptarë por helmi e bëri efektin për të cilin ishte përgatitur me aq kujdes dhe kjo trëndafilishte që e quajmë Shqipëri do të banohej nga “Njeriu i Ri” projekti më i rrezikshëm i cili nuk kishte as kujtime nga e shkuara dhe as shpresë për të ardhmen, ndërsa botën e shihte me syzet e filozofisë pozitiviste që është baza e komunizmit dhe çdo sistemi tjetër materialist.
Ishte pikërisht regjimi diktatorial i Zogut që përgatiti terrenin psikologjik për Enver Hoxhën, i cili pasi e gjeti popullin në narkozë dhe të kushtëzuar nga komplekset filloi të luajë rolin që i kishin caktuar….
Pyetje: Si mund t’i ketë hapur rrugën Enver Hoxhës, kur dihet që A. Zogu ishte armik i komunistëve?
Përgjigje:
Së pari: Ashtu sikurse në një garë me tre makina, përplasja mes makinës A dhe B i jep fitoren makinës C ashtu edhe në realietin tonë, goditja fatale që i shkaktoi A. Zogu Islamit, herë nën perden e modernitetit e herë nën perden e nacionalizmit, i mundësoi komunistëve pushtetin absolut.
Së dyti: Komunizmi nuk luftohej me nacionalizëm (!) siç bëri Ahmet Zogu, pasi komunistët nuk e mohojnë konceptin e kombit, por i ngjiten si mikrob deri sa e dërgojnë në gjendje kome. Botëkuptimi i vetëm në Shqipëri që imunizonte mendjen, shpirtin dhe trupin e kombit shqiptar ndaj mikrobit të kuq, ishte sistemi dualist Islam.
***
Kështu, përgjatë sundimit të tij disa nga ndryshimet do të ishin:
– ndërhyrje shtetërore në mënyrën se si njerëzit duhet të visheshin. Ligji i vitit 1937 caktonte gjobë dhe dënim me burg për meshkujt me veshje civile (a la frënga) që nuk vendosnin kapele republike. Në raportin justifikues thuhej se kjo iniciativë bëhej për të ndrequr “mentalitetin e gabuar që ishte si rrjedhojë e rrethanave shoqërore dhe fetare”[1] Ylemaja e Islamit – në kushtet e kohës – vendosjen e kapelës a la frënga e cilësonte qyfyr[2] pasi streha që kishte përpara mbarte kuptimin “unë nuk i përulem në sexhde Zotit”[3]. Gjithashtu ndalimi i fesit synonte shkëputjen me të kaluarën perandorake duke e cilësuar si një “periudhë të mbrapshtë”
Foto 01: Ushtria shqiptare me fes në kokë (Foto para reformave)
– propaganda dhe presionet sistematike për heqjen e shamisë. Edhe pse në fillim ligji për ndalimin e mbulimit të fytyrës [4]që erdhi si rezultat i një propagande të fuqishme 10 vjeçare dukej “i pafajshëm” dhe gjeti aprovimin e K.M.SH i cili në lidhje me këtë bëri një deklaratë ku shprehej se nuk ishte farz[5], synimi ishte ushtrimi i presionit që vajzat shqiptare të visheshin jo sipas dëshirës së tyre por sipas planit të establishmentit dhe një nga pretekstet më qesharake ishte cilësimi si shkak i prapambetjes. A thua regjimi zogollian kishte shpikur ndonjë avion të fundit dhe i kishte ngecur helika te velloja e bardhë, e hollë elegante që vajzat e reja shqiptare (siç ishte “moda” e kohës) lëshonin lehtësisht dhe pjesërisht mbi fytyrë. Heqjen e shamisë Ahmet Zogu e filloi me motrat e tij. Gjithashtu princeshat ishin të parat që dolën me rroba plazhi në bregdet duke shkaktuar kështu një reaksion të madh në opinionin publik. Ndalimi i mbulimit të fytyrës ka ndodhur edhe gjatë kohës së Sulltan Abdylhamidit II. Kjo masë erdhi për të parandaluar infiltrimet e agjenturave të cilat vellon (sot në media e quajnë perçe apo burkë. Këto terma të huaj për shqiptarët përdoren me kast për të krijuar një kushtëzim psikologjik kolektiv) e përdornin si perde për agjendat e tyre (ashtu sikurse në ditët e sotme disa zonja e përdorin shaminë për të mbuluar llumin e politikës). Ndërsa ligji zogollian në një plan afatgjatë dhe propagandistik synonte heqjen totale të veshjeve tradicionale shqiptare dhe duke qenë se natyra nuk pranon vakum, këtë boshllëk të krijuar prej tyre do ta zëvendësonte më vonë “morali komunist” . Kështu gjatë regjimit të A Zogut ferexheja u kthye në një “turp” duke u përjashtuar totalisht nga jeta publike, duke filluar që nga ndalimi i vajzave me shami për tu arsimuar – në atë kohë përveç ndonjë përjashtimi të vogël, të gjitha vajzat mbanin shami - e deri te gjobitja e kërcënimi për zonjat që shkonin në treg me ferexhe. (Duke qënë se çështjen e shamisë do ta trajtojmë në një artikull të veçantë po mjaftohemi me kaq.)
Tirana në citin 1933
Ahmet Zogu dhe motrat e tij princesha
Mbreti Zog në plazh
– ndalimi nga përdorimi zyrtar i fjalëve që buronin nga Kur’ani. Duke qenë se do shkaktonte një reaksion popullor fjalët me burim nga Kur’ani (të cilat ishin me natyrë terminologjike dhe nuk kishin një përkthim të drejtpërdrejtë në shqip) duke i cilësuar si “fjalë tyrqisht” [6] u ndaluan rreptësishtë nga përdorimi zyrtar dhe në emër të atdhedashurisë (!) u zëvendësuan me fjalë a la frënga (kryesisht italiane) apo fjalë inekzistente që i ujdisën sihirbazët e kohës. Synimi ishte shkëputja nga botëkuptimi Islam që në vetvete është sistem dualist, i cili trajton në mënyrë të unifikuar materialen dhe shpirtëroren, dynjanë dhe ahiretin duke i parë si një dhe të pandara dhe zëvendësimi me pozitivizmin që e kufizon njeriun në 5 shqisa si një botëkuptim i një anshëm që është (në filozofi njihen si teori moniste). Sot, të gjitha krimet, vrasjet, vjedhjet, degjenerimet, droga dhe çdo gjë që nga natyra njerëzore shihet si e shëmtuar kanë si burim krizën e ndërgjegjes e cila është rezultat i kësaj filozofie. Një pjesë e madhe e njerëzve që bien në këtë batak janë kurban i establishmentit anti-human por fatkeqësisht kur ne shohim një njeri me vese (si bixhozi, alkooli, droga etj.) gjithmonë nisemi vetëm me kritikë duke mos treguar aspak empati dhe duke i parë me syrin e xhelatit e jo të doktorit. Doktori nuk nxehet me pacientin e tij pasi askush nuk e dëmton vetveten duke qenë koshient. Të shikosh personin që ke përballë ashtu sikurse doktori sheh pacientin (duke iu qasur me dhembshuri dhe mëshirë) në Islam është shkencë më vete. Kjo shkencë emërtohet si tasavvuf.
….
– mbyllja e të gjitha shkollave private. Jo vetëm që i privuan nxënësit nga mësimi i besimit të tyre në shkollat shtetërore por ndaluan edhe kontributin e qytetarëve në komunitetin e tyre. Ky është një manifestim tjetër i shfaqjes së urrejtjes. Ndërsa propaganda ateiste po merrte një hov të madh dhe kishte gjithë mbështetjen e nevojshme…
– U hoqën nga përdorimi zyrtar titujt[7]: bej, pasha, aga, efendi, hanëm etj…U ndryshua kalendari hixhri dhe rumi me kalendarin gregorian, u zëvendësua ora e cila shënonte 12:00 kur hynte vakti i akshamit, me sistemin 24 orarësh që përdorim sot, u ndryshua njësia matëse e peshës nga okë në kg dhe njësia matëse e gjatësisë nga kut në metro. Dita e pushimit zyrtar u kthye nga e premtja në të djelë, nxënësit dhe nëpunësit u privuan me orarin e ri për të falur namazin e xhumasë. U njoh si institucion zyrtar Kryqi i Kuq në vend të Gjysmëhënës së Kuqe. U abrogua përshëndetja zyrtare e dhënies së selamit. Një numër i madh xhamish u mbyll duke u cilësuar si të panevojshme, u bë një përpjekje masive sistematike për mbylljen e medreseve dhe si rezultat Shqipëria përfundoi vetëm me Medresenë e Tiranës, edhe kjo nën kontrollin e regjimit…
Teksa mbaronin punë me të gjallët, nuk linin rehat as të vdekurit. Kështu së bashku me masakrat ndaj vakëfeve – të cilat ishin të mira publike, të paprekshme, të patjetërsueshme, të lidhura me një qëllim të caktuar dhe lënë si amanet nga individë të ndryshëm për hatër të Zotit – nuk u mjaftuan as me to por shkatërruan tërësisht edhe varret e të parëve, paturpësisht me arsyetimin absurd (muhal) se i prishnin bukurinë qytetit!
“Drejt Qytetrimit
Ministri i P. Mbrëndshme urdhnon bashkitë:
Ini të porositun që me të marunit e këtij urdhni të prishni e të sheshoni gjith vorezët që ndodhen mbrenda në qytetin tuaj dhe tash e mbrapa të mos varonet kurkush mbrënda në qytet. Vorezat do të jenë gjith kundi jashta qytetevet.
Ahmet Zogu”
Gazeta Zyrtare, Viti 1922, fq. 10
***
[1] A.Q.SH, F.149-VI-633-027
[2] Qyfyr: e kundërta e imanit, në fjalor ka kuptimin “të mbulosh të fshehësh, të jesh mosmirënjohës” ndërsa si term do të thotë të mos besosh kumtimet që Allahu ka dërguar nëpërmjet Hazreti Pejgamberit (a.s) Shih. TDV İslam Ensiklopedisi – në gjuhën shqipe fjala qyfyr mbart edhe kuptimin e talljes apo humorit (po bënin qyfyre…)
[3] Sorularla İslamiyet, Şapka giymenin hükmü nedir?
[4] A.Q.SH,F.149-VI-633-021
[5] A.Q.SH, F.149-VI-633-003
[6] A.Q.SH, F.149-VI-98-001
[7] Ali Musa Basha, Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri (1912-1967), fq. 31 vd.