Tabelat / Zbardhen detyrimet e reja të taksës së ndërtesës për 119 zonat kadastrale në rrethe
Pavarësisht rritjes së çmimeve të referencës për shitblerjen e apartamenteve të propozuara nga Ministria e Financave, qytetarët e bashkive të Fushë-Arrëzit, Bajram Currit, Vaut të Dejës e më tutje e Çorovodës, Kuçovës apo Klosit do të vijojnë të paguajnë më pak detyrim për taksën e ndërtesës së banimit sesa qytetet e tjera.
Me më tepër detyrime do të ngarkohen banorët e qyteteve turistike, përshirë Durrësin dhe zonat përreth tij, të Himarës, Radhimës dhe Lungomares në Vlorë, Konispolit dhe të Sarandës. Teksa detyrim më të lartë për zonat urbane pritet të ketë për banorët e qytetit të Korçës, zonës së Kamzës, e ndjekur nga qytete si Fieri dhe Shkodra.
“Monitor” zbardh llogaritjet se sa do të rritet detyrimi për taksës e ndërtesës së banimit për 119 zonat kadastrale në 12 qarqet e vendit, pas ndryshimeve të propozuara për rritjen e çmimeve të referencave.
Bazuar në metodologjinë e llogaritjes së taksës së ndërtesës, rezulton se në rang vendi, detyrimet për familjarët në rrethe do të rriten në të njëjta nivele me referencat.
Pra nga 0,2% që do të jetë rritja më e ulët e detyrimit për familjet në Pogradec, deri në 224% që do të jetë niveli më i lartë i rritjes së detyrimit, për banorët që do të banojnë në ishullin e Sazanit.
Deri tani ishulli i Sazanit, nuk ka qenë i banueshëm. Ky i fundit përfshihet për herë të parë si zonë kadastrale në hartën e metodologjisë për llogaritjen e taksës së ndërtesës, pas prezantimit për zhvillimin e projektit rezidencial nga kompania Affonity Partners e sipërmarrësit Jared Kushmer, dhëndri i Presidentit Donald Trump.