Fundi i karrierës politike të Marine Le Pen?

Pas një vendimi gjyqësor për shpërdorim të parave publike populistja e djathtë Marine Le Pen përjashtohet nga gara presidenciale më 2027 në Francë. Ende nuk janë të qarta të gjitha pasojat e vendimit gjyqësor.
Mëngjesin e së hënës (31.03.2025) në Paris u vendos të paktën tani për tani e ardhmja politike për Marine Le Pen. Gjykata Penale në ndërtesën moderne të kryeqytetit frances shqiptoi vendimin: Për pesë vitet e ardhshme politikania e djathtë nacionaliste me shumë popullaritet nuk do të lejohet të kandidojë për poste politike. Vendimi ka efekt veprimi të menjëhershëm.
Kjo nënkupton fundin e ambicjeve politike të saj, për të pasuar më 2027 presidentin francez Emmanuel Macron. Ndërkohë që në sondazhet e fundit për zgjedhjet e ardhshme presidenciale ajo kryesonte. Tri herë Marine Le Pen ka kandiduar për postin më të lartë në Francë, herën e katërt ajo nuk do të mund të kandidojë, të paktën jo më 2027.
Bashkë me një dyzinë të akuzuarish të tjerë, që punojnë për partinë “Rassamblement National (RN)”, Marine Le Pen u gjet fajtore për shpërdorim të parave publike.
Konkretisht në akuzë bëhej fjalë për punësime të rreme të punonjësve parlamentarë në Parlamentin e BE-së, të cilët në fakt tërësisht ose pjesërisht kanë punuar për partinë në Francë. Qëllimi nuk ka qenë përfitimi personal i së akuzuarës, por “përfitimi i partisë”, theksoi kryegjyqtarja gjatë shqiptimit të vendimit.