Njeriu që u shtri para tankut, gruaja që sfidoi armët dhe babë e bir që nuk u kthyen më: Heronjtë e15 Korrikut në Stamboll
Natën e 15 korrikut 2016, Stambolli u kthye në një nga arenat vendimtare të tentativës për grusht shteti në Turqi. Tanket dolën në rrugë, urat mbi Bosfor u bllokuan dhe njësi ushtarake tentuan të merrnin nën kontroll pika strategjike, nga Aeroporti Atatürk te Bashkia e Stambollit në Saraçhane.
Por përballë tyre dolën edhe qytetarë të zakonshëm. Disa mbijetuan dhe u njohën si veteranë të rezistencës; të tjerë humbën jetën dhe sot përkujtohen në Turqi si dëshmorë të 15 Korrikut. Në dhjetëvjetorin e ngjarjes, historitë e tyre mbeten ndër dëshmitë më të fuqishme të asaj nate. Autoritetet turke bëjnë përgjegjëse për tentativën për grusht shteti organizatën FETO.
Metin Doğan, njeriu që u shtri përpara tankut
Një nga fotografitë më ikonike të 15 Korrikut u shkrep në hyrje të Aeroportit Atatürk. Në të shihet Metin Doğan, i shtrirë përtokë, përpara zinxhirëve të një tanku.
Doğan tregoi më pas për Anadolu Agency se, sapo pa mjetet e blinduara, vrapoi drejt tyre duke u bërtitur ushtarëve: “Unë jam ushtar turk, po ju ushtarët e kujt jeni?”. Kur tanku nisi të lëvizte, ai u shtri pranë zinxhirit të tij, duke e detyruar mjetin të ndalonte.
Pamja e një qytetari të paarmatosur përballë një tanku u shndërrua menjëherë në një nga simbolet më të forta të rezistencës civile të asaj nate.
Safiye Bayat, gruaja që doli e vetme përballë ushtarëve në urë
Në Urën e Bosforit, që sot mban emrin Ura e Dëshmorëve të 15 Korrikut, një tjetër histori mori përmasa simbolike.
Safiye Bayat, nënë e tre fëmijëve, shkoi në urë sapo mësoi se aty ndodheshin ushtarë të përfshirë në tentativën për grusht shteti. Ajo iu afrua forcave të armatosura dhe u përpoq t’i bindte të ndalonin. Sipas rrëfimit të saj për Anadolu Agency, një prej ushtarakëve qëlloi pranë fytyrës së saj, por ajo refuzoi të tërhiqej. Më vonë, ndërsa përpiqej të ndihmonte të plagosurit, Bayat u qëllua në këmbë.
Në Turqi, ajo u njoh si një nga figurat simbol të rezistencës në urë dhe si një prej të plagosurve të 15 Korrikut.
Şerife Boz, gruaja që mori kamionin dhe u nis drejt Taksimit
Şerife Boz u bë një tjetër nga figurat më të njohura të asaj nate. Pasi mësoi për tentativën për grusht shteti, ajo mori një kamion dhe u nis në rrugët e Stambollit, duke transportuar qytetarë drejt zonave ku po zhvillohej rezistenca.
Në një prej rrëfimeve të saj, Boz kujton se pa njerëz të rreshtuar për të blerë bukë dhe u tha: “Mund të jetohet pa bukë, por nuk mund të jetohet pa atdhe”. Sipas saj, brenda pak çastesh kamioni u mbush me njerëz që donin të dilnin në rrugë.
Fotografitë e saj në timonin e kamionit u kthyen në një nga imazhet më të njohura të 15 Korrikut.
Halil Kantarcı, nga Çengelköy drejt përballjes së fundit
Në Çengelköy, një nga zonat ku pati përplasje të rënda, Halil Kantarcı, 37 vjeç dhe baba i tre fëmijëve, doli nga shtëpia pasi mësoi për tentativën për grusht shteti.
Ai u qëllua gjatë përballjeve me forcat puçiste dhe humbi jetën. Vëllai i tij do të deklaronte më pas për Anadolu Agency se Halil Kantarcı kishte “luftuar gjithë jetën kundër puçistëve”, duke iu referuar edhe përvojave të tij politike dhe burgimit në vitet e mëparshme.
Emri i Kantarcıt iu dha më pas edhe një parku, ndërsa historia e tij vazhdon të përkujtohet në ceremonitë kushtuar 15 Korrikut.
Erol dhe Abdullah Tayyip Olçok, babë e bir që u vranë në urë
Ndër historitë më tragjike të asaj nate është ajo e Erol Olçok dhe djalit të tij adoleshent, Abdullah Tayyip Olçok.
Babë e bir dolën kundër tentativës për grusht shteti dhe shkuan drejt Urës së Bosforit. Të dy u vranë gjatë të shtënave ndaj qytetarëve. Abdullah Tayyip ishte vetëm 16 vjeç dhe ishte ndër viktimat më të reja të 15 Korrikut. Në urë atë natë u vranë 34 persona.
Historia e tyre u kthye në një nga simbolet më të dhimbshme të asaj nate: një baba dhe djali i tij dolën së bashku nga shtëpia për të kundërshtuar grushtin e shtetit dhe nuk u kthyen më.
Prof. Dr. İlhan Varank, akademiku që humbi jetën në Saraçhane
Mes qytetarëve që dolën në rrugë ishte edhe Prof. Dr. İlhan Varank, pedagog dhe drejtues departamenti në Universitetin Teknik Yıldız.
Pasi mësoi për zhvillimet, ai shkoi fillimisht në Vatan Caddesi dhe më pas në Saraçhane, ku forcat puçiste kishin tentuar të merrnin kontrollin e Bashkisë së Stambollit. Varank u qëllua dhe humbi jetën pranë ndërtesës së bashkisë. Në përleshjet e zhvilluara në atë zonë u vranë disa qytetarë, ndërsa emri i tij u bë një nga simbolet e rezistencës në Saraçhane.
Dhjetë vjet më vonë, emrat e Metin Doğan, Safiye Bayat, Şerife Boz, Halil Kantarcı, Erol dhe Abdullah Tayyip Olçok dhe İlhan Varank vazhdojnë të jenë pjesë e kujtesës publike të 15 Korrikut në Turqi.
Historitë e tyre kanë një element të përbashkët: nuk ishin ushtarë të dërguar në një betejë, por qytetarë që atë natë morën vendimin individual për të dalë nga shtëpitë dhe për t’u përballur me tanket, armët dhe rrezikun e vdekjes. Kjo është arsyeja pse, në rrëfimin publik turk për 15 Korrikun, ata mbeten ndër fytyrat më të njohura të natës që ndryshoi historinë moderne të vendit.