Lidhje


Macron: Aeroplanmbajtësja bërthamore "Charles de Gaulle" po drejtohet për në Lindjen e Mesme

 

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka urdhëruar dërgimin e aeroplanmbajtëses Charles de Gaulle në Mesdhe.

 

Macron e tha këtë në një fjalim drejtuar popullit në sfondin e përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme.

 

“Franca nuk mund të justifikojë veprimet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit, të cilat janë shkelje e së drejtës ndërkombëtare”, vuri në dukje Macron.

 

Macron theksoi se konflikti, i cili filloi me sulme ndaj Iranit, tani po përhapet në të gjithë rajonin, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë.

 

Anija ndodhej në Detin Baltik për ushtrime të NATO-s. Macron shtoi se Franca do të dërgojë sisteme raketash dhe anti-dronë, si dhe fregatën Languedoc, në bregdetin e Qipros për të forcuar mbrojtjen e ishullit.

 

“Po punojmë për krijimin e një koalicioni që do të bashkojë potencialin e nevojshëm ushtarak për të rivendosur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, theksoi Macron.


Mbërrin në Qipro "bisha" britanike - Anglia, Franca dhe Greqia forcojnë mbrojtjen pas sulmit me dronë iranianë

 

Tensionet në Mesdheun Lindor janë rritur ndjeshëm pas sulmit me dronë ndaj bazës ajrore britanike RAF Akrotiri në Qipro, një territor sovran britanik në ishull. Sipas raportimeve të Reuters, CNA dhe mediave britanike, një dron i tipit iranian Shahed goditi pistën e bazës duke shkaktuar dëme të kufizuara, ndërsa dy dronë të tjerë u interceptuan. Autoritetet qipriote vlerësojnë se droni mund të jetë lëshuar nga Libani nga grupi Hezbollah i mbështetur nga Irani. Ngjarja çoi në evakuimin e qindra civilëve në zonat pranë bazës.

 

Si përgjigje, kryeministri britanik Keir Starmer konfirmoi se Mbretëria e Bashkuar do të forcojë praninë ushtarake në rajon. Londra do të dërgojë shkatërruesin e tipit 45 HMS Dragon – e vetmja anije në arsenalin britanik me aftësi për të rrëzuar raketa balistike – si dhe helikopterë me kapacitete kundër-dronësh. Anija është ankoruar në Portsmouth dhe pritet të mbërrijë në rajon brenda pesë deri në shtatë ditësh. Starmer deklaroi se Britania “do të veprojë gjithmonë në interes të Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve tanë”.

 

Franca po ashtu ka reaguar menjëherë. Sipas zyrtarëve qipriotë dhe konfirmimeve nga Reuters, presidenti Emmanuel Macron informoi homologun e tij Nikos Christodoulides se Parisi do të dërgojë sisteme anti-raketore, sisteme kundër-dronëve dhe një fregatë në Qipro, me një fregatë të dytë që pritet së shpejti. Shtabi i Përbashkët i ushtrisë franceze deklaroi se po vepron në koordinim me partnerët rajonalë për të kontribuar në stabilitetin e rajonit, në përputhje me marrëveshjet ekzistuese të mbrojtjes.

 

Edhe Greqia ka ndërmarrë hapa konkretë. Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, gjatë një vizite në Nikosia, deklaroi se Athina do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Qipros “në çdo mënyrë”. Katër avionë luftarakë F-16 janë dërguar në ishull, ndërsa dy fregata greke – njëra e pajisur me sistemin kundër-dronë “Centauros”, i përdorur më parë kundër sulmeve të rebelëve Houthi në Detin e Kuq – janë në lëvizje drejt zonës.

 

Qipro, e cila ka kapacitete modeste mbrojtëse dhe nuk disponon forcë ajrore, është gjendur papritur në qendër të përshkallëzimit rajonal pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjeve të Teheranit. Mbështetja e koordinuar e Britanisë, Francës dhe Greqisë sinjalizon një përpjekje të qartë për të parandaluar zgjerimin e konfliktit dhe për të forcuar mburojën mbrojtëse në Mesdheun Lindor.


“Synimi, përshpejtimi i prodhimit të armëve”, Reuters: Takim kritik i shefave të Mbrojtjes në Shtëpinë e Bardhë

 

Administrata e presidentit Donald Trump pritet të takohet të premten në White House me drejtuesit e kompanive më të mëdha amerikane të mbrojtjes për të diskutuar përshpejtimin e prodhimit të armëve. Lajmi u raportua nga Reuters, duke cituar pesë burime me njohuri mbi planin. Në takim janë ftuar kompani si Lockheed Martin dhe RTX Corporation, kompania mëmë e Raytheon, si dhe furnizues të tjerë kryesorë të industrisë së mbrojtjes.

 

Takimi vjen në një moment kur Pentagon po punon për të rimbushur rezervat e armëve, pas konsumit të konsiderueshëm të municioneve në operacionet e fundit ushtarake, përfshirë sulmet ndaj Iranit. Sipas burimeve, administrata synon të ushtrojë presion mbi prodhuesit për të rritur ritmin e prodhimit.

 

Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, SHBA-të kanë përdorur miliarda dollarë në sisteme artilerie, raketa dhe municione të tjera. Konflikti i fundit me Iranin ka përfshirë përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, përfshirë raketat lundruese Tomahawk dhe avionët luftarakë F-35.

 

Ndërkohë, zëvendëssekretari i Mbrojtjes, Steve Feinberg, po udhëheq përgatitjen e një kërkese shtesë buxhetore prej rreth 50 miliardë dollarësh për të mbuluar zëvendësimin e armëve të përdorura në konfliktet e fundit. Shuma mbetet paraprake dhe mund të ndryshojë.

 

Raytheon ka nënshkruar një marrëveshje të re me Pentagonin për të rritur prodhimin e raketave Tomahawk në 1,000 njësi në vit. Aktualisht, Pentagoni planifikon të blejë 57 raketa deri në vitin 2026, me një kosto mesatare prej 1.3 milion dollarësh secila.

 

Presidenti Trump ka shtuar presionin ndaj kontraktorëve të mbrojtjes që të përqendrohen më shumë në prodhim sesa në shpërndarjen e fitimeve për aksionarët. Në janar, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të identifikuar kompanitë që nuk po përmbushin pritshmëritë. Kompanitë e listuara do të kenë 15 ditë kohë për të paraqitur plane korrigjuese; në të kundërt, Pentagoni mund të ndërmarrë masa, përfshirë ndërprerjen e kontratave.


Zbardhet telefonata sekrete që ndezi luftën - Si vendosën Trump dhe Netanyahu të godasin Khamenein në sulm fatal?

 

Një telefonatë sekrete mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump më 23 shkurt rezultoi momenti vendimtar që çoi në shpërthimin e luftës kundër Iranit, raporton Axios, duke cituar tre burime të informuara mbi bisedën.

 

Sipas raportimit, Netanyahu i dha Trumpit një informacion tronditës: Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, dhe këshilltarët e tij më të afërt do të mblidheshin të shtunën në mëngjes në një vend të caktuar në Teheran – një objektiv që mund të goditej me një sulm të vetëm ajror shkatërrues. Telefonata, e mbajtur e fshehtë nga Shtëpia e Bardhë dhe e pa raportuar më parë, i dha përgjigje pyetjes që shtrohej ndërkombëtarisht: pse tani?

 

Burimet thanë se Trump kishte shqyrtuar prej kohësh mundësinë e një sulmi ndaj Iranit, por nuk kishte vendosur për kohën. Informacioni mbi vendndodhjen e Khameneit dhe rrethit të tij të ngushtë u konsiderua një mundësi që as ai dhe as Netanyahu nuk donin ta humbnin.


Telefonata ishte kulmi i muajve të koordinimit mes dy liderëve. Ata ishin takuar dy herë dhe kishin zhvilluar 15 biseda telefonike në dy muajt para nisjes së luftës. SHBA dhe Izraeli kishin shqyrtuar mundësinë e sulmit një javë më herët, por e kishin shtyrë për arsye inteligjence dhe operative, përfshirë kushtet e motit.

 

Një vlerësim fillestar i CIA, i urdhëruar nga Trump, konfirmoi informacionin e mbledhur nga inteligjenca ushtarake izraelite për praninë e Khameneit në takim. Deri të enjten para sulmit, agjencia kishte “konfirmuar plotësisht” se objektivat do të ishin të gjithë në të njëjtin vend.

 

Të premten në orën 15:38, Trump dha urdhrin përfundimtar për sulmin. Njëmbëdhjetë orë më vonë, bombat ranë mbi Teheran. Ajatollah Ali Khamenei u vra dhe lufta në Lindjen e Mesme kishte nisur.

 

Sipas Axios, Trump kishte dashur të vepronte edhe më herët, madje në fillim të janarit, por Netanyahu kishte kërkuar shtyrje për të ndërtuar mbështetje publike dhe për të koordinuar më mirë operacionin. Plani fillestar parashikonte fundin e marsit ose fillimin e prillit, por zhvillimet e inteligjencës dhe shqetësimet për situatën në Iran përshpejtuan afatin.

 

Administrata amerikane u gjend në një situatë të papritur, duke u detyruar të justifikonte publikisht sulmet pasi ato kishin ndodhur tashmë. I pyetur pse nuk kishte plan evakuimi, Trump u përgjigj: “Sepse gjithçka ndodhi kaq shpejt.”


Rubio ndryshon versionin: Sulmet nisën ngaqë dështuan negociatat me Iranin!

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të martën se presidenti Donald Trump vendosi të ndërmarrë sulme ndaj Iranit pasi arriti në përfundimin se negociatat me Teheranin nuk do të jepnin rezultat.

 

Duke folur para gazetarëve, Rubio tha se vendimi u mor pasi presidenti besonte se SHBA-të po “mashtroheshin” në procesin negociues dhe se kërcënimi nuk mund të tolerohej më. “Pasi presidenti vendosi se negociatat nuk do të funksiononin, se po mashtroheshim në negociata dhe se ky ishte një kërcënim që nuk mund të tolerohej, u mor vendimi për të sulmuar”, tha Rubio. “E thashë këtë dje. Dhe ju duhet ta tregoni.”

 

Deklarata shënon një ndryshim në theksin e arsyetimit publik të administratës. Të hënën, gjatë një tjetër komunikimi me mediat, Rubio nuk përmendi dështimin e negociatave bërthamore SHBA–Iran si arsye kryesore të sulmit. “Presidenti mori një vendim shumë të mençur”, ishte shprehur ai një ditë më parë, duke theksuar se Uashingtoni kishte dijeni për veprime të mundshme izraelite dhe për rrezikun e sulmeve ndaj forcave amerikane. Sipas tij, veprimi paraprak ishte i nevojshëm për të shmangur viktima të mundshme.

 

Të martën, Rubio argumentoi se reagimi amerikan kishte të bënte më shumë me kohën e operacionit sesa me ndryshim qëndrimi për qëllimin e sulmit, ndërsa shmangu të përsëriste se planet e Izraelit kishin ndikuar drejtpërdrejt në vendimin final të SHBA-së.

XS
SM
MD
LG