Iz.raeli kërcënon Turqinë, por Ankaraja sfidon diktatin e Tel Avivit në Siri
Tensionet mes Izraelit dhe Turqisë po rriten për shkak të zhvillimeve ushtarake në Siri, ku Tel Avivi po përpiqet t’i imponojë Ankarasë kufij mbi praninë e saj, ndërkohë që vetë ushtria izraelite vazhdon të godasë objektiva brenda territorit sirian.
Paralajmërimi ndaj Turqisë erdhi pak ditë pasi Izraeli sulmoi bazën ajrore Abu al-Duhur, në veriperëndim të Sirisë. Sulmi shkaktoi dëme materiale, por nuk u raportua për viktima. Tel Avivi pretendon se baza po përgatitej për t’u përdorur nga forcat turke, pretendim që Ankaraja dhe Damasku e kanë mohuar.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, akuzoi presidentin Rexhep Tajip Erdogan se po e përfshin Turqinë në “aventura të rrezikshme” dhe paralajmëroi Ankaranë të mos vërë në provë vendosmërinë e Izraelit. Por deklaratat e tij vijnë në një kohë kur është pikërisht Izraeli ai që po kryen sulme ushtarake brenda Sirisë dhe po përpiqet të përcaktojë se cilat vende mund të bashkëpunojnë me Damaskun.
Edhe zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu e lidhi përplasjen me mundësinë e vendosjes së trupave turke në Siri, duke pretenduar se po ndryshohet “status quo-ja” e sigurisë. Në thelb, Tel Avivi kërkon të ruajë lirinë e pakufizuar të veprimit të ushtrisë së tij në hapësirën siriane dhe e sheh forcimin e shtetit sirian si pengesë për këtë strategji.
Turqia, nga ana tjetër, është shfaqur si një nga mbështetëset kryesore të qeverisë së presidentit Ahmed al-Sharaa. Ankaraja po kontribuon në trajnimin dhe rindërtimin e forcave të armatosura siriane, me synimin e deklaruar për stabilizimin e vendit dhe forcimin e institucioneve shtetërore.
Pikërisht kjo perspektivë shqetëson Izraelin. Një Siri me institucione funksionale, ushtri të rindërtuar dhe mbështetje të fuqishme rajonale do ta kufizonte aftësinë e Tel Avivit për të goditur territorin sirian pa pasoja dhe për të diktuar i vetëm ekuilibrat e sigurisë në rajon.
Kështu, përplasja nuk lidhet vetëm me praninë e mundshme turke. Ajo lidhet me përpjekjen e Izraelit për të ruajtur epërsinë dhe lirinë e tij ushtarake në Siri, përballë një Turqie që kërkon të zgjerojë bashkëpunimin me Damaskun dhe të luajë rol përcaktues në rindërtimin e vendit.