Lidhje


Vrasja e babait, UDB-ja dhe “Top Secret 2”: Dosja Sheholli që të çon përsëri te Serbia

 

Rasti i Fatmir Shehollit po lexohet në Shqipëri kryesisht përmes një dokumenti me emrin intrigues “Top Secret 2”. Por për të kuptuar se çfarë përfaqëson realisht çështja Sheholli, duhet kthyer ora më shumë se tri dekada pas. Sepse historia e marrëdhënieve të Maliq dhe Fatmir Shehollit me strukturat e shtetit serb nuk fillon me fotografinë e gjetur në një telefon.

 

 

Që në vitin 1991, gazeta “Bujku” publikonte një deklaratë të 44 kryefamiljarëve të familjes së gjerë Sheholli nga Podujeva dhe rrethina, të cilët distancoheshin nga Maliq Sheholli dhe djali i tij Fatmir. Në deklaratë ata akuzoheshin se ishin “vënë në shërbim të pushtuesit serb”. Dokumenti i referohej edhe një distancimi të mëparshëm të bërë që në vitin 1990.

 

Babai, Maliq Sheholli, ishte anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë, partisë së Sllobodan Millosheviçit. Një raport i 13 janarit 1997 e identifikonte si shqiptarin e vetëm në listën e SPS-së për këshillin komunal të Podujevës të instaluar nga regjimi serb. Maliq Sheholli ishte vrarë më 9 janar të atij viti. Tri ditë më vonë, UÇK-ja mori përgjegjësinë për vrasjen dhe e akuzoi atë si bashkëpunëtor të pushtetit serb dhe pjesëtar të vjetër të UDB-së. Ky cilësim i fundit është akuzë e UÇK-së dhe jo fakt i provuar nga një vendim gjyqësor, por lidhja politike e Shehollit me strukturat e regjimit serb është e dokumentuar.

 

Pastaj është vetë Fatmir Sheholli. Sipas aktakuzës së raportuar nga mediat kosovare, ai ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se nga viti 1990 deri më 5 maj 1993 kishte punuar si analist në Sigurimin Shtetëror të Serbisë. Sheholli mohon se ka punuar më vonë për BIA-n dhe është deklaruar i pafajshëm për akuzën aktuale të spiunazhit. Por fakti se ka punuar në aparatin serb të sigurisë në fillim të viteve '90 nuk është thjesht akuzë e kundërshtarëve të tij, por del edhe nga deklarimet që aktakuza ia atribuon vetë Shehollit.

 

Kjo shpjegon përse në Kosovë arrestimi i tij nuk është perceptuar si një histori e shfaqur papritur në vitin 2025. Për një pjesë të opinionit ekziston një vijë historike: distancimi publik i familjes së gjerë nga Maliq dhe Fatmir Sheholli në vitet 1990-91, pozicioni politik i babait në strukturat e SPS-së, akuza e UÇK-së ndaj tij më 1997, puna e pranuar e Fatmir Shehollit në Sigurimin Shtetëror serb dhe, sot, pretendimi i Prokurorisë se ai ishte rekrutuar nga BIA. Akuza e fundit duhet ende të provohet në gjykatë.

 

Çfarë është “Top Secret 2”?

 

“Top Secret 2” është mbishkrimi mbi një material në gjuhën serbe, fotografia e të cilit është gjetur mes rreth 20 mijë imazheve në telefonin e Fatmir Shehollit. Sipas aktakuzës, Sheholli ia kishte dërguar fotografinë më 5 gusht 2025 një personi të identifikuar si “Viktor Makedonija”. Prokuroria e përdor posedimin dhe shpërndarjen e tij, së bashku me prova të tjera, për të argumentuar natyrën e marrëdhënieve të Shehollit me strukturat serbe.

 

Përmbajtja e dokumentit është edhe më eksplozive se emri. Teksti përshkruan atë që paraqitet si një strategji serbe për të përdorur fenë islame kundër Kosovës: financimin e ndërtimit të xhamive në vende shumë të dukshme, shtimin e medreseve, ndikimin te politika, media, sporti dhe diaspora, si dhe krijimin gradual të imazhit të Kosovës si një shoqëri e radikalizuar fetarisht. Objektivi i deklaruar në material është që pas disa dekadash Kosova të dukej në sytë e Perëndimit si “Kandahar”, duke humbur mbështetjen ndërkombëtare dhe duke i hapur Serbisë rrugën për rikthimin e kontrollit.

 

Cili është problemi?

 

“Top Secret 2” nuk lindi në telefonin e Shehollit

 

Një version pothuajse identik i këtij materiali, me vetë titullin “TOP SECRET 2”, ishte publikuar në internet që më 2 gusht 2018. UlpianaPress e paraqiste atëherë si dokument që kishte “rrjedhur” nga njerëz të besuar të Serbisë, por pa ofruar dokumentacion të verifikueshëm për origjinën. Teksti përmbante pikërisht të njëjtat elemente: xhamitë, medresetë, operativët, diasporën, “Kandaharin” dhe kthimin eventual të Kosovës nën Serbi.

 

Më 1 nëntor 2018, edhe “Bota Sot” publikonte materialin, duke thënë se e kishte siguruar nga një ish-zyrtar i lartë i Kosovës, emrin e të cilit nuk e bënte publik.

 

Në vitin 2024, dokumenti u shfaq sërish publikisht në një studio televizive, i paraqitur nga analisti Milazim Gashi si dëshmi e një plani serb për financimin e xhamive në Kosovë.

 

Pra kronologjia është domethënëse:

 

2018: dokumenti qarkullon publikisht.
2024: paraqitet në televizion.
2025: gjendet në telefonin e Fatmir Shehollit dhe ai, sipas aktakuzës, ia përcjell një personi tjetër.

 

Vetë gjetja e fotografisë në telefon, për rrjedhojë, nuk mund të provojë se dokumenti i ka ardhur Shehollit drejtpërdrejt nga BIA, sepse materiali kishte qenë në qarkullim publik të paktën shtatë vjet më parë.

 

Po gjuha? A duket si dokument i BIA-s?

 

Edhe këtu ka një problem serioz.

Analiza publike më e detajuar që gjeta është bërë nga politologu Ilir Deda. Duhet saktësuar se Deda nuk është gjuhëtar akademik i serbishtes, ndaj nuk do të ishte korrekte të shkruhej se ekziston tashmë një ekspertizë shkencore gjuhësore që e ka shpallur dokumentin fals.

 

Vërejtjet e tij janë konkrete dhe të verifikueshme. Deda evidenton një përzierje mes ekavicës dhe ijekavicës, si dhe gabime në rasa, parafjalë, renditje fjalësh dhe struktura gramatikore. Ai sjell si shembuj formulime të dokumentit si “deca i mladih”, “najbogati i najmoćnih šiptari” apo “deo Kosmeta izgleda će kao Kandahar”, duke argumentuar se teksti nuk tingëllon si serbisht e shkruar nga një folës amtar, aq më pak si tekst institucional i një shërbimi inteligjence. Sipas tij, materiali ngjan më tepër me një tekst të përkthyer dobët në serbisht.

 

Nga kërkimi nuk rezulton ende një ekspertizë e publikuar nga një institut gjuhësor, universitet apo ekspert forensik i serbishtes që të ketë autentikuar ose rrëzuar përfundimisht dokumentin. “Top Secret 2” nuk është provuar publikisht si dokument autentik i BIA-s dhe ka disa tregues seriozë që ngrenë dyshime mbi autorësinë e tij.

 

Këtu historia bëhet më interesante.

 

Po sikur dokumenti të mos jetë autentik?

 

Nëse “Top Secret 2” është dokument i fabrikuar, kjo nuk do të thotë automatikisht se dimensioni i luftës hibride zhduket. Mund të ndodhë e kundërta.

 

Thelbi i dokumentit është ndarja e shqiptarëve përgjatë vijës fetare. Ai u thotë shqiptarëve se xhamitë mund të jenë projekt serb, se udhëheqës fetarë mund të jenë instrumente të Beogradit, se politikanë, gazetarë, artistë dhe njerëz të diasporës mund të jenë pjesë e një rrjeti të fshehtë. Me një dokument të vetëm krijohet një mekanizëm i përsosur dyshimi të brendshëm: shqiptari fillon të shohë te shqiptari tjetër jo kundërshtar ideologjik apo fetar, por agjent të Serbisë.

 

Kjo është pikërisht logjika klasike e një operacioni dezinformimi: jo domosdoshmërisht të bindë publikun për një fakt të vetëm, por të helmojë marrëdhëniet brenda shoqërisë. Lidhja e Fatmir Shehollit me aparatin serb nuk ka nevojë për këtë dokument që të ekzistojë si çështje publike: ajo ka një histori që shkon nga puna e tij e pranuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë deri te aktakuza e sotme. “Top Secret 2”, përkundrazi, ka probleme serioze me origjinën, gjuhën dhe kronologjinë.

 

Por nëse një dokument me autenticitet të dyshimtë, i ndërtuar pikërisht për të prodhuar përçarje fetare mes shqiptarëve, ka qarkulluar për vite në hapësirën publike dhe përfundon edhe në telefonin e një personi të cilin Prokuroria e akuzon për lidhje operative me BIA-n, atëherë pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm: 

 

“A e ka shkruar BIA ‘Top Secret 2’?”

 

Pyetja është:

 

Kush e shkroi, kush e futi fillimisht në qarkullim, përse u krijua dhe kujt i shërbeu narrativa që prodhoi?

XS
SM
MD
LG